Nuk mund të ma merrte mendja ndonjëherë që gjuha
politike e Tiranës mund të arrinte dhe kontaminonte dhe ajrin dhe natyrën e
Marsejës. Ky mosbesim rrjedh më tepër jo vetëm nga naiviteti ynë politik dhe
besimi i patundur se në Evropë nuk mund të ndodhin shpërdorime të tilla të
fjalorit politik por më tepër se nga Marseja jemi mësuar të na vijë aromë
shqiptarie nga grupi i tifozëve që mbështesnin lojtarin tonë të kombëtares, Canën
kur ai luante në radhët e Olimpikut të Marsejës dhe aroma e sapunit të famshëm
që bën që rrobat tona të vijnë erë të
mirë. Pak ditë më parë kryetari i asamblesë së Partive të djathta evropiane,
ish-fermeri Joseph Daul i shndërruar në politikan deklaroi se shefi i opozitës
shqiptare është një “i sëmurë mendor që ka bllokuar procesin e integrimit të
Shqipërisë”. Kjo deklaratë , kaq naive dhe e papërgjeshme në të njëjtën
kohë nga një njeri që u thirr dhe për të
zgjidhur krizën shqiptare, para se të gëzojë njerëz këtu në Tiranë që mundohen
që dështimet e tyre në ekspertizë dhe politikëbërje ti faturojnë tek të tjerët
duhet të na trishtojë të gjithëve. Së pari sepse është një fyerje për gjithë
klasën politike shqiptare që qoftë dhe tërthorazi del se është e paaftë
mendërisht, pasi populli shqiptar ka një fjalë të urtë që thotë “më thuaj me kë
rri të të them se cili je”.Në këto 6 vjet qeverisje disa arritje si MSA,
NATO,liberalizim vizash etj janë arritur sëbashku dhe në këtë bashkëpunim të
kërkuar dhe aq shumë nga ndërkombëtarët përfshi dhe zotërinë në fjalë, të dyja
palët kanë përfituar nga “marrëzia” e njëri-tjetrit. Së dyti, ky deklarim ngre
shumë pikëpyetje për seriozitetin e atyre që merren me çështjet shqiptare dhe
motorët lëvizës pas tyre që bëjnë të tilla deklarata. Në fakt, Marseja për
shqiptarët njihet si fole intrigash nga romani i famshëm i Aeksandër
Dymasë(atit) “Konti MonteKristos”, por atyre u duhet tashmë që përveç këtij
konstatimi të mësojnë mbi të gjitha se kush janë Danglarët që paguajnë për të
thënë gjëra të tilla apo Kaderusët që shkruajnë akuzat me dorë të majtë për të
mos u kuptuar dhe për më tepër dhe burimin e këtyre parave të Danglarëve që me
origjinën e tyre të pisët po kontaminojnë dhe gjuhën politike të partive të
djathta evropiane.
No comments:
Post a Comment