Tuesday, 27 September 2016

Pallati i Ali Pashë Tepelenës në Artë.



Gjatë kohës kur krahina e Çamërisë hyri brenda kufijve administrativë të Pashallëkut të Janinës, edhe aty si në gjithë Shqipërinë u realizuan, si asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike, të karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane, ujësjellësa, çezma publike dhe godinave administrative. Ali Pasha Tepelena, pothuajse në çdo qytet të rëndësishëm të Pashallëkut të tij, kishte nga një pallat të vetin të ndërtuar, që në shumë raste u vizituan edhe nga udhëtarët e huaj.
Një skicë interesante  me laps dhe bojë tush të pallatit të tij në Artë na ka lënë udhëtari dhe piktori Charles Robet Crockell në 1813. Në skicë  shquhen konturet e mëdha të Pallatit, apsidat e brendhme,  dritaret e mëdha, si dhe ballkonet paksa të dalë njëlloj sin ë arkitekturën otomane të shtëpive të Beratit dhe Gjirokastrës. Po për vitin 1813 kemi një përshkrim interesant për tregtinë që zhvillohej nga qyteti i Artës nga t Dr Henry Holland, udhëtarit dhe mjekut që vizitoi Pashallëkun e Janinës në 1812-1813. Ai ka lënë një libër shumë të çmuar të titulluar  “Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia, &c., during the years 1812 and 1813”-“Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri, Thesali, Maqedoni etj gjatë viteve 1812-1813”, të përkthyer në shqip “Mjek te Ali Pasha”, Migjeni:2009.
Gjatë kohës së Ali pashë Tepelenës në Çamëri njohu një zhvillim të madh edhe tregtia. Si një nga krahinat më pjellore të Shqipërisë, Çamëria prodhonte produkte bujqësore që eksportoheshin drejt tregut tradicional të Korfuzit, por tashmë edhe drejt Puljes, Ankonës, Triestes dhe deri në Maltë. Dr. Holland që e konsideronte Artën si daljen kryesore për pjesën jugore të Shqipërisë, shkruante se në vitet 1820, artikujt kryesorë të eksportit nga ky gji ishin drithi, lënda drusore, vaji, duhani, pambuku dhe leshi. Eksportet e drithit, sipas tij, shkonin drejt Italisë, Ishujve Jonianë, Maltës e gjetkë. Pashai i Janinës zotëronte monopolin mbi shitjen e drithërave. Nga gjiri i Artës eksportohej gjithashtu lëndë drusore, për të cilën interesoheshin deri arsenalet e marinës në jug të Francës. Gjithnjë sipas Holland, nga Arta eksportoheshin sasira të konsiderueshme vaji, duhani, leshi e produktesh leshi, siç ishin gunat apo velenxat.
Sot Pallati i Ali Pashë Tepelenës nuk egziston në Artë dhe ka mundësi të jetë shkatërruar si rezultat i luftërave por dhe mërisë të feudalëve të tjerë shqiptarë që pas rënies së tij nxituan të rrënojnë çdo gjurmë të pushtetit të Ali Pashë Tepelenës. Një ndjesi dhe sjellje tragjike kjo, që prej shumë kohësh nuk i kemi shpëtuar. 


No comments: