Kemi pasur nevojë gjithmonë për njerëzit e urtë,
për njerëzit që kanë mbledhur një eksperiencë të madhe në jetë dhe mund të na e
përcjellin neve sa herë që kemi në nevojë në kohën dhe vendin e duhur. Mungesa
e tyre për shkak të ndryshimeve drastike që kanë ndodhur në jetën politike
shqiptare ka qenë fatale. Kjo gjë ka rënë më tepër në sy në kohën e ndryshimeve
të mëdha, të ndryshimeve të sistemeve ku nxitimit dhe ideologjisë së shpërbërjes
është dashur që ti kundërvihet maturia dhe ideologjia e gjithëpërfshirjes. I
urtë natyrisht nuk do të thotë që të jesh gjithmonë i matur dhe ngadaltë por
ashtu si me të drejtë e ka përjetuar populli në mbiemrin që i ka bashkangjitur fjalëve
kur vërtetë ato duhen të tingëllojnë të mençura, nënkuptojnë dhe iniciojnë
veprime të mençme për kohën dhe epokën. Një i tillë p.sh ka qenë personazhi
poetik i poemës “Histori e Skënderbeut” të Naimit, Kamani që në kulm të dilemës
së Arbrit për të kundërshtuar apo jo pushtimin otoman, zgjedh luftën.
Natyrisht, që Kamani prezanton dhe kredon e Naimit si poet e rilindës por në
jetën tonë të përditshme ne s’kemi pasur nevojë që të kemi vetëm personazhe
letrarë të urtë pasi mes nesh kanë gjalluar njerëz të tillë që na kanë
inspiruar të gjithëve.
Para pak ditësh u nda nga jeta politikani dhe
shkrimtari Sabri Godo, një plak i urtë dhe i mençëm i jetës publike shqiptare
që me veprën dhe fjalën e vet kontribuoi aq shumë në ndërtimin e dialogut
politik në vend, hartimin e ligjeve dhe mbarëvajtjen e një politike të jashtme
dinjitoze në rajon. Por si është zakoni në politikën shqiptare menjëherë pas
vdekjes nuk ngurruan që të vinin komentet pozitive duke vënë në dukje më të
drejtë meritat e këtij personazhi të rëndësishëm të tranzicionit të vështirë
shqiptar dhe asnjëherë nuk u pyet sesa u vlerësua dhe iu dha rëndësi sa ishte në
jetë. Po të ishte gjallë i urti Godo, me humorin që e karakterizonte do të
thoshte se nëse Dr Adhamulli i komedisë “Pas vdekjes” të A.Z.Çajupit e shijoi
për së gjalli nekrologjinë e tij, Godo s’mundi të dëgjonte një të tillë
dinjitoze dhe kur vdiq. Kjo mos arritje për të bërë një nekrologji të plotë të
Godos por dhe jo vetëm atij, nuk besoj se vjen nga dëshira e keqe për ti
përçmuar këta figura por në fakt nxjerr në dukje një problem të madh të shoqërsië
shqiptar, atë të mungesës së theksuar të
kulturës politike në vend. Për të gjithë ata që mund të besojnë se politikani
dhe shkrimtari Sabri Godo ishte një nga partizanët e shumtë që zbritën nga mali
në 1945 dhe duke u arsimuar dhe edukuar në kohë u bë ai personalitet që ne
kishim, mund të zhgënjehen lehtë. Sabri Godo ishte nip i tre figurave të shquara
të historisë së Shqipërisë, të persekutuar dhe vrarë në dy regjime të ndryshme.
Ethem dhe Ismet Toto, i pari ministër i brendshëm në qeverinë liberale të Mehdi
Frashërit në 1936 dhe i dyti një nga intelektualët më të shquar të kohës,
biografi i parë i monografisë së Ataturkut në shqip ishin nga organizatorët e
kryengritjes së Delvinës më 1937, një lëvizje që kërkonte modernizimin e mëtejshëm
të regjimit në Shqipëri dhe të nxirrte në pension një klasë politike që
vazhdonte të vozitej sa në kujtimet e ëmbla të orientalizmit dhe sa në
korrupsionin nepotike të kohës. Të dy pësuan një fat tragjik, i pari vrau veten
pas dështimit të kryengritjes kurse i dyti u var publikisht. Vëllai tjetër
Selaudin Toto, deputet i opozitës në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e
dhjetorit 1945 u arrestua dhe u pushkatua barbarisht nga regjimi komunist si
“agjent i borgjezisë dhe i kapitali të huaj”. Me këtë trashëgimi politike,
Sabri Godo do të fillonte jetën e tij politike si partizan i përhershëm i
republikanizmit, një ëndrre që ai i mbeti besnik deri në fund të jetës.
Zhgënjimet e mëdha që ai dhe shumë të tjerë do të pësonin pas triumfit të
luftës antifashiste me instalimin e diktaturës komuniste nuk do t’i mpaknin
shpirtin dhe revoltën djaloshit të ri progonatas të lindur në Delvinë. Ashtu si
gjithë talentet e mëdha që kufizimi i lirisë nuk i lejonte që të shpreheshin
për atë që ndodhte në Shqipëri iu kthye historisë dhe nëpërmjet saj i dha
mesazhet që dëshironte popullit dhe kombit të vet. Në kohën kur Safet Butka,
një nacionalist atdhetar shqiptar i vetëvrarë tragjikisht për t’iu shmangur vëllavrasjes
përqeshej dhe vihej në lojë nga propaganda komuniste, Sabri Godo botoi romanin “Plaku
i Butkës”, kushtuar babait të Safetit duke dashur t’i tregojë lexuesve se
familje dhe c tradita patriotike
përfaqësonin Butkajt që regjimi i konsideronte kundërshtarë. Kur vendi
ishte i mbushur me terror dhe pushteti komunist rivendoste marrëdhëniet
diplomatike me Greqinë më 1971 duke “shitur” për interes të njohjes së vet
diplomatike çështjen çame, Sabri Godo botonte romanin historik “Ali Pasha
Tepelena” si për tu treguar kombit se ku përfundojnë miqësitë e pamenduara mirë
me fqinjët dhe se ku përfundon çdo udhëheqës që ushton një pushtet të
pakufizueshëm. Kur vendi ishte i tronditur pas spastrimeve të viteve 70’, Sabri
Godo boton romanin historik “Skënderbeun’ për të treguar të gjithë shqiptarëve
se heroi i tyre i vërtetë nuk është diktatori, por Skënderbeu heroi kombëtar
dhe mbrojtësi i Evropës. Me këtë pasuri shpirtërore të madhe që ai kish falur
kombit të vet do të hynte në kapërcellin e viteve 90’ kur sërish si për të
përmbushur detyrën deri në fund drejt atdheut do të themelonte së bashku me
Petro Markon , një shok të hershëm të dajove të tij martirë, Partinë Republikane
duke luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë liberale në
Shqipëri. I qetë dhe përherë i matur, politikani Godo do të hidhte gjithmonë ujë
zjarrit të politikës së pamatur shqiptare si në 1992, 1997,1998, 2002 apo dhe në
2011. Për më tepër do të luante një rol përherë prej qëndrestari përsa i përket
politikës së shtetit shqiptar në rajon duke kontribuar sa mundte në
stabilitetin e situatës në Maqedoni, zbulimin dhe prerjen e orekseve të qarqeve
shoviniste greke të sëmura nga nacionalizmi primitiv i shekullit të XIX apo
qartësimit dhe përforcimit të pavarësisë së Kosovës. Në gjithë këtë rrugëtim
idealist të tij, ashtu si romanin autobiografik “Udhëtari” ai s’kërkoi
asnjëherë që ti imponohej jetës politike të vendit me poste por kërkoi në
mënyrë të vazhdueshme që shqiptarët të bëheshin qytetarë të mirëfilltë që
respektojnë rregullat e demokracisë dhe shtetin ligjor. Një dëshirë dhe vullnet
që ai e shprehu në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998, dokumentit themeltar të
shtetit si për të mbyllur kontributin e vet ndaj kombit me një gjest kaq fisnik
që të kujton ligjvënësit e lashtë të demokracisë antike greke. Mesa duket , ky
ishte dhe testamenti i fundit i tij politik, ndaj nëse vërtetë duhet ta
respektojmë të urtin Godo në radhë të parë duhet të respektojmë kushtetutën e
vendit dhe të heqim dorë nga ndërhyrjet e pavenda sa herë që nuk përmbushen me
rezultatet zgjedhore dhe dëshirën për pushtet të pakufizuar. Në fakt , kjo
mbetet dhe sfida e radhës e respektit tonë ndaj tij por dhe konsilidimit të
kulturës politike, një dëshire të kahershme të politikanit, shkrimtarit dhe
republikanit, Sabri Godo.
No comments:
Post a Comment