Javët e para të tetorit filluan duke komentuar
mundësitë e një konsensusi politik midis dy palëve dhe u mbyll me një seancë
parlamenti para përgjigjes të Komisionit për statusin e Shqipërisë, ku ky
konsensus dështoi. Për të folur me tema më konkretë Partia Socialiste nëpërmjet
kryetarit të vet ka propozuar një pakt politik
prej 10 pikash që e quan Pakti i Integrimit të vendit dhe pret që
qeveria e Integrimit ta miratojë pikë për pikë që vendi ti hapet perspektiva e
integrimit. Si mund të vërehet lehtë dhe nga pikëpamja e semantikës, togfjalëshat
fillojnë dhe ngatërrohen dhe vërviten rreth Integrimit përpara se mesazhi të jetë i qartë për
politikanët dhe për masat më të gjera. Mirëpo ky realitet nëse është i
ngatërruar nga pikëpamja e semantikës është shumë qartë i dukshëm për lojën
politike që në vetvete mbart. Që nga zgjedhjet e vitit 2009, kur u bë i qartë
se pavarësisht disa ndryshimeve kushtetuese, sërish disa ligje kishin nevojë
për një shumicë të cilësuar të përbërë nga tre të pestat për tu miratuar në
parlament, opinioni publik ka qenë dëshmitar i një loje elektorale në fillim
apo dhe në fund të legjislaturave, ku shumica ka futur në rendin e ditës këto
ligje për tu miratuar dhe opozita duke qenë gjithmonë vigjilente ka deklaruar
se nuk do ti votojë. Pastaj ka pasur deklarata të forta nga të dy grupet
parlamentarë në të cilat si zakonisht në kontekstin e shoqërive shqiptare,
“faji mbetet jetim”, dhe akoma dhe më keq situata ka agravuar në sharje dhe
fyerje të ndërsjella duke tensionuar më shumë klimën politike në vend.
Ky film me ngjyra, zë dhe figurë që opinioni
publik po e sheh pothuajse gjithmonë në prag të dhënieve të opinionit të
komisionit Evropian për statusin kandidat të Shqipërisë, i ka lodhur strukturat
administrative ndërkombëtare që merren
me Shqipërinë por dhe ka krijuar një klimë mosbesimi brenda vetë popullsisë
shqiptare përsa i përket arritjes së një marrëveshje politike mes palëve. Ajo që
me të vërtetë duhet të na shqetësojë në këtë lodhje të tyre ndaj nesh nuk duhet
të jetë ndonjë shpresë e vakët se për hir të mosmarrjes më me ne do të ketë
ndonjë “dhuratë” statusi sepse kështu ndoshta e kanë marrë dhe të tjerët, por
si mendojmë ne se do të zgjidhim nga mënyra politike dhe administrative ngecjen
në vend në procesin e integrimit. Se ku të çojnë statuset e pamerituara dhe të
dhëna sa për inkurajim e tregon rasti i Greqisë që ndoshta ia doli mbanë për
një periudhë kohe të hyjë në klubin e eurozonës dhe të quhet një shtet
prestigjioz në arenën ndërkombëtare përsa i përket reputacionit të vet
financiar, por tashmë po poshtërohet përditë në një krizë që e ka kapluar të
tërën dhe që është bërë shpesh herë dhe objekt talljeje dhe cinizmi nga aleatët
e vet të eurozonës. Ndaj kandili i shpresës së vakët për të përftuar një status
me reforma mballomë duke votuar vetëm ligje me tre të pestat por duke mos
ndryshuar mentalitet përsa i përket zgjidhjes së problemit të ngecjes në vend
të reformave duhet të fiket sepse në të ardhmen s’do të jetë në gjendje që të
lëshojë qoftë dhe një shkëndijë drite në qiellin e jetës dhe politikës sociale
shqiptare.
Po kështu duhet të fillojë të ndryshojë dhe
deontologjia i konceptit konsensus duke
mos u përqendruar më tek fjala “jap” por duke u fokusuar tek folja lëshoj. Të
hysh në një marrëdhënie konsensusi midis dy palëve do të thotë që të jesh gati
të lëshosh dhe të ndryshosh disa nga qëndrimet e mëparshme për hir të interesit
të përgjithshëm e publik. Po çfarë është gati të ndryshojë nga kërkesat veta Partia Socialiste? Po ajo Demokratike çfarë
është gati të ndryshojë nga pikat që i quan të panegociueshme? Këtu filli i
problemit shqiptar fillon dhe ngatërrohet dhe nga një lojë e ndershme politike
kthehet në një teatër kukullash ku personazhet e mirë dhe të këqij ngatërrohen
me njëri-tjetrin dhe pothuajse në të gjitha raste ngjallin simpati. Mirëpo nëse
integrimi vazhdon të mbetet paradigma kryesore e teorisë së tyre politike, të
dyja palët ka ardhur koha që të adaptojnë atë dhe në marrëdhëniet midis tyre
ose të kenë kurajën dhe të shpallin një agjendë tjetër të zhvillimit ekonomik,
politik dhe kulturor të Shqipërisë. Bota evropiane që mbart në vetvete dhe
trashëgiminë e demokracisë antike greke e ka dialogun dhe konsensusin pjesë
integrale të kulturës së vet demokratike prandaj është e patolerueshme që vendi
ka ngecur institucionalisht sepse nuk është në gjendje të ketë një dialog të
shëndoshë politik në vend. “Gur, gur bëhet mur” ishte përgjigja e një pyetje që
një nga ambasadorët e huaj bëri kur u pyet se çmendonte rreth dialogut politik
që duhet të fillonte në bazë të paktit të propozuar. Më hapur , më bukur dhe më
shqip nuk ka se ku të shkojë. Të shpresojmë se vjeshta e lagësht është i përshtatshme
për metaforat e ndërtimeve konstruktive në politikën shqiptare.
No comments:
Post a Comment