Nëse do të analizojmë me një sy të thjeshtë dhe kritik gjithë literaturën e udhëtimit të udhëtarëve evropianë përgjatë shekullit të XIX dhenë vazhdim rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve do të shohim se ajo rreth rrotullohet përgjatë disa fjalëve kyç e kryesore si: islam, krishtërim lindor, katolicizëm,tolerancë, kanun i Lek Dukagjinit, primitivizëm, natyrë e egër.
Kjo lloj literature e shkruar për një publik evropian të etur për lexime egzotike që sapo kishte hyrë në zhvillimin e vrullshëm të shtypit të shkruar dhe mjeteve të tjera të botimit në masë është përgjegjëse për krijimin e imazhit dhe simboleve kulturore që shoqërojnë shqiptarët sot në ndërgjegjen evropiane. Në këtë vazhdë të jepet përshtypja se qendron dhe kulturialisht libri më i fundit i Mustafa Nanos, “Selam Alejkum baba”, pavarësisht titullit të tij. Nëse udhëtarët britanikë dhe francezë kishin rizbuluar Shqipërinë Jugore pasi trualli i saj lidhej ngushtë dhe me zhvillimet e antikitetit greko-latin dhe si territor që nga koha e Ali pashë Tepelenës luante një rol të rëndësishëm gjeostrategjik për interesat e tyre politike, shkolla e mendimit austriak zbuloi Veriun e Shqipërisë, territor shumë afër zotërimeve austriake në Bosnje por edhe territor strategjik në shtrirjen e Perandorisë drejt Selanikut. Zbulimi i Eposit të Kreshnikëve, dokeve dhe riteve të malësorëve si gjama e burrave, rievidentimi i një katolicizmi rural dhe arkaik ndër shqiptarët, simbolet e tyre pagane të diellit e hënës sëbashku më magjinë e e bukurisë së territorit u kthyen në simbole të rëndësishme kulturore që i portretizuan shqiptarët jo vetëm si një kuriozitet i ri antropologjik por edhe si një barrierë e rëndësishme politike ndaj pansllavizmit. Prej nga këndej kemi dhe lidhjet e zakoneve, traditave dhe riteve të shqiptarëve të Veriut me antikitetin grek , me motivet kryesore arkaike të Iliadës, lidhjen e eposit tonë të Veriut me eposin homerik, malësorë shqiptarë që qajnë e vajtojnë me gjamën e tyre të afërmin njëlloj si Akili qan dhe vajton Patroklin, ligjet e botës antike të përcjella përmes Kanunit të Lek Dukagjinit etj. I gjithë ky korpus veprash i publikuar në gjermanisht por dhe mjaft i njohur për elitën shqiptare nuk kish mundësi që të kalonte pa influencuar në kulturën shqiptare, aq më tepër që është një ligjërim që edhe pse i sheh shqiptarët si të prapambetur arkaik por në thelb të mirë, nxjerrë në pah dhe disa karekteristika të dallueshme etnike në veçanti në ballafaqimin e gjatë të tyre me fqinjët veriorë, sllavët.
Lidhja dashurore Ursula-Guri është e ndërtuar në roman sipas këtyre klisheve, duke zbuluar kohë pas kohe një Shqipëri tjetër që më tepër është simbol i imagjinatës letrare sesa plazmon në të vërtetë. Pavarësisht kësaj, Koliqi dhe më pas Kadare në letërsinë shqipe kanë lëvruar një prozë të suksesshme mbi këto motive duke krijuar vepra që i kanë rezistuar kohës. Përmendja në roman e fototekës Marubi është simbol i asaj Shqipërie arkaike dhe tradicionale që plazmon herë pas here në roman. Imazhi i kësaj Shqipërie shpesh herë është ndërtuar duke iu nënshtruar egzotikes apo asaj çka të huajt kanë dëshiruar të shohin në Shqipëri, pasi Shkodra e viteve të fundit të shekullit të XIX kishte hyrë në procesin e urbanizmit njëlloj si qendra të tjera qytetare ballkanike.
Libri që kemi në dorë , romani i Mustafa Nanos, “Selam Alejkum Baba”, edhe pse në titull tingëllon se do të rreket të trajtojë simbolet kulturore në një qerthull kulturor lindor, në mënyrë të befasishme për lexuesin ndërthurr dy botët e ndryshme, dikotominë e njohur Lindje dhe Perëndim, fetë e kundërta, Islamin dhe Krishtërimin, tolerancën fetare midis shqiptarëve dhe fatet e personazheve në një provincë qendrore të Shqipërisë të identifikuar si CH, por që fare mirë mund ti qendrojë çdo qyteti shqiptar. Rimarrja e motiveve të vjetra të Shqipërisë së fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX, për të analizuar shqiptarët është një kurth dhe një dhuratë nga instalimi i socializmit real dhe çmendurisë kolektive të tij për ndalimin e fesë në vitin 1967. Shqipëria e pas viteve 90’ u konsiderua si një terra nova për të gjithë besimet fetare, çka u u konkretizua dhe në zhvillimin e feve tradicionale që ishin ushtruar në Shqipëri, larg modelit të mëparshëm tolerant të krijuar prej një bashkëjetese shumë shekullore, por si hakërrim dhe epërsi ndaj njëra-tjetrës. Familja Shelba, fati i së cilës përshkruhet në roman, është një familje tipike shqiptare që ngërthen mes vetës të tre besimet tradicionale shqiptare. Marrëdheniet mes tyre janë të mirëkuptueshme dhe të respektueshme përsa i përket besimit, por intoleranca e shprehur herë me humor si në rastin thërritjes së Hanës nga vjehrri i saj “Kaurka” apo debatet baba-Adli apo Adli-Guri nxjerrin pah se harmonia fetare mes shqiptarësh është një vlerë ende jo aq mire e riveluar dhe se ka nevojë për përkushtim dhe mirëkuptim nga të gjitha palët.
Në faqet e romanit që sigurisht edhe pse është fiction, mund të ketë disa lexime të tjera si kulturore, antropologjike etj është e pashmangshme një lidhje midis së shkuarës kulturore dhe fetare të Shqipërisë me të sotmen, ku autori nuk mënon të japi shpjegimet dhe recetat e veta për harmoninë fetare dhe ruajtjen e laicizmit të shtetit si garanti kryesor i kësaj harmonie. Paralelisht me rrekëllimet sociale filozofike, të njohura këto edhe në librat e mëparshëm të Mustafa Nanos si “Pax Albania”, kemi një narracion të vrullshëm e gjithë lëng jete të personazheve si Adli, Guri dhe në fund të librit dhe Bekimit. Kjo gjë ndihet sidomos në kapitullin e fundit ku autori përmes një truku letrar përshkruan ditën e parë ë shtegtimit të supozuar për në parajsë të Bekimit, babait të dy djemve. Kjo gjetje letrare është origjinale pasi që nga përpjekja e parë në gjuhën shqipe e botimit të një letërsise me alfabet arab e konsideruar si Almaida shqiptare nuk ka pasur trajtime të jetës dhe ndjenjave të botës së brendshme të personazheve të besimit islam, për tema universale që i përkasin këtij besimi apo për përshkrime të parajsës.
Adli, në ballafaqimin e tij me botën sa mbush 18 vjeç dëshiron të bëhet mysliman, për të plotësuar boshllëkun e jetës së tij në kushtet e një agresioni materialist kulturor viktima të të cilit pothuajse ndihet e gjithë shoqëria shqiptare. Por a është kjo një përgjigje ndaj realitetit të sotëm shqiptar? A është muzeini i xhamisë së Tujanit me predikimet e tij gjithë e urrejtje e mllef ndaj gjithçkaje që nuk shkon mirë në botë, zgjedhja më e mirë për të përmbushur urinë shpirtërore të të rinjve shqiptarë për ideale dhe qëllime të rëndësishme në jetë? Nuk është ndonjë filozofi e madhe për ta kuptuar këtë devijim social që ka ndodhur në periferitë tona, pasi modele të tilla të ngjashme janë shfaqur kudo ku vendin e një tendence sekulariste të shoqërisë e ka zënë agresiviteti i shpallur i një besimi fetar. Egjipti, Algjeria janë shembuj tipikë, ku ndryshimet sociale të nisura drejt sekularizmit në vitet 60’, me korruptimin e elitave të tyre dhe ndërtimin e jo demokracive funksionale, periferitë e tyre e panë veten shumë shpejt nën ndikimin e vehabizmit e të ngërthyer nga ethet e fanatizmit fetar. Shqipëria padyshim që është një rast tjetër, kjo gjë jo vetëm se jemi larg gjeografikisht me vendet e Afrikës Veriore, por edhe pse nuk kemi shumë gjëra të përbashkëta me to, në perceptimin rreth Perëndimit e Europës. Gjithësesi në faqet e librit përmes dialogëve të ndryshëm të personazheve duket qartë se formula e vjetër kombformuese është tkurrur përkundrejt identitetit fetar. Mirëpo përmes këtyre dialogëve dhe përsiatjeve të personazheve lexuesi mendon kjo është një betejë e vjetër po aq sa ekziston dhe shteti shqiptar. Për të mos rënë në kurthin e përditshëm të kësaj kundërvënie, Mustafa Nano prezanton recetat e veta që kultura, arti, vetëdija nacionale, historia, shteti, mirëqenia sociale duhet të gjenden pranë individit jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në skajet më të largëta e periferitë shqiptare.
Jo më kot i vetmi institucion që punon në qytezën CH është bar “Turning 18”, xhamia dhe kisha e qytetit. Mustafa Nano rreth tyre sendërton dhe përshkruan dualizmin e jetës, kënqësitë e mishit dhe materiale dhe përdëllimet dhe stërhollimet shpirtërore rreth jetës së sotme dhe përtejshme. Ky dualizëm dhe dikotomi duket se është shtrirë si një linjë lineare në gjithë romanin. Adli, vuan nën një konflikt të brendshëm drejt përsosmërisë hyjnore që dëshiron të ushtrojë në jetën e vet dhe jetës së përditshme me bashkëjetesën me Borën dhe mendimet e kundërta të vëllait të vet, Gurit që jeton dhe punon në Austri. Vetë Guri, përjeton një dualizëm të tillë kur në Austri është i predominuar nga asetet dhe vlerat e rrënjosura të kulturës perëndimore dhe në Shqipëri ripërjeton vlerat dhe asetet kulturore të kulturës së vet lokale. Mirëpo vetë autori i librit nuk e ka këtë dilemë. Në faqete fundit të romanit, kur përshkruan vdekjen e Bekimit dhe shtegtimin e tij drejt parajsës, rrëfen sesi ky i fundit nga gjithë motivet që i vijnë ndërmend është motivi i aktit seksual të dy qenve , duke na çuditur si lexues se dhe motivet e kësaj bote që jetojmë nuk janë fort të latuara. Në të njëjtën kohë Mustafa Nano, përmes Bekimit provokon se dhe për një besimtar fort të mirë dhe praktikant, bota më e mirë është ajo ku ka jetuar më parë. Bekimi e gjen veten më mirë në dashurinë e Hanës, “Kaurkës” së tij, në komunikimin e vështirë por gjithsesi të dhembshur me të dy bijtë sesa në parajsën e 72 hyrive dhe të mirave materiale që rrjedhin si lumenj. Është paradoks, apo është e vërtetë , është ateizëm apo mënyrë jetese ? Këto dilema nuk shqyrtohen hollësisht në roman, por ndjesia që i mbetet në fund lexuesit është se dashuria për jetën në tokë dhe lufta për të krijuar të mira me njerëzit që do, është lumturia triumfuese që rrëzon besime, barriera dhe paradokse fetare.
No comments:
Post a Comment