Sunday, 27 November 2011

Kuq e Zi apo Bardhë e Zi?



Nuk ka dyshim se kur vjen fundi i nëntorit, pothuajse të gjithë shqiptarët kudo që janë përfshihen në atmosferën e festës së flamurit. Qytetërimi ynë tashmë kibernetik përveç informacionit të nevojshëm që shpërhap për shumë fusha të tjera të jetës , sjell shumë afër individëve dhe popullatave dhe versionin të ndryshme të patriotizmit duke filluar nga ata lokalë dhe deri tek ata ultra nacionalistë. Për fat të mirë në këtë ditë mbizotëron patriotizmi i mirë i shqiptarëve, të cilët  kanë gjetur tek festimet dhe urimet e ditës së flamurit një simbol bashkimi dhe uniteti me tyre. Në patriotizmin e tyre nuk ka asnjë gjë shqetësuese për fqinjët e vet pasi patriotizmi shqiptar ka qenë vazhdimisht paqësor pa hartuar kurrë doktrina mbisunduese mbi popullsitë e tjera të Ballkanit, siç kanë hartuar fqinjët tanë grekë “Megali Idenë”, apo eliminimin fizik dhe dëbimin e popullsive të tjera nga rajoni siç kanë hartuar fqinjët tanë serbë me doktrinën e akademikut të tyre Vasa Cubroloviq . Dita e 28 Nëntorit vjen kështu si një  ditë që përveç fjalës së zakonshme “e bekuar” tashmë të kthyer në klishe , është kthyer në një ditë që përforcon identitetin kombëtar dhe bashkimin e shqiptarëve që për një moment i “braktisin” kauzat e tyre të grindjes dhe mërisë së zakonshme mes tyre dhe përqafojnë kauzat e bashkëjetesës dhe prosperitetit të kombit.
Ideali i gjithë baballarëve të kombit, të atyre 40 burrave që firmosën aktin e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 ka qenë gjithmonë një Shqipëri e bashkuar dhe e përparuar dhe për këtë gjë ishin gati që të sheshonin mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkëpunonin së bashku për të arritur qëllimet kombëtare. Natyrisht, që ky nocion ishte një ëndërr e bukur e tyre për tu realizuar por dhe jashtë kohe për të jetuar gjatë pasi pas formimit të shtetit ashtu si dhe në shtetet e tjera ballkanikë debatet sesi duhej të “bëhej Shqipëria” do të shteronin dhe do të hapeshin debate të tjera për prosperitetin e vendit, taksat, zhvillimin ekonomik ,sigurimin kombëtar etj. Natyrisht, që jo të gjithë do të ishin në një mendje sesi do ti arrinin këto qëllime. Dikush do kërkonte ti kryente ato më shpejt, dikush më ngadalë, dikush do thoshte të respektohej tradita dikush tjetër të jepej një zgjidhje më radikale. Të gjitha këto qëndrime do gjenin përfaqësim në mendime , ide, rryma, formacione politike e parti të organizuara rreth kauzave të tyre fisnike. Por grindjet e tyre do të ishin si ato brenda një familje të madhe që në momentet e vështira mblidhet  sërish bashkë për të përballuar situatat. Nuk do të kishte përçarje fatale as bllokim jete institucionale, në të kundërt ë gjithë do të përpiqeshin të çonin përpara kauzat e tyre duke  themeluar një nga një institucionet e duke vënë kështu nga një gur në ngrehinën e Shqipërisë së re.
Në këtë mënyrë trashëgimia e tyre politike mbijetoi në atë çka neve sot kemi si koncept dhe territor i quajtur Shqipëri por jo në vlerat dhe mesazhet që përfaqësohen në klasa tonë politike dhe në ato që ajo do i përcjellë asaj pasardhëse. Për herë të parë pas një rrugëtimi të gjatë  Shqipëria po bëhet gati të jetë pjesë e “dritës që lind andej ku perëndon” si do të shkruante Naim Frashëri për Evropën, por ky pranim po i vonohet se ata që përfaqësojnë vullnetin e saj politik para se të zgjedhin ngjyrat kuq e zi të bashkimit për kauza të rëndësishme ashtu si dhe baballarët e kombit tonë në 1912, kanë zgjedhur ngjyrat bardhë e zi të përçarjes në 1943. Përvojat e hidhura dhe vonesat për të kapur “trenin e fundit” të të gjithave periudhave historike të ndryshimeve themelore në Ballkan duhet të na mësojnë se nëse nuk na vjen turp që se kemi çuar akoma në vend amanetin e baballarëve për ta integruar vendin tonë në Evropë, të paktën në emër të vazhdimësisë ,këtë gjë  ua kemi borxh  pasardhësve tanë që nuk duhet të vuajnë për gjykimet, mëritë dhe paragjykimet tona për njeri-tjetrin. Arritja e një marrëveshje të menjëhershme për çdo gjë dhe për gjithçka midis politikës shqiptare kaq shumë të përçarë sot për të arritur qëllimin final të kryerjes shpejt të reformave dhe integrimin e shpejtë të vendit në bashkimin Evropian është dhurata më e bukur që çdo shqiptar duhet të merrte ditën e flamurit. Por edhe pse nuk e morën të paktën ata do të ishin të kënaqur që ngjyrat kuq e zi përkundrejt atyre bardhë e zi, të mos zgjidheshin vetëm sa për këtë ditë të shënuar por çdo herë që diskutohen vendimet e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Të paktën kjo është gjëja  më e pakët që ia kanë borxh gjithë shqiptarëve që vazhdojnë ti mbajnë në politikë me votat e tyre.

Gazeta "Shqip" 28.11.2001











No comments: