1- Kreativiteti, a është për ju një dhunti e lindur apo e keni zhvilluar atë në bazë të njohurive, interesave për jetën dhe plotësimit të figurës tuaj?
Besoj se është një dhunti e lindur si interes për letërsinë, historinë dhe artet dhe sigurisht e ushtruar në mënyrë të pavetdijshme që në moshë të vogël. Më kujtohet se që në shkollë të mesme , gjatë orëve të mësimit shpesh herë shkruaja në letra të vogla, sinopse idesh, rrëfimesh e poezish , një pjesë e madhe e të cilave kanë mbijetuar si subjekte në memorjen time dhe kur kam pasur kohë më vonë i jam rikthyer, kurse një pjesë tjetër sigurisht që ka humbur në hojet e kujtesës.
2- Si historian dhe studies sa ju ka shërbyer të krijuarit në plotësimin dhe sjelljen e dokumenteve apo fakteve historikë pranë lexuesit?
Historia është një shkencë që nuk lejon të krijosh sepse në vetvete kërkon që t’i përgjigjet sa më tepër realitetit. Që nga Herodoti, i pari historian serioz i përmendur në historinë e njerzimit, në momentin kur ata nuk njohin një ngjarje apo territor me saktësi gjithmonë janë përgjigjur në mënyrë lakonike “thuhet se”, ‘besohet se” etj. Mirëpo , pavarësisht këtij fakti dhe ngurtësie të shkencës së historisë, në fakt si dhe rrëfimet e Herodotit, ajo mund të shkruhet mbi bazën e një narrative që lejon të intepretosh dhe të shpjegosh faktet historikë dhe jo vetëm tëtë dokumetosh thatë historinë. Mendoj, se kjo është sfida e brezit të ri të historianëve për të rishkruar një histori sa më afër së vërtetës por në të njëjtën kohë edhe më të përceptueshme nga publiku.
3- Njerëzit që krijojnë padyshim kanë edhe momentet e veta të bllokimit. Në psikologji njihen si “vrasësit” e kreativitetit, që janë: Kontrolli i tepruar, Frika dhe ankthi, Adrenalina dhe tensioni i tepruar, Izolimi, Mungesa e motivimit dhe pasionit, Pesimizmi. Ju kaplon kjo gjendje dhe çfarë ndodh me ju?
Besoj se përmes gjendjeve të cituara më lart, kalojnë pothuajse të gjithë njerëzit që ushtojnë aktivittin e tyre me muzat artistike. Personalisht, ndjehem keq nga mungesa e motivimit dhe e pasionit të të tjerëve për të mësuar më shumë rreth identitetit, historisë dhe së shkuarës së vendit të vet. “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon dhe të sotmen’ është një shprehje e njohur nga shkrimtari britanik George Orwell, çka nënvizon rëndësinë e njohjes së historisë dhe implikimet e saj në të sotmen. Për të tejkaluar këtë gjendje, e rëndësishme është që njerzit të ndërgjegjësohen duke u kujtuar se historitë personale të suksesit apo mossuksesit, identitetet e së shkuarës dhe sotmes, përbëjnë tërësinë e historisë dhe identiteteve të një popullsie dhe të orientimit të saj drejt progresit. Nëse dëshirojnë që të ndërtojnë një të ardhme solide, atëherë këtë proces duhet ta fillojnë duke njohur të shkuarën.
4- Psikologët thonë: Ndryshimi është padyshim një forcë e fuqishme. Hap prespektivën, zgjeron vizionin, na vë në pozita ku vendosim të braktisnim frikërat dhe dyshimet tona. Një pikë e mirë nisjeje sipas tyre është edhe edukimi ndaj mendimit negativ. Sa ju ka ndihmuar përgjatës vijës studimore që keni ndjekur dhe a mund të më rrëfeni ndonjë rast?
Negativizmi në shkrimine historisë së shqiptarëve është kthyer në një modë. Për fat të keq kjo gjë nuk po ndodh nga profesionistët po kryesisht prej studiues të fushave të tjera që i bien në qafë historisë. Dekonstruktimi i të ashtëquajturave mite në historinë shqiptare prek zakonisht palcën e identitetit të shqiptarëve duke tentuar t’i paraqesin ata si më pak të zhvilluarit nga ana kulturore, më të vonuarit në zgjimin kombëtar etj. Personalisht, këtë gjë e kam hasur në studimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës, dhe vetëm kur e vendosa në një rrafsh krahasues me figura të tjera në Ballkan dhe me ngjarje të ngjashme me rebelimin e tij, besoj se arrita ta kuptoj më mirë figurën e tij dhe rëndësinë e aksionit të tij politik.
5- Për disa, ky lloj ndryshimi shoqërohet me paragjykim. Ju ka privuar kjo gjë apo përkundrazi ju ka ngacmuar të çoni më tej pritshmëritë tuaja?
Përgjithësisht, paragjykimet që kam hasur në shkrimin e historisë së shqiptarëve, kryesisht prej mosnjohjes por edhe shpesh herë prej dashakeqësisë, më kanë ngacmuar që të bëj të mundur përmes dokumentave dhe shtjellimit të fakteve të pasqyroj drejtë fenomenet historikë përmes të cilave ka kaluar kombi ynë. Shqiptarët, kanë as më shumë dhe as më pak një histori të përbashkët metë gjithë popullatat në Ballkan, ndaj paragjykimet e ndërtuara ndaj tyre për zgjim të mëvonshëm kombëtar apo mungesë instikti qeverisës, para se të jenë fakte historikë më së shumti janë paragjykime të tipit orientalist të mosnjohjes së Tjetrit. Sëbashku me kolegë të tjerë të brezit të ri të historianëve , gjithseli në fushat e veta të studimit jemi duke u munduar të plotësojmë mozaikun e tërësisë së historisë së shqiptarëve, të një historie multidisiplinare ku nuk studohet historia vetëm si sagë e narrativë por si kombini edhe me fushat e tjera të dijes.
6- Të qenit kreativë, na lejon të kapim mundësitë në çdo situatë, favorizon mendimin pozitiv, zhvillon dhe fuqizon ndjesinë e kënaqësisë personale dhe vetërealizimit. Sa i plotësuar ndiheni në këtë drejtim dhe sa keni ndikuar në mirëqenien e atyre që janë pjesë e fushës ku ju jepni kontribut?
Këtë pjesë, sigurisht që nuk më takon mua të flas, pasi janë lexuesit, studentët e kolegët që do të mund t’i përgjigjeshin më mirë. Sigurisht, që jam ndjerë mirë kur miq e kolegë kanë cituar shkrimet e librat e mia në veprat e tyre apo në doktoraturat e studimit dhe përveçse kënaqësisë së njohur të studiuesit kam përfituar dhe ndjenjën mikluese të vlerësimit, çka për hir të së vërtetës është e pakët në shoqërinë tonë. A kam ndikuar në mirëqenien e tyre? Besoj se intelektualisht dhe shpirtërisht , çdo koleg lë gjurmë me personalitetin e tij, ndaj besoj se në mënyrë të vetdijshme e të pavetdijshme, në këtë mënyrë ne kontriubojmë në mbarëvajtjejn dhe mirëqenien e të ngjashme si ne.
Revista Psikologjia. Nr 6. 2016
No comments:
Post a Comment