Një vit më parë, më datën 8 nëntor në një datë me një ngarkesë emocionale negative historike për Shqipërinë , Bashkimi Evropian mori vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë në hapësirën evropiane. Mesa duket historia është kapricioze për të përsëritur në të njëjtën ditë dy ngjarje që janë me drejtim krejt të kundërt. Ngjarja e parë ajo e 8 nëntorit 1941 shënon themelimin e P.K.SH dhe fillimin e kalvarit izocionalist të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ku komunistët shqiptarë do të bënin të pamundurën, në mënyrë të veçantë ta largonin vendin nga perspektiva evropiane. Ngjarja e dytë më 8 nëntor 2010 shënon fundin e këtij kalvari të dhimbshëm të rrugëtimit të shqiptarëve drejt Evropës si dhe fundin e një politike nga ana e Bashkimit Evropian që mund ta kthente Shqipërinë në një nga getot e Evropës. Ky vendim i dha fund jo vetëm një odiseje të gjatë përpjekjeve të qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar në Evropë por ishte dhe një sinjal i mirë për Shqipërinë që tregonte se ajo shumë shpejt do të mund t’i bashkëngjitej familjes evropiane. Vendimit të Bashkimit Evropian i korrospodonte një shifër shumë e lartë dhe entuziaste e qytetarëve shqiptarë që ishin pro hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shifër kjo shumë e ndryshme se e gjithë vendeve të tjera të ish Evropës Lindore kur kanë hyrë në Bashkimin Evropian. Në mendjen dhe penën e disa analistëve ky entuziazëm i qytetarëve shqiptarë është jo racional dhe vjen nga padija pasi në logjikën e tyre mendojnë se qytetarët shqiptarë rendin emocionalisht drejt idesë evropiane sepse kujtojnë sepse “kështu do bëhen të pasur”, kurse në të vërtetë ajo që ndodh është një mishërim i eksperiencës së mijërave e mijërave shqiptarëve që në kushte shumë të vështira kanë mundur të emigrojnë në Evropë dhe kanë arritur të kuptojnë mirë mekanizmin solidarizues dhe financues evropian.
Mirëpo kësaj pjekurie dhe orientimi të drejtë të
qytetarëve shqiptarë përsa i përket idesë së tyre evropiane nuk po i përgjigjet
jo vetëm sensi i gabuar i disa analistëve në kritikat e tyre rreth dëshirës së
qytetarëve shqiptarë për ta parë vendin e tyre në Evropë, por mbi të gjitha po e
zhgënjen dhe klasa e vet politike, e cila që nga viti 2009 vazhdon të jetë në
një konflikt të hapur me vetveten. Kjo situatë është ndoshta nga më
paradoksalet krahasuar me ato të vendeve
të ish lindjes komuniste në momentin kur ato kanë qenë në prag të hyrjes së tyre
në Bashkimin Evropian, pasi mbështetja e
qytetarëve të tyre nuk kanë pasur këto kuota të larta mbështetje sa ka aderimi
i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nga qytetarët shqiptarë ,por mbi të gjitha
dhe për kushtet dhe konditat që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë një
vend kandidat nuk janë të njëjtat me ato të vendeve të tjera. Shqipëria ka një
perfomancë më të mirë ekonomike se vendet e tjera në rajon dhe se një pjesë të
kritereve politike i ka plotësuar me kohë. Në 12 pikat që i kërkohen Shqipërisë
të përmbushë , dy prej tyre kanë një peshë specifike të veçantë, reforma
elektorale dhe reforma parlamentare pasi të tjerat mund të plotësohen me një
vullnet të përbashkët brenda një seance votimi. Ky vullnet i përbashkët për të
bashkëpunuar është një pikë më vete ku Shqipërisë i kërkohet që klasa e vet
politike të nisë dialogun politik për të arritur në një konsensus mes vetes. Mes
pikave ku përcaktohet dhe zgjedhja e avokatit të popullit apo këshillit
mbikëqyrës të Bankës Kombëtare të Shqipërisë , ndodhen dhe pika që me të
vërtetë mund të habisin këdo se përse opozita nuk e ka dhënë konsensusin për
votuar në parlament si është miratimi p.sh i kodit hekurudhor të Shqipërisë,
kod që kërkon 3/5 e votave! Besoj se nuk do të ketë ndonjë vështirësi të madha
teknike për të miratua një ligj që i përket më shumë së ardhmes pasi sistemi i
sotëm hekurudhor pothuajse është inekzistent në frekuentimin e tij nga
qytetarët.
Por a mundet që këto kushte dhe kondita të mbajnë
peng dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve për t’iu bashkangjitur familjes
evropiane? Eksperienca dhe përvoja e ka treguar se Bashkimi Evropian është
konsistent në kërkesat e tij, ashtu si ka treguar se kur ka një konsensus
politik në vend, Bashkimi Evropian mund të ndërmarrë vendime të kënaqshme për
Shqipërinë. Një i tillë ishte vendimi i liberalizmit të vizave, ku si pasojë e
tij brenda një viti rreth 400.000 shqiptarë kanë lëvizur në hapësirën Shengen.
Ata janë treguar qytetarë të denjë evropianë duke mos shkaktuar as dhe një
incident të vetëm apo kërkesa masive për azil politik, duke “zhgënjyer” në këtë
mënyrë për fat të mirë dhe disa politikanë apo analistë që profetizuan se ky
vend do të zbrazej i tëri. Qytetarët shqiptarë i kanë dëshmuar në këtë farë
mënyre Bashkimit Evropian se janë seriozë në angazhimet e tyre dhe të njëjtën
gjë presin që të tregojë dhe klasa e tyre politike ndaj tij. Rikthimi i
opozitës në parlament dhe fjalët e shprehura nëpërmjet liderit të saj se do të
punohet për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë një votim të
cilësuar janë sinjale të mira që gjërat më në fund po fillojnë të ecin mirë.
Mes një opozite që zgjidhte të bënte protoganizmin e vet se kush nga deputetët
e saj digjte më shumë goma apo bllokonte më shumë rrugë, sigurisht ajo që ulet
në parlament për të votuar ligje është më e preferuara. Kjo preferencë nuk
është vetëm për ne si qytetarë shqiptarë
,ku një pjesa jonë dhe e ka votuar, por në radhë të parë për veten e vet pasi
në këtë mënyrë është rikthyer në identitet dhe si çdo gjë që ka lidhje me
identitetin është pozitive, besoj se kjo opozitë e sotme në këtë mënyrë ka më
shumë mundësi për të kontribuar për vendin.
No comments:
Post a Comment