Monday, 12 September 2016

95-vjetori i gazetës “DRITA” e Gjirokastrës (1920-1924) nga Flutura Hashorva



Më 27 mars të vitit 1920 patrioti Veli Hashorva, 28-vjeçar, botoi në Gjirokastër të parën gazetë në gjuhën shqipe me emrin “DRITA”. Kjo ishte gazeta popullore, politike, kombëtare që botohej një herë në javë, nën censurën e rrepte të ushtrisë italiane, e cila akoma nuk ishte larguar nga Gjirokastra. Numri i parë i gazetës doli dy muaj mbas përfundimit të Kongresit të Lushnjës, ku dy muaj para se të fillonte lufta e Vlorës. Po atë ditë në Tiranë u mblodh Këshilli Kombëtar i vendosur nga Kongresi i Lushnjes.

Ideja për botimin e kësaj gazete, Veliut i kishte lindur që kur ishte në Amerikë. Në New York botoi 3-4 numra të gazetës “Viosa” dhe njëkohësisht shkruante artikuj dhe tek gazeta “Dielli”, organ i federatës “Vatra”. Më këtë mendim në fund të vitit 1919 kthehet në atdhe. E gjen Gjirokastrën ne gjendje të rënduar ekonomike dhe politike. Menjëherë bie në kontakt me shumë shokë, patriotë të zjarrtë, shumica intelektualë të kthyer nga Amerika, duke krijuar kështu organizatën e quajtur “Opinga”, e cila luajti një rol të madh në fushën kundër bejlerëve dhe agallarëve. Por që të mbahej gjallë kjo organizatë duhej një gazetë, që ti fliste popullit hapur dhe ti jepte të kuptonte qëllimin e kësaj pakice të grumbulluar për të luftuar imperialistët, ata që bashkëpunonin me pushtuesit. Veliu e çmonte rolin e madh që do luante gazeta në gjuhën shqipe me një program kombëtar, në Gjirokastër, në kohën kur Shqipëria e tëra ishte në rrezik të zhdukej si komb.
Sipas kujtimeve te Veli Hashorvës, emrin “Drita” të gazetës ja ka propozuar Petro Poga, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Durrësit, natyrisht edhe me pëlqimin e vetë Veliut. Kjo nuk ishte rastësi, por ishte një fjalë historike me plot kuptim, që tingëllonte bukur në veshët e të gjithëve, sidomos në Gjirokastër, sepse me këtë emër quhej klubi i patriotëve gjirokastritë, quhej shkolla fillore në Gjirokastër, si dhe shoqëria e patriotëve gjirokastritë në Amerikë. Po ashtu me këtë emër patrioti Shahin Kolonja kishte botuar një gazetë në Stamboll.
Numri i parë i gazetës u bë fshehtazi për t’ia bërë surprizë popullit. Ceremonia e vogël e çeljes së gazetës u bë në oborrin e shkollës fillore “Drita”, ku ishin thirrur një grup qytetarësh, midis tyre edhe disa gra, kryetari i bashkisë, prefekti dhe zv.prefekti i qytetit, botuesi i gazetës “Omonia”, avokat Vasil Dilo, etj. Këtu drejtori përgjegjës i gazetës, Veli Hashorva mbajti një fjalim modest ku u shpreh: “Zotërinj, jam i lumtur pa masë që kam nderin të flas në qytetin tim që jam lindur dhe rritur, për herë të parë përpara një shumice patriotësh, të cilët janë edhe njerëzit më të zgjedhur të Gjirokastrës. Po ajo që më lumturon më tepër është rasti gazmor që shkaktoi këtë mbledhje, i cili do të mbetet i çmuar në historinë e qytetit tonë dhe në jetën time personale”. (“Drita” Nr.2, prill 1920).
Gazeta që në numrin e parë bëri sukses dhe u pëlqye prej popullit në qytet dhe në rrethe. U dërguan shumë urime për botuesin e saj që mori iniciativën në një situatë kaq të vështirë. Për të kanë shkruajtur gazeta “Politika” e Halim Xhelos, gazeta “Omonia – Konkordia” e avokat Dilos, gazeta “Kuvendi” që botohej në Romë, gazeta “Dielli” që botohej në Amerikë, etj. Kjo e fundit shkruante se “doli një Dritë”, një llambë që do t’iu tregonjë udhëtarëve në mjegull udhën e drejtë për në limanin e shpëtimit. Jemi të sigurtë që “Drita” nën drejtimin e atdhetarit Veli Hashorva do të mund të përmbushë qëllimin e saj të shenjtë dhe përtej kufirit të saj. (“Drita” Nr. 9, Maj 1920, Xhafo Poshi).
Rëndësia e gazetës “Drita” në radhë të parë qëndron në atë se kishte një program kombëtar që do të shërbente për të ngritur kombin tonë në fushën morale dhe politike, për zgjim kombëtar të vendit. Duke dhënë thirrjen “Shqipëria për Shqiptarët” kishte për qëllim bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje e krahine, për ti dalë zot fateve të vendit, e për një Shqipëri të lirë e të përparuar. Rëndësia e dytë është se “Drita” që botohej në Gjirokastër, ishte gazeta e parë që botohej në gjuhën e bukur dhe të ëmbël shqipe.
“Drita” ngrinte zërin për largimin e bejlerëve nga qeverimi i vendit, duke i quajtur ata trutharë, vagabondë, që kishin mashtruar e shtypur popullin, për t’ia u lënë vendin njerëzve patriotë e me mendime përparimtare, që të përparonin vendin. I shpalli luftë të ashpër Myfid Libohovës, ish-ministër në qeverinë e Durrësit, i cili i kishte kërkuar komandës së ushtrisë italiane në Vlorë që të shpërndante me forcë Kongresin e Lushnjës. Në numrin e fundit të saj shprehu besimin “se në mos sot, nesër do të vijë rradha e njerëzve të kohës që do të qeverisin vendin”. Përsëri në një artikull shkruan: “Domethënë ndodhemi përpara dy detyrave me rëndësi: e para që të shpëtojmë atdheun nga rreziku dhe e dyta që të përpiqemi ta lulëzojmë Shqipërinë”. (“Drita” Nr.3 Prill 1920).
Gazeta “Drita” asnjë shpresë nga mbledhjet që bënë fuqitë e mëdha, ku do të bisedohej edhe çështja e Shqipërisë, e cila kishte mbetur e pazgjidhur në Konferencën e Paqes. Gazeta shprehej nëpërmjet një shkrimi të titulluar “Fuqia vetë”, se nuk duhet të rrimë duarkryq, çdo derë është e mbyllur për ne, në çdo portë që trokitmë nuk na u përgjigj njeri. Tani na mbeti të vështrojmë hallin tonë vetë. Ky është I vetmi shpëtim, e vetmja fuqi që duhet ti mburremi është fuqia e vet. Në qoftë se shqiptarët do të përdorin fuqinë e vet, le të sigurohemi që Shqipëria shpëtoi. Atëherë bota do ta kuptojë se jemi gjallë e që rrojmë nën hijen e flamurit kuq e zi me shkabën dy-krenare. Zgjohu pra o shqiptar! Nuk është aq vonë për punë…vendos fatin tënd me duart e tua dhe mo sprit të shpëtojë i huaji…mund ta humbasim Shqipërinë përjetë pot ë rrimë të mpirë, po do ta fitojmë lirinë tonë nëqoftëse lëvizim dhe tregojmë gjallëri (“Drita Nr.3 prill 1920). Edhe në këtë rast gazeta ka një meritë të veçantë. Veli Hashorva, që donte të rriste besimin në vlerat e popullit shqiptar, iu kundërvu njerëzve që shfaqnin mosbesim dhe e linin veten në dorë të fatit.
Një çështje tjetër që të tërheq vëmendjen nga shfletimi i kësaj gazete është çështja e Vlorës. Më shumë u trajtuar rreziku i madh që përbënte qëndrimi i Italisë në Vlorë për të ardhmen e të gjithë Shqipërisë dhe domosdoshmëria e shqiptarëve për t’u ngritur në luftë për shpëtimin e Vlorës.
Gazeta mbajti qëndrim kritik ndaj trajtimit të çështjes së Vlorës prej tre fuqive kryesore të Konferencës së Paqes, të cilat e kishin parë atë si pjesë e çështjes së Adriatikut, që i interesonte Italisë. “Drita”, shkruan: …. Vlora është tona, është e Shqipërisë, dhe as kurrë s’do pranojmë çdo zgjedhje apo marrëveshje që mund të bëhet për të…. Fuqitë e mëdha mund t’ia falin Italisë Vlorën me sa hinterland që të duan. Po shqipëtari nuk do të bindet, është për ne e shtrejtë dhe e shenjtë ….”, këtu gazeta ka meritë se sensibilizonte masat popullore shqiptare për rreziku e madh që i kanosej vendit. Veli Hashorva që kish marrë dhe herë tjetër pushkën për çlirimin dhe pavarësinë e vendit, nuk mundoi të marrë pjesë dhe në luftën e Vlorës dhe të luftojë bashkë me vullnetarët e tjerë gjirokastritë krah për krah me vëllezërit vlonjatë për çlirimin e Vlorës. Njëkohësisht bëri edhe punën e gazetarit korrespondenca nga fronti i luftës (“Drita” Nr.10 qershor, 1920.
Si një gazetë demokratike përparimtare “Drita” ne faqet e saj ngrinte dhe problem te tjera si:
1)Ngritja e popullit shqiptar nga ana arsimore e kulturale dhe për këtë na duhet të hapim shkolla shumë, fillore e të mesme dhe një ligj për detyrim shkollor.
2)Barazimin e të drejtave të gruas njësoj me të burrit, për arsimimin e saj. Pra duke çmuar rolin që do luante gruaja në përparimin e vendit, kërkonte çlirimin e saj nga mbyllja në katër muret e shtëpisë që në 12 vjeç.
3)Toka ti jepesh atij që e punon dhe për këtë kërkonte të bëhesh një reformë agrare në favor të fshatarësisë. Po kush i dëgjonte, se të zotët e tokave ishin çifligarë që kryesonin qeverinë apo deputet me çifligje që nuk u vinte mirë për një punë të tillë.
Gazeta “Drita” ishte një ndër gazetat që përshëndeti Revolucionin e Qershorit dhe mbajti një qëndrim parimor. Ajo paralajmëroi qeverinë e Tiranës që të merreshin disa masa si p.sh: Të zhvillohej gjyqi politik dhe të dënoheshin tradhtarët, te çrrënjosej feudalizmi, t’i kthehej toka bujkut, të hiqeshin nga aparati qeveritar bashkëpunëtorët e Zogut, sepse ata ishin njerëz të padëshirueshëm që sabotonin vendimet e Revolucionit të Qershorit, etj. Pra qeveria e Nolit nuk po e zbatonte programin e saj. Muaj pas muaji po gjallërohej evazioni brenda dhe jashtë vendit. Revolucioni Qershorit dështoi dhe për shqiptarët filloi kthesa kundërrevolucionare e Ahmet Zogut në Dhjetor 1924. Si përfundim mund të themi se gazeta “Drita” luftonte haptazi regjimin e asaj kohe. Kapërcen shumë pengesa e rreziqe. Ndonëse botohej një herë në javë, misionin e saj e kreu më së miri, dhe i zbatoi plotësisht pikat e programit që kish shpallur në numrin e parë. Veli Hashorva e ka drejtuar këtë gazetë gjithë kohën vetë, nuk pati ndonjë shtab edicional. Shtyllat e “Dritës” ishin gjithmonë të hapura për bashkëpunëtorët nga çdo anë të vendit. Këtë e ka dëshmuar tipografi Hiqmet Çipi që shtypte këtë gazetë. Gjatë punës 5-vjeçare ka pasur edhe pengesa të shumta: shtypshkronjës herë i mungonte letra e herë boja, herë kishte shkaqe financiare. Pati edhe grevë punonjësish të shtypshkronjës se nuk u paguhej rroga në kohë. Po ashtu pati edhe rreziqe, disa persona kanë kërcënuar disa herë botuesin e saj Veli Hashorva. Po ashtu Veliu në gusht 1922 del përpara gjyqit për shkrimin “Një zakon i keq”. Me gjithë këto ai deklaronte se nuk kishte frikë nga komplotet, nga kanosjet e njërit apo tjetrit, nuk mund ta shponin plumbat e burracakëve dhe do të vazhdonte me vendosmëri të luftonte me tërë fuqinë e tij. Me këtë vullnet të paparë të tij, detyrën që kish marrë përsipër e kreu me nder, pa u lëkundur e pa u penduar deri ne fund të vitit 1924. Në 20 dhjetor 1924 gazeta “Drita” e Veli Hashorvës pushoi së botuari, me kushtrimin: (Te bashkuar para rrezikut. Populli shqiptar me tepër se kurrë sot, duhet të jetë i bashkuar si një trup i vetëm kundër armiqve të vet. Vetëm po të jetë i bashkuar do ta kapërcejë edhe këtë rrezik që i turret mbi krye Shqipërisë sonë” (“Drita” Nr.197, dhjetor 1924).

Flutura Hashorva. Gazeta Tirana Observer 27.03.2015



No comments: