Albanians marching in post-WWII celebration march in Swanston Street, Melbourne, c. late 1940s.
Në një bisedë të çlirët në një aktivitet, një ish-ambasador i regjimit të kaluar u shpreh se edhe sipas kushtetutës ai kish përfaqësuar Shqipërinë në vende të ndryshme të botës, por në të vërtetë për shkak të politikës së kohës i dukej se në fakt përfaqësonte vetëm një pjesë të vogël të kombit shqiptar. Këtu ai kish parasysh se nuk mund të ndërmerrte takime me grupe të ndryshëm të diasporës të cilët ishin të arratisur apo dhe me grupe të tjerë emigrantësh shqiptarë të larguar në emigracion para viteve të luftës së dytë botërore dhe që nuk binin dakord me politikat zyrtare të Tiranës. Në fakt, legjimiteti i ambasadorëve shqiptarë ishte i cunguar pasi përfaqësonte vetëm shqiptarët e kufijve zyrtarë, Konispol-Vermosh ndërsa një pjesë e madhe e diasporës përbëhej dhe nga shqiptarë nga viset shqiptare të ish-Jugosllavisë. Këtë gjë ish-ambasadori e kish ndjerë shumë herë në lëkurën e vet ku instinkti i tij diplomatik e shtynte që të vepronte në të mirë të bashkëkombësve të vet por ja që manteli politik që ai kish veshur nuk ia lejonte një gjë të tillë. Mandej në bisedën e tij ish-ambasadori përshkroi një lloj tjetër përfaqësimi që sipas tij ishte shumë herë më i mirë se ai pari. Më konkretisht, pas viteve 90’ dhe largimit nga radhët e diplomacisë ai kish qenë i punësuar diku në Perëndim në detyrë më të thjeshtë se e para, detyrë që në fakt e kish bërë më të lumtur sepse sipas me tij me përfaqësimin e tij të denjë kish mundur të përfaqësonte dhe vendin e vet.
Tashmë që ai banon në SH.B.A, ndihet shumë mirë
kur takon shqiptarë të profesioneve të ndryshme, të gjithë të nderuar në punën
e tyre dhe që sipas tij këta shqiptarë në fakt janë ambasadorët më të mirë të
Shqipërisë në botë. Edhe pse në fjalët e tij mund të dallohet një entuziazëm
dhe ndoshta dhe pak hiperbolizim për rolin e emigrantëve shqiptarë nëpër botë ,
gjithsesi në to ka një pjesë të një vërtete të madhe. Kjo e vërtetë lidhet me
faktin se kontakti i parë i Shqipërisë dhe pasqyrimi i vlerave të saj nëpër
botë pas një izolimi të gjatë dhe të mundimshëm , ishin pikërisht njerëzit e
thjeshtë të saj që u larguan nga vendi në kërkim të një jete dhe kushteve më të
mira. Pikërisht, në datën 2 korrik 1990, një date që nuk ka për tu harruar
lehtë nga memoria kolektive e shqiptarëve filloi dhe shtegtimi i gjatë i
shqiptarëve nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë por dhe në përsosje të
vetvetes si individë për të mbijetuar dhe përshtatur në një botë që e njihnin
vetëm nëpërmjet valëve të para fshehurazi të Televizionit italian.
Sigurisht, që në këtë emigrim masiv të shqiptarëve
nuk mund të gjeje gjithë ajkën e shoqërisë sepse ashtu si dhe në vendet e tjera
që popullsitë u kishin emigruar do të gjeje aty dhe aventurierë, njerëz të
papërgjegjshëm, njerëz lehtësisht të asimilueshëm apo dhe të ekspozuar ndaj
aktiviteteve kriminale, por ajo që mbizotëroi në përgjithësi ishte se shumica e
shqiptarëve emigrantë arritën të mbijetonin dhe përshtateshin mirë në vendet ku
emigruan. Me punën e tyre të ndershme dhe pasionin për të ndryshuar shpejt
jetën e tyre ata ndryshuan gradualisht dhe opinionin dhe mentalitetin e
shoqërive vendasve ku ata emigruan. Për t’ia arritur këtij qëllimi ata arritën
përmes një kalvarit ë gjatë dhimbjesh dhe vështirësish që mund të shprehet
shumë mirë dhe nga statusi i tyre në gjuhët e vendeve pritëse dhe gjuhën shqip,
në fillim si refugjatë dhe pasta të quajtur emigrantë të jashtëligjshëm dhe së
fundi emigrantë dhe qytetarë të vendeve ku banojnë dhe punojnë. Ndryshimet në
jetën e tyre u pasqyruan dhe në ndryshimet në shoqërinë shqiptare pasi një
pjesë e tyre punoi për një farë kohe në dhe të huaj dhe u kthye sërish në atdhe
duke sjellë eksperienca dhe detaje të rëndësishme të jetës së tyre në
emigracion. Kështu,të paktën dy breza u edukuan me kulturën e punës dhe morën
kontakt të drejtë për së drejtë me qendrat më të mëdha të kulturës evropiane. Në
këtë mënyrë në bazë të kursimeve të tyre ra u bënë nga kontribuuesit kryesorë të
ekonomisë së rilindur shqiptare dhe në sajë të guximit të tyre për të investuar
u rigjallëruan shumë sektorë të ekonomisë së shërbimeve që ishin paralizuar
prej kohësh.
Duke pasur parasysh këtë kontribut real të
emigracionit në ringjalljen ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë është e udhës
që vëmendja shtetërore të jetë më e madhe ndaj problemeve dhe vështirësive që
ata hasin në jetën e përditshme aty ku banojnë dhe punojnë. Pajisja me
pasaporta me ana e përfaqësive tona diplomatike është një hap i mirë dhe për tu
përgëzuar por e rëndësishme do të ishte dhe tërheqja e kapitaleve të tyre këtu
për të investuar në mënyrë të tillë që ekonomia shqiptare të mos mbetet e varur
vazhdimisht nga remitancat e tyre por nga investimet e drejtë për së drejta.
Kjo gjë do të sjellë jo vetëm hapje vendesh të reja pune, mirëqenie dhe
zhvillim por do të riintegrojë në shoqërinë tonë një pjesë vitale të saj të
konsideruar deri më tash periferike sepse nëse këto vite tranzicioni do të
kishin nevojë për të vendosur një statujë në piedestal, aty patjetër duhet të
ishte ajo e “emigrantit të panjohur” që duke punuar ndershmërisht ka
përfaqësuar shumë mirë Shqipërinë, ka ndihmuar familjen e vet në Shqipëri dhe
rrjedhimisht ka kontribuuar kaq shumë në zhdukjen e plagëve sociale si varfëria
dhe mjerimi.
No comments:
Post a Comment