Saturday, 10 September 2016

Motrat Qiriazi



Gratë shqiptare në fundin e shekullit të XIX,  do të ndiheshin më të habitura por në të njëjtën kohë do të ndjeheshin dhe krenare nëse do merrnin vesh se një princeshë që gjithandej tregonte me krenari rrënjët e origjinës së vet shqiptare, Elena Gjika, alias Dora d’Istria ishte në katër gratë kryesore në Europë që promovonin feminizmin dhe të drejtat e grave përmes fjalës së shkruar dhe pendës.
Në botëkuptimin e tyre, ato ishin mësuar që të gjenin brenda vetes burrin në heroizmin e një Nore të Kelmendit apo një Miro të Tërbaçit, dhe jo butësinë dhe pathosin për drejtësi shoqërore të Dora D’Istrias në librin për “Gratë nga një grua”. Gjithësesi , si në çdo shoqëri , kishte dhe përjashtime. Rasti i dy motrave Qiriazi, pionereve të arsimit shqip por edhe të emancipimit të grave është një rast vërtet shumë impresionues për një shoqëri patriakale si ajo shqiptare e fundit të shekullit të XIX.
Parashqevi Qiriazi,(1880-1970) lindi në Manastir më 2 qershor 1880. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në vitin 1899, ishte nxënëse e Shkollës së Vashave në Korçë. Edhe Parashqevia mësimet e larta i kreu në Kolegjin Uimins në Stamboll në vitin 1904. Kthehet në Korçë dhe merr drejtimin e shkollës shqipe të vajzave dhe iu kushtua mësuesisë. Në vitin 1908, mori pjesë aktive në Kongresin e Manastirit. Më 1909, Prashqevia botoi në shtypshkronjën “Bashkimi i kombit” “ABETARE PËR SHKOLLAT E PARA”, duke zënë vend në historinë e shkollës shqiptare si e para grua autore tekstesh shkollore. Në shkrimet e saj shfaqi pikëpamjet demokratike të përparuara të kohës, ishte për arsimin fillor falas e të detyruar, të shtrirë edhe në fshatra, për organizimin e shkollave të mbrëmjes dhe të universitetit popullor. Ajo ushtroi gjithashtu, nevojën e organizimit të institucioneve kulturore në Shqipëri, si ngritjen e bibliotekave në qytete, themelimin e një shtëpie botuese etj. Qe një nga themelueset kryesore të shoqërisë së grave “Yll’i Mëngjezit” (Korçë, 1909). Me bashkëpunimin e së motrës Sevasti Qiriazi, përgatiti dhe botoi në mërgim revistën “Ylli i Mëngjezit” (1917). Mori pjesë në Konferencën e Paqes (Paris, mars 1919) si përfaqësuese e shqiptarëve të mërguar në Amerikë. Në atdhe u kthye në vitin 1921, dhe vazhdoi të merrej më çështjen arsimore e kulturore. Pas Luftës së Dytë Botërore, botoi kujtimet nga veprimtaria e saj patriotike.
Sevasti Qiriazi, (1871-1949 .Në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe, personaliteti dhe vepra arsimore-pedagogjike e Sevasti Qiriazit, zë vend të nderuar. Ajo ishte mësuese, pedagoge dhe organizatore e edukimit dhe arsimimit të femrave, veprimtare e palodhur e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, drejtoreshë e Shkollës së Vashave në Korçë, atdhetare e flaktë, intelektuale dhe poliglote që zotëronte shumë gjuhë të huaja.
Sevastia lindi në Manastir në vitin 1871. Në fillim mësoi në shkollën fillore greke, e më vonë në shkollën amerikane në Manastir, ndërkaq studimet e larta i kreu në Kolegjin e vajzave në Stamboll, në vitin 1891, nën kujdesin e Naim Frashërit. Menjëherë pas diplomimit, Sevastia u kthye në Shqipëri për të puanuar në shkollën shqipe të vashave. Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit (1909), ishte anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritura nga shoqëria “Përparimi”. Botoi “Gramatikën elementare për shkollat fillore” (Manastir 1912), Shkronjëtoren e gjuhës Shqipe”, dhe përgatiti për botim serinë e teksteve të historisë së kohës së moçme, të mesme,të re dhe të sotme etj.

Pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit dhe të Elbasanit e të dy motrave Parashqevi e Sevasti Qiriazi, nuk ishte e rastësishme, por rrjedhojë e autoritetit të lartë që gëzonte shkolla e tyre. Deri në atë kohë, në asnjë veprimtari politike e kulturore, mbledhje a kongres kombëtar nuk kishte marrë pjesë asnjë grua. Sevastia dhe Parashqevia e përfaqësuan me dinjitet shkollën e tyre në këto forume të rëndësishme kombëtare, duke çuar përvojën e shkollës, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë pedagogjik.
Dy motrat Sevastia dhe Parashqevia, si drejtuese të Shkollës së Vashava në Korçë e si organizatore, qëndrojnë në radhë të parë të luftës për të vënë në jetë programin iluminist për arsimin e popullit tonë. Si pioniere e emancipimit, gjithë jetën ia kushtuan edukimit dhe emancipimit të grave shqiptare për t’i përgatitur si nëna të së nesërmes dhe shtylla të fuqishme të kombit tonë. Si krijues, të dyja motrat kanë meritë se guxuan të shkruajnë e të krijojnë, si gra janë ndër të vetmet në kohën e tyre që dhanë një kontribut për pasurimin e botimeve didaktike. Si politikane e diplomate ato e përfaqësuan me dinjitet lëvizjen tonë kombëtare dhe mbrojtën me guxim para diplomacisë së Fuqive të Mëdha dhe forumeve ndërkombëtare kërkesat e shqiptarëve e të drejtat legjitime të popullit tonë. Diplomacia evropiane e quajti Parashqevi Qiriazin “Zhan D’Arka Shqiptare”. Si oratore, u shquan të dyja motrat për qartësinë e mendimit dhe predikuan në popull idetë e mëdha të Rilindjes Kombëtare, të luftës së drejtë që bënte populli ynë për ruajtjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të vendit tonë. Në mënyrë të veçantë, si mësuese u shquan për vullnetin, pasionin, këmbënguljen dhe për kërkesat e larta për ta ngritur shkollën e tyre në nivelin e shkollave më të mira të kohës. Kontributi i tyre vazhdon të jetë ende grishës për çdo gjeneratë femrash shqiptare.





No comments: