Monday, 5 December 2011

Tiranë-Berat






Pasazhe të ngrira
si lule të thata në herbarium
apo erashka të vjetra zonjash
të hedhura poshtë
pa pamje, pa ngjyrë
ngërthehen papritur të gjitha sëbashku
në xhamat e trashë të makinave
që rendin të gjarpërohen
në rrugën e çuditshme që të çon
nga balta drejt qytetit të bardhë
të hijeshuar me bimësi të harlisur
ku një turk nëpër to thonë u kacavjerr 
tatëposhtë  mureve hijerëndë perandorakë
për të thirrur në ndihmë ushtrinë mizëri
që kërceu papritur si nga nata
dhe gjithë  qytetin kapi në befasi
A thua kjo të ishte vallë arsyeja
e thyerjes së Skënderbeut të Pafan
a thua këtu në fushën e mbushur gjithë gjak
shumë kohë më vonë Onufri gjeti
të kuqen e tij të famshme, varak?
Peizazhe të ngrira mauzoleume
të kohërave të vjetra të zhytura në dritë
të historive të mbushura me sherbet e kanellë
bilbila dhe karafila, kafeneve gjithë tym nargjile
peizazhe të robëruara nga përbindëshat pesëkatësh
të handakosur të gjithë në avuj të trishtë
fryme të qelbur të lëshuar ndaj qytetit
pasqyrës së çuditshme të veseve njerëzorë
të harruar dikur në shkëlqimin e tij.


Tiranë 5.12.2011



No comments: