Thursday, 29 December 2011

Gjysma-gjeli i Vitit të Ri




Muza popullore shqiptare është ndoshta një nga trashëgimisë kulturore më të çmuara psikologjisë  sonë kombëtare. Në të gjen ngjarje dhe karaktere që kanë shënjuar jetën e etnisë sonë në rrugëtimin e saj të gjatë për të fituar identitetin kombëtar por dhe shtresëzime të ndryshme kulturore që dëshmojnë kontaktet e gjera midis popullsive dhe kulturave në rajonin tonë. Kështu p.sh përralla shqiptare e “Dedalisë dhe Katallanit” përveç temës së përjetshme të ardhjes së një pushtuesi që mundohet të transformojë ligjet dhe zakonet e vendit me të tijat dëshmon dhe praninë e vjetër të mercenarëve katalanas në shërbim të Perandorisë Bizantine nga Barcelona e largët në truajt tanë në Ballkan. Ky kontakt kulturor i shprehur dhe në këngë të tjera të folklorit bëhet pak më tepër intrigues kur i vishet një detaj i vjetër i mitologjisë si ai të pasurit vetëm një sy personazhit kryesor Katallanit, që të gjithëve na kujton aventurat e Odisesë me Ciklopin antik në brigje të tjera të Mesdheut. Sigurisht që motivet e mësipërme folklorike mund të përbëjnë një lëndë të parë për antropologët dhe studiuesit e kontakteve të kulturave të ndryshme në një botë që ishte shumë më e hapur në të kaluarën e largët dhe jo kaq e mbyllur administrativisht siç është kjo e sotmja. Por duke qenë se motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit” që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor, sociologët që studiojnë në detaje shoqërinë e sotme dhe që nuk u interesojnë shumë problemet me identitetin e popullsive mundohen të gjejnë dhe ata kumte në të shkuarën por në një drejtim tjetër.
Një nga problemet kryesore që ka shoqëruar njerëzimin që nga lindja e tij dhe që vazhdon të mbetet një problem aktual është ai i varfërisë. Interesant është fakti se në emër të zhdukjes së saj apo duke pasur atë si shkak kryesor kanë shpërthyer  revolucione e kanë ndodhur përmbysje të mëdha që kanë ndryshuar rrjedhën  e historisë botërore, e megjithatë ajo ka qenë e pranishme në të gjitha stadet e zhvillimit njerëzor. Duke pasur këtë impakt të madh në ndërgjegjen njerëzore nuk mund të konsiderohet si çudi që pse muza popullore shqiptare e trajton në një sërë temash dhe personazhesh.. Një nga përrallat më të bukura të folklorit shqiptar, që besoj meriton një vëmendje të veçantë nga sociologët është ajo me titull Gjysma-gjeli. Në të tregohet sesi një çift i vjetër dhe i moshuar pleqsh nuk zotërojnë asnjë katandi tjetër përveç një gjeli të vogël e mjeran që s’është as një i tërë por vetëm gjysmë. Në mes të trishtimit, mërzitjes së tyre dhe luftës së tyre të përditshme për të fituar bukën e gojës papritur zbulojnë se Gjysma-gjeli i tyre bënte përditë nga një flori, gjë e mjaftueshme për ti shpëtuar nga varfëria dhe për të siguruar bukën e gojës. Sigurisht që është e tepërt të tregohet këtu se kur e marrin vesh të tjerët përfshi këtu dhe mbretin përpiqen që t’ua rrëmbejnë por ashtu si çdo përrallë që mbaron me “happy end”-fund të lumtur Gjysma-gjeli triumfon mbi të gjitha vështirësitë dhe jeton sëbashku me të zotët e tyre që e konsiderojnë si birin e tyre.
Natyrisht që përralla nuk tërheq vëmendjen vetëm me moralin e saj por dhe me fantazinë e shfrenuar njerëzore për të shndërruar një gjel, aq më pak dhe gjysmak në një shpëtimtar të situatës. Në fakt ashtu si mund të konstatohet kollaj gjithandej në Shqipëri, kjo ëndërr e bukur dimri që ka  nxitur fantazinë e njerëzve, për fat të keq vazhdon të jetë një shpresë e mekur e shumë pensionistëve shqiptarë që gjysma-gjelin e shikojnë tek fëmijët e tyre në emigracion apo në pritshmërinë e vlerësimit të drejtë të kontributeve të tyre për të përfituar një pension dinjitoz. Sivjet fati tyre nuk ishte i mirë pasi bijtë e tyre emigrantë në luftën e tyre të përditshme për të mbijetuar nuk ishin aq të suksesshëm si vitet e mëparshme pasi kriza botërore dhe recesioni ekonomik po bën të vetën , kështu që dhe dërgesat e lekëve  ishin shumë më pak se vjet. Po kështu ata s’ishin as me fat as me shpërblimet e zakonshme që kanë përfituar çdo herë në fund të vitit që vërtetë mund të ishin sa një gjysma-gjel deti i vitit të ri por të paktën mund t’iu dhuronte një buzëqeshje më shumë. Nuk e di sesi e ka gjykuar këtë vit qeveria që të mos u japë shpërblimin në fund të vitit por ky vendim natyrisht që nuk duhet të bëjë askush që të ndihet mirë. Në historira të tilla njerëzore nuk mund të flitet për happy-end pasi kështu mund të tingëllojnë si historira shabllon propagande të së kaluarës por të paktën le të urojmë që ky vit i ri që vjen t’iu kushtohet më tepër vëmendje pasi pensionistët, prindërit tanë pas gjithë atyre viteve sakrifice e meritojnë në muzg të jetës së tyre një buzëqeshje më tepër.


Gazeta Shqip : 30.12.2011


Mbrojtje





Diku në një skutë të shpirtit tim
ku nuk ka shumë dritë
unë e di,  se ka një pjesë
një pjesë që s’guxoj ta quaj të papërfillshme
që ëndërron, sa shumë ëndërron
sesi të marr arratinë
sesi të vishet me mendime të tjera
ashtu si dhëndër me këmishë të re
të iki larg diku larg
por të kthehet sërish, sërish
pa teklif, pa drojë
e të më grijë si në mokra mulliri
tërë qenien , tërë qenien time
Është e dhimbshme , shumë e dhimbshme
që ta pranoj si të vërtetë, ta pranoj
ndaj nuk guxoj asnjëherë nuk guxoj
ta urrej, ta quaj armik
se nuk e di as vetë se di
sesa më pasuron, më pasuron
se ç’instinkte të vjetra më zgjon, patjetër më zgjon
se më bën të kthjellët , oh sa të kthjellët
Se e keqja që përgjon , sa shumë që përgjon
të shfaqem i paditur, naiv, dele
më gjen papritur ujk, goxha ujk
që i ulërin pafund hënës
e që s’ka frikë prej pusive...


Monday, 26 December 2011

Disa të vërteta për Mbretërinë





Në shtator të vitit 1928 , një propozim i deputetëve të Skraparit në parlamentin shqiptar të Republikës së parë shqiptare të themeluar në janar 1925, do të ndryshonte skenën politike në vend. Propozimi në thelb, nuk ishte një propozim i zakonshëm që do të bënte të mundur iniciativa të zakonshme parlamentare për rishikimin e buxhetit apo për orientimin e politikës së jashtme të Shqipërisë si mund të kishte rëndom në çdo kohë dhe në të gjitha parlamentet e botës, por ai do të përfshinte dhe do të synonte ndryshimin e statusit juridik të Shqipërisë. Deputetët e Skraparit dhe një grup tjetër i madh deputetësh që i mbështetën pa rezerva propozuan që Shqipëria të kthehej nga republikë në mbretëri dhe presidenti i republikës Ahmed Bej Zogolli, të shpallej mbret i Shqipërisë me emrin Ahmed Zog I. Në këtë mënyrë sipas atyre që bënë propozimin por dhe shumë analistëve politikë të kohës, Shqipëria rikthehej në normalitet dhe nuk do të ishte më një “dele e zezë” mes shteteve monarkikë të Ballkanit. Idetë që patën ardhur dikur nga Amerika nga dy njerëz eklektikë, politikanë dhe shkrimtarë Fan Noli dhe Faik Konica për themelimin e republikës pas eksperimentimit të dështuar me një monark evropian nuk kishin hedhur ende rrënjë në mentalitetin shqiptar. Nuk kishin mjaftuar për këtë gjë as editorialët në gazetën “Dielli” të Konicës as introdukta e Nolit tek përkthimi i “Jul Qesarit” të Shekspirit. Kjo gjë kish ndodhur,  jo sepse editorialët nuk ishin të përkryer për të ilustruar idetë e tyre por sepse për fat të keq të tyre dhe të Shqipërisë, populli shqiptar ishte në masë të madhe analfabet dhe as që lexonte se shkruanin dhe predikonin këta dy njerëz të shkolluar.
Në mungesë të leximit, njerëzit preferonin diçka më të thjeshtë. Një bisedë kokë për kokë, një qarje halli, një kërcënim force kur e tepronin me sjelljen e tyre antishtetërore , një rrahje shpatullash kur nuk i mundje dot si kundërshtarë dhe një afrim posti për ti ngjitur në sferat e pushtetit dhe të kontributit të tyre në favor të Shqipërisë. Për të arritur këtë gjë, që në Shqipëri ishte arti i të qeverisurit të kohës nuk ishte e nevojshme doktoraturë në Harvard si Konica apo studime të thelluara në gjuhë të ndryshme si Noli, por vullneti dhe këmbëngulja e një njeriu që në shkurtimin e vet nga Zogoll në Zog po shënjonte dhe ndryshimin e Shqipërisë. Mbretëria e re shqiptare që u krijua përkundrejt toneve tallëse të këngës së “Salep Sulltanit” të Nolit krijoi ndërgjegjen shtetërore aq të nevojshme ndër shqiptarë, u kujtoi fqinjëve së mbreti ishte i gjithë shqiptarëve dhe përtej kufirit dhe me politikat nxitëse drejt dijes dhe përparimit po nxiste zemrat djaloshare për një të ardhme më të mirë. Kosto e lartë për të arritur këtë gjë? Pa diskutim që ky debat është nga më të qenësishmit që mund të shtrohet në historinë e Shqipërisë. Asnjë mbretëri në Ballkan nuk kish mundur që të qeveriste e qetë pa turbullime sociale. Aq më tepër kjo gjë nuk mund të pritej në Shqipëri ku legjitimitetin e skeptrit të bekuar nga Evropa e pat humbur një monark i huaj dhe tashmë kërkonte ta fitonte një njeri, familja e të cilit s’kishte as më shumë dhe as më pak se të gjitha familjet e tjera të mëdha shqiptare. Madje disa nga këto të fundit kishin kontribuar dhe në qeverisjen e hapësirave të mëdha perandorake, ndërsa ajo e Zogollëve kish qeverisur vetëm krahinën e vet problematike. Vetë njeriu që po pretendonte fronin mbretëror disa nivele edukimi i kish kaluar në oborrin e Sulltan Abdyl-Hamidit, një oborr oriental ku tradita politike rrëfente se shpesh herë që së bashku me fermanin e emërimit si pasha mund të merrje dhe bujurdinë e prerjes së kokës si rebel dhe kundërshtues i Padishahut. Në këtë kontekst ashtu si dëshmon në kujtimet e veta bashkëkohësi dhe kundërshtari i tij politik Sejfi Vllamasi politikani Ahmet Zogolli do të ishte një mjeshtër i kulisave duke bërë punë të ndyra me duar të pastra, pa lënë asnjë gjurmë. Vrasjet politike të Avni Rustemit,Bajram Currit, Luigj Gurakuqit e Hasan Prishtinës sado që u mbuluan si vrasje me motive personale të vrasësve, nuk mundën ti shpëtojnë gjyqit të kohës dhe të historisë. Ato janë klasifikuar tashmë si vrasje politike dhe besoj nuk bëjnë krenar as dhe një mbështetës të monarkisë. Gjithsesi, kohët e turbullta të viteve 30’ me përplasjet e forta ideologjike nuk mund të zbehin shkëlqimin e një përpjekje të mirë për të bërë Shqipërinë, aq më tepër kur kjo përpjekje u transmetua si një vlerë e patjetërsueshme në familjen mbretërore. Paaftësia për të bërë më të mirën e mundshme nuk mund të konsiderohet si tradhti me qëllim. Njëmbëdhjetë vjet më vonë pasi Shqipëria ishte shpallur mbretëri dhe dy ditë më parë se agresorët fashistë të rrënonin pavarësinë e Shqipërisë  lindi Princ Leka që në ditë më të qeta për Shqipërinë do të kishte sjellë fat më të madh vendit. Por jo gjithmonë qeniet njerëzore mund të kontrollojnë fatin e tyre, e aq më tepër kur goditjet e pabesa vijnë në çaste kritike. Në shënimet e veta në ditarin personal , Konti Ciano, arkitekti i pushtimit italian të Shqipërisë dhe dhëndri i Mussolinit shënon gjithë cinizëm se rezistenca shqiptare mund të jetë më e dobët pasi pritet që mbretëresha të lindë. Zgjedhja e datës së pushtimit u bë dhe në varësi të lindjes së princit trashëgimtar duke dashur që ta vinin monarkun shqiptar në një pozicion të vështirë. Dhe ia arritën qëllimit duke rrënuar pavarësinë shqiptare dhe duke bërë të mundur dhe mërgimin e gjatë të familjes mbretërore nëpër botë. Për fat të keq mbreti ra në fatalitetin e njerëzve të zakonshëm dhe nuk mundi të ngrihej mbi ta për të luajtur rolin si sovran i një vendi që po pushtohej. Midis familjes së vet personale dhe familjes së madhe që përbente interesat kombëtare, zgjodhi këtë të parën. Në momentet e fundit u largua drejt Greqisë pa bërë rezistencë dhe me arkat e thesarit shtetëror me vete. Pushtimi në fakt këmbëngulin shumë historianë ishte një kronikë e një akti të paralajmëruar që në vitin e largët 1926 kur qe nënshkruar Pakti i parë i Tiranës dhe ishin marrë huat e mëdha, një pjesë e të cilave për fat të keq kishin kaluar në xhepat e familjes mbretërore. Ciano, sërish në për sytë e opinionit botëror deklaroi se pavarësisht kontradiktave me mbretin Zog dhe regjimin e tij mund ti jepnin strehim Mbretëreshës Geraldinë që ishte lehonë. Cinizëm alla evropian i klasit të parë!
Por nëse ishte e kuptueshme që fashistët italianë të ushtronin me politikën e tyre një cinizëm të hapur, kjo gjë ishte e patolerueshme për demokracitë evropiane. Gjithandej ku shkoi familja mbretërore edhe pse e njohur si e tillë nga të gjitha ambasadat e gjitha fuqive të mëdha në Tiranë në vitin 1928, u gjend para një realiteti të trishtë ku ky status iu vu në dyshim. Në fillim shteti grek që skish pasur as fuqinë që të protestonte se pse mbreti Zog i kish vënë emrin princit të tij trashëgimtar Leka, një revokim i emrit të Aleksandërit të Madh i uroi një mirëseardhje të thatë dhe pastaj vazhdimisht bënte fjalë për largim të tij të frikësuar nga presioni italian. Pas një rrugëtimi të gjatë nëpër Evropë familja mbretërore do të arrinte në ishullin britanik, atdheun e monarkisë. Mirëpo gjërat nuk do të ecnin vaj, sa për faj të konjukturave politike që se dëshironin më mbretin Zog nëpër këmbë po aq dhe për sjelljen e treguar në 7 Prill ku qe larguar pa bërë një rezistencë që do të shkundte Evropën nga alergjia që kish për problemet shqiptare. Vetëm 4 vjet më parë Etiopia, një vend afrikan kishte bërë një qëndresë të admirueshme ndaj Italisë fashiste ndërsa vendi i shqiponjave qe dorëzuar pa cak, pa bam të hynte vetë në kafazin e robërisë. Ishte Kjo klimë politike që reflektonte tek Kryeministri anglez i kohës Winston Churcill që nuk pranoi ta priste asnjëherë në audiencë mbretin e Shqipërisë sepse kish hall se mos i mërziteshin monarkët grekë, vendin e të cilëve e donte ta kishte nën influencën e Anglisë, por dhe grupet politike në Shqipëri që po bënin rezistencën ndaj fuqive të boshtit. Ndaj ai gjente një mijë e një mënyra për të mos e pritur apo bënte dhe komente cinike rreth tij, por mbreti nuk “mërzitej” dhe vazhdonte me ngulm të mbante kontakte me diplomacinë angleze sepse e dinte që prej andej do vendosej dhe fati i Shqipërisë. Mirëpo në gjithë këtë përpjekje që mbreti bënte sa për vendin e vet po aq dhe për fatin e familjes mbretërore dhe rikthimin në Shqipëri harronte  dhe nuk reflektonte se mos rezistenca e tij e kish zhytur vendin e pambrojtur shqiptar në arenën diplomatike në një kaos diplomatik për sa i përket statusit të vet. Asnjë nuk e njihte Shqipërinë si vend të pushtuar për shkak se vendi qe pushtuar para datës zyrtare të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e besuar e elitës së vendit i kish afruar kurorën familjes mbretërore italiane vetëm 5 ditë pas pushtimit të vendit dhe prej këndej kishin lindur ndërlikime juridike që s’kanë marrë fund as sot me hyrjen në luftë të qeverisë kukull shqiptare përkrah Italisë Fashiste jo vetëm kundrejt Greqisë por dhe shteteve të tjera perëndimore. Asnjë nuk e di sesi do të kish reflektuar mbreti Zog nëse do të ishte kthyer në pushtet në Shqipëri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. A do të kish përqafuar parimet e demokracisë liberale që e kish shkelur me këmbë në marshimin e tij të vrullshëm nga Beogradi në vitin e largët 1924 ?A e kish pasur shumë seriozisht kur i kish propozuar Fan Nolit për tu rikthyer në qeverisje apo pasi të merrte pushtetin liberalët do kishin fatin e qeverisë së Mehdi Frashërit dhe akoma më keq të Ismet Totos të varur? A do të hiqte dorë nga qeverisja nëpërmjet hijes së Lalës së vet Abdurrahman Krosit apo do përqafonte parime moderne të qeverisjes? Të gjitha pyetjet janë të hapura dhe vetëm për një gjë që mund të jemi të sigurtë se në emigracion ai u përpoq për bashkimin e emigracionit shqiptar dhe do të ndërmerrte akte si kur do ti shkruante asamblesë së O.K.B për ta pranuar Shqipërinë si vend anëtar edhe pse vendi udhëhiqej nga kundërshtarët e tij ideologjikë që e kishin ndaluar ardhjen, konfiskuar pasurinë dhe i kishin shkatërruar varrin e së ëmës! Ndoshta në mplakje të jetës së vet dëshironte të jepte sinjale të jetës institucionale aq të nevojshme për të gjitha kohët për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kjo përgjegjësi institucionale , që vet ai e kish themeluar gjatë mbretërisë së  tij që nga hartimi i statuteve ligjorë  deri tek jeta administrative e shtetit shqiptar i mungon kaq shumë Shqipërisë së sotme. I biri i tij, Leka , pretendenti për fron që tashmë pushon në varrezat e Sharrës i përcjellë me nderime por jo pa komente keqdashëse sa ishte gjallë nuk i dha shkas asnjë njeriu që të fliste qoftë dhe një fjalë të keqe për papërgjeshmëri institucionale. I kthyer pas 58 vjetësh në atdhe provoi të testonte vullnetin e popullit shqiptar për rivendosjen e monarkisë dhe pavarësisht faktit që votimi u krye në vitin mbrapsht 1997 ku armët ishin sheshit, i zënë në kurth mes intrigave të politikës shqiptare ku asnjëra palë nuk e deshi,  pranoi verdiktin që doli nga to. Me dashurinë e pafundme për trojet shqiptare jashtë kufirit, buzëqeshjen dhe një cigare në buzë do të mbahet mend si njeriu që braktisi çdo gjë jashtë për të ardhur dhe vdekur në vendin e vet. I nipi i Ahmet Zogut, Leka i II është një nëpunës i zakonshëm i shtetit shqiptar, i fejuar me një vajzë jo me gjak blu që jeton një jetë normale si qytetar i republikës së Shqipërisë. Mesa duket i shkon për mbarë më tepër ky status që paradoksialisht e ka origjinën nga gjyshi i tij që përveçse themeluesi i monarkisë ishte dhe themeluesi i republikës së parë shqiptare më 1925. I çuditshëm për një historian ky fakt ,por jo për një vend si Shqipëria ku historia e “Hirushes” që fle në një shtëpi të thjeshtë dhe të nesërmen zgjohet në pallat është një nga historitë më të treguara. Viti tjetër shënon njëqind vjetorin e pavarësisë dhe memoriali i familjes mbretërore nuk do të jetë i plotë pa eshtrat e mbretit Zog. Ky vend ka mbajtur eshtra të tëra pushtuesish që kaluan që në gjithë këto epoka historike por do të ndihet i paplotë nëse nuk ka mes tij atë që e ngriti në piedestal por dhe rrëzoi, gjithmonë pa vënë në dyshim thënien se pushtetet dhe mbretërimet janë si jetët njerëzore me oshilacione, të përpjeta dhe të tatëpjeta por përherë në dashuri ndaj vendit ku jetojnë. 


Sunday, 25 December 2011

Rasti Seseri





Elektorati i qytetit të Durrësit u gjet në befasi nga lajm që erdhi nga Bota e Re, përtej oqeanit. Kjo gjë ndodhi pasi  zakonisht andej jemi mësuar të na vijnë lajme binjakëzimi institucionesh ose ndihma dhe grante për forcimin e institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile në Shqipëri, kurse lajmi i kësaj radhe nuk ishte i tillë. Së pari ai nuk ishte nga administrata e SH.B.A apo nga institucione private amerikane por erdhi drejtë për së drejtë në formën e një letre dorëheqje nga numri një i listës së deputetëve të Partisë Socialiste për Durrësin, Rudina Seseri. Pak a shumë numri një i socialistëve në Durrës shprehej se për shkak të angazhimeve të shumta në SH.B.A e kishte të pamundur që të vazhdonte të ishte deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe se ndihej e privilegjuar që kish përfaqësuar qytetarët e vet në parlament dhe për këtë gjë falënderonte kreun e PS  z Rama që i kish dhënë këtë mundësi për tu gjendur më afër bashkëqytetarëve të vet. Nga toni si ishte hartuar dorëheqja tregonte një sinqeritet të një njeriu të lodhur nga dëshirat për të bërë shumë gjëra në jetë por që në këtë përpjekje s’arrin dot të bëjë mirë asnjë , ndaj kërkonte që të tërhiqej dhe përqendrohej në atë që di të bëjë mirë.
Deri këtu, në fakt s’ka asnjë gjë të keqe, madje qytetarja Rudina Seseri duhet përgëzuar që ndërmori iniciativën për të dhënë dorëheqjen pasi mund të kishte vazhduar dhe një vit e gjysëm me trukun e paraqitjes në parlament një herë në gjashtë muaj për ta mbajtur mandatin por dhe për tu paguar me rrogë të plotë në të njëjtën kohë. Mirëpo kuraja civile dhe përgjegjësia qytetare ,që janë vlera morale në vendin ku ajo ka ndërtuar karrierën dhe jetën e saj mesa duket kanë shërbyer si vektorë të mirë orientimi për ta bindur se i binte kot në qafë politikës shqiptare dhe krahinës së vet duke mbajtur mbi shpinë një mandat që s’ishte e aftë ta menaxhonte dhe ta ushtronte në favor të atyre mijërave qytetarëve që ia kishin besuar. Në fakt , ajo është e pafajshme për situatën e krijuar pasi shumë më herët në mënyrë të sinqertë kish pohuar se “kish ardhur në Shqipëri për të parë babanë që e kish të sëmurë dhe P.S i kish afruar postin për tu bërë deputete”. Nuk mund ta fsheh se emri i saj intrigoi dhe nxiti kureshtjen e shumë njerëzve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 kur u shfaq për herë të parë në krye të listës së P.S për Durrësin pasi ishte hera e parë që deputetët po zgjidheshin me listë dhe të gjithë mundoheshin të kuptonin se cilat mund të ishin kriteret që do të bënin tash e tutje përzgjedhjen e deputetëve aq më tepër që gjithandej flitej për “politikë të vjetër” dhe “politikë të re” dhe meritokraci. Asnjë nuk mund ta vërë në dyshim profesionalizmin e Zonjës  Seseri në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit të korporatave që përbën shtyllën e ekonomisë së tregut përtej oqeanit por përzgjedhja e saj për të përfaqësuar elektoratin e majtë në parlament ishte që në fillim një fiasko. Kjo është e vërtetë jo vetëm sepse u pa gjatë debateve televizive ku për një kohë të gjatë nëpër korridoret e politikës u përdorën si batuta shumë thënie të saj për ekonominë shqiptare por të paktën dhe për dy arsye të tjera themelore.
Së pari një qark i madh si Durrësi , ku kryeqendra është qyteti i Durrësit që është dhe qendra e dytë urbane më e madhe në Shqipëri pas Tiranës nuk mund të përfaqësohej në parlament nga emigrante, qoftë kjo dhe e suksesshme që nuk e njihte aspak realitetin dhe qytetin që do përfaqësonte në parlament pasi dukej sikur e gjithë kjo zonë elektorale nuk ishte e aftë që të nxirrte një personalitet të besueshëm. Duke qenë se deputeti i duhet të mbajë një lidhje të vazhdueshme me elektoratin për tu njohur me problematikën që e shqetëson dhe për ta bërë atë prezent në parlament, përzgjedhja e Seserit që vinte nga një ambient tjetër me qytetari dhe kërkesa të tjera, tingëlloi më tepër një zgjedhje për të pasur një karton të sigurtë mbështetësi nga ana e  Z Rama sesa një përzgjedhje serioze për të respektuar qytetarët durrsakë.  Aq i vërtetë është ky kriter përzgjedhjeje sa dhe pasardhësi i zonjës Seseri në listën emërore është një person i panjohur me të vetmen arritje profesionale, postin e një filiali banke.
Së dyti në Shqipëri u bë kohë që po gjallon miti i të ardhurve nga jashtë që do ndryshojnë Shqipërinë. Për ta ilustruar merren si shembuj rasti i Nolit dhe Konicës që erdhën nga SH.B.A në vitet 20’ të shekullit të kaluar në Shqipëri. Paralelizmat janë të gabuar dhe jo korrektë. Të dy  personalitetet e mësipërm kishin një kontribut të veçantë në zgjimin kombëtar shqiptar dhe mbi të gjitha kishin një jetë modeste në SH.B.A, gjë që nuk i pengonte për të ardhur në Shqipëri dhe për të vazhduar aktivitetin politik. Kurse për shumicën e atyre që sot thuhet që braktisin jetën komforte të SH.B.A për të kontribuar në Shqipëri, të kërkohet të kesh një logjikë naive për ta besuar si të vërtetë,  pasi në gjithë këtë vorbull materialiste që ka përfshirë shoqëritë e sotme njerëzore është pak si e pamundur që të gjedh persona të tillë që vendosin interesin e idealizmit të tyre mbi atë personal. Rasti më i  mirë për ta ilustruar këtë është zonja Seseri e cila e ndodhur në këtë dilemë, zgjodhi ti përkushtohej biznesit të vet dhe karrierës profesionale në SH.B.A.
Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë duhet sa më parë të ndryshojë për t’iu rikthyer sërish ballafaqimit të drejtë për së drejtë të kandidatëve dhe ideve pasi vetëm kështu elektorati është në gjendje që të përzgjedhë më të mirin. Shumë zgjedhës të majtë mund të kenë mbetur të zhgënjyer nga perfomanca prej amatoreje në politikë dhe në ekonominë e Shqipërisë së Zonjës Seseri në debatet televizive paraelektorale apo qoftë dhe nga veprimi i saj për ta braktisur postin e deputetit me të njëjtën lehtësi si mund të mbyllësh një biznes jo fitimprurës, por të zënë në kurth nga kodi elektoral dërguan në parlament një deputete që s’i përfaqësoi kurrë. Përderisa e kemi të vështirë që të ndërrojmë llogore partiake, të paktën përzgjedhjet e kandidatëve të jenë transparente dhe cilësore pasi të qenit ligjvënës nuk është vetëm një “look” i ri apo investimi në një biznes të ri por ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe plotësimit të aspiratave të tyre  dhe si të tillë kërkojnë seriozitetin dhe meritokracinë e duhur. Rasti Seseri ka se ç’na mëson për të ardhmen në këtë drejtim.




Thursday, 22 December 2011

Proto nacionalizmi dhe rebelimi i Ali Pashë Tepelenës




Ali Pasha Tepelena përfaqëson pa dyshim një nga personalitetet më karizmatike të epokës së vet pasi jo vetëm që qëndroi në pushtet për 30  vjet  por që në gjallje të tij u bë aktor dhe faktor i shumë zhvillimeve pan evropiane. Kjo përfshirje në këto  zhvillime do ti jepte një shkëlqim personalitetit të tij që në gjallje, shkëlqim që ishte në kontrast me  kalbëzimin e përgjithshëm qeveritar osman. Në fundin e shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX pushteti qendror otoman vazhdonte të reflektonte ende pasojat e krizës që e kish kapluar që në shekullin e XVI[1]. Shkaqet dhe manifestimet e kalbëzimit e saj  ishin shpërbërja e sistemit të veçantë administrativ shtetëror, demoralizimi i forcave të armatosura dhe shfrytëzimi i pakujdesshëm i fshatarësisë[2]

Viti 1789 është një vit emblematik për Evropën dhe shënon lindjen dhe konceptimin e ideve të reja për shtetin kombëtar. Revolucioni francez përveç përmbysjes së madhe të shkaktuar në rendin shoqëror ngjiz dhe idealet e nacionalizmit. Shumë shpejt me  implikimin e Francës në teatrin e Lindjes së Afërme, me traktatin e Kampo Formios  në 1797 ku Franca anekson Ishujt Jonianë[3], këto ide fillojnë të infiltrojnë dhe në Ballkan. Infiltrimi i këtyre ideve korrespondon me  periudhën kur këto territore marrin një rëndësi jetësore për shtetet evropiane në zgjerim.[4]

 Kjo përputhje e ngjizjes së nacionalizmit në popujt e Ballkanit me politikën ekspansioniste të fuqive të mëdha kundrejt Perandorisë Otomane krijoi sfondin e duhur politiko-shoqëror të tre ngjarjeve të rëndësishme në Ballkan: Kryengritjeve serbe 1804-1815, shpërthimit të revolucionit grek në 25 mars 1821 dhe rebelimit të Ali Pashë Tepelenës më 1820. Të tri ngjarjet reflektojnë përpjekjet e para proto-nacionaliste në Ballkan por  ndërsa dy ngjarjet e para trajtohen hollësisht në çdo libër historie rreth Ballkanit[5], rebelimi i Ali Pashë Tepelenës trajtohet gjithmonë shkarazi si shembull i decentralizimit të regjimit osman.[6]

 Përshkrimi i kësaj ngjarje historike në këtë lloj mënyre të jep përshtypjen se nëse nuk do të kishte një provokim nga pushteti qendror siç ishte ai i heqjes së sanxhaqeve, nuk do të kishte ndodhur kurrë rebelimi i Ali Pashë Tepelenës. Atëherë natyrshëm vjen pyetja. A ishte aksidental rebelimi i tij apo qe fryt i një rruge të gjatë? A kish dashur Ali Pashë Tepelena mëvetësi nga pushteti qendror,apo proklamata shpallur më 23 maj 1820 se në rast fitoreje do të krijonte një shtet monarkik konstitucional shqiptar të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit do të vihej vetë[7] ishte një barkë shpëtimi për ti shpëtuar mbytjes së pashpresë nën detin e hordhive osmane?Me fjalë të tjera a kishin gjetur strehë te Ali pashë Tepelena mendimi i pavarësisë dhe nëse është kështu thirrja e tij a kish një audiencë që ta pranonte këtë koncept apo thjesht në një moment dëshpërimi ishte një përpjekje për të destabilizuar perandorinë?

 Pikë së pari duhet sqaruar se termi “konstitucional” ishte një term shumë i vagullt për Aliun. Nuk është e qartë nëse ai e kuptonte mirë çfarë ishte kushtetuta. Nga fundi i jetës së vet ai u premtoi popullsisë greke një kushtetutë dhe për këtë iu drejtua Meternikut. Faktin që iu drejtua atij, i cili ishte një nga qeveritarët evropianë që e vlerësonte më pak konstitucionalizmin, të bën të mendosh se nuk e dinte por është e qartë se i kuptonte implikimet simbolike.[8]

Por pikërisht tek ky implikim simbolik që Ali Pashë Tepelena u premtonte shtetasve vet mund të shikohet një kapërcim i guximshëm nga mentaliteti i gjerë perandorak i ndërtimit të shteteve që mbizotëronte në Evropën e para revolucionit francez në variantin konstitucional që akoma skish filluar të fitonte terren. Kjo lloj mënyre e të adaptuarit me konceptet e reja do të ishte karakteristike për Aliun[9], dhe në këtë kontekst nuk ka pse vazhdimisht të vihet në dyshim dëshira e tij për pavarësi edhe pse nuk ekzistonte asnjë model i tillë në Ballkanin e asaj kohe.[10]

Një koncept i ri ishte natyrisht ndërtimi i shtetit komb nën idetë e nacionalizmit i cili në Ballkan nuk erdhi si rezultat i industrializimit por si rezultat i moszhvillimit  ose të modernizmit  të pa barabartë midis Ballkanit dhe krahinave të tjera të Perandorisë. Modernizimi i pabarabartë midis këtyre pjesëve të Perandorisë ishte rezultat i prapambetjes ekonomike të Perandorisë Otomane dhe afërsisë së Ballkanit me Perëndimin. Idetë nacionaliste penetruan në fillim tek ato zona dhe grupe të cilat kishin kontakt të ngushtë me Evropën Perëndimore ose Qendrore.[11]Zotërimet e Ali Pashë Tepelenës bëjnë pjesë në këto territore pasi “Shqipëria ishte ndër gjithë territoret e gjera e të panumërta të Perandorisë Otomane, ajo gëzonte një raport të veçantë dhe më të ngushtë me Evropën Perëndimore”.[12] Kjo gjë i dedikohej natyrisht afërsisë gjeografike, traditës së mercenarizmit së shqiptarëve në mbretëritë evropiane si dhe kozmopolitizmit të qytetit të Janinës, në të cilën qarkullonin vazhdimisht idetë e reja[13]. Intensifikimi i marrëdhënieve të tij diplomatike në periudhën 1797-1811 shënon një kthesë thelbësore në evolucionin që e çoi Aliun në shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe nga mekanizmat e tij të pushtetit, dhe bëri që ai t’i kthehej,sakaq, një modeli më perëndimor të bazuar në parimet e statizmit dhe nacionalizmit[14].Vet pashai ishte i ndikuar nga idetë e “reja” evropiane si shteti,demokracia , ateizmi dhe kushtetuta. Aliu ishte shumë i interesuar ndaj këtyre aspekteve të kulturës evropiane dhe në një farë mënyre filloi ti japë vetes formë në përputhje me to.[15]

Gjithsesi me gjithë këto zhvillime të furishme ideore, politike ushtarake  në afërsi ose në territoret e tij nuk mund të flasim se Ali Pasha Tepelena përqafoi instrumentet e nacionalizmit siç i shikojmë më vonë në themelimin e shteteve kombëtarë[16], por mund të flasim për lindjen e një epoke protonacionaliste e cila lindi nën ndikimin e një ndryshimi  thelbësor që pësoi  territori i pronës i private dhe shfrytëzimi i saj, në kalimin nga sistemi i timarit në atë të çifligut, gjatë sundimit të tij

Me protonacionalizëm nënkuptojmë situatën e re sociale që krijohet me zëvendësimin e kategorive të vjetra shoqërore  me parime të reja organizimi shoqëror dhe daljen në pah të treguesve tradicionalë të formimit të bashkësisë si gjuha, etnia dhe besimi fetar.[17]Është pikërisht ky protonacionalizëm që mbart popullsia që duke iu përshtatur zhvillimeve të ndryshme në rajon, me një vetëdije të qartë për territorin ku banon, gjuhën që përdorë në varësi të rrethanave dhe për ç’qëllime përdoret, dhe instrumentalizmit të besimit fetar për të arritur synimet e veta, i cili vjen duke u fuqizuar nga 1791[18] kur ai i drejtohet për herë të parë qeverisë ruse për ta ndihmuar për të shpallur pavarësinë deri sa bëhet një nxitës në rebelimin e Ali Pashës ndaj Perandorisë Otomane më 1820. Natyrisht protonacionalizmi nuk mund të cilësohet si filozofi e qëndrueshme politike, pasi ai përfaqëson vetëm epoka të ndërmjetme shtetërore në kalimin nga mentaliteti mesjetar i ndërtimit të shtetit në atë të shtetit komb. Gjithsesi në  rastin e Ali Pashës mund të cilësohet si një lloj “sofistifikimi ideologjik”[19], i cili i parashtron nevojën për avancimin e së drejtave mbi territorin dhe nënshtetasve që banojnë në të.

Ali Pasha Tepelena i përkiste klasës së ajanëve myslimanë, pushteti i të cilëve bazohej në mbrothësinë e tyre si pronarë tokash apo tregtie dhe marrëdhëniet e veta me qeverinë qendrore[20].Në vitet e qeverisjes së tij ishte shumë evidente dhe ngritja e shtresës së tregtarëve të krishterë. Ky realitet i ri u pasqyrua dhe në një nga shtyllat e politikës së tij të brendshme, e cila ishte mbështetja e tregtisë me vepra zhvillimi[21]. Tregtia me Evropën siguronte shpërblime të barabarta për tregtarin e krishterë dhe ajanin mysliman. Ky i fundit furnizonte produktet bujqësore dhe mbronte tregtarin. Të dy grupet donin një sistem të lirë e të hapur tregtie brenda perandorisë dhe i kundërviheshin kontrollit dhe rregullave të qeverisë[22].Pikërisht ky bashkëpunim midis ajanit mysliman dhe tregtarit të krishterë ishte një nga shtyllat më të forta shoqërore të shtetit të Aliut dhe dëshira për të zotëruar një territor  ku të ushtronin aktivitetin e tyre ekonomik dhe politik lirisht mund të ketë qenë një nga shtysat që Ali Pashë Tepelena iu drejtua dy herë Rusisë më 1791 dhe 1820 për ta ndihmuar për të shpallur pavarësinë[23]

Ndonëse të dy herët që Ali Pasha Tepelena iu drejtua Rusisë për ta ndihmuar për të shpallur pavarësinë, situatat politike ishin të ndryshme të bie në se në të dy rastet territori dhe fati i tij luan një rol të rëndësishëm në vendimet e Ali Pashë Tepelenës. Herën e parë në qershor 1791 Perandoria Otomane ishte duke humbur vazhdimisht në frontin rus dhe si rezultat i kësaj gjendje Ali Pasha ishte i shqetësuar se çdo të bëhej me territoret e tij pas një tërheqje të mundshme të osmanëve nga Ballkani[24], kurse herën e dytë ai e kish shpallur rebelimin dhe ishte tashmë në konflikt të hapur me Perandorinë Otomane, sërish pasi Porta e Lartë i cedonte disa territore.[25]

 Sipas studiueses Flemming çështja e prejardhjes territoriale luante të paktën në mënyrë indirekte, rolin e bashkuesit për grupimet e ndryshme protonacioanaliste që vepronin në rajon, dhe përkatësia etnike përcaktohej kryesisht jo nga biologjia, nga besimi fetar apo gjuha por nga gjeografia. Prejardhja historiko-gjeografike luante rolin thelbësor në përcaktimin e identitetit, si ai që secili i atribuonte vetvetes dhe që të tjerët i atribuonin[26].Ali Pasha Tepelena ishte i ndërgjegjshëm për konceptin gjeografik që përfshinte emrin Shqipëri. Sipas Likut ai e përshkruante atë si një vend që mund të përshkohet me 200 orë rrugë në gjatësi në njërën gjysmë të së cilës mbizotëron ndikimi i tij, ndërsa pjesa që mbetet është e ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet Ibrahim Pashës së Beratit dhe Ibrahim Pashës së Shkodrës.[27]

 Gjuha ishte një faktor paksa më i vështirë për tu përcaktuar si një mbartës i drejtë për së drejtë i këtij protonacionalizmi ndër shqiptarët. Kjo jo për arsyen se kishte një turbullim linguistik në popullsinë shqiptare për të përdorur shqipen, por  se përdorimi i greqishtes si gjuhë e oborrit të Ali Pashës shërbeu si pikë takimi midis shumë grupimeve komunitare të kohës. Gjuha e Aliut ishte shqipja dhe shumë dëshmitarë tregojnë se kur Aliu përdorte shqipen dhe turqishten për korrespodencën e tij personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke transkriptuar çdo lloj gjuhe që përdorte në alfabetin që njihte më mirë[28].Gjithsesi ia vlen për të përmendur se ky faktor identiteti nuk përcaktonte kategori të ndara qartë. Shpesh ajo mbivendosej mbi faktorë të tjerë dhe ndryshonte paradoksialisht sipas rrethanave të çastit. Një shembull në këtë drejtim është ai i popullsisë shqiptare të Sulit, të cilët gërthisnin  shqip sfidën ndaj letrave kërcënuese që u dërgonte greqisht Ali Pasha.[29]Gjatë sundimit Ali Pashë Tepelenës gjuha nuk kishte fituar akoma identitetin ndarës që e gjejmë pas formimit të shteteve nacionalë në Ballkan.

Besimi fetar, ashtu si dhe në periudhat e mëvonshme të nacionalizmit nuk ishte një mbartës i drejtë për së drejtë i këtij protonacionalizmi pasi shqiptarët ndaheshin në tre besime fetare. Vetë Ali Pasha duket se ishte bektashi.[30] Gjithsesi në kohën e tij akoma nuk kishte plasur armiqësia midis bektashinjve që ishte sekti i urdhrit të jeniçerëve dhe pushtetit perandorak qendror, pasi ai nuk do të mënonte ta përdorte këtë armiqësi në ballafaqimin e tij final. Nga fundi i jetës së tij ai shpalli kalimin e tij në fenë e krishterë një tentativë e dëshpëruar për të fituar simpatinë e revolucionarëve grekë[31].Ky veprim nxjerr në pah jo vetëm karakterin jo besimtar të Aliut[32], por dhe nuhatjen e hollë politike të tij porsa i përket marrëdhënieve të tij politike me Fuqitë e Mëdha dhe atyre kulturore me Evropën. Në fillimet e pushtetit të vet më 1791, atëherë kur ai i ishte drejtuar qeverisë ruse me një propozim konkret për bashkëpunim të hapur që ai të shpallte pavarësinë, një nga pikat mes disa të tjerave që Aliu kërkonte si garanci në shtetin e tij të ardhshëm ishte dhe “ushtrimi i lirë i fesë nga myslimanët”[33], ndërsa tani më 1820 përqafonte një besim krejt të kundërt fetar nga që kish dashur të mbronte. Siç shikohet ka një kapërcim të madh në qëndrimin e tij nga 1791 më 1820. Çfarë ka ndodhur vallë?A ka ndryshuar botëkuptimi shpirtëror i Aliut, apo ky është një hap pragmatist i tij për realizimin e synimeve të tij?

Përgjigja duhet kërkuar tek imazhi i simboleve evropiane që Aliu dëshironte të përqafonte si në rastin e kushtetutës. A i ishte një mjeshtër në manipulimin e faktorëve të shumtë e të kundërt,të brendshëm e të jashtëm dhe shfrytëzoi me shkathtësi atë mori grupesh komunitare të popullsisë që sundonte, në përpjekjet për të zgjeruar pushtetin e tij dhe për të afirmuar pavarësinë e vet nga sulltani[34]. Ndërsa politika e tij pati sukses në fitimin e zemrave të popullsisë jo shqiptare të pashallëkut të tij e shprehur kjo me fjalët e iluministit grek Neofitos Dukas se Ali Pasha Tepelenën e “dërgoi Zoti që të edukojë të këqijtë dhe të nderojë të mirët, të pakësojë të këqijat dhe të rrisë të mirat”[35]nuk mund të themi se ky imazh pozitiv gjeti dhe mbështetjen e duhur diplomatike nga qarqet evropiane në çastet e rebelimit të tij. Kjo mungesë mbështetje luajti një rol jo pak të parëndësishëm në shtypjen e rebelimit të tij. Edhe pse Ali Pasha nuk ushqente iluzione të mëdha tek kjo ndihmë, në çastin final ai u kërkoi britanikëve dhe rusëve si dy fuqitë më të interesuara në rajon  ta mbështesnin në aksionin e tij.[36]Kjo mbështetje iu mohua dhe arsyet përveç atyre diplomatike që mund të lidheshin me Çështjen Lindore dhe mos ndarjen e Perandorisë ishin dhe më të thella.

Që në gjallje të tij Ali Pashë Tepelena u pa si një “despot oriental”tipik nga udhëtarët evropianë qofshin turistë kulturorë apo dhe përfaqësues diplomatikë. Rrjedhimisht si i tillë nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit që ishte shumë prezent në atë kohë dhe në kundërshtim me çfarë shprehte popullsia greke, ai konsiderohej si dhunues e shtypës të asaj ç’kishë mbetur nga Greqia e Lashtë[37].Natyrisht këto sentimente melodramatike shërbenin dhe si një mbulojë për të mbuluar frikën që shkaktonte kontrolli vërtet i  frikshëm i Aliut mbi Greqinë kontinentale, Adriatikun dhe Egjeun[38].Ky kontroll strategjik bëhej akoma dhe më i padëshirueshëm nga Fuqitë e Mëdha nëse krijohej shteti i pavarur i Ali Pashë Tepelenës, i cili sipas të gjitha gjasave ashtu si pashallëku i Janinës do të dominohej nga elita fisnike dhe ushtarake shqiptare[39]. Nga gjiri i kësaj elitë fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë e trima osmanë. Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në perandori[40].Ndaj të gjitha Fuqitë e Mëdha që Aliu hyri në marrëdhënie diplomatike u përpoqën ta përdornin në kundërshtitë që kishin me njëra-tjetrën në rajon, por kurrë nuk i dhanë mbështetjen e duhur diplomatike për të shpallur pavarësinë.

Epoka protonacionaliste që lindi gjatë sundimit të Ali Pashës ndërtoi kolonat e formimit të identitetit të popullsisë së pashallëkut të tij, e cila sipas territorit, preferencave gjuhësore dhe atyre të besimit fetar u nda në shqiptarë dhe grekë. Rebelimi i tij edhe pse nuk mori ngjyresat e forta të një revolte të mirëfilltë nacionaliste ndihmoi shumë në krijimin e identitetit kolektiv kundërshtues ndaj Perandorisë që shqiptarët adoptuan në vitet e mëvonshme. Në këtë sens nuk mund të thuhet se kjo popullsi iu përgjigj dhe e kuptoi tërësisht mesazhin nacionalist që Ali Pasha Tepelena i drejtoi kur u rebelua ndaj pushtetit qendror, por nuk mund të lihet pa përmendur se në këtë kundërvënie ajo shumë shpejt gjeti orientimin e vet nacionalist. Rebelimi i tij shënon  kundërvënien e parë serioze të një pushteti lokal mysliman shqiptar me pushtetin qendror perandorak osman dhe si e tillë përbën një rast të veçantë studimi dhe meriton vëmendjen e duhur të historiografisë evropiane.





Bibliografi:



1-     Charles&Barbara Jelavich.: “Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920”. Dituria.Tiranë:2004

2-     Georgiu A. Sioroka. “Përse nuk dëshironte shtetin e vet të pavarur.” Istorika Athinë Elefterotypia:15 Mars 2001

3-     Gjeorgjiu Papagjeorgjiu. “ Ali Pasha-një drejtues ottoman me mentalitet evropian” Elefterotypia:15 Mars 2001

4-     “Historia e Popullit shqiptar”  Toena:2002

5-     Henry Baerlein. “Sourthen Albania : Under the Acroceraunian Mountains .” Chicago :1968

6-     Ilir Ushtulenca. “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës.” 8 Nëntori Tiranë:1986

7-     Katherine Flemming. “Bonaparti Mysliman”. Dituria Tiranë:2002

8-     L.S.Stavrianos. “The Balkans since 1453”.C.Hurst& Co Ltd. London 2002,Third impression

9-     Misha Gleni. “ Historia e Ballkanit 1804-1999”. Toena Tiranë :2007

10- Nikos Bardhiabasis. “Antiprologu” Istorika Athinë Elefterotypia:15 Mars 2001.

11- Neophytos G. Loizides. “Religion and Nationalism in the Balkans”. Harvard University : 2000February 11

William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë:2008




[1] Shih për më tepër L.S.Stavrianos. The Balkans since 1453.C.Hurst& Co Ltd. London 2002,Third impression

[2] L.S.Stavrianos. The Balkans since 1453.C.Hurst& Co Ltd. London 2002,Third impression faqe 215

[3] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920. Dituria.Tiranë:2004faqe 30

[4] Po aty, faqe 30

[5] Për më tepër shih L.S.Stavrianos. The Balkans since 1453.C.Hurst& Co Ltd. London 2002, Third impression, Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920. Dituria.Tiranë:2004, Misha Gleni. Historia e Ballkanit 1804-1999. Toena: Tiranë 2007

[6] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002,faqe 33

[7] Historia e Popullit shqiptar I. Toena:2002, faqe 665

[8] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002,faqe 162

[9] Po aty, faqe 162

[10] Shih për më tepër Georgiu A. Sioroka. Përse nuk dëshironte shtetin e vet të pavarur. Istorika Athinë Elefterotypia:15 Mars 2001,faqe 20

[11] Neophytos G. Loizides. Religion and Nationalism in the Balkans. Harvard University , February 11:2000,faqe 3

[12] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002,faqe 216

[13] Po aty, faqe 216

[14] Po aty 161

[15] Po aty,faqe 214

[16] Po aty faqe 214

[17] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002, faqe 78

[18] Historia e Popullit shqiptar I. Toena:2002, faqe 641

[19] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002, faqe 215

[20] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920. Dituria.Tiranë:2004, faqe 22

[21] Nikos Bardhiabasis. “Antiprologu” Istorika Athinë Elefterotypia:15 Mars 2001.faqe 5

[22] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920. Dituria.Tiranë:2004, faqe 22

[23] Nikos Bardhiabasis. “Antiprologu” Istorika Athinë Elefterotypia:15 Mars 2001.faqe 5

[24] Historia e Popullit shqiptar I. Toena:2002 faqe 641

[25] Po aty. faqe 664

[26] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002,faqe 85

[27] William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë:2008,faqe 57

[28] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002, faqe 88-89

[29] Henry Baerlein. Sourthen Albania : Under the Acroceraunian Mountains . Chicago :1968, faqe 22

[30] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002, faqe 94

[31]Po aty,faqe 95

[32] Po aty faqe 95

[33] Historia e Popullit shqiptar I. Toena:2002, faqe 641

[34] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002, faqe 84

[35] Gjeorgjiu Papagjeorgjiu. “ Ali Pasha-një drejtues otoman me mentalitet evropian” Elefterotypia:15 Mars 2001. faqe 10

[36] Ilir Ushtulenca. Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës.Tiranë 8 Nëntori:1986, faqe 250-251

[37] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002, faqe 208

[38] P aty, faqe 209

[39] Po aty, faqe 213

[40] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920. Dituria.Tiranë:2004,faqe 206  



Monday, 19 December 2011

A ishte "shqiptar" Vaslav Haveli?






A ju mbahen mend të gjithë udhëheqësit e Evropës së vjetër dhe Evropës së re të viteve 90? Vë bast se gjysmën e tyre as se kujtoni se kush ka qenë dhe se ku gjenden tani. Nëse përmend p.sh  një ish kancelar austriak Viktor Klima apo ish kryeministrin  rumun  Adrian Nastase për shumicën mund të mos thonë asgjë përveçse studiuesve të shkencave politike dhe njerëzve që i kanë ndjekur vazhdimisht informacionet, të cilët mund ti kujtojnë lehtë. Përmend këta dy emra  jo sepse kanë ndonjë kontribut të veçantë nw historinë e kontinentit por thjesht për të testuar memorien tonë pasi të dy përfaqësojnë dy vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, Austrisë të pranuar në 1995 dhe Rumanisë më 2007. Midis tyre qëndron dhe vendi ku besoj është më e lehtë të identifikosh liderët që kanë mbizotëruar jetën tonë politike, pasi janë të njëjtët ata që filluan ndryshimet demokratike. Por fatin e dy politikanëve të përmendur më lart, pra fatin e “harresës”, nuk e kanë vetëm ata por dhe emra që kanë lënë më shumë gjurmë në historinë e përmbysjes së komunizmit. Para dy ditësh sa po u nda nga jeta një ish lider tjetër i Evropës së re, ish presidenti cek Vaslav Havel, disidenti dhe një nga hartuesit e kartës së famshme 77 në ish Çekosllovaki. Ai sëbashku me ish presidentin polak, udhëheqësin e Solidarnosit , Les Valesa janë dy nga figurat më karizmatike të përmbysjes së komunizmit. Sot brezi i ri i lindur pas viteve 90’ në Shqipëri i njeh vetëm si emra nga tekstet e historisë por nuk i mban mend aktivë në politikë. Personalisht , imazhi më tërheqës që më është fiksuar nga presidenti polak Les Valesa ka qenë një foto e tij duke peshkuar, fill pas humbjes në zgjedhje presidenciale në vitin 1996. Kishte një sharm dhe një qetësi të madhe në ato foto sa shpesh herë jam menduar që ta imagjinojë në ndonjë kontekst ballkanik, fjala vjen daljen nga politika të një burri shteti të fortë dhe me shumë merita këtu në rajonin tonë. E vështirë! Për të mos thënë e pamundur! Këtu ndodh hataja, kthehet përmbys çdo gjë , lëvizen të gjitha fijet që vendi të mos ketë qetësi derisa të faktorizohet sërish i “rëni nga fiku” dhe populli të paguajë aventurën dhe dëshirën e këtij të fundit për të realizuar atë që kinse nuk e lejuan në mandatin e parë.
Kurse Havelin pas daljeve në publik si shkrimtari parë president pas rënies së komunizmit nuk mund ta harroj për editorialin e tij në “Le Mond” ku duke u solidarizuar me shqiptarët pas fatkeqësisë dhe gjenocidit që po pësonin në Kosovë nga makineria luftarake serbe do deklaronte “edhe unë jam shqiptar”. Kjo natyrisht që është  një deklaratë që na bën nder të gjithëve por natyrisht jo aq shumë dhe atij. Këtë e them jo sepse kam gjë kundër popullit dhe kombit tim, por duke dashur të ndjekë parimin e barazvleshmërisë besoj se Haveli kur ka bërë këtë deklaratë i bie që të ishte i njëjtë dhe me liderët shqiptarë. Për fat të mirë të tij, Vaslav Haveli nuk ishte si liderët tanë. Mbi supet e tij nuk rëndojnë mëkate të një rrugëtimi me spirale dhe hapa si breshka drejt Bashkimit Evropian. Vaslav Haveli nuk është përgjegjës në Çeki për çuarjen e vendit në vitin 00 dhe pastaj për plaçkitjen e batërdinë bërë pasurisë kombëtare si ka ndodhur këtu në Shqipëri për të pasuruar disa pizevengë dhe kodoshë të pushtetit që meritën e vetme kanë, është që mund të mbajnë në gatishmëri si në zboret e dikurshme ushtarake popullsinë për të marshuar në mitingje të pafundme dhe për të pudrosur egon e disa liderëve që i janë qepur si shushunja pushtetit dhe nuk i ndahen. Vaslav  Haveli i nderuar nuk vuante nga impotenca intelektuale për të mbajtur në skenën politike intelektualë-viagra që i këndojnë dhe i bëjnë hosana pushtetit dhe as nuk vuante nga deliri i madhështisë për ta krahasuar veten me Jan Husin e famshëm çek ashtu si dëgjojmë rëndom liderët tanë ti bien në qafë Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Vaslav Havel ka thënë se “politika e vetme që dëshiroj ti përkushtoj veten time është thjesht një çështje e të shërbyerit e atyre rreth e përqark nesh: ti shërbej komunitetit dhe atyre që do të vijnë pas nesh. Rrënjët e thella të kësaj politike janë të shtrira në moral sepse kjo politikë është një përgjegjësi e shprehur nëpërmjet veprimit  për të mirën e individit dhe për gjithë shoqërisë”. Dhe Vaslav Haveli e dëshmoi me politikën e tij se e kishte seriozisht kur i shqiptonte këto fjalë pasi Çekosllovakia pas revolucionit të kadifenjtë ndërmori reformat më të suksesshme për të përmirësuar jetën e qytetarëve të vet dhe integruar vendin tashmë të ndarë paqësisht në Çeki dhe Sllovaki në Bashkimin Evropian. Tani më thoni a ka ndonjë lider shqiptar i pas viteve 90’ që t’i përafrohet këtij standardi morali në politikëbërje? E rrjedhimisht pas vëzhgimit të jetës sonë politike a mund ta besojmë se Haveli mund të barazvlerësohej me lider shqiptar?
Ndoshta mund të identifikohej me gjithë ata refugjatë kosovarë që po u grabisnin lirinë falangat serbe pasi ai e kuptonte më mirë se çdo njeri tjetër vlerën simbolike të lirisë politike sepse dikur dhe vet ai kish vuajtur mungesën e saj. Ndoshta ky deklarim i bën nder gjithë njerëzve të thjeshtë shqiptarë, njerëzve të “padukshëm” që për këto njëzet vjet me punën e tyre kanë ndërtuar bizneset e tyre dhe rrjedhimisht Shqipërinë duke shijuar lirinë politike dhe ekonomike dhe në këtë sens Haveli si një qytetar “par exellence” evropian që vlerësonte  punën dhe përkushtimin mund të ndihej dhe shqiptar. Sepse duam apo nuk duam ta pranojmë sot ka dy Shqipëri, njëra e atyre që e trajtojnë si njerkë duke e zhgrapur, poshtëruar dhe përfituar në kurriz të saj dhe tjetra e atyre që i përkushtohen, e vlerësojnë dhe kontribuojnë që ajo të përparojë. Sigurisht Vaslav Haveli ndihej shqiptar i kësaj Shqipërie të dytë, sepse një Çekie të tillë i shërbeu devotshmërisht. 



Sunday, 18 December 2011

Mjellma




Qyteti shtrihej në buzë të detit si një anije e ankoruar në të thatë. Njerëzit që lëviznin në të lart e poshtë gjithë ditën të jepnin përshtypjen se ishte një anije në rregullim e sipër dhe që shumë shpejt do të fillonte udhëtimin. Ajo që e intrigonte Gentin.K në mendimet e tij ishte se ç’udhëtim do të fillonte ai qytet i çuditshëm në të cilin ai kish rreth tre vjet që jetonte dhe akoma nuk ishte përshtatur.
Genti.K nuk mund ta fshihte faktin që qyteti i shtirë në vijën bregdetare i kish shërbyer si  stacioni i fundit i një jete endacake deri diku të pakuptimtë me ndërrimet e shpeshta të vendndodhjes, gjithnjë duke menduar se në çdo stacion të ri do të gjente vetveten,por në fakt skish ndodhur aspak ashtu. Atë e kish tërhequr emri i vjetër i qytetit që tingëllonte si letër kalk dhe përnjëherësh në mendjen e tij kish vizatuar një imazh të bardhë të qytetit, pa krye por në formën e një   shpendi që kish hapur krahët  në të dyja anët e horizontit.
Qe zhgënjyer kur kish parë që në vend të arkitekturës së zakonshme të qyteteve mesdhetare kish parë një modernizëm banal, të ilustruar në hotele të shumtë shumëkatëshe buzë detit që si të uritur lëshonin hije përdëlluese në pritje të sezoneve turistike. Nuk ka asnjë lidhje me qytetin e lashtë  që kish krijuar kolonitë e hershme qytetëruese gjithandej nëpër Mesdhe kish përsiatur me vete Genti.K. Madje atij i qe dukur i krahasueshëm me qytetin e vendlindjes së vet prej të cilit ai qe “arratisur” në një ditë të nxehtë korriku me mendimin e mbrapshtë për të mos u kthyer më. “Të gjitha qytetet janë shpella ciklopësh prej të cilëve duhet të dish të arratisesh” i pëlqente të përsëriste me vete, sa herë që ndërronte vendbanim.
E para gjë që i ra në sy, kur u vendos në qytetin e ri ishin plazhet e shumtë të shpërndarë gjithandej në qytet ku mund te harrakasje tërë ditën e mbetur pas orarit të punës derisa syri i diellit si një sy ciklopi, të shuhej ngadalë nën “trarin” e ndezur të muzgut që binte gjithandej. Gentit.K i pëlqente ky imazh që kish gjetur për perëndimin e diellit dhe sa herë dëshironte të përsiaste ndryshe, murmuriste një dialog, ku pyetjes së Ciklopit-diell se kush ishte, i përgjigjej “Askushi”, Askushi”. Në fakt edhe pse i pëlqente shpesh herë të luante me fantazinë e tij, ky imazh  ishte ai që e shqetësonte më shumë.
 I dukej krejt e  kotë  gjendja e tanishme,bisedat e përditshme për ngritje rroge, ankthi i pafund i punës,ecejaket e pakuptimta rreth e rrotull. Edhe pse ndonjëherë përpiqej t’i mbushte mendjen vetes se çdo gjë ishte mirë, se tani bënte një jetë bohemi, rutina e përditshme kokëfortësish e kthente me këmbë në tokë dhe e bënte të shqiptonte me zë të lartë, jam  Askushi, Askushi.
E gjithë kjo gjendje kish zgjatur tre vjet pambarimisht si një kohë ciklike pafund, aq sa i kish dyshuar nëse stinët ndërroheshin apo jo, derisa në një mbas dite Korriku ai kish parë diçka të veçantë që e kish shkundur të tërin. Ndërsa rrinte shtrirë në shezlong kishte hedhur sytë nga deti. Andej bashkë me shkumën e bardhë ose më mirë të thuash si prej saj, ishte shfaqur një grua me flokë biondë që me krahët lart, duke u ngritur në majë të gishtave kish bërë një kërcim të shpejt shumë të ngjashëm me atë që Genti.K kish parë sa e sa herë në fëmininë e tij në ekranet e lodhura të së mërkurave që transmetonin Liqenin e Mjellmave” .

Genti.K qe hutuar një çast nga magjepsja, pastaj e kish kundruar sërish duke mos dashur të humbë asnjë detaj. Gruaja rreth të 30 me trupin e drejtë të një balerine kish rendur drejt shezlongut të saj duke shpërhapur një aurorë të tillë drite aq sa Genti.K e kish ndjerë dhe në frymëmarrje. I ishin dukur të kota fantazirat rreth miteve të lashta dhe vet e kish kuptuar njëqind për qind atë grekun antik që diku në një breg të Qipros kish parë lindjen e Afërditës.
 Afërdita e tij nuk ishte e përkryer,madje  s’mund të kishte asgjë të përbashkët me atë skulpturën e famshme të Milosit që Genti K e kish admiruar aq shumë kur e kish parë në katalogë, por ajo ishte e barabartë në atë ndjesi përdëllimi midis ndjenjës, admirimit dhe madhështisë që vet perëndesha e dikurshme mund të ndillte.
Ai qe përhumbur në atë vizion të çuditshëm që kish kthyer sërish në trurin e tij atë gjendjen dyste, syreale ku forma të ndryshme të realitetit përktheheshin në forma të tjera duke e humbur “mjellmën” nga sytë. Kish vështruar rreth e përqark por skish mundur ta shquante gjëkundi. Nën terrin që kish filluar të binte ai qe kthyer në shtëpinë e vet. Aty  nën dritën e abazhurit dhe me shkumën e bardhë e kërcimin e saj në kokë kish hedhur në letër të bardhë shumë skica të trupit aq të dëshiruar që kish parë buzë detit.
Genti.K nuk ishte shquar kurrë për piktor, madje mund të thuhej se ai me shumë zor mund të pikturonte një fytyrë njerëzore, por atë natë ai vizatoi me dhjetëra skica dhe dora i shkruante si rrallëherë vargje që shoqëronin si diçitura vizatimet. Ai  ndjeu një rigjallërim të gjithë vetes ato ditë. Një flakë përdëlluese që e rimbushte të tërin dhe që pasqyrohej qartë në fytyrën e vet, sytë e së cilës kishin filluar në gjendje ankthi të kërkonin mjellmën. Genti.K nuk ishte hedonist, jo në atë gjendje as që mund të përfytyronte qoftë dhe një bashkim ideal me të. E vetmja gjë që dëshironte ishte të shkëmbente dy fjalë dhe ti thoshte “faleminderit”.Kërkonte ta falënderonte për atë gjendje rregulluese që i kish ndezur në shpirt dhe atë rrokopujën e çuditshme që i krijonte një ekstazë admiruese për të jetuar.
E gjeti fare rastësisht në një nga rrugët e ngushta të qytetit të mbushur plot me dyqane në të dyja anët e saj. I pa sërish flokët biondë që vezullonin nën dritën e diellit dhe kuptoi përnjëherësh që ishte ajo, nga ajri i çuditshëm që filloi të thithte. Iu afrua përbri dhe i foli “Lebjet, Lebjet”. Kjo ishte fjala e vetme që iu kujtua nga gjuha të cilën Genti.K besonte se ajo duhej të fliste. Dëgjimi i lajmeve nuk paskësh qenë kot së koti sepse siç dukej të hynte ndonjëherë në punë. Lebjet do të thoshte mjellmë dhe Genti K. e kish dëgjuar në televizion fill pas rrëzimit me avion të politikanit rus Aleksandër Ljebet.
Ai nuk ishte gabuar sepse ajo u kthye përnjëherësh dhe me një fytyrë që Genti.K mund të betohej se s’kishte parë më të bukur i foli në gjuhën e saj. Fjalët ishin rrokullisur shpejt njëra pas tjetrës dhe Genti.K në atë marramendje kish arritur të shpjegonte se nuk fliste gjuhën e saj por se thjesht donte t’i thoshte se ajo ishte një mjellmë e mrekullueshme dhe si për t’i vërtetuar fjalët e tij kish nxjerrë fletoren me dhjetëra skica e vargje që mbante me vete. Ajo qe hutuar një çast pastaj kish buzëqeshur kur kish parë përbri vizatimeve fjalën “Ljebet”.
Kaq kish mjaftuar të thyhej ai akulli i njohjes së parë dhe shumë shpejt e kishin parë veten të ulur në një kafene buzë detit. “Lebjeta”, emrin e vërtetë edhe pse Genti.K e dëgjoi kurrë nuk e mbajti mend, kish qenë balerinë në një teatër provincial të distriktit të Moskës.
Historia  e saj ishte e njëjtë si e gjithë vendeve të Lindjes, në periudhën e re askush nuk sponsorizonte për kulturën dhe shpejt e kish parë veten pa punë. Një mundësi emigrimi i ishte shfaqur në horizont dhe “Lebjeta” dinamike dhe e zhdërvjellët siç ishte nuk kish mënuar ta rrokte dhe të fillonte jetën në të njëjtin vend ku dhe Genti.K kish rendur si i “marrë” për të filluar një jetë të re.
“Vendi im është i ftohtë i mbushur gjithë borë dhe akull-i kish thënë Lebjeta, “dhe tërë jetën time kam admiruar Mesdheun që me diellin e tij  të përjetshëm dhe blunë fantastike të detit  duket sikur të çliron energji të fjetura në trup. Jo më kot”-kish vazhduar ajo, “mitologjia më e bukur në botë ka nisur në këto brigje”.Të tillë e ndjeva veten kur improvizova Mjellmën e Çajakovskit,-si një figurë mitologjike e dalë nga deti i harresës së ish-artit tim.
- “Dhe ia dole mbarë për bukuri”-i kish thënë Genti.K duke iu afruar ngadalë dhe puthur në flokët e adhurueshëm. Ai kish pritur një reagim kundërshtimi, ndoshta ndonjë ngritje të beftë që do i jepte fund çasteve “magjike” –siç i kish quajtur më vonë, por “Lebjeta” i ishte ngjeshur pranë dhe atëherë kishin filluar të putheshin pambarimisht. “Ishte e pamundur të rezistoja” i kish rrëfyer më vonë “Lebjeta”, “më dukej sikur kisha gjetur shpirtin tim binjak dhe s’doja të të humbja me asgjë në botë”.
Kishin qenë të pandarë për gjashtë muaj. Shpeshherë në shtëpinë e Gentit.K ku kalonin pjesën më të madhe të kohës,pas çasteve të këndshme të dashurisë, ai i tregonte synopse të ëndrrave-tregime, të cilat ajo e  ngazëllyer i kthente në pantomima kuptimplote. Genti K qe ndjerë shumë i lumtur dhe nuk mund të gjente fjalë që të përkufizonin gjendjen ne tij. Ishte i mbushur gjithë entuziazëm për jetën dhe dëshirë për të krijuar. Të njëjtën gjë ndjente dhe “Lebjeta” e cila dukej sikur nuk ecte më në rrugë por fluturonte.
Gjithsesi lumturia e tyre nuk ishte e thënë të vazhdonte gjatë. Mesa duket ajo teoria e lashtë lindore për luftën midis së mirës dhe së keqes që qeveriste botën dhe që të cilën Genti.K nuk e kish besuar kish qenë e vërtetë, ekzistonte dhe jepte rrufeshëm ndikimet e saj aty ku nuk e prisje. Kësaj radhe e keqja kish trokitur në portën e lumturisë së tyre në formën juridike, i quajtur ligj anti-emigracion.
Një ditë të zakonshme “fshese”-kështu i thërrisnin operacionet policore për emigrantët pa dokumente të rregullta, “Lebjetën” e kishin arrestuar për ta kthyer në vendin e vet. Genti K. qe tronditur pa masë dhe kish rendur në stacionin e policisë ku i mbanin njerëzit tumbës, njëri mbi tjetrin. U këshillua shpejt me një avokat dhe e vetmja zgjidhje ishte martesa të cilën Genti K. e afroi përnjëherësh vetëm e vetëm që ta kish “Lebjetën” sërish në krahët e vet.
Çuditërisht, ajo skish pranuar dhe pas një bisede me avokatin, me sytë e mbushur me lot i kish kërkuar të mos e pyeste për asnjë gjë dhe ti premtonte se ai do vazhdonte të fluturonte në qiejt pafund të fantazisë së vet. Genti K qe nervozuar kish folur gjithë ato fjalë pakuptim për të cilat më vonë i kish ardhur aq rëndë por ajo s’qe thyer dhe ndërsa hipte në autobusin që e çonte në aeroport së bashku me patriotët e vet i kish pëshpëritur “Fluturo,fluturo” –fjalën që i thoshin njëri-tjetrit sa herë që dëshpërimi i mbyste dhe pastaj rrëmbeheshin nën flakën e krijimit, ai me tregimet e veta dhe ajo me lëvizjet gjithë delikatesë që i shndërronin ato në pantomima të adhurueshme baleti.
Genti.K i dëshpëruar kish parë autobusin që zhdukej dhe kish mbetur i nemitur derisa zëri i avokatit e kish shkundur të tërin.
“Ajo ishte e martuar bir, dhe kish një fëmijë  në vendin e vet kështu që nuk mund të martohej sërish pa u divorcuar. Genti K. qe trishtuar pa masë , jo pse “Lebjeta” s’i kish treguar të vërtetën por sepse e kish kuptuar që e kish humbur përgjithnjë.
“Lumturia nuk zgjat kurrë një shekull” i qe kujtuar një shprehje që dikur i ishte dukur idiote por tani i dukej  më së e vërtetë. Iu duk sikur së bashku me ‘Lebjetën” po i ikte dhe jeta gjithë hare që kish jetuar në këto gjashtë muaj të paharrueshëm. Solli ndërmend sërish momentet e fundit të ndarjes me “Lebjetën” dhe si në një retrospektivë iu faneps sërish pantomima më e dashur që ajo improvizonte ajo e yllit të këputur nga qielli. Genti.K. nuk ishte i sigurt nëse ajo e kish improvizuar apo jo kur ishin ndarë tek autobusi por i erdhi mirë që ta mbante si kujtim, si një rubin të çmuar atë imazh të shndritshëm arti.
Në netët e gjata të dimrit, kur nata pllakoste gjithandej si një ujkonjë e verbër dhe kur ai ndihej më tepër se kurrë vetëm dhe anonimati rrekej ta thithte të tërin, kujtonte një krah pulëbardhe, një mjellmë, shaminë e bardhë të “Lebjetës” të harruar në dhomë dhe sërish i jepte krah atyre ëndrrave të bukura të tij.
Në verën që erdhi, ndërsa rrinte si zakonisht shtrirë në shezlong buzëdetit duke u çlodhur pas orareve të zgjatura të punës dhe priste të lozte atë lojën kukafshehtazi me Diellin-Ciklop, pyetjes se kush ishte nuk i përgjigj më me atë fjalën ndrydhëse “Askushi” që i përgjigjej më parë, por shqiptoi me vete: “Jam Genti.K , emigrant shqiptar i mbushur gjithë ëndrra që më ngazëllejnë të gjithin”