Elektorati i qytetit të Durrësit u gjet në befasi
nga lajm që erdhi nga Bota e Re, përtej oqeanit. Kjo gjë ndodhi pasi zakonisht andej jemi mësuar të na vijnë lajme
binjakëzimi institucionesh ose ndihma dhe grante për forcimin e institucioneve
të pavarura dhe shoqërisë civile në Shqipëri, kurse lajmi i kësaj radhe nuk
ishte i tillë. Së pari ai nuk ishte nga administrata e SH.B.A apo nga
institucione private amerikane por erdhi drejtë për së drejtë në formën e një
letre dorëheqje nga numri një i listës së deputetëve të Partisë Socialiste për
Durrësin, Rudina Seseri. Pak a shumë numri një i socialistëve në Durrës
shprehej se për shkak të angazhimeve të shumta në SH.B.A e kishte të pamundur
që të vazhdonte të ishte deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe se ndihej e
privilegjuar që kish përfaqësuar qytetarët e vet në parlament dhe për këtë gjë
falënderonte kreun e PS z Rama që i kish
dhënë këtë mundësi për tu gjendur më afër bashkëqytetarëve të vet. Nga toni si
ishte hartuar dorëheqja tregonte një sinqeritet të një njeriu të lodhur nga
dëshirat për të bërë shumë gjëra në jetë por që në këtë përpjekje s’arrin dot
të bëjë mirë asnjë , ndaj kërkonte që të tërhiqej dhe përqendrohej në atë që di
të bëjë mirë.
Deri këtu, në fakt s’ka asnjë gjë të keqe, madje
qytetarja Rudina Seseri duhet përgëzuar që ndërmori iniciativën për të dhënë
dorëheqjen pasi mund të kishte vazhduar dhe një vit e gjysëm me trukun e
paraqitjes në parlament një herë në gjashtë muaj për ta mbajtur mandatin por
dhe për tu paguar me rrogë të plotë në të njëjtën kohë. Mirëpo kuraja civile
dhe përgjegjësia qytetare ,që janë vlera morale në vendin ku ajo ka ndërtuar
karrierën dhe jetën e saj mesa duket kanë shërbyer si vektorë të mirë orientimi
për ta bindur se i binte kot në qafë politikës shqiptare dhe krahinës së vet
duke mbajtur mbi shpinë një mandat që s’ishte e aftë ta menaxhonte dhe ta
ushtronte në favor të atyre mijërave qytetarëve që ia kishin besuar. Në fakt ,
ajo është e pafajshme për situatën e krijuar pasi shumë më herët në mënyrë të
sinqertë kish pohuar se “kish ardhur në Shqipëri për të parë babanë që e kish
të sëmurë dhe P.S i kish afruar postin për tu bërë deputete”. Nuk mund ta fsheh
se emri i saj intrigoi dhe nxiti kureshtjen e shumë njerëzve në zgjedhjet
parlamentare të vitit 2009 kur u shfaq për herë të parë në krye të listës së
P.S për Durrësin pasi ishte hera e parë që deputetët po zgjidheshin me listë
dhe të gjithë mundoheshin të kuptonin se cilat mund të ishin kriteret që do të
bënin tash e tutje përzgjedhjen e deputetëve aq më tepër që gjithandej flitej
për “politikë të vjetër” dhe “politikë të re” dhe meritokraci. Asnjë nuk mund
ta vërë në dyshim profesionalizmin e Zonjës Seseri në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit të
korporatave që përbën shtyllën e ekonomisë së tregut përtej oqeanit por
përzgjedhja e saj për të përfaqësuar elektoratin e majtë në parlament ishte që
në fillim një fiasko. Kjo është e vërtetë jo vetëm sepse u pa gjatë debateve
televizive ku për një kohë të gjatë nëpër korridoret e politikës u përdorën si
batuta shumë thënie të saj për ekonominë shqiptare por të paktën dhe për dy
arsye të tjera themelore.
Së pari një qark i madh si Durrësi , ku kryeqendra
është qyteti i Durrësit që është dhe qendra e dytë urbane më e madhe në Shqipëri
pas Tiranës nuk mund të përfaqësohej në parlament nga emigrante, qoftë kjo dhe
e suksesshme që nuk e njihte aspak realitetin dhe qytetin që do përfaqësonte në
parlament pasi dukej sikur e gjithë kjo zonë elektorale nuk ishte e aftë që të
nxirrte një personalitet të besueshëm. Duke qenë se deputeti i duhet të mbajë
një lidhje të vazhdueshme me elektoratin për tu njohur me problematikën që e shqetëson
dhe për ta bërë atë prezent në parlament, përzgjedhja e Seserit që vinte nga
një ambient tjetër me qytetari dhe kërkesa të tjera, tingëlloi më tepër një
zgjedhje për të pasur një karton të sigurtë mbështetësi nga ana e Z Rama sesa një përzgjedhje serioze për të
respektuar qytetarët durrsakë. Aq i
vërtetë është ky kriter përzgjedhjeje sa dhe pasardhësi i zonjës Seseri në
listën emërore është një person i panjohur me të vetmen arritje profesionale,
postin e një filiali banke.
Së dyti në Shqipëri u bë kohë që po gjallon miti i
të ardhurve nga jashtë që do ndryshojnë Shqipërinë. Për ta ilustruar merren si
shembuj rasti i Nolit dhe Konicës që erdhën nga SH.B.A në vitet 20’ të
shekullit të kaluar në Shqipëri. Paralelizmat janë të gabuar dhe jo korrektë. Të
dy personalitetet e mësipërm kishin një
kontribut të veçantë në zgjimin kombëtar shqiptar dhe mbi të gjitha kishin një
jetë modeste në SH.B.A, gjë që nuk i pengonte për të ardhur në Shqipëri dhe për
të vazhduar aktivitetin politik. Kurse për shumicën e atyre që sot thuhet që
braktisin jetën komforte të SH.B.A për të kontribuar në Shqipëri, të kërkohet
të kesh një logjikë naive për ta besuar si të vërtetë, pasi në gjithë këtë vorbull materialiste që
ka përfshirë shoqëritë e sotme njerëzore është pak si e pamundur që të gjedh
persona të tillë që vendosin interesin e idealizmit të tyre mbi atë personal.
Rasti më i mirë për ta ilustruar këtë
është zonja Seseri e cila e ndodhur në këtë dilemë, zgjodhi ti përkushtohej
biznesit të vet dhe karrierës profesionale në SH.B.A.
Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë duhet sa më
parë të ndryshojë për t’iu rikthyer sërish ballafaqimit të drejtë për së drejtë
të kandidatëve dhe ideve pasi vetëm kështu elektorati është në gjendje që të
përzgjedhë më të mirin. Shumë zgjedhës të majtë mund të kenë mbetur të
zhgënjyer nga perfomanca prej amatoreje në politikë dhe në ekonominë e
Shqipërisë së Zonjës Seseri në debatet televizive paraelektorale apo qoftë dhe
nga veprimi i saj për ta braktisur postin e deputetit me të njëjtën lehtësi si
mund të mbyllësh një biznes jo fitimprurës, por të zënë në kurth nga kodi
elektoral dërguan në parlament një deputete që s’i përfaqësoi kurrë. Përderisa
e kemi të vështirë që të ndërrojmë llogore partiake, të paktën përzgjedhjet e kandidatëve
të jenë transparente dhe cilësore pasi të qenit ligjvënës nuk është vetëm një
“look” i ri apo investimi në një biznes të ri por ka të bëjë me përmirësimin e
cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe plotësimit të aspiratave të tyre dhe si të tillë kërkojnë seriozitetin dhe
meritokracinë e duhur. Rasti Seseri ka se ç’na mëson për të ardhmen në këtë
drejtim.
No comments:
Post a Comment