Sunday, 13 November 2016

“Alipashaida”, eposi i harruar i Ali Pashë Tepelenës



Nuk ka dyshim që në gjallje të Ali Pashë Tepelenës, ka pasur përpjekje për të shkruar jetën dhe bëmat e vezirit karizmatik të Janinës, përpjekje që dëshmohen nga “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit, poetit homerik delvinjot, që me një poemë të gjatë dhe origjinale përshkruante origjinën, jetën, ngjarjet dhe vdekjen e pashait. Një përpjekje të tillë e dëshmon Dr. Henry Holland në veprën e vet “Travels in the Ionian Islands, Albania, Thessaly, Macedonia etc”, kur përshkruan ngjarjet e Kardhiqit dhe nënvizon faktin se ato ishin përshkruar  të plota në historinë poetike të Ali Pashës, të cilën i kishte dhënë miratim për botim (-Holand. H (2009) Mjek te Ali Pasha. Tiranë Migjeni, fq 206). Po kështu te Pukëvili gjejmë informacionin se në Vjenë kishin shtypur për nder të Ali Tepelenës një poemë (Puoqueville. F (2011). Ali Tepelena . K& B:Tiranë, faqe 299). Të dy autorët, Dr Holand dhe Pukëvili, edhe pse nuk e përmendin titullin e veprës poetike, mund të kuptohet dhe arrihet në një përfundim paraprak, përmes analizës së fakteve se bëhet fjalë për “Ali Pashaidën” e Shehretit.

Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj periudhe, pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike të lartë për kohën, por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që ndodhën në Pashallëkun e Janinës. “Alipashaida”, e shkruar sipas modelit të poemave të gjata epike, i njihet autori, çka e bën më të plotë atë, nga dy poemat e tjera të gjendura deri më tani për Ali Pashën. Të dhënat biografike për Haxhi Shehretin janë të pakta, kryesisht dëshmi të tërthorta, që vijnë nga veprat e udhëtarëve të huaj, bashkëkohës të tij dhe disa dokumente administrativë të Pashallëkut. Ai lindi në Delvinë dhe ishte bashkëmoshatar  dhe i njohur me Aliun, që në rininë e tij. Shërbeu për vite me radhë pranë oborrit të Pashait, derisa dha grahmën e fundit aty. Mbi shpatullat e tij patën rënduar hallet e një familje prej dymbëdhjetë fëmijësh, dhe mjerisht vdiq i verbër dhe në varfëri të plotë. Në një pasazh të historianit grek S. Aravantino mësojmë se poeti është varrosur në vendlindjen e tij, në Delvinë (Koçollari. I (1997) Alipashaida e Haxhi Shehretit. Tiranë: Onufri, faqe 15).
E shkruar në greqishten moderne, mund të  mendohej “Ali Pashaida” do të na vinte e gjitha dhe e plotë deri në ditët tona dhe ne sot në duar do të kishim një vepër të përfunduar,  për ta shijuar e lexuar, por  për fat të keq ashtu si dhe me shumicën e veprave të krijuesve shqiptarë të mesjetës së vonë , ajo ka ardhur e fragmentuar dhe e botuar në forma të ndryshme, ku spikatin botimi i një përmbledhje dhe komentesh në prozë të 4500 vargjeve të saj, nga udhëtari dhe diplomati anglez William Martin Leake në 1837 dhe botimi i 3000 vargjeve të saj nga studiuesi i njohur helenist, Konstandin Sathas në librin e tij  “Teza Historike” në vitin 1870. Sathas, mes të tjerash shkruan se Haxhi Shehreti ishte shqiptar nga Delvina dhe ka jetuar në oborrin e Ali Pashait të paktën deri më 1812. Vdiq më 1819, në Shqipëri, ku ishte vendosur në një post të rëndësishëm me të ardhura të pakta, pas të luturave të përsëritura të Ali Pashait. Ndërkohë, i kishte diktuar sekretarit Panajot Salonitoglu 10.000 vargje të keq punuara, tek të cilat tregohet “entuziazmi i njëanshëm” dhe “lajkat e mjerueshme”. Këto vargje i adhuronte dhe herë pas here i korrigjonte Ali Pasha, duke e dhënë dorëshkrimin tek një nga grekët e ditur të oborrit të tij, sepse bëhej fjalë që të botoheshin në Vienë. (Blanas. G (28/03/2010)I patridha to poiti Haxhi Shehreti http://archive.avgi.gr/ArticleActionshow.action?articleID=531972)
Vlerësimet e Satha-s për Shehretin duken që janë në një frymë me ato të Leak-ut dhe reflektojnë dikotominë e njohur në rajon të diskursit, kur flitej për trashëgimi historike e kulturore, që lidhej me otomanët dhe shqiptarët myslimanë. Për studiuesin Satha-n, Ali Pasha Tepelena nuk ishte më heroi dhe mbrojtësi i helenizmit në Pashallëkun e Janinës, si e patën vlerësuar që në gjallje Leake dhe udhëtarë të tjerë të huaj, bashkëkohës me Pashain Tepelenas, por një tiran oriental veprat e të cilit nuk duheshin kënduar në atë lloj dhembshurie dhe nderimi që i kish kënduar Shehreti.
Vlerësimi për figurën e Ali Pasha Tepelenës nga ana e elitës politike dhe kulturore greke kaloi përmes një procesi që pasqyron edhe vet evoluimin e kësaj elite nga një elitë shërbyese në Oborrin e Ali Pasha Tepelenës e kënaqur me afirmimin e vet kulturor nëpërmjet inkurajimit të hapjes së kishave të reja dhe të një rrjeti shkollor në gjuhën greke, drejt kërkesave të krijimit të shtetit të vet kombëtar që erdhi si rezultat i përqafimit të ideologjisë së nacionalizmit në dhjetë vjeçarin e dytë të shekullit të XIX. Në këtë kontekst veprimet politike të Pashait tepelenas nën frymën e nacionalizmit maksimalist e shoven të “Megali Idesë” u konsideruan nga historianët në shtetin e porsa krijuar grek si shtypëse dhe barbare për të justifikuar dhe përvetësuar trashëgiminë historike dhe territoriale të Pashallëkut të Janinës.
Këto vlerësime dhe paragjykime nuk mbetën vetëm në aspektin politik por u shtrinë dhe në vlerësimin e trashëgimisë kulturore të Pashallëkut të Janinës, ku bëjnë pjesë dhe poemat letrare të shkruara rreth Ali Pashës. Nën këtë frymë Satha, vargjet e Shehretit, i quan të hartuara keq nga ana teknike. Mesa duket më tepër se cilësia e vargjeve Satha, si një dishepull i gjuhës bizantine “katherusa” i vret veshin gjuha e thjeshtë popullore “dhimotiki” e poemës.
Tjetër mendim ka historiani Spiro Aravatinu, që në fakt jep dhe një informacion të rëndësishëm sesi ka arritur kopja e “Ali Pashaidës” në Biblotekën Kombëtare të Athinës. Njëzet e pesë vjet më vonë, Spiridhon Aravantinos, në librin e tij “Historia e Ali Pashë Tepelenës” (botuar në Athinë, në entin botues Spiridhon Kusulinu, 1895 dhe tani në Athinë, Dhodhoni, 2004)  zbulon se kopja që përpunoi Satha ishte dhuruar në Bibliotekën Kombëtare nga ruajtësi i vulave të Ali Pashait dhe deputet i shtetit grek, Athanasios Dhidoriki dhe në ballinë ishte shënimi me dorën e Sathas, i diktuar nga dhuruesi, që bënte me dije se ishte kopje e dorëshkrimit origjinal, që dërgoi Shehreti tek Ali Pashai, sepse i përkiste iluministit Athanasios Psalidha dhe se dorëshkrimi origjinal gjendej në duart e mjekut K. N. Mavromati nga Katuni.
Nga ky shënim mund të nxjerrim përfundimin se një nga grekët e ditur të oborrit, që Ali Pasha i jepte dorëshkrimin për të korrigjuar, ishte iluministi grek Psalidha, drejtori i shkollës së Janinës. Ka të ngjarë që Psalidha të dinte shqip dhe të konsultohej vet, ndoshta me poetin Shehreti për vërtetësinë e tekstit, pasi dhëndëri i tij, Lluka Vaja ishte shqiptar, vëllai i besnikut të Ali Pashës, Thanas Vajës nga Lekli. Sa për poetin, shënimi theksonte se ishte krejt i pashkolluar, i verbër dhe shumë i varfër. Aravantinos i pa me interes të veçantë vargjet dhe shkruante se shumë poetë të njohur do ta kenë zili fuqinë e ndjenjës, fantazinë poetike dhe gjallërinë e pamjeve të saj. Madje nuk nguron ta krahasojë poetin shqiptar me Virgjilin (Blanas. G (28/03/2010)I patridha to poiti Haxhi Shehreti http://archive.avgi.gr/ArticleActionshow.action?articleID=531972)
Ky vlerësim i Aravatinoit dëshmon se “Ali Pashaida” kishte filluar të fitonte një status tjetër në sytë e studiuesve grekë, për më tepër pikërisht për fantazinë poetike, por mbi të gjitha për gjuhën e kuptueshme popullore greke. Në vitet 60’ të shekullit të shkuar, poeti dhe piktori surealist grek, me origjinë arvanitase Nikos Egonopulos, do ta quante “Ali Pashaidën” si artin e vërtetë grek.
Në shqip poema ka ardhur nëpërmjet përkthimit, shumë të arrirë të  studiuesit Irakli Koçollari, që me punën e vet kërkimore ia arriti qëllimit të mbledhë dhe 6000 vargje të tjera, të humbura nëpër vepra të tjera apo të mbuluara nga tisi i kohës dhe të publikojë një variant pak a shumë të plotë të saj në vitin 1997. Për fat të keq qysh prej atëherë, poema nuk është përfshirë në studime kulturologjike në asnjë shkallë të nivelit të arsimit në Shqipëri dhe ka një harresë të çuditshme, çka duket e pajustifikueshme ndaj një vepre të letërsisë së traditës.

Gazeta Dita. 12.11.2016



No comments: