Punimet e fundit të kongresit të Partisë
Socialiste kanë filluar të përcaktojnë dhe temperaturën e klimës politike në
vend. Pa u mbyllur akoma debatet për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale,
shqiptarëve do u duhen të dëgjojnë sërish debatet shterpë për zgjedhjet brenda
Partisë Socialiste. Si zakonisht nuk do të mungojnë të dyja pikëpamjet, kryesia
që do të këmbënguli që në Partinë Socialiste ka liri me tepricë dhe një palë të
tjerë që do të këmbëngulin në idenë se
ajo mungon. Sigurisht që s’ka asnjë gjë të keqe që brenda një partie të ketë
një debat të shëndoshë se cila rrugë do të ishte më e mirë për të ardhur në
pushtet, por natyra dhe mënyra e këtyre debateve sesi zhvillohen ka filluar të sjellë një lodhje të stërzgjatur
për qytetarin shqiptar pasi thelbi i tyre nuk është esencial dhe i konkretizuar
në qeverisjen e mirë por shpesh herë në ngjarjet e lodhshme të pakënaqësisë mes
figurave të ndryshme të Partisë Socialiste dhe qejfmbetjeve për mosaktivizim
aktiv në jetën e partisë. Në këtë sens këto debate të kësaj natyre janë shumë
larg filozofisë politike të majtë që kërkon të përfaqësojë denjësisht qytetarin
dhe ti përgjigjet atij drejtë për së drejtë për të gjitha shqetësimet dhe
problematikat e tij. Një filozofi e tillë filloi të përfaqësohej në Evropë pas
Luftës së Dytë Botërore ku proverbiale mbetet përgjigja e kryeministrit anglez Harold MacMillan-in
gjatë viteve (1957-1963) ndaj pyetjes sesi përcaktoheshin vendimet e qeverisë së tij, ai iu përgjigj gazetarëve Events,dear boy events -Ngjarjet, i dashur
djalosh , ngjarjet. Me këtë ai kish parasysh kërkesat që dilnin nga
organizimi i grevave të sindikatave por dhe veprimet që duhet të ndërmerreshin
nga fatkeqësitë e natyrës apo rënia e bursës etj. Në fakt atë çka perifrazonte
Kryeministri anglez ishte problematika e ditës për të cilën qytetari është
shumë i interesuar për të pasur zgjidhje pasi ka efekt të drejtë për së drejtë
mbi jetesën dhe të ardhurat e tij.
Për fat të keq në Shqipëri edhe pse politika dhe
filozofia e saj pretendohet që modernizohet dita ditës vazhdon të jetë larg
këtij perceptimi. Madje, në politikën shqiptare ndodh që dhe kur merren vendime
që janë pranë ndjenjave shpirtërore të një mase të madhe qytetarësh, këto nisma
janë shumë të vonuara ose kuptohet qartë që merren për efekte elektorale çka e
vështirëson dhe realizimin e tyre. Një vendim i tillë që bashkoi së bashku
parapërgatitjet e fushatave elektorale në Tiranë dhe Durrës për zgjedhjet
lokale ishin premtimet që u dhanë për ndërtimin e xhamive Komunitetit Mysliman
Shqiptar,asaj në qendër të Tiranës një lutje të kahershme të këtij komuniteti,
dhe premtimi i bashkisë të Durrësit për ndërtimin e një xhamie të re në një
vend tjetër, vendim që u morr pas konflikteve për territorin që bashkia pati me myftininë. Premtimi për ndërtimin e xhamisë
së re në kryeqytet u përsërit kësaj radhe dhe nga kryetari aktual i Bashkisë së
Tiranës, Lulzim Basha në përshëndetjen dhe vizitën që ai bëri në Komunitetin
Mysliman shqiptar me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ky premtim mund të jetë
dhënë disa herë nga të gjitha administratat që kanë qeverisur kryeqytetin dhe
besoj se përsëritja e tij në çdo festë fetare është bërë një refren bajat që së
bashku me atakimet dhe referencat politike që bëhen nga politikanët në ditët e
shenjta të festës bëjnë të vënë buzën në gaz
me ironi qytetarët që dhe në ditë të tilla të shenjta nuk i lënë rehat
të festojnë, por u kujtojnë sesa pragmatiste është politika dhe se në ç’situatë
politike konfliktuale jetojnë.
Këto dy vendime përveç simbolikës së tyre që
përfaqësojnë në fakt shënojnë dhe një “risi” të re të politikës shqiptare për
të bërë pjesë të problemit të vet dhe pushtetin hyjnor. Politika në Shqipëri
deri tani duke respektuar karakterin sekularist të shtetit dhe traditën e hershme të bashkëjetesës fetare nuk kishte
tentuar që të përfshinte brenda polemikave të saj këtë pushtet , gjë e cila
fatkeqësisht ndodhi në replikat e forta që u shkëmbyen midis
Ministrisë së Transportit dhe Bashkisë, pasi kuptohet se lufta për Bashkinë e
Tiranës ishte e ashpër. E njëjta gjë ndodhi dhe në Durrës dhe ndoshta dhe më
gjerë duke e shpërhapur fenomenin. Pa hyrë në analizë të hollësishme se kush ka
të drejtë në debatet që u hapën në Tiranë dhe në Durrës në prag të zgjedhjeve
lokale dhe ndoshta dhe më gjerë, duhet
nënvizuar fakti se ky model i
përfshirjes së komuniteteve fetare dhe ndjeshmërive fetare në politikën e ditës
është i dështuar.
Në
parlamentin e parë shqiptar të viteve 20’, grupimet që u ndërtuan mbi baza të
tilla si ai “Orës së Maleve” që përfaqësonte popullsinë katolike të veriut, i
grupit të deputetëve të Korçës që përfaqësonte një pjesë të popullsisë
ortodokse dhe ai i çifligarëve myslimanë rreth Shevqet Vërlacit nuk përfaqësuan
histori suksesi pasi shumë shpejt u pa
se ndarje dhe politika të tilla dëmtonin bashkimin kombëtar dhe kohezionin
social të shoqërisë së sapo formuar të qytetarëve shqiptarë. Respektimi i
traditës së hershme të bashkë ekzistencës paqësore dhe mospërfshirjes së
komuniteteve fetare në politikë qoftë dhe tërthorazi prej palëve të tjera,
duhet të vazhdojë të jetë një vektor që lidh të shkuarën me të ardhmen në
Shqipëri. Politika shqiptare duhet të jetë e para që duhet ta respektojë këtë
parim pasi në të vërtetë kjo është dhurata më e madhe që u bën besimtarëve të
kujtdo besimi fetar në Shqipëri.
No comments:
Post a Comment