Konsulli francez Pouqeuville pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës, në veprën e vet, e portretizon Omer bej Vrionin, si pasardhës të Paleologëve, princërve të sprasmë të Myzeqesë, të cilët kishin ndërruar fenë në fillim të shekullit XVI. Ibrahim Pasha Vlora e pat syrgjynosur dhe ia pat zaptuar pronat. Gjatë periudhës së mërgimit në Egjipt, Vrioni ishte shquar në betejën e Abu-Mënefit, kundër anglezëve dhe më vonë i martuar me një princeshë të ve mamluke, kishte lënë Egjiptin dhe shërbimet ndaj Mehmet Ali Pashës dhe ishte futur në shërbim të Ali Pasha Tepelenës.196 -Puoqueville. F (2011). Ali Tepelena . K& B: Tiranë, 193.
Gjithsesi, studiuesi Vexhi Buhraja, e hedh poshtë këtë pretendim, duke theksuar se fakti që Çelë Ibrahimi, bir i parë i Islam Beut, kryegjyshit historik të kësaj familje, ka pasë ndërtuar në fshatin Virjon (sot Ullinjas) në rrethinën e Beratit, një krua që gjer para disa vjetësh mbante, siç na thotë një shënim që kemi gjetur ne, një mbishkrim me datë 1097 (1685/1686), e bën të kotë orvatjen për të kërkuar vendlindjen origjinare të Vrionasve, jashtë fshatit të mësipërm, Virjonit, emri i të cilit u përdor si llagap për familjen, por në trajtën Vrion.197 -Buharaja. V (1968) Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike. Tiranë: 8 nëntori, faqe 82.
Omer Vrioni ishte në krye të operacioneve ushtarake, që u ndërmorën ndaj Ibrahim Pashë Vlorës dhe Pashallëkut të Beratit në 1809, ku rezultoi i sukseshëm me pushtimin e Kështjellës së Beratit dhe kryekomand i trupave të Ali Pashës, kur ky i fundit u shpall fermanli-jashtë ligjit. Për një kohë të gjatë ai gëzoi besimin e Pashait Tepelenas, besim që në momentet e fundit, ashtu si dhe pjesa kryesore e aristrokracisë toske e shpërdoroi, pasi iu bashkëngjit ushtrisë perandorake pa rezistencë dhe iu kundërvu Ali Pashë Tepelenës. Natyrshëm lind pyetja: përse kjo pabesi e madhe e krerëve shqiptarë?
Së pari, një rol të rëndësishëm në këtë kundërvënie të tyre me Ali Pasha Tepelenën, luajti centralizmi i tepërt i pushtetit nga ana e Pashait Tepelenas, që dhe u vinte fre ambicieve të tyre feudale dhe së dyti, një lloj solidariteti fetar me osmanët i bënte më të ndjeshëm ndaj një Fatve të lëshuar nga Sheh Ul Islami dhe Sulltani si Kalif i botës myslimane. Siç dihet, në ekspeditën ushtarake, që organizoi Stambolli kundër Pashallëkut të Janinë, në qershor të vitit 1820, morën pjesë edhe mjaft feudalë derebej të shpronësuar dikur nga Ali Pashë Tepelena, të cilët llogarisnin, që me shembjen e tij, të rifitonin pronat e dikush derebellëket e humbura dhe të rimëkëmbin pushtetin e tyre partikularist, që ai ua kishte rrafshuar.198 -Lito. Z (2003). Shqipëria dhe Tanzimati. Tiranë: Toena, faqe 44.
Mes tyre ishte dhe Omer Vrioni, që pushtetin me marrjen e kështjellës së Beratit nuk e kishte gëzuar, pasi Ali Pasha Tepelena kishte emëruar djalin e tij Myftarin si sanxhakbej dhe në këtë mënyrë vet Ali Pasha kishte kontribuar në rritjen e pakënaqësisë së Omer Vrionit ndaj tij. Gjithsesi, Porta e Lartë dhe Sulltan Mahmudi II, kishin si synim jo vetëm të shtypnin Pashallëkun e Janinës, por të rivendosnin administratën centraliste perandorake duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë pushtetit partikularist të feudalëve shqiptarë. Mesa duket këtë synim të Sulltan Mahmudit II, Ali Pasha e kishte kuptuar, ndaj u drejtohet në këngë anëtarëve të divanit dhe xhogajdurëve se do më kujtoni kur t’u shaj Hasan Vrioni. Në këtë varg autori popullor pohon një të vërtetë historike, pasi në një raport të Konsullatës franceze në Janinë, më 1842, shkruhet se Omer Vrioni, me anë të ndikimit të tij mbi shqiptarët kountriboi në humbjen e Ali Pashë Tepelenës. “Rënia dhe vdekja e Ali Pashës kishte kurorëzuar përpjekjet e oxhakut të Vrionasve të Beratit dhe politika e Portës së Lartë e kishte mundësuar Omer Pashën, të parin e tyre, të trashëgonte pjesërisht fuqinë e tiranit të vjetër”.199 -Ligor Mile, faqe 215-Vrionasit.
Gjithsesi, ashtu si thuhet dhe në dokument, Porta e Lartë në kuadër të politikës së saj, nuk lejoi që oxhaku i Vrionasve të fitonte të njëjtin pushtet politik partikularist si të Pashait Tepelenas, por e përkrahu të fitonte pushtet ekonomik në Shqipërinë e Jugut. Vezir Omer Pasha e pozicionoi nga pikëpamja politike e shoqërore familjen Vrioni, ndërsa fuqia ekonomike filloi me Kareman Vrionin, djalin e dytë të Omer Pashës, i cili pas shpalljes së Reformave të Tanzimatit, u bë mytesarif i Beratit. Kareman Vrioni bleu shumë prona nga familja Alltuni e Vloraj, të sekuestruara nga shteti në vitet 20 të shekullit XIX, si pasojë e pjesëmarrjes aktive të këtyre familjeve në lëvizjet e kryengritjet anti tanzimatiste. Më vonë ai bleu dhe pjesën e ortakut të vet Emin Pasha, serasqerit të Rumelisë, me kushte shumë të leverdishme.200 -Guga. M ( 2005). Vrionasit ndryshe.Tiranë: EMAL, faqe 26.
Fuqia e familjes u përqëndrua më së shumti në Berat dhe në qytetin e ri që krijuan, në Fier, duke shërbyer në këtë lloj mënyre si një kundërpeshë ndaj familjes Vlora, sepse Janina, që pas rrëzimit të Ali Pasha Tepelenës, nuk iu dha më asnjë shqiptari për ta administruar.
No comments:
Post a Comment