Tamburxhi! Tamburxhi! thirrja jote ushton;
U ngjall trimave shpresën; për luftë na fton
Gjithë djemt' e malsisë i thërret anëmbanë
Himariotët, Ilirët, Suliotët zeshkanë,
E kush është aqë trim sa Sulioti zeshkan,
Me fustane të bardhë e të zi tallagan?
Ja le tufën shqiponjës e bishës e zbret
Poshtë fushës me sulm si rrëkeja në det.
Të bijt' e Himarës që s'falin as mikun,
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s'markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj' më të bukur se zemra armike?
Maqedhoni dërgon bijt' e tij fitimtarë
Lenë gjahun në pyll në gjak për të larë
Mandilet e kuqe, t'i skuqin më shumë
Në gjakun e luftës që rjedh posi lumë.
Kusarët e Pargës i ka deti shokë;
I zënë rob frëngjtë, i zbresin në tokë,
I shpien në burg, atje të kuptojnë
Se ç'janë vargonjt' e sa rëndë rëndojnë.
Të dobëtit blejnë, u duhen paratë;
Fitoj, çdo gëzim që dua, me shpatë;
Prej s'ëmës rrëmbej të bijën truphedhur,
Mar nusen e re, me flokët e derdhur.
E dua fytyrën e bukur si lule.
Që shpirtin ma deh me këngë e pekule,
Pa silljani lirën prej odës së vet
E këngës t'ia thotë për vdekjen e tet.
Kujtoni Prevezën, në dorë kur shtimë,
Armiqtë vajtuan por ne brohorimë;
Shtëpira që dogjëm, e plaçkë që ndamë-
Zengjinët i therrëm, të bukrat s'i ngamë.
Ne frikën s'e njohim, s'e njohim mëshirën,
Këto nuk i njeh kush lufton për Vezirin;
Që kur leu Profeti, s'ka parë Gjysmëhëna
Një trim kaq të madh sa Ali Tepelena.
I biri Myftari drejt Tunës po nget,
Gjaurët leshverdhë ta dinë ç'i pret;
Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak,
Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak!
Silihtar! zhveshe kordhën e të Parit tonë;
Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;
Ju male, që shihni si zbresin në zall,
Ja kthehemi mundës, ja nuk vimë gjallë.
Lord Byron. Shtegtimet e Childe Harold. Përktheu nga origjinali Skënder Luarasi
No comments:
Post a Comment