Thursday, 8 December 2011

Lëvizja e Dhjetorit




Sa herë që vjen Dhjetori është bërë zakon që ekranet televizive dhe faqet e medies së shkruar të mbushen me intervista dhe kujtime nga protagonistët e lëvizjes së dhjetorit 1990. Duke qenë se është momenti historik më i freskët për shqiptarët ai duhet të jetë momenti historik më i dokumentuar dhe më transparent për sa i përket vërtetësisë së ngjarjeve dhe personave që morën pjesë në të. Edhe pse në një pjesë të madhe argumenti i mësipërm është i vërtetë pasi jo vetëm që ka shumë dëshmi dokumente zyrtarë të cilat konsiderohen si burime të para në historiografi për këtë ngjarje por madje ka dhe materiale filmike që konkretizojnë këto burime, sërish në trajtimin e kësaj ngjarje gjejmë doza subjektiviteti për sa i përket protagonistëve  dhe situatave politike  të muajit të fundit të diktaturës komuniste.
Kështu p.sh në pothuajse të gjitha dokumentarët që organizohen si aktivistë të dhjetorit dalin më՞ shumë si protagonistë studentët nga kryeqyteti, kur dihet mirë si fakt se lëvizja studentore filloi në Qytetin Studenti i cili përbehej i gjithë nga studentë të ardhur nga rrethet. Asgjëkund nuk përmendet se grushtin e parë diktaturës, mposhtjen e frikës dhe organizimin e protestave civile për demokraci u realizuan pikërisht nga këta studentë të cilët në shumicën dërmuese vinin nga familje të thjeshta të gjithë popullit të Shqipërisë. I të njëjti përmase është dhe raporti me vërtetësinë e ngjarjeve të një pjese të madhe të protagonistëve të cilët me parametrat që flasin të japin përshtypjen e një lëvizje të mirë menduar politike kur në fakt ashtu si e kanë pranuar shumë herë  po vetë ka qenë një lëvizje sporadike që rrugës u maturua derisa çoi në kërkesën themelore të vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Për ta ilustruar këtë detaj na vinë në ndihmë dhe materialet filmike ku ka një kontradiktë midis atyre që pretendojnë se mendonin protagonistët e ngjarjeve dhe atyre që deklarojnë në materialet filmike. Shumë herë udhëheqësi i fundi i diktaturës komuniste lartësohet si një njeri reformator nga një pjesë e protagonistëve të ngjarjeve kur shumica e po këtyre protagonistëve tashmë i mohojnë çdo lloj kontributi duke hapur kështu një debat të madh publik dhe moral në Shqipëri. Sigurisht që nuk marr përsipër që të bëj apologjinë e këtij udhëheqësi mjeran që pati Shqipëria në vitet 90’ pasi tashmë janë të njohura për opinionin publik faktet se ai ishte më tepër i interesuar si të gjithë diktatorët në fund të pushtetit të tyre për fatin e familjes biologjike dhe politike të vet sesa për interesat madhore të Shqipërisë,por për të shmangur alibitë e çastit mendoj se është e nevojshme tashmë që kjo ngjarje të mos mbetet në kufijtë e një konspiracioni apo miti por të marrë dimensionet e saj reale.
Për njëzet vjet rresht në Shqipëri  një masë e konsiderueshme njerëzish vazhdon të besojnë si pjesë e një teorie konspiracioni se në vendin tonë është zbatuar i ashtë quajturi variant i Katovicës. Nuk di sesa e vërtetë mund të jetë ky fakt dhe në të njëjtën kohë s’marr përsipër të vërtetojë nëse ekziston apo jo, por ajo që më shqetëson më shumë në gjithë këtë histori konspiracioni dhe ngatërresash është dekurajimi dhe zhgënjimi i qytetarëve nga politika që vazhdojnë ende të besojnë se nëse çdo gjë që ecën keq në vendin tonë është faji i skenari të mirë përgatitur nga ish-komunistët për të zotëruar përjetësisht vendin sesa një paaftësia e klasës së tyre politike për të ndërtuar një demokraci të shëndetshme. Kjo lloj përqasje ka rezultuar e dëmshme pasi përveçse ka mobilizuar turmën e sharlatanëve për tu mbrojtur kinse nga një rrezik që nuk ekziston, ka sjellë dhe shumë retorikë false në trajtimin e problemeve të ndryshme të politikës shqiptare. Për më tepër ky besim në variantin konspirativ ka sjellë dhe një polarizim të shoqërisë dhe të mendimit politik shqiptar pasi në çdo lëvizje politike që individë të caktuar të lëvizjes së dhjetorit kanë bërë u është interpretuar sipas standardeve të këtij konspiracioni imagjinar.
Lëvizja e Dhjetorit është një nga lëvizjet politike më frutdhënëse për shqiptarët pasi ajo siguroi pluralizmin politik një nga premisat kryesore të zhvillimit të një shoqërie të lirë. Ashtu si çdo lëvizje politiko-shoqërore ajo ka nevojë dhe për piedestalet e veta të cilat për hir të së vërtetës disa herë janë uzurpuar apo dhe më keq janë tjetërsuar. Ka ardhur koha që pas njëzet vjetësh aty të vendosen protagonistët kryesorë dhe të vërtetë. Miratimi i këtij parimi nga klasa jonë politike do të përbëjë dhe një provë morale sesi idealet e dhjetorit kanë marrë vërtet udhë në mendimin tonë politik.


No comments: