Ali Pasha Tepelena përfaqëson pa dyshim një nga personalitetet më
karizmatike të epokës së vet pasi jo vetëm që qëndroi në pushtet për 30 vjet por që në gjallje të tij u bë aktor
dhe faktor i shumë zhvillimeve pan evropiane. Kjo përfshirje në këto zhvillime do ti jepte një shkëlqim
personalitetit të tij që në gjallje, shkëlqim që ishte në kontrast me kalbëzimin e përgjithshëm qeveritar
osman. Në fundin e shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX
pushteti qendror otoman vazhdonte të reflektonte ende pasojat e krizës që e
kish kapluar që në shekullin e XVI[1]. Shkaqet dhe manifestimet e kalbëzimit e
saj ishin shpërbërja e
sistemit të veçantë administrativ shtetëror, demoralizimi i forcave të
armatosura dhe shfrytëzimi i pakujdesshëm i fshatarësisë[2]
Viti 1789 është një vit emblematik për Evropën dhe shënon lindjen dhe
konceptimin e ideve të reja për shtetin kombëtar. Revolucioni francez përveç
përmbysjes së madhe të shkaktuar në rendin shoqëror ngjiz dhe idealet e
nacionalizmit. Shumë shpejt me implikimin
e Francës në teatrin e Lindjes së Afërme, me traktatin e Kampo Formios në 1797 ku Franca anekson Ishujt
Jonianë[3], këto ide fillojnë të infiltrojnë dhe në Ballkan. Infiltrimi i
këtyre ideve korrespondon me periudhën
kur këto territore marrin një rëndësi jetësore për shtetet evropiane në
zgjerim.[4]
Kjo përputhje e ngjizjes së nacionalizmit në popujt e Ballkanit me
politikën ekspansioniste të fuqive të mëdha kundrejt Perandorisë Otomane krijoi
sfondin e duhur politiko-shoqëror të tre ngjarjeve të rëndësishme në Ballkan:
Kryengritjeve serbe 1804-1815, shpërthimit të revolucionit grek në 25 mars 1821
dhe rebelimit të Ali Pashë Tepelenës më 1820. Të tri ngjarjet reflektojnë
përpjekjet e para proto-nacionaliste në Ballkan por ndërsa dy ngjarjet e para trajtohen
hollësisht në çdo libër historie rreth Ballkanit[5], rebelimi i Ali Pashë
Tepelenës trajtohet gjithmonë shkarazi si shembull i decentralizimit të
regjimit osman.[6]
Përshkrimi i kësaj ngjarje historike në këtë
lloj mënyre të jep përshtypjen se nëse nuk do të kishte një provokim nga
pushteti qendror siç ishte ai i heqjes së sanxhaqeve, nuk do të kishte ndodhur
kurrë rebelimi i Ali Pashë Tepelenës. Atëherë natyrshëm vjen pyetja. A ishte
aksidental rebelimi i tij apo qe fryt i një rruge të gjatë? A kish dashur Ali
Pashë Tepelena mëvetësi nga pushteti qendror,apo proklamata shpallur më 23 maj
1820 se në rast fitoreje do të krijonte një shtet monarkik konstitucional
shqiptar të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të
cilit do të vihej vetë[7] ishte një barkë shpëtimi për ti shpëtuar mbytjes së
pashpresë nën detin e hordhive osmane?Me fjalë të tjera a kishin gjetur strehë
te Ali pashë Tepelena mendimi i pavarësisë dhe nëse është kështu thirrja e tij
a kish një audiencë që ta pranonte këtë koncept apo thjesht në një moment
dëshpërimi ishte një përpjekje për të destabilizuar perandorinë?
Pikë së pari duhet sqaruar se termi “konstitucional” ishte një term
shumë i vagullt për Aliun. Nuk është e qartë nëse ai e kuptonte mirë çfarë
ishte kushtetuta. Nga fundi i jetës së vet ai u premtoi popullsisë greke një
kushtetutë dhe për këtë iu drejtua Meternikut. Faktin që iu drejtua atij, i
cili ishte një nga qeveritarët evropianë që e vlerësonte më pak
konstitucionalizmin, të bën të mendosh se nuk e dinte por është e qartë se i
kuptonte implikimet simbolike.[8]
Por pikërisht tek ky implikim simbolik që Ali Pashë Tepelena u premtonte
shtetasve vet mund të shikohet një kapërcim i guximshëm nga mentaliteti i gjerë
perandorak i ndërtimit të shteteve që mbizotëronte në Evropën e para
revolucionit francez në variantin konstitucional që akoma skish filluar të
fitonte terren. Kjo lloj mënyre e të adaptuarit me konceptet e reja do të ishte
karakteristike për Aliun[9], dhe në këtë kontekst nuk ka pse vazhdimisht të
vihet në dyshim dëshira e tij për pavarësi edhe pse nuk ekzistonte asnjë model
i tillë në Ballkanin e asaj kohe.[10]
Një koncept i ri ishte natyrisht ndërtimi i shtetit komb nën idetë e
nacionalizmit i cili në Ballkan nuk erdhi si rezultat i industrializimit por si
rezultat i moszhvillimit ose
të modernizmit të pa
barabartë midis Ballkanit dhe krahinave të tjera të Perandorisë. Modernizimi i
pabarabartë midis këtyre pjesëve të Perandorisë ishte rezultat i prapambetjes
ekonomike të Perandorisë Otomane dhe afërsisë së Ballkanit me Perëndimin. Idetë
nacionaliste penetruan në fillim tek ato zona dhe grupe të cilat kishin kontakt
të ngushtë me Evropën Perëndimore ose Qendrore.[11]Zotërimet e Ali Pashë
Tepelenës bëjnë pjesë në këto territore pasi “Shqipëria ishte ndër gjithë
territoret e gjera e të panumërta të Perandorisë Otomane, ajo gëzonte një
raport të veçantë dhe më të ngushtë me Evropën Perëndimore”.[12] Kjo gjë i
dedikohej natyrisht afërsisë gjeografike, traditës së mercenarizmit së
shqiptarëve në mbretëritë evropiane si dhe kozmopolitizmit të qytetit të
Janinës, në të cilën qarkullonin vazhdimisht idetë e reja[13]. Intensifikimi i
marrëdhënieve të tij diplomatike në periudhën 1797-1811 shënon një kthesë
thelbësore në evolucionin që e çoi Aliun në shkëputjen nga Perandoria Osmane
dhe nga mekanizmat e tij të pushtetit, dhe bëri që ai t’i kthehej,sakaq, një
modeli më perëndimor të bazuar në parimet e statizmit dhe nacionalizmit[14].Vet
pashai ishte i ndikuar nga idetë e “reja” evropiane si shteti,demokracia ,
ateizmi dhe kushtetuta. Aliu ishte shumë i interesuar ndaj këtyre aspekteve të
kulturës evropiane dhe në një farë mënyre filloi ti japë vetes formë në
përputhje me to.[15]
Gjithsesi me gjithë këto zhvillime të furishme ideore, politike
ushtarake në afërsi ose në
territoret e tij nuk mund të flasim se Ali Pasha Tepelena përqafoi instrumentet
e nacionalizmit siç i shikojmë më vonë në themelimin e shteteve kombëtarë[16],
por mund të flasim për lindjen e një epoke protonacionaliste e cila lindi nën
ndikimin e një ndryshimi thelbësor
që pësoi territori i pronës
i private dhe shfrytëzimi i saj, në kalimin nga sistemi i timarit në atë të
çifligut, gjatë sundimit të tij
Me protonacionalizëm nënkuptojmë situatën e re sociale që krijohet me
zëvendësimin e kategorive të vjetra shoqërore me parime të reja organizimi shoqëror
dhe daljen në pah të treguesve tradicionalë të formimit të bashkësisë si gjuha,
etnia dhe besimi fetar.[17]Është pikërisht ky protonacionalizëm që mbart
popullsia që duke iu përshtatur zhvillimeve të ndryshme në rajon, me një
vetëdije të qartë për territorin ku banon, gjuhën që përdorë në varësi të
rrethanave dhe për ç’qëllime përdoret, dhe instrumentalizmit të besimit fetar
për të arritur synimet e veta, i cili vjen duke u fuqizuar nga 1791[18] kur ai
i drejtohet për herë të parë qeverisë ruse për ta ndihmuar për të shpallur
pavarësinë deri sa bëhet një nxitës në rebelimin e Ali Pashës ndaj Perandorisë
Otomane më 1820. Natyrisht protonacionalizmi nuk mund të cilësohet si filozofi
e qëndrueshme politike, pasi ai përfaqëson vetëm epoka të ndërmjetme shtetërore
në kalimin nga mentaliteti mesjetar i ndërtimit të shtetit në atë të shtetit
komb. Gjithsesi në rastin e
Ali Pashës mund të cilësohet si një lloj “sofistifikimi ideologjik”[19], i cili
i parashtron nevojën për avancimin e së drejtave mbi territorin dhe
nënshtetasve që banojnë në të.
Ali Pasha Tepelena i përkiste klasës së ajanëve myslimanë, pushteti i të cilëve
bazohej në mbrothësinë e tyre si pronarë tokash apo tregtie dhe marrëdhëniet e
veta me qeverinë qendrore[20].Në vitet e qeverisjes së tij ishte shumë evidente
dhe ngritja e shtresës së tregtarëve të krishterë. Ky realitet i ri u pasqyrua
dhe në një nga shtyllat e politikës së tij të brendshme, e cila ishte
mbështetja e tregtisë me vepra zhvillimi[21]. Tregtia me Evropën siguronte
shpërblime të barabarta për tregtarin e krishterë dhe ajanin mysliman. Ky i
fundit furnizonte produktet bujqësore dhe mbronte tregtarin. Të dy grupet donin
një sistem të lirë e të hapur tregtie brenda perandorisë dhe i kundërviheshin
kontrollit dhe rregullave të qeverisë[22].Pikërisht ky bashkëpunim midis ajanit
mysliman dhe tregtarit të krishterë ishte një nga shtyllat më të forta
shoqërore të shtetit të Aliut dhe dëshira për të zotëruar një territor ku të ushtronin aktivitetin e tyre
ekonomik dhe politik lirisht mund të ketë qenë një nga shtysat që Ali Pashë
Tepelena iu drejtua dy herë Rusisë më 1791 dhe 1820 për ta ndihmuar për të
shpallur pavarësinë[23]
Ndonëse të dy herët që Ali Pasha Tepelena iu drejtua Rusisë për ta ndihmuar
për të shpallur pavarësinë, situatat politike ishin të ndryshme të bie në se në
të dy rastet territori dhe fati i tij luan një rol të rëndësishëm në vendimet e
Ali Pashë Tepelenës. Herën e parë në qershor 1791 Perandoria Otomane ishte duke
humbur vazhdimisht në frontin rus dhe si rezultat i kësaj gjendje Ali Pasha
ishte i shqetësuar se çdo të bëhej me territoret e tij pas një tërheqje të
mundshme të osmanëve nga Ballkani[24], kurse herën e dytë ai e kish shpallur
rebelimin dhe ishte tashmë në konflikt të hapur me Perandorinë Otomane, sërish
pasi Porta e Lartë i cedonte disa territore.[25]
Sipas studiueses Flemming çështja e prejardhjes territoriale luante
të paktën në mënyrë indirekte, rolin e bashkuesit për grupimet e ndryshme
protonacioanaliste që vepronin në rajon, dhe përkatësia etnike përcaktohej
kryesisht jo nga biologjia, nga besimi fetar apo gjuha por nga gjeografia.
Prejardhja historiko-gjeografike luante rolin thelbësor në përcaktimin e
identitetit, si ai që secili i atribuonte vetvetes dhe që të tjerët i
atribuonin[26].Ali Pasha Tepelena ishte i ndërgjegjshëm për konceptin
gjeografik që përfshinte emrin Shqipëri. Sipas Likut ai e përshkruante atë si
një vend që mund të përshkohet me 200 orë rrugë në gjatësi në njërën gjysmë të
së cilës mbizotëron ndikimi i tij, ndërsa pjesa që mbetet është e ndarë në
mënyrë të barabartë ndërmjet Ibrahim Pashës së Beratit dhe Ibrahim Pashës së
Shkodrës.[27]
Gjuha ishte një faktor paksa më i vështirë për tu përcaktuar si një
mbartës i drejtë për së drejtë i këtij protonacionalizmi ndër shqiptarët. Kjo
jo për arsyen se kishte një turbullim linguistik në popullsinë shqiptare për të
përdorur shqipen, por se
përdorimi i greqishtes si gjuhë e oborrit të Ali Pashës shërbeu si pikë takimi
midis shumë grupimeve komunitare të kohës. Gjuha e Aliut ishte shqipja dhe
shumë dëshmitarë tregojnë se kur Aliu përdorte shqipen dhe turqishten për
korrespodencën e tij personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke
transkriptuar çdo lloj gjuhe që përdorte në alfabetin që njihte më
mirë[28].Gjithsesi ia vlen për të përmendur se ky faktor identiteti nuk
përcaktonte kategori të ndara qartë. Shpesh ajo mbivendosej mbi faktorë të
tjerë dhe ndryshonte paradoksialisht sipas rrethanave të çastit. Një shembull
në këtë drejtim është ai i popullsisë shqiptare të Sulit, të cilët
gërthisnin shqip sfidën
ndaj letrave kërcënuese që u dërgonte greqisht Ali Pasha.[29]Gjatë sundimit Ali
Pashë Tepelenës gjuha nuk kishte fituar akoma identitetin ndarës që e gjejmë
pas formimit të shteteve nacionalë në Ballkan.
Besimi fetar, ashtu si dhe në periudhat e mëvonshme të nacionalizmit nuk
ishte një mbartës i drejtë për së drejtë i këtij protonacionalizmi pasi
shqiptarët ndaheshin në tre besime fetare. Vetë Ali Pasha duket se ishte
bektashi.[30] Gjithsesi në kohën e tij akoma nuk kishte plasur armiqësia midis
bektashinjve që ishte sekti i urdhrit të jeniçerëve dhe pushtetit perandorak
qendror, pasi ai nuk do të mënonte ta përdorte këtë armiqësi në ballafaqimin e
tij final. Nga fundi i jetës së tij ai shpalli kalimin e tij në fenë e
krishterë një tentativë e dëshpëruar për të fituar simpatinë e revolucionarëve
grekë[31].Ky veprim nxjerr në pah jo vetëm karakterin jo besimtar të Aliut[32],
por dhe nuhatjen e hollë politike të tij porsa i përket marrëdhënieve të tij
politike me Fuqitë e Mëdha dhe atyre kulturore me Evropën. Në fillimet e
pushtetit të vet më 1791, atëherë kur ai i ishte drejtuar qeverisë ruse me një
propozim konkret për bashkëpunim të hapur që ai të shpallte pavarësinë, një nga
pikat mes disa të tjerave që Aliu kërkonte si garanci në shtetin e tij të
ardhshëm ishte dhe “ushtrimi i lirë i fesë nga myslimanët”[33], ndërsa tani më
1820 përqafonte një besim krejt të kundërt fetar nga që kish dashur të mbronte.
Siç shikohet ka një kapërcim të madh në qëndrimin e tij nga 1791 më 1820. Çfarë
ka ndodhur vallë?A ka ndryshuar botëkuptimi shpirtëror i Aliut, apo ky është
një hap pragmatist i tij për realizimin e synimeve të tij?
Përgjigja duhet kërkuar tek imazhi i simboleve evropiane që Aliu dëshironte
të përqafonte si në rastin e kushtetutës. A i ishte një mjeshtër në manipulimin
e faktorëve të shumtë e të kundërt,të brendshëm e të jashtëm dhe shfrytëzoi me
shkathtësi atë mori grupesh komunitare të popullsisë që sundonte, në përpjekjet
për të zgjeruar pushtetin e tij dhe për të afirmuar pavarësinë e vet nga
sulltani[34]. Ndërsa politika e tij pati sukses në fitimin e zemrave të
popullsisë jo shqiptare të pashallëkut të tij e shprehur kjo me fjalët e
iluministit grek Neofitos Dukas se Ali Pasha Tepelenën e “dërgoi Zoti që të
edukojë të këqijtë dhe të nderojë të mirët, të pakësojë të këqijat dhe të rrisë
të mirat”[35]nuk mund të themi se ky imazh pozitiv gjeti dhe mbështetjen e
duhur diplomatike nga qarqet evropiane në çastet e rebelimit të tij. Kjo
mungesë mbështetje luajti një rol jo pak të parëndësishëm në shtypjen e
rebelimit të tij. Edhe pse Ali Pasha nuk ushqente iluzione të mëdha tek kjo
ndihmë, në çastin final ai u kërkoi britanikëve dhe rusëve si dy fuqitë më të
interesuara në rajon ta
mbështesnin në aksionin e tij.[36]Kjo mbështetje iu mohua dhe arsyet përveç
atyre diplomatike që mund të lidheshin me Çështjen Lindore dhe mos ndarjen e
Perandorisë ishin dhe më të thella.
Që në gjallje të tij Ali Pashë Tepelena u pa si një “despot oriental”tipik
nga udhëtarët evropianë qofshin turistë kulturorë apo dhe përfaqësues
diplomatikë. Rrjedhimisht si i tillë nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit
që ishte shumë prezent në atë kohë dhe në kundërshtim me çfarë shprehte
popullsia greke, ai konsiderohej si dhunues e shtypës të asaj ç’kishë mbetur
nga Greqia e Lashtë[37].Natyrisht këto sentimente melodramatike shërbenin dhe
si një mbulojë për të mbuluar frikën që shkaktonte kontrolli vërtet i frikshëm i Aliut mbi Greqinë
kontinentale, Adriatikun dhe Egjeun[38].Ky kontroll strategjik bëhej akoma dhe
më i padëshirueshëm nga Fuqitë e Mëdha nëse krijohej shteti i pavarur i Ali
Pashë Tepelenës, i cili sipas të gjitha gjasave ashtu si pashallëku i Janinës
do të dominohej nga elita fisnike dhe ushtarake shqiptare[39]. Nga gjiri i
kësaj elitë fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë e trima
osmanë. Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte
qenë një element force në perandori[40].Ndaj të gjitha Fuqitë e Mëdha që Aliu
hyri në marrëdhënie diplomatike u përpoqën ta përdornin në kundërshtitë që
kishin me njëra-tjetrën në rajon, por kurrë nuk i dhanë mbështetjen e duhur
diplomatike për të shpallur pavarësinë.
Epoka protonacionaliste që lindi gjatë sundimit të Ali Pashës ndërtoi
kolonat e formimit të identitetit të popullsisë së pashallëkut të tij, e cila
sipas territorit, preferencave gjuhësore dhe atyre të besimit fetar u nda në shqiptarë
dhe grekë. Rebelimi i tij edhe pse nuk mori ngjyresat e forta të një revolte të
mirëfilltë nacionaliste ndihmoi shumë në krijimin e identitetit kolektiv
kundërshtues ndaj Perandorisë që shqiptarët adoptuan në vitet e mëvonshme. Në
këtë sens nuk mund të thuhet se kjo popullsi iu përgjigj dhe e kuptoi tërësisht
mesazhin nacionalist që Ali Pasha Tepelena i drejtoi kur u rebelua ndaj
pushtetit qendror, por nuk mund të lihet pa përmendur se në këtë kundërvënie
ajo shumë shpejt gjeti orientimin e vet nacionalist. Rebelimi i tij
shënon kundërvënien e parë
serioze të një pushteti lokal mysliman shqiptar me pushtetin qendror perandorak
osman dhe si e tillë përbën një rast të veçantë studimi dhe meriton vëmendjen e
duhur të historiografisë evropiane.
Bibliografi:
1- Charles&Barbara
Jelavich.: “Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920”.
Dituria.Tiranë:2004
2- Georgiu
A. Sioroka. “Përse nuk dëshironte shtetin e vet të pavarur.” Istorika Athinë
Elefterotypia:15 Mars 2001
3- Gjeorgjiu
Papagjeorgjiu. “ Ali Pasha-një drejtues ottoman me mentalitet evropian”
Elefterotypia:15 Mars 2001
4- “Historia
e Popullit shqiptar” Toena:2002
5- Henry
Baerlein. “Sourthen Albania : Under the Acroceraunian Mountains .” Chicago
:1968
6- Ilir
Ushtulenca. “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës.” 8 Nëntori Tiranë:1986
7- Katherine
Flemming. “Bonaparti Mysliman”. Dituria Tiranë:2002
8- L.S.Stavrianos.
“The Balkans since 1453”.C.Hurst&
Co Ltd. London 2002,Third impression
9- Misha
Gleni. “ Historia e Ballkanit 1804-1999”. Toena Tiranë :2007
10- Nikos Bardhiabasis. “Antiprologu” Istorika Athinë Elefterotypia:15 Mars
2001.
11- Neophytos G. Loizides. “Religion and Nationalism in the Balkans”.
Harvard University : 2000February 11
William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni.
Tiranë:2008
[1] Shih për më tepër L.S.Stavrianos. The Balkans since 1453.C.Hurst& Co Ltd. London
2002,Third impression
[2] L.S.Stavrianos. The Balkans since 1453.C.Hurst&
Co Ltd. London 2002,Third impression faqe 215
[3] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të
Ballkanit,1804-1920. Dituria.Tiranë:2004faqe 30
[4] Po aty, faqe 30
[5] Për më tepër shih L.S.Stavrianos. The Balkans since 1453.C.Hurst& Co Ltd. London 2002,
Third impression, Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare
të Ballkanit, 1804-1920. Dituria.Tiranë:2004, Misha Gleni. Historia e Ballkanit
1804-1999. Toena: Tiranë 2007
[6] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002,faqe 33
[7] Historia e Popullit shqiptar I. Toena:2002, faqe 665
[8] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002,faqe 162
[9] Po aty, faqe 162
[10] Shih për më tepër Georgiu A. Sioroka. Përse nuk dëshironte shtetin e
vet të pavarur. Istorika Athinë Elefterotypia:15 Mars 2001,faqe 20
[11] Neophytos G. Loizides. Religion and Nationalism in the Balkans.
Harvard University , February 11:2000,faqe 3
[12] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002,faqe 216
[13] Po aty, faqe 216
[14] Po aty 161
[15] Po aty,faqe 214
[16] Po aty faqe 214
[17] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002, faqe 78
[18] Historia e Popullit shqiptar I. Toena:2002, faqe 641
[19] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002, faqe 215
[20] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të
Ballkanit,1804-1920. Dituria.Tiranë:2004, faqe 22
[21] Nikos Bardhiabasis. “Antiprologu” Istorika Athinë Elefterotypia:15
Mars 2001.faqe 5
[22] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të
Ballkanit,1804-1920. Dituria.Tiranë:2004, faqe 22
[23] Nikos Bardhiabasis. “Antiprologu” Istorika Athinë Elefterotypia:15
Mars 2001.faqe 5
[24] Historia e Popullit shqiptar I. Toena:2002 faqe 641
[25] Po aty. faqe 664
[26] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002,faqe 85
[27] William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni.
Tiranë:2008,faqe 57
[28] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman.Tiranë. Dituria:2002, faqe
88-89
[29] Henry Baerlein. Sourthen Albania : Under the Acroceraunian Mountains .
Chicago :1968, faqe 22
[30] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002, faqe 94
[31]Po aty,faqe 95
[32] Po aty faqe 95
[33] Historia e Popullit shqiptar I. Toena:2002, faqe 641
[34] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002, faqe 84
[35] Gjeorgjiu Papagjeorgjiu. “ Ali Pasha-një drejtues otoman me mentalitet
evropian” Elefterotypia:15 Mars 2001. faqe 10
[36] Ilir Ushtulenca. Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës.Tiranë 8
Nëntori:1986, faqe 250-251
[37] Katherine Flemming. Bonaparti Mysliman. Tiranë. Dituria:2002, faqe 208
[38] P aty, faqe 209
[39] Po aty, faqe 213
[40] Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të
Ballkanit, 1804-1920. Dituria.Tiranë:2004,faqe 206