Në fund të
shekullit të XVIII , gadishulli i Ballkanit ishte më pak i njohur në Evropë se
kolonitë e saj në botë. Kjo mosnjohje reflektohej direkt dhe në librat e
gjeografisë ku këto territore quheshin thjesht provinca evropiane të Turqisë
dhe për emërtimin e lumenjve dhe maleve të tyre përdorej ende onomastika e
vjetër Greko-Latine. Megjithëse lëvizjet filozofike kulturore të Iluminizmit
dhe Klasicizmit kishin zgjuar interesin e publikut evropian për Greqinë si
vendin ku kish lindur qytetërimi i lashtë nuk ishte ndërmarrë ndonjë përpjekje
serioze për të zbuluar e eksploruar këtë vend dhe rajonin më gjerë rreth tij.
Kjo gjë natyrisht nuk kish ardhur si pasojë e indiferentizmit të Evropës ndaj
Ballkanit apo për më tepër si një mohim i së kaluarës evropiane të këtij
rajoni, por ishte një pasqyrim i drejtë për së drejtë i situatës politike
administrative që ekzistonte në rajon midis Fuqive Evropiane dhe Perandorisë
Otomane. Këto rajone për më tepër se tre shekuj ishin pjesë përbërëse e
Perandorisë Otomane, e cila deri atëherë ishte “trajtuar si një njësi e vetme
në Evropë dhe në Azi.”[1] Për më tepër për një kohë
të gjatë rajoni kish qenë një shesh beteje midis Perandorisë së Hasburgëve dhe
perandorisë Otomane gjë që e kish vështirësuar shumë udhëtimin, njohjen dhe
eksplorimin e këtyre viseve. Mbarimi i luftërave Austro-Turke më 1689 dhe
nënshkrimi i traktateve të paqes fill pas tyre sollën jo vetëm shmangien e një
pushtimi të përhershëm të Evropës nëpërmjet ekskursioneve të vazhdueshme
otomane por promovuan një periudhë relativisht paqësore midis Portës së Lartë
dhe fuqive evropiane.
Një
shekull më vonë,viti 1789 shënon një
ngjarje të rëndësishme për historinë e vet
Evropës. Triumfi i revolucionit francez më 1789 dhe fushatat e mëvonshme
të Napoelon Bonapartit në fillim në Itali në 1796 e dy vjet më vonë në Egjipt
në 1798 ndryshuan thelbësisht botën mesdhetare dhe Lindjen e Afërme me të cilat
rajoni i Ballkanit ishte fqinj. Vetëm disa vjet më vonë pas triumfit të
revolucionit francez më 1797, Franca nëpërmjet traktatit të Campo-Formio
aneksoi ishujt Jonianë nga Venediku[2]. Kjo fqinjësi e papritur
me viset e Ballkanit pati një efekt të dyfishtë në zhvillimin e ngjarjeve
politiko, shoqërore dhe kulturore të këtyre viseve. Në fillim në ishujt Jonianë
dhe më pas në territoret afër tyre fillojnë të infiltrojë nacionalizmi dhe
idetë e formimit të shtetit-komb të
Revolucionit francez. Koncepte dhe fjalë të reja si “republikë”, “kushtetutë”,
“të drejtat e njeriut” filluan të zënë rrënjë në fjalorin dhe mendimin politik
të rajonit. Ky moment korrespondon
me periudhën kur këto territore
marrin një rëndësi jetësore për shtetet evropiane në zgjerim.[3]
Franca dhe
më vonë Anglia dhe Rusia e gjetën veten shumë shpejt në “aktorë” dhe “faktorë”
të rëndësishëm politikë, kulturorë dhe socialë në teatrin diplomatik të këtyre
viseve. Kjo prani evropiane dhe ri njohje e këtyre viseve u përforcua më tepër nga një fenomen i
ri-Udhëtimi. Në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand
Tour-it pësoi një ndryshim themelor. Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe
udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të perandorisë Otomane
u bënë të modës.[4]Ky
kontakt i drejtë për së drejtë solli jo vetëm njohjen e rajonit më në detaje
por inspiroi dhe lëvizje të fuqishme në mendimin evropian si ishin
Filohelenizmi dhe krijimi i adhurimit të kultit për Orientin të romantikëve në
letërsitë evropiane. E njëjta prirje mund të vërehet në ndërthurjen e veçantë
mes turkofilisë e sllavofobisë , së bashku me fenomenin refleksiv të
turkofobisë(apo më mirë islamofobisë) dhe filosllavizmit [5]në mendimin politik
evropian si rezultat i përzierjes së udhëtimeve diplomatiko-turistike dhe
interesave të Fuqive të Mëdha në rajon. Si rezultat, kjo përqasje e re e Evropës
që zuri fill me udhëtimet “theu karakterin e njësuar të botës orientale.”[6] dhe krijoi premisat për
“rizbulimin” e Ballkanit. Ky “rizbulim” shkon hap pas hapi dhe me ndryshimin e
emërtimeve të këtyre viseve, nga provinca evropiane të Turqisë në fillim të
shekullit, në Lindjen e Afërme në mes të shekullit për të fituar emrin Ballkan
në fillim të shekullit të XX. Përdorim termin “rizbulim’ pasi këto vise si
pjesë përbërëse e ish perandorive romake dhe asaj bizantine më vonë ekzistonin
në memorien kolektive të Evropës dhe në historiografinë e saj në formën e
emërtesave të provincave romake dhe
temave bizantine. Nëse e postulojmë “zbulimin” e Ballkanit në një moment
historik relativisht mjaft të vonë kjo nuk do të thotë se dëshmitë dhe
përshkrimet e udhëtarëve kanë qenë dukuri që u shfaq vetëm mbas shekullit të
XVIII. Shumë nga dëshmitë e mëparshme sidomos nga ato që janë hartuar nga
vrojtues politikë , nga oficerë të shërbimeve sekrete e nga diplomatët kanë
qenë shpesh herë fryt i vështrimeve më të mprehta dhe më të informuara se disa
nga dëshmitë e udhëtarëve të mëvonshëm.[7]Por nëse cilësia e këtyre
dëshmive të lëna është relative askush nuk mund ta vërë në dyshim se pas
publikimit të këtyre shënimeve dhe mbresave nga udhëtimet në Ballkan fillon
njohja e vërtetë dhe perceptimi i Ballkanit jo vetëm si një identitet i veçantë
gjeografik por dhe si kulturor me mozaikun e pashoq të kulturave, popujve dhe
besimeve fetare të tij.
Influenca
dhe impakti i këtyre ditarëve të udhëtimit, veprave apo epistolarëve të
ndryshëm kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për të analizuar
letërsinë shumë prodhimtare të udhëtimit që me të drejtë studiuesja Vesna Goldsworthy e quan “një
mënyrë sipas së cilës një nga kombet më të fuqishëm në botë(Britanikët)
shfrytëzuan burimet dhe kulturën e Ballkanit për të furnizuar me lëndë të parë
industrinë e tyre të letërsisë dhe të
zbavitjes”[8] në shekullin e XIX, por
dhe për të eksploruar perceptimin dhe shkallën e njohjes të Ballkanit në
Evropë. Duke qenë se për më shumë se katër shekuj Ballkani ka qenë një pjesë
përbërëse e perandorisë otomane, që nga botimi i veprës “Orientalism” (1978) nga studiuesi Edward Said, një pjesë e
studiuesve e kanë përshtatur diskursin e Orientalizmit në studimet ballkanike.
Kjo përpjekje është më shumë e dukshme në raportet dhe marrëdhëniet e Ballkanit
me Evropën si dhe në studimin e veprave e të ditarëve të udhëtarëve evropianë për Ballkanin.
Gjithsesi kjo përqasje fill pas botimit të “Imagining
Balkans”( 1998) nga studiuesja Maria Todorova ka filluar të humbasë terren
dhe më tepër sot studiuesit bien dakord që perceptimi dhe njohja e Ballkanit në
Evropë të analizohet nën spektrin e “Ballkanizmit”, i cili ka huazuar nga
diskursi i Orientalizmit eksplorimin e mënyrave sesi kolonializmi ishte më
tepër një mendësi perceptimi kulturor sesa një dominim politik dhe ekonomik i
Perëndimit ndaj Ballkanit[9]. Pra në rastin e Greqisë
bëhet fjalë më tepër për një
kolonializëm kulturor që hera
herës shoqërohej nga një ndjenjë e fortë epërsie kulturore-epërsi si ndaj
grekëve të cilët edhe pse rridhnin nga helenët e lashtë shikoheshin si hije
mjerane të tyre( por edhe popullsive të tjera të Ballkanit) edhe ndaj otomanëve gardianëve të tyre
oriental despotikë.[10]Me fjalë të tjera udhëtimi
mund të shihet si shprehje e një forme të ndryshme kolonializmi, në të cilin
historia dhe ideologjia, dhe jo territori i një vendi pretendoheshin,që
pushtoheshin dhe aneksoheshin.[11]Kurse për sa i përket
zgjerimit të njohjes së Ballkanit dhe me vendet e tjera të tij, udhëtimi
ndryshon formën e vet “koloniale” duke pasqyruar mbështetjen e politikës së
Britanisë ndaj Çështjes Lindore e cila në mesin e shekullit të XIX ishte mbrojtja
e Ballkanit ndaj imperializmit rus[12]. Për më tepër udhëtimi u
bë burim i një literature të pasur ku Evropa Jug-Lindore në imagjinatën
gjeografike britanike u pasqyrua si një
zonë periferike barbarizmi dhe konflikti.[13]Territoret shqiptare që përbënin
një pjesë të konsiderueshme të Ballkanit, u bënë nga trojet e para të cilat u
vizituan dhe u njohën gjerësisht jo vetëm nëpërmjet veprave letrare të Byron-it dhe shënimeve të
udhëtimit të bashkudhëtarit të tij John Cam Hobhouse siç besohet shpesh
pasi “Child Harold “, Kënga e II (1812) dhe “A Journey through Albania and
other provinces of Turkey in Europe and
Asia to Constantinople during the years 1809-1810” (1813) ishin të parat që
panë dritën e botimit por për politikën
angleze ato u bënë të paktën të paktën 7
vjet më parë nëpërmjet raporteve diplomatike të udhëtarit dhe diplomatit të
parë anglez në Shqipëri William Martin Leake(1777-1860).Për publikun e atëhershëm
britanik ashtu siç shkruante studiuesi Eduard Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807),
“Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës”[14]ndaj vepra e Leake ka një
rëndësi të veçantë për njohjen dhe perceptimin e këtij publiku ndaj Shqipërisë
dhe shqiptarëve.
Në fakt
njohja e Ballkanit dhe e Shqipërisë në Britani në shekullin e XIX fillon nga
eksplorimi dhe udhëtimi në Greqi dhe Shqipëri i William Martin Leake, i cili
nuk ishte një udhëtar i zakonshëm britanik që ndërmori një udhëtim kënaqësie
dhe njohje në Greqi dhe Shqipëri në kuadër të Grand Tour-it si Lord Byron,John
Cam Hobhouse, Dr Holland apo Thomas Smart Hughes. Kapiteni Leake dhe më vonë
Koloneli Leake ishte një zbulues i mirëfilltë ushtarak i dërguar me mision në
territorin e Pashallëkut të Janinës nga viti 1804 deri në dimrin e vitit 1806.[15] Edhe pse një kohë
relativisht të shkurtër, Leake krijoi
një njohje dhe eksperiencë të admirueshme për Ballkanin. Pas largimit të tij
nga Shqipëria dhe Greqia, Leake shkroi dhe botoi katër vepra shumë të
rëndësishme për të gjeografinë,historinë,gjuhësinë dhe leksikografinë dhe
popullsinë e këtyre viseve. Veprat e tij janë Researches in Greece(1814),”An
Historical outline of Greek Revolution”(1826), “Travels in Morea” (1830) dhe
“Travels in Northern Greece and Albania” me katër vëllime(1835).Këto vepra nuk
ngjallën interes vetëm në qarqet akademike por shumë shpejt patën një sukses të
madh në lexuesin britanik. Si të tilla ato krijuan dhe përshtypjet dhe
perceptimet e para të Ballkanit dhe të Shqipërisë në Britani. Leake ishte një
njohës shumë i mirë i antikitetit dhe referencat e tij për shumë qytete të
vjetra antike ishin shumë të sakta dhe të mahnitshme për moshën e re që ai
kishte. Ai gjithashtu bën një përshkrim rigorozikisht të saktë të territorit që
eksploron duke na dhenë jo vetëm përshkrime gjeografike por dhe përshkrime te
popullatës. Detyra e Likut ishte ajo e zbuluesit ushtarak, pra mbledhja e
informacioneve që i kish caktuar Shtabi Britanik i Luftës. Ai ka udhëtuar pa u
lodhur, ka vëzhguar tërë objektet e nevojshme për informacionet e tij, ka takuar
dhe bashkëbiseduar me njerëz të rajoneve e shtresave të ndryshme të popullsisë
shqiptare e greke, çamë, toskë, lebër,vllahë, funksionarë të administratës
osmane:pashallarë,bejlerë,vezirë,spahinj, ushtarakë të karrierës etj.[16]
Ky
informacion i bollshëm që Leake e mblodhi goja gojës dhe në udhëtimet e shumta
eksplorimi që ai bëri në Greqi dhe Shqipëri bëri të mundur që ai jo vetëm të
kryente me sukses detyrën si zbulues ushtarak të caktuar nga Shtabi Britanik i
Luftës por dhe të fitonte shqisën e historianit dhe të studiuesit të rajonit. Leake
në dallim nga udhëtarët e tjerë të mëvonshëm britanikë ka një kontribut të veçantë
në kulturën shqiptare pasi në veprën e vet Researches in Greece(1814) përfshiu
botimin e një fjalori shqip-anglisht-greqisht, të cilin ai e hartoi me ndihmën
e iluministit dhe mësuesit të shkollave të mesme Evstrat
Vithkuqari(1755?-1822). Ky i fundit i dha mësime të gjuhës shqipe Leak-ut në 1805
në Janinë, kryeqendra e pashallëkut të Ali Pasha Tepelenës. Fjalori u hartua në
bazë të fjalorit greqisht-arumanisht-bullgarisht-shqip të Dhanil Mihal Adham
Haxhiut ose Voskopojarit(1754-1825), të botuar në Venedik më 1802.[17] Bashkëpunimi i Leake me
elitën vendase la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në formimin e tij për sa i përket
përvetësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës ballkanike por dhe në perceptimin e
tij rreth Shqipërisë , Greqisë dhe Ballkanit në përgjithësi. Të dy filozofët
iluministë të mësipërm i përkisnin qarkut kulturor të Akademisë së Voskopojës,
një qendre kulturore të admirueshme në Ballkan në shekullin e XVIII, e cila ishte
kryesisht një produkt i përplasjes së kulturave greko-vllahe-shqiptare në
rajon. Ka patur debate të ndryshme në kohërat e mëvonshme, të cilat disa herë
vazhdojnë dhe sot nëse Voskopoja i përket kulturës dhe qytetërimit grek
meqenëse gjuha e shkruar që është përdorur në hartimin e veprave të ndryshme
ishte gjuha greke. Në fakt problemi para se të ishte një problem etnik(se
ç’popullsi jetonte në Voskopojë?) ka të bëjë më tepër me hierarkinë dhe
statusin e gjuhëve në rajon. Në jugun e
Shqipërisë dhe në Epir , krahina të cilat nën shekujt e sundimit turk dhe deri
në ditët tona kanë pasur një popullsi të përzier shqiptare, greke dhe arumune,
Kisha Ortodokse mbeti një shprehje e qytetërimit grek dhe ishte e dedikuar në mënyrë
të veçantë ndaj gjuhës greke, të cilën e shihte si një mburojë ndaj hordhive
pushtuese të Islamit[18]. Në të njëjtën kohë
përdorimi i gjuhës greke shprehte dhe mentalitetin ekumenist të epokës, ku ajo
shikohej si një transmetuese e vlerave bizantine dhe në planet e iluministëve
ballkanikë zinte një vend të veçantë si gjuha që do të bashkonte të gjitha
popullsitë e Ballkanit .Gjithsesi kjo situatë do të ndryshonte disa vite më vonë ku ashtu si dhe në Evropë
etnitë ballkanike do përqafojnë nacionalizmin si platformë ideologjike në rrugën
e krijimit të shteteve të tyre por trashëgimia dhe influenca e kësaj kulture
ekumeniste të rajonit do jetë e dukshme jo vetëm në zgjimet kombëtare por dhe
në dëshmitë e udhëtimit që na kanë lënë udhëtarët e huaj në shekullin e XIX.
Këtë
influencë e gjejmë dhe në shkrimet e Leake rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve ku
dallohen qartë fillesat e dy perceptimeve kryesore të cilat pak a shumë në
mënyrë jo të vullnetshme u ndoqën dhe nga udhëtarët e mëvonshme britanikë në
shkrimet dhe veprat e tyre për Shqipërinë. Së pari Leake i ndërgjegjshëm për
detyrën e vet të zbuluesit dhe më vonë të diplomatit në (1809) është ndoshta
nga të vetmit udhëtarë të kësaj periudhe i cili duke e njohur mirë kauzën e vet e reflekton në shkrimet e
veta duke mos mbajtur aspak qëndrim emocionues ndaj çështjeve politike në
rajon. Kështu p.sh kur një banor i krishterë i Delvinës i ankohet për
“vështirësitë që duhet të durojë nga turqit” dhe e pyet “se pse fuqitë e mëdha
të Evropës, por në veçanti Anglia nuk japin ndihmën e tyre, për të çliruar
vëllezërit e tyre të krishterë” ai shkruan se “nuk është një detyrë shumë e
këndshme të japësh shpjegime për këtë , se kombet radhë veprojnë pa u nisur nga
interesat e tyre, se ne kemi në zhvillim e sipër një luftë mizore në duar dhe
se politika jonë e tanishme është që
të mbështesim Perandorinë Turke”.[19] Ashtu si gjithë udhëtarët
e tjerë në Ballkan , Leake njohu saktësisht në udhëtimet e tij gjendjen
politike të cilën ai kish mësuar ta urrente:papërgjegjshmërinë, qeverisjen
despotike,anarkinë ekonomike dhe intolerancën fetare.[20]Por shqetësimi
gjeo-strategjik për tu rezistuar francezëve në rajon është më i rëndësishëm për
Leake sesa gjendja politike në të cilat vuan popullsia, ndaj ai ndërmerr të
gjitha hapat për fuqizimin e pushtetit perandorak otoman nëpërmjet përkrahjes
së tij të hapur për Ali Pashën. Të njëjtin qëndrim do të mbajnë më vonë në
veprat e tyre dhe udhëtarët e tjerrë Viktorianë , ku në kuadër të politikës së
Çështjes Lindore do përkrahin sërish integritetin e Perandorisë Otomane si
barrierë ndaj imperializmit rus në Ballkan.
Së dyti në
shkrimet e Leake pasqyrohet qartë ditomia e diskursit porsa i përket
popullsive, të cilat u përkasin besimeve të ndryshme fetare. Shumë kush e ka
pranuar, sikurse Anri Piren, se, me ardhjen e Islamit, “bota e Mesdheut” u nda
në mënyrë të pariparueshme në dy kampet e papajtueshme të Krishterimit dhe të
Islamit.[21]Kjo
situatë përveç humbjes së kontaktit kulturor solli dhe perceptimin e
paragjykimeve për Tjetrin. Në shekullin e X gjejmë paragjykime të tilla të
shkruara nga gjeografët arabë që përshkonin Evropën, kurse në shekullin e XIX
kjo është një dukuri që gjendet shpesh në veprat e udhëtarëve për Ballkanin.
Edhe në veprën e Leake, gjen referenca të tilla ku viktima të këtij paragjykimi
është më shumë popullsia shqiptare, pasi ajo u përkiste të dyja besimeve.
Ndonjëherë këto paragjykime janë të egzagjeruara kur Leake konstaton se “në të
vërtetë një turk, ose shqiptar mysliman i cili nuk është miop, koprrac ose i
dhënë pas përfitimeve të çastit do të ishte një rasisima avis*.”[22] Themi të egzagjeruara
pasi ka shumë dëshmi të udhëtarëve të tjerë si Lord Byron, Hobhouse apo Dr
Holland të cilat dëshmojnë të kundërtën për mikpritje dhe bujarinë e
shqiptarëve, qoftë dhe atyre myslimanë. Vetë Leaku është dëshmitar i kësaj
mikpritje dhe bujarie kur bujt dhe strehohet në shtëpinë e Demir Aga Dostit në
Kardhiq.[23]
Gjatë
udhëtimeve të tij, Leake si një dishepull i kulturës klasike greko-romake
identifikon dhe sjell në vëmendjen e lexuesit shumë vendbanime dhe qytete të
lashta të Ilirisë , Maqedonisë, Epirit dhe Greqisë. Është e kuptueshme që për
emrat antikë Leake përdor emërtimet e tyre greko-romake duke respektuar
traditën e udhëtarëve të tjerë para tij, por kur kjo emërtim shtrihet dhe në
vendbanime dhe toponime që s’kanë gjë të përbashkët me greqishten apo me
popullsi greke në rajon krijohet një konfuzion etnik i panevojshëm për
lexuesin. Vetë Leake duket se nuk është
shumë i qartë kur identiteti kulturor historik të antikitetit dhe atë fetar të
mesjetës mundohet ta përcjellë dhe në kohët moderne. Kështu p.sh shumë herë ai
ngatërron popullsitë duke i thirrur shpesh herë si “greke”popullsitë ortodokse
shqiptare, si në Lavdar të Oparit, Berat etj
apo “turke” banorët myslimanë të Beratit dhe fshatrave dhe qyteteve të
tjerë të Toskërisë. Madje Leake shpesh herë dhe në vende që kanë toponomastikë
shqiptare si në fshatin Dukaj të Tepelenës nuk nguron ta shoqërojë me emërtimin
grek “Dukadhes”[24].
Kjo ditomi
në diskurs influencon dhe në krijimin e imazhit të Shqipërisë si të një toke
barbarie, të largët dhe të pa civilizuar e dëshmuar shpesh herë me përdorimin e
mbiemrave “të egjër”, ‘mizor” e “gjysmë lakuriq” për banorët e saj apo drejt
për së drejt ku i referohet Beratit si
qendër e “barbarisë shqiptare.”[25]Është e tepërt të
përmendim se qyteti i Beratit si një qendër e një pashallëku shqiptar jo shumë
kohë më parë se ta vizitonte Leake kish qenë kryeqendra e lëvizjes kulturore të
Bejtexhinjve që edhe pse mund të ishte lëvizje kulturore lindore jo domosdoshmërisht
duhet të ishte dhe barbare. Po kështu Berati shquhej dhe për kulturën e
trashëguar të popullsisë së tij ortodokse, të cilën jo radhë herë në libër
Leake e konsideron pa të drejtë si greke. Për më tepër përshkrimet që Leake u
bën Shqipërisë dhe shqiptarëve janë në kontrast me përshkrimet që u bën Greqisë
dhe popullsisë greke brenda të njëjtave veprave Kështu imazhi i Greqisë dhe i
popullsisë greke është pasqyruar me tone më
pozitive dhe më me dhembshuri duke iu referuar shpesh herë atyre si
“grekët e gjorë” apo duke i qortuar lehtë për mos kurajën e tyre për të ngritur
krye kur shkruan se “ata i tremben shumë shpatës turke dhe kanë aq pak energji
për të vepruar në të mirë të vetes.”[26]Në këtë rast shqetësimi
gjeo-strategjik i Leake i nënshtrohet sentimenteve të veta filokulturore ndaj
kulturës antike, e cila transferohet direkt tek popullsia moderne greke. Edhe
pse vetë Leake apo dhe autorët e mëvonshëm britanikë nuk i “akuzojnë kurrë shqiptarët për padituri
në mënyrën si akuzohen ndonjëherë grekët dhe shumë më shpesh turqit, në të
vërtetë ata janë përshkruar si një popull inteligjent, të shquar për “mprehtësi
dhe gjykim të shëndoshë” dhe që “nuk u mungonte talenti”[27] , gjithsesi paragjykimet
dhe perceptimet negative që përmendëm më sipër do të vazhdojnë të jenë prezentë
në tekstet britanike duke themeluar kështu një mënyrë të vështruarit të
ngjarjeve dhe perceptimit të Ballkanit dhe në autorët e mëvonshëm britanikë në
rajon.
Bibliografi
1.
Afrim
Q. Karagjozi. Byron in English and in
Albanian. Scanderbeg Books. Tiranë:2010
2.
Andre
Hammond. The uses of Balkanism:
Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic
and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004
3.
Barbara Jelavich. The
British Traveller in the Balkans: The Abuses of Ottoman Admistration in the
Slavonic Provinces.
The Slavonic and East European Revieë.Vol.33,No.81(Jun.,1955)
4.
Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920.
Dituria.Tiranë:2004
5.
Helen
Angelomatis-Tsougarakis. The eve of the
Greek revival. Routledge London and New
York :1990
6.
Irakli
Kocollari. Pasthënie “I dërguari I
posaçëm William Martin Lik”. William Martin
Leake Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve.Migjeni.
Tiranë:2008
7.
Katherine
E Flemming. Bonaparti Mysliman.
Tiranë, Dituria:2002
8.
Katherine
E. Fleming .Orientalism, the Balkans, and
Balkan Historiography. The American Historical Review, Vol.105.No.4
(October 2000)
9.
Maria Todorova. Ballkani
imagjinar. Instituti i Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004
10.
Robert
Elsie. Albanian Literature in Greek
script: The eighteenth and early nineteenth-century Orthodox tradition in
Albanian writing. www.scribd.com/doc/.../Albanian-literature-in-Greek-script
11.
Stilian
Adhami.Voskopoja dhe monumentet e saj.Infobotues.
Tiranë:1998
12.
William Martin Lik. Udhëtime
në Shqipërinë e Vezirëve. Migjeni. Tiranë:2008
[1] Maria Todorova. Ballkani imagjinar Instituti
I Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004, faqe 98
[2] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të
Ballkanit,1804-1920. Dituria.Tiranë:2004, faqe 30
[3] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të
Ballkanit,1804-1920. Dituria.Tiranë:2004, faqe 30
[4] Helen
Angelomatis-Tsougarakis. The eve of the
Greek revival. Routledge London and New
York :1990,faqe 1
[5] Maria
Todorova. Ballkani imagjinar
Instituti I Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004, faqe 99
[6] Po aty, faqe 98
[7] Po aty faqe 100
[8]
Katherine E. Fleming. Orientalism, the
Balkans, and Balkan Historiography. The American Historical Review,
Vol.105.No.4 (October 2000), faqe 1221
[9]
Katherine E. Fleming .Orientalism, the
Balkans, and Balkan Historiography. The American Historical Review,
Vol.105.No.4 (October 2000), faqe 1223
[10]
Katherine E Flemming. Bonaparti Mysliman.
Tiranë, Dituria:2002, faqe 21
[11] Po aty, faqe 25
[12] Barbara
Jelavich. The British Traveller in the Balkans: The Abuses of Ottoman
Admistration in the Slavonic Provinces. The Slavonic and East European
Review.Vol.33,No.81(Jun.,1955),faqe 396
[13] Andre
Hammond. The uses of Balkanism:
Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic
and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 602
[14] Afrim
Q. Karagjozi. Byron in English and in
Albanian. Scanderbeg Books. Tiranë:2010, faqe 10
[15] Irakli Kocollari. Pasthënie “I dërguari I posaçëm William Martin Lik”. William Martin Leake Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve.Migjeni. Tiranë:2008, faqe 303.
[17] Stilian
Adhami.Voskopoja dhe monumentet e saj.Infobotues.
Tiranë:1998, faqe 195
[18] Robert
Elsie. Albanian Literature in Greek
script: The eighteenth and early nineteenth-century Orthodox tradition in
Albanian writing. www.scribd.com/doc/.../Albanian-literature-in-Greek-script-
[19] William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë
e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë:2008 faqe 35. Latinisht: rast i radhë
[20] Barbara Jelavich. The
British Traveller in the Balkans: The Abuses of Ottoman Admistration in the
Slavonic Provinces. The Slavonic and East European
Revieë.Vol.33,No.81(Jun.,1955), faqe 396
[21] Maria Todorova. Ballkani imagjinar Instituti i Dialogut &Komunikimit.
Tiranë:2004, faqe 101
[23] Po aty faqe 73
[24] Po aty, faqe 130 dhe 47.
[25] Po aty faqe,73 dhe 138
[26] Po aty faqe 35
[27] Helen
Angelomatis-Tsougarakis. The eve of the
Greek revival. Routledge London and New
York :1990,faqe 108
No comments:
Post a Comment