Pritshmëria dhe e ardhmja janë dy nga vlerat
morale më fisnike të njeriut. Në emër të tyre breza të tërë kanë vepruar dhe
kanë ushqyer shpresa se e ardhmja që do vinte, do të ishte më e bukur dhe më e
mirë se e tanishmja që jetonin. Në përvijimin e tyre ka pasur vizione të
ndryshme duke filluar që nga ai fetar, shpirtëror, gjeografik, historik, iluminist
e duke përfunduar te vizionet shkatërrimtare, nihiliste dhe të pashpresa.
Shkurt në këto dy vlera që kanë qenë në korrelacion të ngushtë me njëra
–tjetrën është pasqyruar i gjithë shpirti njerëzor. Por në këtë korrelacion të
ngushtë me njëra-tjetrën ka pasur dhe vazhdon të ketë jo vetëm barazi vlerash
si mund të duket në pamje të parë por dhe hierarki vlerash që janë përcaktuar
nga vetë njerëzit. Kështu p.sh. pritshmëria ka qenë më tepër në funksion të së
ardhmes. Në të gjitha vizionet që ka përvijuar shpirti njerëzor për të arritur
të ardhmen duhet një periudhë kohe pritshmërie, e cila shpesh herë ka vlejtur
dhe si periudhë pritje ku është maturuar koha që e ardhmja të triumfojë. Ky
tipar është më i dukshëm dhe më i prekshëm për shoqërinë njerëzore në botën shpirtërore që përfaqësohet nga besimet fetare
dhe në realitetin e përditshme të ndërtimit të marrëdhënieve mes njerëzve që përfaqësohet
nga politika.
Të gjitha besimet fetare pa përjashtim predikojnë
se jeta e përditshme natyrale në tokë që jetojnë njerëzit, në fakt është një
periudhë pritje, pasi jeta e vërtetë fillon atëherë kur vdesim dhe shpirti
njerëzor shkon në parajsë. Edhe pse shpërblimi në fakt është kaq i madh dhe i
lavdishëm duke pasur parasysh përshkrimin e parajsës në të gjitha librat e
shenjtë , kjo gjë nuk i ka penguar njerëzit që të jenë mëkatarë. Shoqëria e
përsosur , ajo që pretendohet të ndërtohet nëse zbatohen parimet dhe ligjet të
përshkruara në librat e shenjtë vazhdon të jetë një utopi. Madje dhe kur është
pretenduar nga njerëz të ndryshëm që e kanë ndërtuar këto shoqëri, ato në fakt
kanë degjeneruar në sisteme teokratike që më shumë sesa shikonin mirëqenien e
përgjithshme të popullsisë ishin mbrojtëse të interesave të një kaste të
caktuar të përfaqësuar nga sundimtarët despotë dhe klasa e priftërinjve që u
shërbenin atyre. Shembuj të tillë në historinë botërore mund të gjenden në
regjimet faranoike të Egjiptit të lashtë , Indisë apo dhe Kinës ku sipas iluministëve francezë të
shekullit të XVII që analizonin qytetërimet, tipari teokratik i tyre kish
shërbyer për të përjetësuar palëvizshmërinë e tyre përkundrejt ndryshimeve, gjë
e cila i kish lënë mbrapa krahasimisht me Evropën që përfaqësohej nga një
larshmëri formash qeverisjesh si monarki absolute,monarki kushtetuese,
republikë , qytet-shtet në të cilat njerëzit përfaqësoheshin më mirë dhe
rrjedhimisht ishin më të hapur ndaj ideve të reja.
Edhe politika ashtu si besimet fetare duke qenë
një nga “zanatet” e para të njerëzimit sëbashku me besimin fetar e ka ndërtuar
paradigmën e vet në besimin e ndryshimeve për një të ardhme më të mirë. Vetëm se
në dallim nga besimi fetar, politika është ndarë në dy lloje përsa i përket
pritshmërisë dhe së ardhmes. Njëra politikë, ajo që është serioze duke
analizuar kushtet historiko-shoqërore të një vendi nuk bën premtime të
parealizueshme për të ardhmen, por i drejtohet drejtë për së drejti elektoratit
duke i kërkuar mbështetje për reformat , kohë që shërben si periudhë
pritshmërie për të pasur rezultat në të ardhmen. Politika të tilla ishin ato të
pasluftës së dytë botërore në Gjermani ku një brezi iu desh të sakrifikonte për
të realizuar mrekullinë gjermane të viteve 60’-70’. Politika tjetër, është ajo
populiste që bën premtime të pa principta për të marrë vota vazhdimisht dhe që
periudhën e pritjes e eliminon nga zhargoni i vet politik dhe në vend të saj
përshkruan vetëm të ardhmen duke “shitur” çfarëdolloj suksesi që arrin në
qeverisje si vektor të së ardhmes dhe jo si një përmbushje e të drejtave
legjitime të qytetarëve që i kanë votuar vazhdimisht. Për fat të keq ky është
modeli që ka nxjerrë kokën shumë herë në politikën shqiptare gjatë tranzicionit. Të
gjithëve na kujtohen premtimet e gjithë klasës sonë politike përsa i përket të
ardhmes së Shqipërisë si vend anëtar në Bashkimin Evropian dhe kur nuk e kanë
realizuar këtë ëndërr të shqiptarëve ia kanë vënë fajin prapambetjes
historiko-shoqërore të vendit duke harruar se në fushatat elektorale nuk e kanë
përmendur atë pothuajse asnjëherë.
Të gjithë vizionet për të ardhmen në shoqërinë
njerëzore kanë përfunduar si shkalla e fundit e tyre finale në një vizion të
dominuar nga të mirat materiale. Le të jetë kjo dhe paradigma e së ardhmes së
politikës shqiptare pasi duke realizuar atë, realizon një nga objektivat finale
të integrimit por në të njëjtën kohë në
këtë vit që jemi shumë më afër Bashkimit Evropian pas liberalizimit të vizave
të paktën ajo duhet të jetë më i sinqertë dhe ta përgatisë elektoratin e vet jo
vetëm për të ardhmen por dhe për periudhën e pritshmërisë për të realizuar
reformat përfundimtare që do na çojnë drejt integrimit tonë të plotë.
No comments:
Post a Comment