Romani “Pesë javë në balonë “(1863) i Zhyl Vernit është një nga romanet më të lexueshëm
të tij nga të gjithë grupmoshat, pasi çdo
lexues gjen aty një ndërthurje të mrekullueshme të aventurave të personazheve
kryesorë në Afrikë me pasazhe teknologjike, gjeografike të kohës dhe
përshkrimeve historike të kontinentit afrikan. Pavarësisht që romani ka
pothuajse një shekull e gjysëm që është shkruar dhe në të mund të evidentohen
dhe lapsuse që kanë ardhur si rezultat i mosnjohjes së plotë të Afrikës së asaj
kohe, ai vazhdon të mbetet një nga titujt e preferuar të moshës së re .Ky
realitet vjen nga arsyeja që edhe pse
sot Afrika është e gjitha e eksploruar dhe nuk përbën më një kuriozitet
gjeografik , ajo vazhdon ende të ndjellë kureshtjen e njerëzve me diversitetin
e kulturave të saj. Në roman ka shumë faqe të tilla, ku përpos gabimeve të
mundshme për përshkrimin e disa territoreve si shkretëtira në vend të savaneve,
mund të gjesh detaje antropologjike rreth kulturave dhe zakoneve të ndryshme të
fiseve që popullonin Afrikën. Magjia e kontinentit të zi, sigurisht që nuk ka
ndalur dhe me zgjedhjen e Presidentit amerikan Barack Obama, në krye të
Shtëpisë së Bardhë është shtuar dhe më tepër në të gjitha qarqet
kulturore-artistike. Për më tepër lajmi i fundit se familja presidenciale do ti
kalojë pushimet në Afrikë duket sikur kërkon të fillojë të qartësojë disi tisin
e mjegullt që akoma mbulon Afrikën në imagjinatën tonë. Gjithsesi, kurioziteti
për Afrikën nuk është një kuriozitet i moshave të vona. Atë e gjen shumë më
herët pasi çdo njeri që hedh hapat e para në dijen e gjeografisë fillon të
kërkojë të dijë më tepër për brendësinë e kontinentit. Pak a shumë të gjithë
ngjajnë si personazhet e “Pesë javë në balonë” që kërkojnë të ndërmarrin një udhëtim
në brendësi të kontinentit dhe për t’ia arritur kësaj meqenëse teknologjia ka
përparuar dhe nuk mund të bëhet fjalë më për përdorim balone fillojnë të
kërkojnë mjete të reja komunikimi. Një mundësi më tepër në këtë drejtim për
gjithsecilin është që të bëjë një lidhje virtuale të pasazheve që lexon me
ikonat e kontinentit.
Në fakt, kjo lidhje nuk mund të
konsiderohet si një zbulim i ri, pasi libra të tillë për vende të largët
gjithmonë kanë qenë të ilustruar me piktura që kanë bërë të mundur të nxisnin imagjinatën
e lexuesve. Gjithsesi, duke qenë se kohët kanë ndryshuar dhe meqenëse shoqëria
ku jetojmë me të drejtë quhet si shoqëria e dijeve të thelluara dhe “high-tech
society” ajo që vërtet mund të quhet “balona” eksploruese e kohës sonë moderne
, nëse kërkojmë të krijojmë një metaforë nga vepra e Zhyl Vernit , është
televizioni dhe bota magjike e tij. Kjo metaforë është e vërtetë jo vetëm sepse nëpërmjet
programacionit argëtues ne gjejmë aty momente çlodhje dhe relaksimi por sepse krijimi i
gjithsecilit në imagjinatën e vet të një lidhje e drejtë për së drejtë e
asaj që lexohet me ikonat dhe pamjet televizive të asaj që lexon mund ta quajmë
si një nga sukseset më të mëdha të botës njerëzore dhe sigurisht mund të
përcaktohet si triumfi i dijes për shekullin e XXI.
Gjithsesi në këtë përcaktime nuk ka vend
vetëm për entuziazëm. Prej kohësh specialistë të dijes dhe të edukimit dhe
njerëz të letrave vazhdojnë të këmbëngulin për prioritetin e librit në edukimin
e brezit të ri si mediumi kryesor që përçon dijet dhe teknologjinë mes tyre.
Libri, thotë Borhesi është një “zgjatim i mendjes njerëzore” dhe besoj se nuk
ka njeri që mund ta vërë në dyshim këtë përcaktim, por shoqëria jonë e
shekullit të XXI me zhvillimet e veta na dikton që këtij përcaktimi ti shtojmë të
paktën dhe dy komponentë të tjerë. Duke iu referuar sërish Borhesit që
televizionin e përcaktonte si një “zgjatim të pamjes” na duhet ta pranojmë se
televizioni ashtu si dhe Interneti për rolin që kanë në shoqërinë e sotme janë gjithashtu dy zgjatime të mendjes
njerëzore. Në të dy këto mediume mendimi njerëzor , të paktën që nga mesi i
shekullit të XX për televizionin dhe vitet 90’ për internetin është afirmuar
fuqishëm duke na dhënë prej kohësh perla të vërteta të guximit dhe kurajës intelektuale.
Edhe pse nuk kanë munguar kritikat përsa i përket cilësive dhe vlerave që ato
përcjellin si mediume, televizioni dhe Interneti e kanë transformuar
rrënjësisht perceptimet tona rreth shoqërisë dhe dukurive njerëzore. Ky
perceptim, në fakt vjen dhe nga natyrat e ndryshme që këto mediume të
komunikimit publik kanë si struktura të
rëndësishme të mendimit njerëzor.
Edhe pse me një pamje të parë mund të
shikohet lehtë se paragjykimet më të mëdha përsa i përket Tjetrit dhe kulturave
të ndryshme janë shpërhapur nëpërmjet librave, sigurisht kjo gjë mund të jetë e
vërtetë dhe për televizionin dhe internetin. Ashtu si kemi libra të gabuar apo
libra që kanë ndjellë urrejtje kemi dhe ikona dhe kronika të gabuara që i kane
shkaktuar dëm njerëzimit. Mjafton të përmendim këtu fjalimet e diktatorëve dhe
mesazhet e gabuara të njerëzve që kanë influencuar në planet, për të parë se në
ç’përmasa ka ecur histeria kolektive kur ajo është manipuluar nga televizioni. Vetëm
se në këtë ballafaqim të tyre duke qenë se libri është një medium shumë më i
vjetër se ta, dhe se format e korrigjimit të vetvetes kanë qenë shumë më të
ngadalta dhe më të vështira për tu përcjellë në të gjitha shtresat e shoqërisë
fjala e shkruar e mbetur në libra ka shërbyer si burim i perceptimit të këtyre
imazheve të gabuara. Kështu p.sh në shumë tekste , qoftë dhe imagjinarë gjejmë
imazhe dhe perceptime të gabuara mbi Tjetrin dhe kulturën e tij, të cilat në
mënyrë të padrejtë janë kthyer në stereotipa që brezave të tërë iu janë dashur
vite për ti hequr nga shpina e kombeve të tyre. Vetë ne shqiptarët kemi qenë
viktima të këtyre paragjykimeve ku rasti më flagrant në këtë drejtim mbetet
vepra e shkrimtarit gjerman Karl May “Në vendin e shqiptarëve” (1892) ku autori edhe pse nuk e kishte vizituar
Shqipërinë, asnjëherë krijon një fabul të këndshme për lexuesit duke
transmetuar tek ata imazhet e një vendi të egër, barbar e gjithë aventura. Për
vite me radhë romani ushqeu fantazinë e shumë brezave gjermanishtfolës, duke
shtuar gjithnjë e më tepër dhe episode apo fakte që i huazonin nga
antropologjia dhe etnografia, por që nuk ekzistonin si ngjarje në roman. Në
vitet ‘30 kur shumë studiues gjermanë dhe austriakë filluan të vizitojnë shpesh
Shqipërinë zbuluan se shumë nga stereotipat dhe paragjykimet që kishin krijuar
nga leximi i romanit të May-it nuk ishin të vërteta dhe vetëm atëherë filloi
njohja e vërtetë e Shqipërisë nëpërmjet veprave të tyre. Nëse do të kish
ekzistuar televizioni dhe ikonat e transmetuara në atë kohë,si mediume që e
kanë thelbin e tyre në lajmin dhe efektin e tij në shoqëri dhe si të tilla e
kanë më të lehtë mekanizmin korrigjues do të kishte qenë më e lehtë që imazhet
që përcilleshin në libër të mund të verifikoheshin drejtë për së drejtë në
terren. Sepse televizioni edhe pse shpesh herë mund të ketë transmetuar
imazhe dhe ikona që kanë përcjellë lajme dhe perceptime të gabuara, sërish ka
korrigjuar vetveten shumë më shpejt sesa librat e shkruar shekuj apo vite më
parë duke u bërë një medium kritikues ndaj vetvetes.
Pikërisht tek lajmi, vizualiteti dhe
aftësia për të korrigjuar shumë shpejt vetveten qëndrojnë avantazhet e
televizionit në përcjelljen e vlerave në shoqëri. Sot , një shoqëri moderne dhe
edukimi në të nuk mund të shikohet vetëm nën prizmin e një mediumi por nga
këndvështrime të ndryshme të bazuara në trinomin libër-televizion-internet.
Specialistët e dijes dhe të komunikimit kanë kohë që po i mëshojnë këtij
aspekti që në Shqipëri për fat të keq po merret si mesazh i copëzuar dhe jo një
i tërë. Kështu p.sh prej kohësh në Universitetet po propagandohet se mësimi dhe
leksioni efektiv është ai që bashkëshoqërohet me mjete vizuale, por shpesh herë
për shkak të mungesës së infrastrukturës apo dhe neglizhimit dhe
mospajtueshmërisë me format e reja të mësimdhënies ky princip kryesor nuk po zhvillohet.
Përqasja dhe përafrimi i realiteteve të lexuara nëpërmjet ikonave dhe imazheve
televizive sigurisht që nuk mund të merren vetëm në auditorët e universiteteve
por dhe nga kutia e vogël magjike e televizionit. Në këtë kuadër, nga
televizionet që kanë statusin kombëtar por jo vetëm ata pasi çdo medium
televiziv ka të njëjtën forcë në shpërhapjen e mesazhit duhet të rikonstruktojë
dhe programet e veta televizive për t’iu përshtatur kësaj sfide të re.
Mirëpo duke bërë thjesht një kalim nëpër
kanale të ndryshme televizive në orën që i kushtohet edukimit është e vështirë
që të gjesh një emision i cili i përmbush kriteret për të kontribuar drejtë për
së drejtë në edukim dhe arsimim. Ky përcaktim nuk do të thotë se televizionet
nuk kanë në programacionet e tyre emisionet për grupmoshat e reja por ato pak a
shumë janë të hartuar për tu ngjarë emisioneve të të mëdhenjve. Kështu p.sh
gjithandej gjen emisione formati kompeticioni që promovojnë vlera shoqërore që
janë të domosdoshme vetëm për botën e show-ut
dhe të spektaklit dhe shumë pak përsa i përket fushave të tjera të dijes. Një
justifikim i arsyeshëm për këtë situatë mund të jetë fakti se tregu i
përgjigjet ofertës pra dëshirës të asaj se çfarë dëshirojnë të shikojnë të
rinjtë. Në fakt, kjo gjë nuk është e vërtetë ose mund të jetë pjesërisht e vërtetë
pasi numri i atyre që shikojnë kanalet me dokumentarë nëpër platformat
digjitale është relativisht i madh. Këtë mund ta ndjesh gjatë një bisede të
zakonshme, kur shpesh herë për të ilustruar idetë moshat e reja sjellin shembuj
nga dokumentarët e shumtë të transmetuar. Ky realitet,i cili është pozitiv, në
fakt ka në thelb dy probleme.
Së pari , sëbashku me ekranizimin e disa
prej kryeveprave botërore krijon rrezikun që leximi të braktiset dhe në të
njëjtën kohë të krijojë dhe një idealizim të botës së ekranit, duke harruar faktin
sidomos tek ekranizimi i kryeveprave të letërsisë botërore se çdo krijim i ri
në cilindo fushë është një këndvështrim i autorit për ngjarjet dhe personazhet
dhe në këtë mënyrë ajo që përcillet përmes ekranit nuk është se janë gjithmonë vlerat
autentike të kryeveprës por dhe qëndrimi subjektiv i regjisorit dhe skenaristit
të filmit. Së dyti, si rezultat i pabarazisë sociale dhe hendekut që zotëron në
shoqëri jo të gjithë kanë mundësi që të kenë platforma digjitale dhe për
rrjedhim jo të gjithë mund të përforcojnë dijet nëpërmjet këtij mediumi të
rëndësishëm. Lidhur me këtë problem të fundit duhet të fillojë të hapet në
shoqëri dhe debati mbi statusin e
televizioneve kombëtare, të cilat janë konceptuar në përgjithësi si të mira
publike që i përfitojnë të gjithë qytetarët kundrejt një pagese simbolike.
Kështu që në këtë kuadër kërkohet një rikonstruktim i programacioneve të tyre
dhe ata që aspirojnë që të marrin këtë status do u duhet që të plotësojnë
kushtet e duhura në këtë drejtim.
Duke qenë se Shqipëria, vjen nga një
traditë që sistemin arsimor nuk ka asnjë shekull që ta ketë të konsoliduar,
roli i televizionit për të kontribuar në shoqëri përsa i përket temave të
nxehta të identitetit kombëtar, historisë dhe dijeve të tjera më gjerë vazhdon
të mbetet primar. Në këtë kontekst nuk do të ishte pavend që kanalet kombëtare
të shikonin mundësinë e transmetimit në televizion të leksioneve të hapura. Ky
do të ishte një hap shumë i mirë pasi një pjesë e madhe e moshës së re ndjek
fakultetet në sistemin part-time dhe do të kishte një mundësi më tepër për të
dëgjuar sërish ato nga pedagogë të nderuar të botës shqiptare apo akoma dhe më
mirë nëse ato do të shoqëroheshin dhe me dokumentare që shpjegonin fenomenet
dhe shpirtin e epokës për të cilën flitet dhe në të njëjtën kohë do të
ndihmonte shumë dhe në promovimin e vlerave pozitive për shoqërinë nën stilin e
leksioneve të hapura të Karl Popper që transmetonte BBC për vendet e
ish-Lindjes komuniste. Sepse edhe pse mund të mos na vijë mirë kur e
evidentojmë si fakt, vërejmë se rrethana apo dhe figura historike, dije dhe
profesionalizëm në fusha të caktuara nuk
njihen mire nga brezi i ri duke ia veshur fajin gjithmonë shkollës dhe
edukimit, të cilat sigurisht kanë dhe mbajnë një përgjithësi kryesore në këtë
proces, por një shoqëri moderne karakterizohet nga spirale dhe mekanizmat
plotësues dhe kontrollues që ajo krijon. Në këtë kontekst duke iu referuar
trinomit të përmendur mësipërm libër-televizion-internet , të tre këta
komponentë duhet të plotësojnë dhe kontrollojnë në të njëjtën kohë
njëri-tjetrin për cilësinë dhe vlerat që përhapin në shoqëri. Audo Sapere-“Guxo të jesh i ditur” thotë Horaci në epistolarët e tij dhe bota e
biznesit shqiptar me themelimin e kaq shumë televizioneve guxoi në mesin e
viteve 90’ duke i bërë vendit një shërbim të paçmueshëm në botën e lajmit dhe
të informacionit, por tashmë ka ardhur koha që këto mediume të fuqishme të
kthehen dhe në vatra dije, si një funksion shtesë që të përmbushin më mirë dhe
rolin e tyre në shoqëri. Në fakt, kjo do të jetë dhe një nga sfidat më të mëdha
të jetës sonë publike që sëbashku me mbylljen e shumëdëshiruar të tranzicionit
të fillojë dhe një erë e re në reformimin e programacionit të televizioneve
shqiptare, në mënyrë të tillë që markave moderne të aparateve televizivë dhe
teknologjisë moderne të televizioneve shqiptare ti përshtatet dhe një
mentalitet i ri në rolin e pazëvendësueshëm të kutisë magjike të televizionit në
shoqëri.
Revista Akt 7
No comments:
Post a Comment