Parabola është një nga mënyrat e të përçuarit të kumtit politik dhe shoqëror
që ka një përdorim të gjerë pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes. Si, e tillë
duke qenë se është dhe pjesë e ligjërimit biblik ka gjetur strehë dhe në
mendimin politik evropian. Gjithsesi në Perëndim ajo nuk është pjesë e
retorikës publike dhe ka shërbyer më tepër për të përforcuar moralin në shoqëri
sesa për të përçuar mesazhin politik si ndodh rëndom në shoqëritë e ish-Lindjes
komuniste. Duke qenë se mesazhi, shpesh herë jepet i nënkuptuar dhe kërkon një
përqendrim të madh për të bërë analogjinë dhe për të kuptuar metaforën,
parabolat dhe anekdotat nuk këshillohen në ligjërimin politik pasi ato e lodhin elektoratin dhe
mund të sjellin pak a shumë një klimë keqkuptimi midis tij dhe politikanëve. Mirëpo
këtë efekt negativ të tyre, politikanët tanë që garojnë për zgjedhjet kanë
filluar ta anashkalojnë pasi mendojnë se duke u ulur në nivelin që ata besojnë
se kanë zgjedhësit do të bëjnë të mundur të fitojnë më shumë vota prej tyre.
Nëse këtë aksiomë e marrim për të vërtetë atëherë mund të themi se kandidatët
ose nuk e njohin mirë elektoratin e vet ose nuk arrijnë dot që të kenë nivel të
lartë përfaqësimi. Personalisht dua të besoj më shumë për të parën, gjë që
natyrisht nuk i shfajëson ata por të paktën jep shpresë se diçka mund të
përmirësohet rrugës në komunikimin politik.
Qytetari shqiptar dhe kryesisht ai i bashkive të mëdha
mund të themi se është një qytetar që has të njëjtën problematikë që përballon
dhe qytetarët e tjerë evropianë të qyteteve të mëdha evropiane. Ato shtrihen
kryesisht në qeverisjen më të mirë, taksat, menaxhimi i hapësirave dhe shesheve
publike, transporti publik dhe ndërtimi i një infrastrukture sa më të denjë
shpirtërore. Kjo problematikë e përbashkët i ka mprehur shqisat e perceptimit
qytetar të ofertës politike, çka mund të sjellë me të vërtetë një ndryshim të
madh në mënyrën e të bërit politik në Shqipëri por dhe në reagimin e vetë
zgjedhësve. Kjo masë njerëzish që dikur është konsideruar amorfe dhe që ka
ndjekur verbazi qoftë majtas apo djathtas udhëheqësit e vetë politikë në bazë të
një tradite të krijuar pas viteve 90’, në proceset integruese që ka hyrë
Shqipëria ka filluar të ndërgjegjësohet për rolin e vet dhe aq më tepër nuk e
meriton një trajtim të tillë nga ata që presupozohet që duhet ta udhëheqin dhe
ndriçojnë për të gjetur vetveten.
Në të njëjtën përmasë shtrihet dhe një faktor
tjetër i komunikimit publik si është ai i përdorimit të gjuhës dialektore që
shpesh herë kalon dhe në fraza “popullore” që shpreh kulturën e një kategorie
të caktuar njerëzish por kurrsesi të masës së gjerë. Natyrisht, motivi pas
përdorimit të kësaj gjuhe është ideja se kështu mund të shkrihesh me
elektoratin, të bëhesh i pëlqyeshëm dhe rrjedhimisht të përfitosh më shumë
vota. Mirëpo si shihet qoftë përdorimi i parabolave dhe anekdotave apo dhe
përdorimi i dialektit në thelb nuk afrojnë mesazhin që qytetari pret nga
politika, por në të kundërt i afron një lloj spektakli rruge që mund ta bëjë ta
vërë buzën në gaz por jo të zgjidhë problemet. Besoj se ka ardhur koha që
qytetarët shqiptarë të fillojnë të dëgjojnë një gjuhë më të strukturuar përsa i
përket mesazhit politik që ata duhet të marrin dhe ky mesazh duhet të fillojë
të përcillet në formën e duhur për tu kuptuar dhe për tu përkthyer në një votë
për alternativën më të mirë partiake. Shqipëria e dhjetëvjeçarit të shekullit
të XXI, e vendit anëtar në NATO dhe vendit aspirant për të hyrë me të drejta të
plota në Bashkimin Evropian meriton një komunikim publik dhe politik më të mirë
mes klasës politike të vet dhe zgjedhësve pasi në këtë mënyrë , zgjedhësit
fitojnë vokacionin e tyre politik për tu orientuar qartë për të votuar por dhe
për të marrë pjesë drejtë për së drejtë në qeverisjen qendrore dhe lokale
nëpërmjet iniciativave të tyre qytetare. Nuk është e rastësishme që në zgjedhjet e fundit lokale, qytetarët filluan
të përfshihen në debate jo vetëm temat e zakonshme të zhvillimeve rajonale por
dhe kostot që pëson ambienti dhe trashëgimia kulturore çka dëshmon se ka
filluar të maturohet një elektorat që meriton të ndiqet dhe të vlerësohet si i
tillë edhe nga klasa e vet politike. Komunikimi politik si pjesë përbërëse e
strategjisë politike të kandidatëve dhe të alternativave partiake që ata përfaqësojnë,
kërkon të përpunohet në drejtimin e duhur për ti dhenë shansin zgjedhësve që jo
vetëm të zgjedhin më të mirën mes alternativave por dhe ti përshtatet trendit
të sjelljes së shumicës cilësore të zgjedhësve të qyteteve të mëdhenj, për të ndihmuar
në këtë mënyrë dhe qytetarët e tjerë zgjedhës të rajoneve të tjera të
Shqipërisë të kthehen nga votues të zakonshëm në qytetarë evropianë aktiv.
Ndryshimi i madh që pritet në politikëbërjen shqiptare për të shmangur
tensionet dhe acarimet e lodhshme nuk
mund të vijë vetëm nëpërmjet publikimit të librave eseistikë apo komenteve të
shkurtra me 140 karaktere të rrjetit social Twiter por kërkon një njohje më të
mirë të psikologjisë dhe mentalitetit të elektoratit për ti fituar në këtë
mënyrë jo vetëm zemrën por dhe mendjen.
Pas njëzet vjetësh rrugëtimi të vështirë ku shpesh
herë fjala ka ngecur “ters” dhe është bërë kockë në fyt që ka mbytur gjithë
dialogun politik në Shqipëri, ka ardhur koha që ajo të marrë dimensionin dhe
fuqinë e duhur për të përmirësuar diskursin politik. Një shoqëri që dështon të
ndërtojë institucionin e fjalës s’mund të pretendojë të ndërtojë shoqërinë
moderne të komunikimit, pasi sa më tepër varfërohet në ide ky i fundit aq më
shumë degradon shoqëria në një maskaradë
pasionesh dhe inatesh të verbëta. “Në fillim ishte fjala” , është sentenca e
vjetër në Bibël duke shprehur në këtë mënyrë
rëndësinë e komunikimit mes njerëzve dhe Zotit. Kjo referencë kulturore kaq e
rëndësishme duhet të shtrihet në nivelin e politikës së përditshme për të
filluar dhe ndërtuar komunikimin dhe dialogimin aq të rëndësishëm në një
demokraci funksionale.
Gazeta "Shqip" 26.11.2011
Gazeta "Shqip" 26.11.2011
No comments:
Post a Comment