A ju mbahen mend të gjithë udhëheqësit e Evropës së
vjetër dhe Evropës së re të viteve 90? Vë bast se gjysmën e tyre as se kujtoni
se kush ka qenë dhe se ku gjenden tani. Nëse përmend p.sh një ish kancelar austriak Viktor Klima apo ish
kryeministrin rumun Adrian Nastase për shumicën mund të mos thonë
asgjë përveçse studiuesve të shkencave politike dhe njerëzve që i kanë ndjekur
vazhdimisht informacionet, të cilët mund ti kujtojnë lehtë. Përmend këta dy
emra jo sepse kanë ndonjë kontribut të
veçantë nw historinë e kontinentit por thjesht për të testuar memorien tonë
pasi të dy përfaqësojnë dy vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, Austrisë të
pranuar në 1995 dhe Rumanisë më 2007. Midis tyre qëndron dhe vendi ku besoj është
më e lehtë të identifikosh liderët që kanë mbizotëruar jetën tonë politike,
pasi janë të njëjtët ata që filluan ndryshimet demokratike. Por fatin e dy
politikanëve të përmendur më lart, pra fatin e “harresës”, nuk e kanë vetëm ata
por dhe emra që kanë lënë më shumë gjurmë në historinë e përmbysjes së
komunizmit. Para dy ditësh sa po u nda nga jeta një ish lider tjetër i Evropës
së re, ish presidenti cek Vaslav Havel, disidenti dhe një nga hartuesit e
kartës së famshme 77 në ish Çekosllovaki. Ai sëbashku me ish presidentin polak,
udhëheqësin e Solidarnosit , Les Valesa janë dy nga figurat më karizmatike të
përmbysjes së komunizmit. Sot brezi i ri i lindur pas viteve 90’ në Shqipëri i
njeh vetëm si emra nga tekstet e historisë por nuk i mban mend aktivë në
politikë. Personalisht , imazhi më tërheqës që më është fiksuar nga presidenti
polak Les Valesa ka qenë një foto e tij duke peshkuar, fill pas humbjes në
zgjedhje presidenciale në vitin 1996. Kishte një sharm dhe një qetësi të madhe
në ato foto sa shpesh herë jam menduar që ta imagjinojë në ndonjë kontekst
ballkanik, fjala vjen daljen nga politika të një burri shteti të fortë dhe me
shumë merita këtu në rajonin tonë. E vështirë! Për të mos thënë e pamundur!
Këtu ndodh hataja, kthehet përmbys çdo gjë , lëvizen të gjitha fijet që vendi
të mos ketë qetësi derisa të faktorizohet sërish i “rëni nga fiku” dhe populli
të paguajë aventurën dhe dëshirën e këtij të fundit për të realizuar atë që
kinse nuk e lejuan në mandatin e parë.
Kurse Havelin pas daljeve në publik si shkrimtari
parë president pas rënies së komunizmit nuk mund ta harroj për editorialin e
tij në “Le Mond” ku duke u solidarizuar me shqiptarët pas fatkeqësisë dhe
gjenocidit që po pësonin në Kosovë nga makineria luftarake serbe do deklaronte
“edhe unë jam shqiptar”. Kjo natyrisht që është
një deklaratë që na bën nder të gjithëve por natyrisht jo aq shumë dhe
atij. Këtë e them jo sepse kam gjë kundër popullit dhe kombit tim, por duke
dashur të ndjekë parimin e barazvleshmërisë besoj se Haveli kur ka bërë këtë
deklaratë i bie që të ishte i njëjtë dhe me liderët shqiptarë. Për fat të mirë
të tij, Vaslav Haveli nuk ishte si liderët tanë. Mbi supet e tij nuk rëndojnë
mëkate të një rrugëtimi me spirale dhe hapa si breshka drejt Bashkimit
Evropian. Vaslav Haveli nuk është përgjegjës në Çeki për çuarjen e vendit në
vitin 00 dhe pastaj për plaçkitjen e batërdinë bërë pasurisë kombëtare si ka
ndodhur këtu në Shqipëri për të pasuruar disa pizevengë dhe kodoshë të
pushtetit që meritën e vetme kanë, është që mund të mbajnë në gatishmëri si në
zboret e dikurshme ushtarake popullsinë për të marshuar në mitingje të pafundme
dhe për të pudrosur egon e disa liderëve që i janë qepur si shushunja pushtetit
dhe nuk i ndahen. Vaslav Haveli i
nderuar nuk vuante nga impotenca intelektuale për të mbajtur në skenën politike
intelektualë-viagra që i këndojnë dhe i bëjnë hosana pushtetit dhe as nuk
vuante nga deliri i madhështisë për ta krahasuar veten me Jan Husin e famshëm
çek ashtu si dëgjojmë rëndom liderët tanë ti bien në qafë Skënderbeut dhe
Ismail Qemalit. Vaslav Havel ka thënë se “politika e vetme që dëshiroj ti
përkushtoj veten time është thjesht një çështje e të shërbyerit e atyre rreth e
përqark nesh: ti shërbej komunitetit dhe atyre që do të vijnë pas nesh. Rrënjët
e thella të kësaj politike janë të shtrira në moral sepse kjo politikë është
një përgjegjësi e shprehur nëpërmjet veprimit
për të mirën e individit dhe për gjithë shoqërisë”. Dhe Vaslav Haveli e
dëshmoi me politikën e tij se e kishte seriozisht kur i shqiptonte këto fjalë
pasi Çekosllovakia pas revolucionit të kadifenjtë ndërmori reformat më të
suksesshme për të përmirësuar jetën e qytetarëve të vet dhe integruar vendin
tashmë të ndarë paqësisht në Çeki dhe Sllovaki në Bashkimin Evropian. Tani më
thoni a ka ndonjë lider shqiptar i pas viteve 90’ që t’i përafrohet këtij
standardi morali në politikëbërje? E rrjedhimisht pas vëzhgimit të jetës sonë
politike a mund ta besojmë se Haveli mund të barazvlerësohej me lider shqiptar?
Ndoshta mund të identifikohej me gjithë ata refugjatë kosovarë që po u
grabisnin lirinë falangat serbe pasi ai e kuptonte më mirë se çdo njeri tjetër
vlerën simbolike të lirisë politike sepse dikur dhe vet ai kish vuajtur
mungesën e saj. Ndoshta ky deklarim i bën nder gjithë njerëzve të thjeshtë
shqiptarë, njerëzve të “padukshëm” që për këto njëzet vjet me punën e tyre kanë
ndërtuar bizneset e tyre dhe rrjedhimisht Shqipërinë duke shijuar lirinë
politike dhe ekonomike dhe në këtë sens Haveli si një qytetar “par exellence”
evropian që vlerësonte punën dhe
përkushtimin mund të ndihej dhe shqiptar. Sepse duam apo nuk duam ta pranojmë
sot ka dy Shqipëri, njëra e atyre që e trajtojnë si njerkë duke e zhgrapur,
poshtëruar dhe përfituar në kurriz të saj dhe tjetra e atyre që i përkushtohen,
e vlerësojnë dhe kontribuojnë që ajo të përparojë. Sigurisht Vaslav Haveli
ndihej shqiptar i kësaj Shqipërie të dytë, sepse një Çekie të tillë i shërbeu
devotshmërisht.
2 comments:
Me duket se eshte veshtire te kesh nje Vaslav Haveli ne Shqiperi, sepse ne kete vend sistemi politik eshte aq "i infektuar" dje "i mykur" qe kush do qe te vije si kreu e qeverise do infektohet vet, duke lene pas idealet e tij per ta shpetuar atdheun.
Nuk besoj te jete fatalitet shqiptar. Mendoj se trashegimia historike, kultura e papjekur politike, regjimet despotike qe na kane mbajtur ne zgjedhe dhe rrethana te tjera, nuk mund te jepnin fryte me te mira.
Post a Comment