Wednesday, 14 December 2011

Ekspertiza, vendimmarrja dhe politikanët


Shekspiri bën një gabim të “pafalshëm” për klasin e vet si shkrimtar me përmasa botërore kur Boheminë, krahinë në Çeki e përshkruan si krahinë me dalje në det në dramën e tij “The Tempest”. Ky është një nga gabimet e tij gjeografik, që për hir të së vërtetës nuk  janë aq të pakët në veprat e tij, çka ka bërë që studiues të mëvonshëm,ta shohin me dyshim formimin e tij kulturor dhe burimet historiko-letrare ku ai është mbështetur për të shkruar veprën e vet. Gjithsesi, gabime të tilla nuk kanë mundur të errësojnë mesazhet e veprës së tij, që mbetet një nga më universalet dhe më të përjetshmet në historinë e njerëzimit. Ajo vazhdon të studiohet dhe sot, si reflektuesja dhe pasqyruesja më e mirë e shpirtit njerëzor, pasioneve dhe dobësive të tij.
Por Shekspiri nuk është i vetmi personalitet që bën gabime të tilla të karakterit kulturor politik. Në rrjedhën e historisë botërore janë të shumtë udhëheqësit politikë dhe personalitete e shquar, tek të cilët mund të gjenden mospërputhje të tilla, përsa i përket gjenalitetit dhe “paditurisë” në fusha të tjera të dijes. Një shembull i tillë p.sh është ai i Presidentit amerikan George W.Bush që shumë vjet më vonë se Shekspiri,  në momentin para se të zgjidhej president kur iu bë testi i inteligjencës , pranoi se nuk e dinte se kush ishte Asllan Maskadovi, udhëheqësi historik i Çeçenisë me të cilin Sh.B.A kishin marrëdhënie shumë të mira dhe e konsideronin aleat në rajon. Kjo përgjigje u konsiderua si “shokuese” nga mediet që ndiqnin fushatën duke aluduar se ndoshta Bush nuk ishte personi i duhur për tu zgjedhur president, pasi nuk do të ishte në gjendje të përballonte diplomacinë superaktive ruse në rajonet e Kaukazit dhe më gjerë. Zgjedhjet u zhvilluan, dhe Bush në fakt i fitoi ato duke mundur rivalin e vet demokrat Al Gore. Presidenca e tij , edhe pse ka pasur kritika të forta përsa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos ndërhyrjes ushtarake në Irak, politikën më të qartë e pati në shtrirjen e NATO-s drejt Lindjes me pranimin e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe lobimin e fuqishëm për të pranuar në aleancë Gjeorgjinë dhe Ukrainën, të cilat shtrihen gjeografikisht, pikërisht në zonën strategjike të Kaukazeve.
Shembujt e mësipërm edhe pse nuk janë të barabartë pasi Shekspirit si shkrimtar i lejohet që në bazë të lirisë që jep letërsia të bëjë kapërcime të tilla “pindarike” si rasti Bohemisë me dalje në det, ndërsa për ish-Presidentit Bush lajthitje të tilla ishin të patolerueshme pasi diplomacia dhe politika kanë një efekt të drejtë për së drejtë në vendimmarrje, gjithsesi na ndihmojnë të zbulojmë një tipar tjetër të rëndësishëm të ushtrimit të funksioneve dhe të politikëbërjes të udhëheqësve modernë. Sot, ashtu si është provuar gjithandej qysh më herët në shekullin e XX, nuk ka më drejtime individuale dhe marrje vendimesh të rëndësishme vetëm me kokën e vet, por pranë pushtetit ekzekutiv dhe ushtruesit të këtij pushteti janë atashuar grupe të ndryshëm këshilltarësh dhe ekspertësh që hartojnë dhe politikat përkatëse sipas fushave të ndryshme. Ndaj në këtë kontekst edhe pse ish-Presidenti Bush që mund të mos e dinte saktë se kush ishte udhëheqësi i Çeçenisë, nuk tingëllon e çuditshme politika e drejtë që ai ndoqi përsa i përket zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes, pasi nuk ishte vetëm ai që drejtonte dhe merrte vendime por një grup më i gjerë ekspertësh që hartonin drejtimin e politikës amerikane në rajon.
Duket që ky lloj modern i ushtrimit të pushtetit është bërë tashmë një karakteristikë e të gjithave fushatave elektorale dhe drejtimit të mëvonshëm kur kandidatët zgjidhen në postet drejtuese. Ndaj duke qenë se jemi në një periudhë të ethshme ndryshimesh në rikonceptimin e partive politike në Shqipëri por dhe politikës në përgjithësi, mendoj se është e nevojshme që publiku krahas transparencës së nevojshme për shpenzimet, premtimet dhe deklarimet e pasurive i duhet bërë e ditur se kush janë njerëzit në hije, ekspertët apo specialistët që mbështesin dhe përgatisin platformat elektorale për njërin apo tjetrin kandidat. Kjo gjë bëhet akoma dhe më e detyrueshme në Shqipëri duke pasur parasysh pushtetet informale që ushtrohen shpesh herë nga të tjerë në emër të të tjerëve si dhe pasojat që ka pësuar Shqipëria në këto njëzet vjet nga ushtrime të tilla pushteti që nuk i kanë kushtuar vetëm udhëheqësve politikë por dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Duke u zgjedhur i pari në komunitet apo dhe përfaqësues i popullit në parlament është e nevojshme që të japësh dhe llogari dhe të përballosh dhe koston e njerëzve që ke zgjedhur për tu punuar dhe për më tepër mënyrës sesi i ke zgjedhur në bazë të meritokracisë apo të rekrutimit të zakonshëm servil ballkanik dhe përllogaritjeve elektorale. Kjo përzgjedhje është shumë e rëndësishme pasi nesër ndikon drejtë për së drejtë në vendimet që do të merren në të gjitha fushat për komunitetin dhe qeverisjen e tij. Nëse ish-Presidenti Bush mund të gabonte individualisht në përgjigjen e një pyetje por kish mbrapa një grup ekspertësh që rekomanduan një politikë të mirë, në Shqipëri janë të shumta rastet ku udhëheqësit politikë janë diskretituar për shkak të grupit të tyre të ekspertëve të rekrutuar shpesh herë në bazë të parimit të nepotizmit dhe servilizmit politik. Fushatat e reja elektorale që po shoqërohen edhe  me risi të reja teknologjike si është rasti i përdorimit të rrjeteve sociale në internet, së pari duhet të fillojë të korrigjojnë disa gjëra në menaxhimin e tyre tradicional pasi kështu do të jetë në gjendje që tu afrojë qytetarëve alternativën më të mirë. Nëse, fushatat elektorale të zgjedhjeve konsiderohen si fushatat që janë më pranë problemeve të qytetarit, atëherë le të fillojmë ti bëjmë ato vërtetë të tilla, nëpërmjet përzgjedhjes së qytetarëve më të mirë për këshilltarë, ekspertë dhe deputetë qysh në fazën e parë paraelektorale. Kjo gjë do të ishte një sinjal dhe mesazh i duhur për qytetarët se në të vërtetë ata ishin të parët dhe se problematika e tyre do të ishte më e lehtë për tu zgjidhur pasi pushteti ekzekutiv do të kishte njerëz të aftë për ti zgjidhur.


No comments: