Thursday, 29 December 2011

Gjysma-gjeli i Vitit të Ri




Muza popullore shqiptare është ndoshta një nga trashëgimisë kulturore më të çmuara psikologjisë  sonë kombëtare. Në të gjen ngjarje dhe karaktere që kanë shënjuar jetën e etnisë sonë në rrugëtimin e saj të gjatë për të fituar identitetin kombëtar por dhe shtresëzime të ndryshme kulturore që dëshmojnë kontaktet e gjera midis popullsive dhe kulturave në rajonin tonë. Kështu p.sh përralla shqiptare e “Dedalisë dhe Katallanit” përveç temës së përjetshme të ardhjes së një pushtuesi që mundohet të transformojë ligjet dhe zakonet e vendit me të tijat dëshmon dhe praninë e vjetër të mercenarëve katalanas në shërbim të Perandorisë Bizantine nga Barcelona e largët në truajt tanë në Ballkan. Ky kontakt kulturor i shprehur dhe në këngë të tjera të folklorit bëhet pak më tepër intrigues kur i vishet një detaj i vjetër i mitologjisë si ai të pasurit vetëm një sy personazhit kryesor Katallanit, që të gjithëve na kujton aventurat e Odisesë me Ciklopin antik në brigje të tjera të Mesdheut. Sigurisht që motivet e mësipërme folklorike mund të përbëjnë një lëndë të parë për antropologët dhe studiuesit e kontakteve të kulturave të ndryshme në një botë që ishte shumë më e hapur në të kaluarën e largët dhe jo kaq e mbyllur administrativisht siç është kjo e sotmja. Por duke qenë se motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit” që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor, sociologët që studiojnë në detaje shoqërinë e sotme dhe që nuk u interesojnë shumë problemet me identitetin e popullsive mundohen të gjejnë dhe ata kumte në të shkuarën por në një drejtim tjetër.
Një nga problemet kryesore që ka shoqëruar njerëzimin që nga lindja e tij dhe që vazhdon të mbetet një problem aktual është ai i varfërisë. Interesant është fakti se në emër të zhdukjes së saj apo duke pasur atë si shkak kryesor kanë shpërthyer  revolucione e kanë ndodhur përmbysje të mëdha që kanë ndryshuar rrjedhën  e historisë botërore, e megjithatë ajo ka qenë e pranishme në të gjitha stadet e zhvillimit njerëzor. Duke pasur këtë impakt të madh në ndërgjegjen njerëzore nuk mund të konsiderohet si çudi që pse muza popullore shqiptare e trajton në një sërë temash dhe personazhesh.. Një nga përrallat më të bukura të folklorit shqiptar, që besoj meriton një vëmendje të veçantë nga sociologët është ajo me titull Gjysma-gjeli. Në të tregohet sesi një çift i vjetër dhe i moshuar pleqsh nuk zotërojnë asnjë katandi tjetër përveç një gjeli të vogël e mjeran që s’është as një i tërë por vetëm gjysmë. Në mes të trishtimit, mërzitjes së tyre dhe luftës së tyre të përditshme për të fituar bukën e gojës papritur zbulojnë se Gjysma-gjeli i tyre bënte përditë nga një flori, gjë e mjaftueshme për ti shpëtuar nga varfëria dhe për të siguruar bukën e gojës. Sigurisht që është e tepërt të tregohet këtu se kur e marrin vesh të tjerët përfshi këtu dhe mbretin përpiqen që t’ua rrëmbejnë por ashtu si çdo përrallë që mbaron me “happy end”-fund të lumtur Gjysma-gjeli triumfon mbi të gjitha vështirësitë dhe jeton sëbashku me të zotët e tyre që e konsiderojnë si birin e tyre.
Natyrisht që përralla nuk tërheq vëmendjen vetëm me moralin e saj por dhe me fantazinë e shfrenuar njerëzore për të shndërruar një gjel, aq më pak dhe gjysmak në një shpëtimtar të situatës. Në fakt ashtu si mund të konstatohet kollaj gjithandej në Shqipëri, kjo ëndërr e bukur dimri që ka  nxitur fantazinë e njerëzve, për fat të keq vazhdon të jetë një shpresë e mekur e shumë pensionistëve shqiptarë që gjysma-gjelin e shikojnë tek fëmijët e tyre në emigracion apo në pritshmërinë e vlerësimit të drejtë të kontributeve të tyre për të përfituar një pension dinjitoz. Sivjet fati tyre nuk ishte i mirë pasi bijtë e tyre emigrantë në luftën e tyre të përditshme për të mbijetuar nuk ishin aq të suksesshëm si vitet e mëparshme pasi kriza botërore dhe recesioni ekonomik po bën të vetën , kështu që dhe dërgesat e lekëve  ishin shumë më pak se vjet. Po kështu ata s’ishin as me fat as me shpërblimet e zakonshme që kanë përfituar çdo herë në fund të vitit që vërtetë mund të ishin sa një gjysma-gjel deti i vitit të ri por të paktën mund t’iu dhuronte një buzëqeshje më shumë. Nuk e di sesi e ka gjykuar këtë vit qeveria që të mos u japë shpërblimin në fund të vitit por ky vendim natyrisht që nuk duhet të bëjë askush që të ndihet mirë. Në historira të tilla njerëzore nuk mund të flitet për happy-end pasi kështu mund të tingëllojnë si historira shabllon propagande të së kaluarës por të paktën le të urojmë që ky vit i ri që vjen t’iu kushtohet më tepër vëmendje pasi pensionistët, prindërit tanë pas gjithë atyre viteve sakrifice e meritojnë në muzg të jetës së tyre një buzëqeshje më tepër.


Gazeta Shqip : 30.12.2011


No comments: