Telefonata
Për të hequr mërzinë pas incidentit me njerëzit e
papërgjeshëm që përmirrnin poshtë urës ashtu si qe mësuar ti thërriste me një
term të huazuar nga Xheki, Baloja u drejtua drejt qendrës tregtare. Edhe pse
ishte pak larg dhe të merrej fryma derisa të arrije deri aty , Balos i pëlqente
ambienti ndaj nuk e llogariste lodhjen. Ai
mund të hipte dhe në ndonjë dumdum që kalonte gjithë zhurmë mes për mes
qytetit për të mos u lodhur po Xheki i kishte thënë se dumdumi nuk kishte
“klas”. Baloja nuk e kish kuptuar në fillim këtë fjalë, por Xheki që si
gjithmonë e kish përgjigjen në majë të gjuhës për çdo gjë të panjohur ia kish
shpjeguar, si nivel. Eh çdo të thotë të kesh për zot një vajzë të shkolluar
kish ofsharë me vete Baloja dhe kish uruar që të gjente një të tillë dhe për
veten e tij.
I zhytur në këto mendime Baloja kish arritur tek
qendra. U avit tek kafeneja e njohur ku uleshin shumë njerëz të ngritur që
Baloja e kuptonte si nga temat e bisedave apo dhe nga veshja e tyre dhe vuri
veshin të dëgjonte se ç’po bisedonin tre burra të vjetër në moshë, me fytyra
gjithë rudha dhe flokë të gjatë të zbardhur lëshuar supeve.
-Eh shoku Zylo po i thoshte njëri. Cfarë ke
shkruar tani së fundmi?
- Për qentë ia ktheu shkurt burri që quhej Zylo
duke iu dridhur paksa dhe duart
që i mbante në tavolinë pranë gotës së rakisë.
Për cfarë e pyeti burri sërish?
Për qentë, besnikërinë e tyre shtoi Zyloja kur pa se fjalia e tij kish shkaktuar
një reagim në fytyrat e dy miqve të tij. Ky qenka shpirt njeriu tha Baloja me
vete dhe u përqendrua gjithë sy e vesh të dëgjonte bisedën deri në fund. Ne s’duhet
të mërzitemi kur dikush na quan qen vazhdoi burri quajtur Zylo sepse nuk është
ofendim por një kompliment që duhet ta respektojmë. Më thoni ju lutem a ka vlerë
më fisnike se besnikëria? A nuk e prezantojnë këtë vlerë më së miri qentë?Jo më
kot Naimi ka bërë goxha pjesëz këndimi për qentë. Dy burrat tundnin kokën gjithë
respekt dhe pohim ndërsa Balua u ngazëllua dhe mendoi se kjo ishte një bisedë që
duhej dëgjuar deri në fund dhe që patjetër mund të cyste dhe kureshtjen e
Xhekit që vazhdimisht thoshte që si pëlqenin “gossip” Këtë atmosferë ngazëllimi
si të burrave që dëgjonin Zylon por dhe të Balos që dëgjonte ata e prishi një
zile celulari. Burri i quajtur Zylo nxori celularin nga xhepi e vuri në vesh
dhe filloi të mbante vesh. Për disa sekonda s’u dëgjua gjë, pastaj Zylua i
vrenjtur në paksa në fytyrë filloi të fliste.
-
Nuk e
bëj dot mor bir, më kupton. Ç’është kjo hata? Unë kam një jetë që se honeps dot
çfarë bën ai njeri, ti më thua mere në telefon. Tipi matanë telefonit mesa
duket këmbëngulte derisa u dëgjua Zyloja sërish të thoshte “Oj T’ëmën, nuk e bëj
or jo’ S’është i njëjti por është tjetër. Ai është i veshur me lëkurë qengji dhe
mbylli telefonin. Më falni u drejtua nga të tjerët por u nxeha.
-
S’ka
gjë – i thanë burrat. Njerëz jemi o Zylo. Vazhdojmë muhabetin- tha njëri prej
tyre. Për qentë po flisnin.
-
Ah po
tha Zylo . Qentë mësojnë të ecin, qentë
mësojnë të nuhasin, qentë mësojnë të kafshojnë por dhe të....por sërish një
zile celulari e ndërpreu. Zyloja e mori sërish celularin e vuri në vesh dhe
filloi të dëgjonte. Pas disa sekondash filloi të fliste. Moj shpirtkë e babait
nuk mundem, mos ma kërko këtë gjë. Por zëri andej vazhdonte të ishte
këmbëngulës. Zyloja dëgjoi dhe dëgjoi për disa minuta dhe tha nëpër dhëmbë mirë-mirë
-
Ç’është
o Zylo e pyeti njëri nga burrat.
-
Ah
kjo jetë është jetë qeni tha Zyloja më duhet të bëj një telefonatë të uroj dikë
për një fitore por s’ma bën zemra.
-
Pse o
Zylo, ctë keqe ka ia ktheu tjetri ?
-
Po
unë kam bërë gam-gam tërë jetën tani do ta kthej. Ç’ti bëj kësaj kulishes sime
që mi lidh këmbët se do të hapi panaire se super panaire pa të ishte për mua ,
as që do e merrja mundimin.
Baloja po dëgjonte tërë sy e vesh dhe s’po merrte vesh gjë. Buri i quajtur
Zylo që e kish pëlqyer aq shumë dinte kaq shumë nga bota e tij, njihte
instinktet e para të tij por dhe gjuhën që ai fliste thoshte që jeta ishte
qene?Ç’të nënkuptonte vallë që ishte besnike apo qe ndonjë fjalë e ligsht?
Baloja mendoi se Xheki duhej ti kthente një përgjigje dhe mendoi t’ia mbathte
njëherë andej nga dyqanet e modës se mos e gjente sëbashku me të zonjën e vet.
Poshtë Urës
Baloja vendosi të lëvizte nga bari buzë lumit dhe
nga skena që e kish tronditur aq shumë. Këmbët filluan ta çonin
instinktivisht andej nga qendra tregtare
ku ai e dinte që mblidheshin shumë njerëz. Balos i pëlqente të kalonte ndanë
tavolinave dhe të dëgjonte biseda njerëzish sepse me to ai informohej. Xheki,
qeni i lagjes tjetër që kishte për të zot një vajzë të shkolluar i kish thënë
Balos se ato fjalë që ai dëgjonte dhe pastaj i bisedonte me të tjerë quheshin “gossip”.
Baloja si një qen i ardhur larg nga fshati në qytet, nuk para i kuptonte mirë
gjuhën e huaj ndaj dhe se kish vrarë mendjen shumë.E kuptonte që duhej të ishte
diçka e keqe por fundi, fundit ai
s’bënte as më shumë e as më pak se ç’bënin dhe goxha njerëz të rëndësishëm që
zbrisnin nga një godinë që quhej ministri dhe lexonin të gjithë bashkërisht një
gazetë që Baloja e kish dëgjuar ta quanin “Blutooth”. Baloja i kish parë dhe dëgjuar
me veshët e tij kur shkonte andej nga qendra e qytetit dhe rrinte thekej në
diell buzë kafenesë që mund të dukej modeste nga jashtë por ishte e gjitha me
njerëz të rëndësishëm që e frekuentonin.
Baloja papritur
u shkund nga mendimet, pa vendin ku ishte dhe vendosi të kthehej
mbrapsht sërish tek bari buzë rrekëzës që njerëzit e quanin lum. Nga qëndrimi për
një kohë në një vend e kishte marrë urina ndaj u drejtua si zakonisht nën urë ,
vendin që i kish treguar Xheki që në ditët e para ku kish zbritur në qytet si
vend ku mund të kryente nevojat e tij personale. Fillimisht ai se kish kuptuar
këtë këmbëngulje të Xhekit sepse me mendjen e tij arsyetonte se ashtu si në
fshat ai mund ti kryente ku të donte, por Xheki i kish shpjeguar se tashmë
ishte në qytet dhe përderisa ne qentë nuk kemi një vend si njerëzit që kanë ËC,
atëherë ne duhet të zgjedhim një vend që bie më pak në sy se të tjerët. Balua e
kish pranuar në heshtje arsyetimin e Xhekit dhe qysh atëherë e kish bërë zakon
që ti kryente nevojat personale nën urë. Kur arriti nën urë ai e kuptoi se
vendi atje nuk mund quhej vend intim. një autobus kish ndalur buzë rrugës dhe
një turmë burrash dhe të rinjsh të veshur thjesht dhe me kostume zbrisnin të
gjithë grupe-grupe njëri pas tjetrit dhe përmirrnin poshtë urës. Balua u ndje
ngushtë, megjithatë vendosi dhe ai të përmirrte si të gjithë ata pasi
fundi-fundit çfarëdolloj gjëje që do thoshte Xheki, vendi njihej nga të gjithë
si WC e qenve. Kur ishte gati duke mbaruar, Balua ndjeu një godite të pabesë në
ije dhe një burrë të stërmadh që bërtiste “Shko mor qen i ndyrë. Përmjerr këtu
para syve tanë”. Balua u hodh tutke iu skërmit burrit dhe iu turr për ti dhënë
një të kafshuar të mirë që t mbante mend për gjithë jetën. Mirëpo burri i kish
marrë masat. Ai mbante në duar një copë hekuri që duhej ta kish gjetur aty pranë
dhe e vërviste në ajër. Baloja iu shmang dhe iku matanë pasi e dinte shumë mirë
nga eksperienca se nuk mund ta vinte dot me atë copë hekuri që burri e përdorte
me shkathtësi. Iku duke vrapuar drejt qendrës i revoltuar për njerëzit që
sulmonin me të kotë qenie paqësore si ai dhe i mërzitur për fjalët përçmuese i “qelbur”.
Kush, kush është i qelbur përsiaste gjithë tërbim , ne që kemi WC tonë dhe shkojmë
aty dhe i bëjmë nevojat personale apo ata që kanë gjithë atë administratë që i
qeveris, që ata e quajnë Bashki dhe s’ndërton asnjë WC publike për njerëzit?!
I pashpirti
Baloja mund të kishte rreth një orë që po flinte
kur papritmas e zgjuan disa zhurma të forta dhe të thirrura. I trembur hapi sytë
dhe pa rreth e rrotull. Nga barangat përballë pa një burrë të shëndoshë ,barkmadh
të zeshkët që ai e kish parë disa herë të rrinte në një kafene tek lagjja ku
pinte raki, hante qofte dhe këndonte më të zvargur melodi të trishta. Burri
kish mbërthyer mes këmbëve të veta dy fëmijë
të vegjël që i qëllonte me pëllëmba dhe u bërtiste: Qen, trego gjithë lekët ku
i keni fshehur. Unë ju mbaj , ju vesh dhe ju të më fshini lekët mor qenër, qenër
të pabesë. Fëmijët përpiqeshin të shpëtonin dhe mes ngashërimeve belbëzonin: Babi,babi po s’kemi më lekë. Ti dhamë
të gjitha, por burri s’pushonte së qëlluari e së shari.
Baloja turfulloi, tundi kokën me zemërim i mërzitur
sërish për krahasimin. Iu kujtua se i ati i tij nuk sillej kështu me të. Përkundrazi
në ato vite të vështira që mungonte mishi, i ati i tij bënte si bënte dhe i
gjente nja dy kocka, i lëpinte njëherë a dy dhe pastaj ua jepte fëmijëve. Baloja
pa sërish matanë rrugës ku fëmijët e vegjël po qanin ndanë rrugës kurse babai i
tyre me lekët që kish marrë qe drejtuar drejt kafenesë. Ç’dreq ka ai që më përdhos
kujtimin e babait-tha Baloja dhe u betua se po ta gjente gjëkundi përpara tij
do t’i ngulte ndonjë dhëmb.
Romët
Duke mos e kuptuar aspak dilemën e njerëzve për kapërcimin e rrugës, baloja vendosi të ulej në bar dhe të sodiste bregun përballë. Matanë ishin disa magazina të rrënuara dhe të mbështjella me kartoserë që Balos i kujtonin stallat e vjetra të kooperativës në fshat. Mes tyre dukeshin fëmijë të vegjël, gjysëm lakuriq që luanin në një pellg me ujë të ndotur. Ç’të jenë vallë këta pyeti veten Baloja dhe u ngrit me të dy këmbët e para për të parë më mirë. Papritmas pamjen ia ndërprenë një pelë dhe një mëz i vogël që dolën nga barangat, kapërcyen rrugën dhe filluan të kullosin në barin buzë lumit. Baloja u përlot, iu kujtua koha në fshat ku në livadhet e gjera e shikonte shpesh këtë skenë idilike që dhe njerëzit mesa kish parë e kishin qejf sepse e mbanin nëpër posterat dhe kalendarë si pamje të preferuar, por panja e pallateve buzë rrugës e solli me këmbë në tokë dhe e kuptoi që ishin në qytet. Qenkemi në qytet përsiati Baloja por ata njerëz që rrojnë mes barangash dhe në mizerje ç’të jenë vallë? Dilemën ia hoqën dy njerëz të veshur shik që po bisedonin pak më tutje buzë trotuarit.
-Jetë qeni, të merremi tërë kohën me romët dhe tregoi me dorë matanë ku ishin njerëzit që rronin në mjerim
- Money do not have colour –ia ktheu tjetri dhe i nënqeshi nën buzë. Sot është dita ndërkombëtare e tyre dhe nga Bashkimi Evropian kemi përftuar një fond të madh. E ke parasysh, disa tryeza të rrumbullakëta, një aktivitet muzikor për trashëgiminë e tyre kulturore dhe jemi në rregull. Ah se harrova , sot je në televizion të flasësh për ta. Duhet regjistruar emisioni dhe ta dërgojmë në Bruksel që të shikojnë se çfarë NGO serioze jemi.
-Ok, ia bëri tjetri me kokë.
Qenkan romë ata njerëzit mes barangave tha Baloja me vete dhe iu kujtuan se kur lëviznin fshatrave ata hapnin një lloj panairi ku merrnin pjesë i madh dhe i vogël. Edhe pse vazhdimisht shisnin mallra, romët paskëshin mbetur të varfër. Edhe unë tha Baloja kam mbetur i varfër dhe jam në mëshirë të klientëve të picerive që lënë ndonjë copë pice pa ngrënë dhe të zonjave bujare me “Gucci” dhe “Versage” që lënë rrugëve ndonjë qese të shijshme me plehra. Baloja hodhi sytë prapë nga dy burrat që po hipnin në një Jeep Cheroke dhe e kuptoi që ata ishin të pasur. Kur qenkan të pasur –mendoi Baloja, ç’dreq kanë që e krahasojnë jetën e tyre me timen??!! I erdhi inat që bënin krahasime të pavenda dhe zhyti kokën mes këmbëve të merrte një sy gjumë.
Kapërcimi i rrugës
Pas ushqimit të mirë e të këndshëm që me aq bujari zonja me Gucci dhe Versage i kish dhuruar, Baloja vendosi të bënte një shëtitje për të tretur ushqimin dhe për të çmpirë këmbët. Pa njëherë rreth e rrotull për të vendosur se në drejtim të shkonte, dhe e kuptoi se lagjja e re nuk i afronte shumë gjëra. I gjithë vendi ishte i betonuar dhe i kthyer në një parking ku mezi dalloheshin ca vazo me lule që Baloja kish dëgjuar ca njerëz me kravata dhe dosje që inspektonin lagjen herë pas here ta quanin gjelbërim. Baloja në fakt i kujtohej se kur kish parë rreshqithtasi nga xhamat e një shtëpie në televizor qytetet të tjera, ato ishin plot me parqe dhe jo si kjo lagje ku parkingjet nëntokësore ishin ngritur si bunkerë. Iu duk shumë mërzitshëm të kulloste sytë mes asaj ngjyre gri ndaj vendosi të kapërcente rrugën për të shkuar buzë lumit të vogël që përshkonte qytetin mes për mes e ku kishte pak gjelbërim. Mirëpo s’ishte dhe aq e lehtë! Sa Baloja u gjend buzë rrugës dhe kërkonte që të kalonte rruga që ishte njëkalimshe por me makina që vinin nga dy drejtime të kundërta, ajo mbushej plot me makina që i ngisnin shoferë që të kalonin si të marrë tek këmbët. “Hej dreq” ofshau Baloja, s’qenka punë kjo! Pastaj papritur iu kujtua se njerëzit prisnin sa të ndizej një dritë jeshile tek ai hekuri i gjatë që ishte ndanë rrugës, pa kalonin. Hodhi sytë me shpresë nga hekuri që kish dëgjuar nga njerëzit të quhej semafor por pa rezultat. Semafori as që punonte fare në një rrugë të tillë. Iu zgjua instinkti i trimërisë dhe vendosi të kalonte. Mati sërish me sy makinat dhe u lëshua. Mirëpo i kish bërë llogaritë gabim. Sa ishte në mes të rrugës një makinë iu gjend te këmbët dhe Baloja të mos kish pasur katër këmbë do qe rrëzuar dhe makina do e kish shtypur. Mezi u mbajt, iu shmang makinës së parë dhe po kështu dhe tjetrës dhe doli matanë. U afrua tek bari i gjelbër buzë lumit dhe pak i frikësuar dhe pak i trullosur filloi të mendonte “mirë unë që kam katër këmbë dhe arrij ta mbaj ekuilibrin po njerëzit që kanë dy këmbë dhe u duhet ta kalojnë përditë këtë rrugë si ia bëjnë vallë?
Baloja
Baloja doli nga rrugicat e vjetra të qytetit të
shtruara me pllaka dhe gjithë pastërti dhe rrëshqiti ngadalë ngadalë drejt
rrugëve me asfalt. U afrua te k pallatet moderne dhe të reja që kishin një
dekadë që ishin ndërtuar dhe hyri në mes të makinave luksoze që kishin parkuar
ndanë tyre. Në vështrimin e tij papritur u përvijua silueta elegante e një
gruaje që mbante në dorë një çantë lëkure që ai e kish parë të kishte te qendra
e madhe tregtare ku njerëzit shikonin, stepeshin dhe largoheshin çuditërisht pa
blerë gjë. Aty ai kish dëgjuar se ai vend quhej Gucci. Zonja me rrobat gjithë shik dhe elegancë që Baloja i njihte
mirë pasi ishte i sigurtë që ajo duhet ti kish marrë në dyqanin ngjitur, që
njerëzit e thërrisnin “Versage”, para se të hynte në makinë la jashtë me kujdes
një qese me plehra të shijshme. Baloja nuk u besoi syve kur pa këtë gjest kaq
bujar dhe fisnik nga ana e zonjës. E zhyti kokën mes qeses dhe filloi të
përtypte ngadalë ngadalë gjithë kënaqësi kockat e mishit dhe mbeturinat e tjera
që u përhapën gjithandej nëpër asfalt. Duke ngrënë , Baloja meditonte : Sa
njerëz të mirë e të kulturuar janë këta të veshur me Gucci dhe Versage! Janë
aq të mirë sa mendojnë dhe për ne qentë!
1 comment:
Gjetje e bukur... të marrësh me ironi dhe të fshikullosh me sarkazëm, duke parë me sytë e një qeni, kafshërinë e njerëzve.
Post a Comment