Nuk e di pse, sa herë që dëgjoj emërtimin bastion
në shqip, gjithmonë në mënyrë të pavetëdijshme më vjen ndërmend dhe emërtimi Bastijë,emërtim
që më kujton kështjellën e famshme në qendër të Parisit, rënia e së cilës në 14
korrik 1789 shënon dhe fillimin e Revolucionit Francez. Natyrisht që me një
vështrim të parë rreth kontekstit nuk është e vështirë të kuptosh se këto dy
fjalë pothuajse homonimike në shqiptim por jo në të shkruar nuk kanë ndonjë gjë
të përbashkët, por konteksti sociologjik që i ka afruar politika shqiptare në
këto njëzet vjet shoqërisë shqiptare i bën ato të dyja për fat të keq jo vetëm
homonime në të shqiptuar por dhe në kuptim.
Burgu i Bastijës ishte i njohur në Francën e para
revolucionit si vendi simbol i pushtetit dhe sundimit të plotë monarkik, çka i jepte një
rëndësi të veçantë jo vetëm në fjalorin politik të kohës por dhe në ndërgjegjen
e ndrydhur të nënshtetasve francezë pasi termi qytetar nuk kish lindur akoma në
atë kohë. Ndaj dhe rënia dhe marrja e saj shërbyen si shkëndija për të ndezur
një zjarr më të madh të revoltës popullore, pasi në këtë mënyrë u vra frika dhe
nënshtetasit e përulur të monarkisë franceze u shndërruan në qytetarë të
Revolucionit Francez. Krejt i kundërt është krijimi i emërtimit bastion në
fjalorin politik të kohërave tona moderne. Ai ka lindur më vonë pas zhvillimit
të demokracisë së drejtë për së drejtë nëpërmjet votimeve e të lira, dhe
fillimit të korruptimit të alternativave partiake, ku nëpërmjet sistemit të
vjetër të klientelës politike, zonave të veçanta iu premtohej më tepër favore
politike në shkëmbim të mbështetjes së pakufishme të tyre në votime. Si fenomen
i shfaqur pas përmirësimit të sistemeve zgjedhore që zë fill pas revolucioneve
industriale në Evropë, ai në fakt nuk shërbeu për të rritur më mirë nivelin e përfaqësimit
të zgjedhësve , por në të kundërt shërbeu për të krijuar një fenomen të ri të
demokracive në zhvillim-verbërinë politike aq të dëmshme për artikulimin dhe
legjitimitetin e alternativave partiake.
Raporti i vendosur mes zgjedhësve dhe përfaqësuesve
të vet politikë në këtë rast vendosej jo nëpërmjet parimit demokratik të
llogari dhënies nga ana e përfaqësuesve politikë ndaj zgjedhësve të tyre por nëpërmjet një besueshmërie të pafund nga ana e
bastioneve politike dhe kinse privilegjeve të veçanta që ato përfitonin nga
klasa politike. Ndodhte dhe vazhdon të ndodhë që zgjedhësit të jenë të zhgënjyer
nga përfaqësuesit e vet, por kur marrëdhëniet e tyre reflektonin ato të një
bastioni-klasë politike ishte dhe vazhdon të jetë e vështirë që zgjedhësit të
kërkojnë llogari për mosmbatjen e premtimeve. Në demokracitë e konsiliduara në
Perëndim, ky fenomen sa vjen e ngushtohet pasi nocioni politik “qytetar” i
lindur që në Revolucionin Francez sa ka ardhur dhe është përmirësuar, ashtu si
është përmirësuar dhe sistemi partiak me Partitë politike catch for all, të cilat i largohen ideologjisë dhe mundohen të
përfaqësojnë një shtresë më të gjerë qytetarësh sesa zgjedhësit e vet
tradicionalë.
Për fat të keq në Shqipëri, edhe pas njëzet
vjetësh vazhdon që sistemi elektoral dhe ai partiak të reflektojë frymën e
vjetër të bastioneve. Partitë politike kanë ndërtuar kështjellat- Bastijë të
obskurantizmit të tyre militant gjithandej nëpër Shqipëri, duke e ndarë vendin
në parcela partiake. Kjo frymë partiake dhe dëmshme për shoqërinë është e
ndjeshme si perceptim negativ sidomos në zgjedhjet, qoftë në ato të
përgjithshme në të cilat qytetari zgjedh ekzekutivin që do ta qeverisë katër
vjet apo dhe ato lokale ku qytetarëve u duhet të votojnë për alternativën më të
mirë qeverisëse, pasi autoriteti i zgjedhur i komunës apo bashkisë do të ketë
influencë të drejtë për së drejtë në jetën e tij të përditshme. Por ashtu si ka
ndodhur rëndom qytetarët shqiptarë pothuajse në të gjitha zgjedhjet vazhdojnë
të votojnë sipas tendencës së vjetër të bastioneve duke reflektuar frymën e
vjetër të alternativave partiake. Kjo është një nga arsyet që në Shqipëri gjen
shumë probleme në qeverisjen qendrore apo komuna dhe bashki të keqqeverisura
pasi zgjedhësit e tyre nuk arrijnë dot të kapërcejnë me hapin e madh, hendekun
që i ndan nga nënshtetas të zakonshëm drejt qytetarit racional që di të zgjedhë
të ardhmen e vet.
Zgjedhjet e ardhshme janë një shans i mirë që
qytetarët shqiptarë të fillojnë të shkatërrojnë “Bastijat” e tyre të
autoritarizmit të alternativave të besnikërive partiake dhe të fillojnë një
epokë të re të së mbrujturit të tyre si qytetarë aktivë të një demokracie në
vazhdim. Në këtë mënyrë ata jo vetëm që do i afrojnë vetvetes një alternativë
të mirë qeverisëse por do ti shërbejnë dhe forcimit të demokracisë vendore në
vend duke mos u dhënë mundësi partive politike që të aplikojnë fenomenin e
shëmtuar të klientelave politike dhe duke u shtuar atyre si vlerë, atë të inicimit
të vlerave humane të meritokracisë dhe qeverisjes së mirë.
Gazeta Shqip 22.03.2012
No comments:
Post a Comment