Monday, 30 October 2017

Vepra e historianit J.F.Fallmerayer dhe disa çështje të debatueshme të mesjetës shqiptare.



Tezat historike të akademikut Bavarez J.F.Fallmerayer, tronditën mendimin historik evropian në gjysmën e dytë të shekullit të XIX. Për herë të parë, pas formimit të shtetit kombëtar grek,  u vu në dyshim vazhdimësia greke në territoret e veta historike dhe një rëndësi e veçantë iu dha dyndjeve të popujve sllavë dhe shqiptarë në territoret e asaj që njihej si Greqia e lashtë. J.P.Fallmerayer, historiani bavarez në trajtesën e tij “Elementi shqiptar në Greqi” që u botua në tre fashikuj të Akteve të Akademisë së Shkencave të Bavarisë në vitet 1857-1860, në të njëjtën kohë u  morr gjerësisht edhe me origjinën e shqiptarëve.


Tuesday, 24 October 2017

Robert Elsie do te prehet ne Theth - 17 Tetor 2017 - Vizion Plus



Nolian Lole: Sot, është një ditë e veçantë, vjen trupi i Robert Elsie, jo në atdhe por në vendin ku ai dëshiroi dhe e la me amanet që të prehet në alpet shqiptare, në Theth, dhe do ti kryhen nderimet e fundit. Po kush ishte Robert Elsie në rradhë të parë?
Dorian Koçi: Robert Elsie për të gjithë ata që nuk e njohin është një nga albanologët më të shquar joshqiptar, le të themi që, që nga vitet `80 e në vazhdim që ai ka patur një aktivitet shumë të ngjeshur dhe aktivitet në shumë aspekte historik, filologjik, në fushën e fotografisë duke bërë të mundur që thesaret e ndryshme të kulturës shqiptare të shpërndara, të paidentifikuara ti krijojë së bashku dhe të krijojë një mozaik të madh të atij imazhi dhe përceptimi që kanë patur të huajt ndaj Shqipërisë duke filluar që nga vitet 1809, një vit i cili shënon edhe interesin e madh albanologjik për shkak edhe të veprës së Bajronit, të shkruar përreth shqiptarëve dhe në vazhdimësi. Robert Elsie ishte një studiues pasionant, i cili arriti në thyerjen të viteve `90 të krijojë një individualitet të veçantë në kritikën, në letrat shqipe, në kulturën shqiptare një pikë referimi shumë të fortë për gjithësecilin që dëshironte të njihte më tepër shqiptarët, por edhe për të ndërtuar e për të shkruar histori të ndryshme të zhvillimit kulturor të shqiptarëve. Unë kam parasysh historinë e letërsisë shqipe, në të cilën për herë të parë vinin më të detajuar autorë që më parë ishin mohuar apo autorë të së shkuarës pa as edhe një lloj kompleksi duke bërë të mundur që një njeri, i cili dukej se ishte vetëm por që dukej sikur ishte një institucion, shpesh herë të vinte në garë në mënyrë, le të themi, miqësore edhe institucionet kulturore, artistike apo historike të vendit tonë.


Monday, 11 September 2017

Shtëpia e Kuvendeve të Tepelenës .





Kjo është një foto e misionit holandez kur mbrriti në Tepelenë në fillim të marsit 1914. Misioni holandez i kryesuar nga Majori De Waal dhe Kapiteni Sonne u takuan me parinë e Tepelenës dhe diskutuan mundësinë për të marshuar drejt Gjirokastrës. Në foto burri i veshur me uniformë ushtarake dhe qylaf në kokë është Sadulla Agaraj, patriot dhe atdhetar i shquar i trevës së Tepelenës. 


Saturday, 26 August 2017

Elena Bonnati në penelin e Edward Lear



Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të udhëtarëve të mëparshëm britanikë që udhëtuan në Shqipëri ishte dhe Edëard Lear (1812-1888), peizazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani. [1]Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze”[2], Lear në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Leare ndërmori në Shqipëri më 24 shtator –4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit “A journey  through Albania and other European provinces of  Turkish Empire”  që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin e XV, Krujën. E veçanta e  Lear-it nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit( porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri. Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit”[3].Në 2 tetor të vitit 1848 ai arriti deri në Shkodër ku u prit nga Zvkonsulli Britanik Spridon Bonnati.  Edëard Lear kishte letra rekomandimi për z Bonnati dhe ai e rregulloi të flinte në shtëpinë e një farmacisti venecian të quajtur Marko. Pasioni i Lear-it ishte piktura dhe gravurat. Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit të XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën  të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin.[4]Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peizazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe,ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut.[5]Për këtë arsye pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe drekës së shtruar për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte pejsazhet e mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe portretet e të njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në Shkodër.
Ditën e katërt të qendrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për miqtë. Që herët shkoi në shtëpinë e Konsullit përt të vizatuar një kapedan gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato kostume në të kuq e me ar. [6]I mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare , Lear pikturoi Elena Bonnatin, vajzën e dytë të zvkonsullit britanik ne Shkodër, z Spiridon Bonatti, të veshur me kostum tradicional shkodran. Kostumi popullor shkodran që veshi Elena Bonnati për të pozuar për Lear, ishte një kostum që përdorej nga aristokracia e Shkodrës e të dy besimeve fetare.
 Pavarësisht faktit që në përshkrimet e Lear, Spiridon Bonatti përmendet si nënkonsull britanik në Shkodër, kombësia e tij nuk ishte britanike. Familja Bonatti kishte ardhur nga Korfuzi dhe ishte vendosur ne Shkodër. Me parë i ati i Elenës, kish shërbyer në Prevezë si konsull britanik. Ai shërbeu për një kohë të gjatë në Shkodër si zvkonsull i Britanisë së Madhe. Në Shkodër kishin gjetur strehë disa familje shqiptare nga skajet më jugore të vendit, ndër ta Idromenot nga Para, Kacarosër nga Korfuzi dhe Bonnatët po prapë nga Korfuzi. Nga viti 1842-1847 pranë nënkonsullatës britanike punoi  edhe  Pashko Vasa si sekretar i kësaj nënkonsullate.  Mesa duket në këto vite ai është njohur me Katerina Bonnatin(Ninën), motra e Elenës me të cilën ai u martua më vonë në 1860. Ata patën sëbashku katër vajza dhe një djalë, ndër të cilët tri vajza dhe djali vdiqën në moshë të njomë, ndërsa vajza e katërt vdiq më vonë, por edhe ajo e re, në moshën 28–vjeçare.

Gjurmimi i personazheve historikë që shfaqen në kronikat, akuarelet dhe tablotë të udhëtarëve dhe piktorëve të huaj në shekullin e XIX mund të fillojë të rindërtojë mozaikun e një Shqipërie të dikurshme që koha e ka dëmtuar dhe prishur. Epoka Viktoriane , periudha e vonë otomane në Shqipëri, Edward Lear, fisi Bonatti nga Korfuzi i vendosur në Shkodër dhe Pashko Vasa janë epoka historike e kulturore në të cilat jetuan personazhe historikë e kulturorë  fati i të cilëve ndërthurrej sëbashku duke prodhuar, art, orientalizëm dhe imazh. 





[1] Shih për më tepër  Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 130
[2] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing,1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 606
[3] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. faqe 20
[4] Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81(June.,1955) faqe 396
[5] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Ëriting, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 606-607
[6] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997. Faqe 33


Saturday, 19 August 2017

Dividi dhe kama e shkruesit të Ali Pashë Tepelenës.




Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar gjenden rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Rëndësia e tyre nuk shtrihet vetëm në rolin ekspozues e ilustrues të historisë por edhe në rolin e rrëfimit të historisë dhe epokës që përfaqësojnë. Në këtë mënyrë muezologjia i vjen në ndihmë historisë përmes dokumentimit dhe ilustrimit të ngjarjeve dhe epokave historike duke e vendosur historinë e territoreve ku banojnë sot shqiptarët në një histori integrale të Mesdheut.


Saturday, 29 July 2017

“Merimanga e Sarajevës” ose monopati ende i pashkelur i Ballkanit.

Janë të radha veprat letrare që ndërthurin dokumentacion të mirëfilltë historik dhe krijimtari letrare siç është romani që kemi sot në duar “Merimanga e Sarajesvës”. Një titull intigrues, sidomos përmendja e qytetit të Sarajevës na çon të gjithëve nëpër mend fillimin e Luftës së Madhe në Evropë. Siç është  një fakt i njohur kjo luftë ndryshoi njëherë e mirë jo vetëm fatet e pushteteve politikë në Evropë(tre Perandori u shpërbënë)  por edhe konceptimin mbi luftën e paqen në kontinentin e vjetër. Në këtë kontekst romani është një  dëshmi dhe rrëfim i Evropës së para luftës së Madhe të mbërthyer nga ankthi i megalomanisë dhe frikës nga Tjetrit. Në njërën anë kemi  Perandorinë ku “lindte dielli e nuk perëndonte kurrë”-Britania e Madhe që  nën ingranazhet e kolonializmit kërkon të ruante një qetësi relative të Evropës së Kongresit të Vjenës të vitit 1815 dhe në anën tjetër militarizmin gjerman që hapësira e vet jetike i dukej shumë e ngushtë për të shpenzuar energjitë e shumta të përfituara pas Revolucionit Industrial. Evropa e para Luftës së Madhe nuk është vendi ku “kontradiktat klasore janë ashpërsuar shumë e për rrjedhojë shpërtheu Lufta Botërore” një refren i njohur i mësuar në shkollat shqiptare për shumë e shumë kohë gjatë kohës ku marksizmi ishte ideologjia sunduese në Shqipëri, por është Evropa e shteteve-komb  të reja të tejngopur dhe të plakur në virtutet e moralin e vjetër që si përballonte dot sfidat e reja.


Saturday, 1 July 2017

Beteja e Torviollit

Me 29 qershor, 1444 u zhvillua beteja e Torviollit. Kjo ishte beteja e parë e Gjergj Kastriot Skënderbeut pas marrjes së Krujës në 28 nëntor 1443 dhe shpalljes së revoltës së tij. Në një fushë të Dibrës së poshtme 8 mijë kalorës e 7 mijë këmbësorë, pjesa më e madhe nga principata e Kastriotit, mbetën në histori për faktin se jo vetëm mposhtën turqit, fuqia më e madhe e kohës, por edhe sepse kur shqiptarët janë të bashkuar mund të arrijnë fitore të mëdha.

Ja si e përshkruan Marin Barleti, betejën që hapi siparin e epopesë Skënderbejane në veprën e tij madhore “Historia e Skënderbeut” (1510)

"Në perëndim të diellit, Skënderbeu ngriti çadrat në Dibër të Poshtme, 80000 hapa larg Krujës, pranë një kodrine të mbuluar me ferra ose, më drejt, pranë një pylli plot me drunj shumë të dendur. Këtu, para së gjithash, gjeti një vend të përshtatshëm për të ngritur prita, për arsye sidomos sepse merrte vesh që armiku po vinte me forca shumë të mëdha, pastaj, pasi i ra anembanë tërë vendit me kalë dhe e hetoi me kujdesin më të madh me qëllim që t'ia arrinte fitores me një gjakderdhje sa më të vogël nga ana e vet, vendosi atje Gjin Muzakën dhe Hamzën bashkë me 3000 veta, duke e porositur që të mos luanin vendit para se të shikonin se ai bashkë me ushtrinë ishte përleshur me armikun dhe se po vlonte gjaku nga të dyja anët. Atëherë, duke shpërthyer në çastin e duhur kundër armikut dhe duke iu lëshuar me vrull e papritmas nga prapa, ta vdiste nga frika e ta bënte copë-copë, duke e vënë në mes dy zjarresh.

Me t'u rregulluar këta, s'vonuan shumë dhe ia mbërritën fluturimthi barbarët, të cilët i ngulën çadrat e zunë vend jo larg forcave të Kastriotit, pa ditur gjë fare nga të gjitha këto. Tanët morën urdhër që t'i shuanin menjëherë zjarret dhe një pjesë të binin të flinin e një pjesë të bënin rojë. Kjo u dha edhe më tepër zemër turqve, prandaj këta, pasi i ndezën vetë zjarret gjithkund, po talleshin me tanët, që rrinin në errësirë, duke ua quajtur këtë një turp dhe frikë të heshtur. Dhe, ndërsa bënin zhurmë pothuajse mu rrëzë pahisores, duke shfryrë mërinë e tyre me fjalë dhe me vepra njëkohësisht, u vërsuleshin gjatë gjithë natës portave, lëshonin të shara dhe me zor u përmbajtën pa sulmuar e pa rrethuar kampin. Por skënderbegasit s'bënin fare zë, s'u kthenin asnjë përgjigje, rnegjithëqë kishin se ç't'u përgjigjeshin me plot të drejtë; ata kishin një dëshirë të flaktë: të dilnin dhe të shpërthenin me sulm kundër armikut, ngaqë s'mund t'i duronin më gjithë ato fyerje dhe sharje të tij, por, sipas urdhrit të kapedanit, ata qëndronin brenda në kamp pa nxjerrë zë dhe kështu barbarëve, gjersa Epiroti s'u jepte rast për t'u përleshur, u shtohej tërbimi.

Kur tashmë po agonte, Skënderbeu u dha urdhër të vetve që të kujdeseshin para së gjithash për trupin e vet, me qëllim që, në rast se ndonjë fat i keq i luftës, kundër shpresës së tij, e zgjaste, si për qesëndi, më tepër betejën, ushtria, e pangrënë, e dërrmuar nga uria, që natyra njerëzore nuk mund ta mposhtë, të mos e vazhdonte më me pak vrull luftën për fitore. Dhe kështu hëngrën në qetësi. Pas kësaj ai i nxori nga kampi të gëzuar, me shpirt e me trup që u fluturonte, dhe plot shpresë e mëri, duke i ndezur edhe vetë fort për ngadhënjim para se të fillonin nga puna. Pastaj, me qëllim që t'i merrte vesh mirë fuqitë e armikut, para se të ndeshej përfundimisht me të, bëri disa prova me ndeshje të lehta, më shpesh të kalorësisë se të këmbësorisë. Kështu po gatitej për betejën e vërtetë.

Në krahun e majtë ai vuri Tanushin me 1500 kalorës dhe me po aq këmbësorë, por kalorësinë, duke shpërndarë nëpër të disa këmbësorë shigjetarë, ai e vendosi në ballë, me qëllim që t'ia nisnin betejës të parët kalorësit dhe që kjo betejë kalorësiake të mos ishte pengesë për këmbësorinë tjetër, e cila do të hidhej në sulm apo do të tërhiqej për te të vetët, kur ta kërkonte puna. Në krahun e djathtë vepronte, po me këtë rnënyrë, Moisiu i Dibrës, kapedan i tij. Edhe ky vijën e parë e zuri me turmën e kalorësve të legjioneve të veta, me një mënyrë që këmbësorët ta kishin të lirë daljen nga çdo anë dhe zmbrapsjen të sigurt, sado që kjo punë për t'i drejtuar në betejë s'kishte shumë rëndësi të bëhej me ushtarët dibranë. Dhe, me të vërtetë, daç vë kalorës, daç këmbësorë, në vijë të parë apo të dytë, çdo gjë e ke të siguruar me ta; ata s'i lajthit kurrë fati, atyre s'u shpëton kurrë fitorja nga duart, ngaqë dinë se ç'bëjnë. Kështu këta ushtarë kryetrima janë mësuar që edhe rregullin ta mbajnë, edhe fatin, kudo që të jetë, ta tërheqin pas vetes. Vendin në mes dy krahëve (qendrën), duke i dhënë rreshtimit një formë si prej harku të përkulur, e mbante Kastrioti bashkë me fuqitë e tjera. Edhe ky në ballë vuri kalorës, më se 1000, për arsye se, duke qenë që kundërshtari s'kishte asnjë këmbësor, nuk e gjykoi të parrezikshme ta hidhte këmbësorinë kundër furisë së parë të stuhisë kalorësiake. Pranë tyre vuri gati po aq shigjetarë, duke i urdhëruar që të ndiqnin pas kalorësinë me qëllim që kështu të ishin më të siguruar prapa saj dhe të mos ishin të ekspozuar kundrejt armikut, ndërsa barbarin, që nuk do të dyshonte aspak për një gjë të tillë, ta lanin më tepër në gjak. Ndërmjet këtyre dhe atyre ai zuri vend vetë bashkë me të nipin, Gjergj Stresin, një djalosh trim. Atë e rrethonin nga të dyja anët ushtria dhe rinia krutane, sepse me qëllim kishte dashur që njëkohësisht të ishte edhe spektator, edhe nxitës për t'u dhënë zemër qytetarëve të vet. Pas shigjetave vinin menjëherë fuqia tjetër e kalorësisë dhe radhët e mburojtarëve e të heshtarëve bashkë me Aidinin (Aidin Muzaka), vëllanë e Gjinit. Vijën e fundit dhe detyrat e rezervës i mbante Vrana Konti, luftëtar i urtë dhe trim njëkohësisht, bashkë me kalorësit e tjerë. Megjithëkëtë, këmbësorët që ishin para tij kishin urdhër që, sapo t'i shikonin të vetët të dilnin nga pusia dhe armikun të ndrydhur nga prapa dhe të vënë në mes të dy krahëve, menjëherë, duke hapur rreshtat, t'u lëshonin rrugë kalorësve, të cilët, duke qenë të freskët e duke i kallur një frikë tjetër kundërshtarit, ashtu i lodhur siç ishte, ta shpartallonin e të bënin kërdi në të; përkundrazi, këmbësorët vetë, pasi të grumbulloheshin përsëri në vend, t'i siguronin mirë radhët, si rezervë dhe ushtarë të vijës së tretë që ishin, dhe të mos lejonin që të çahej ushtria, gjersa ta shikonin të sigurt shenjën e fitores e të pandreqshme gjendjen e armikut.

Skënderbeu, pasi e radhiti kështu ushtrinë, qëndronte pa lëvizur, as kishte mundësi që të tijtë ta shtynin dikur të jepte shenjën e sulmit kundër armikut, para se të shikonte se edhe barbari, i rreshtuar sipas zakonit të vet, po lëshohej në betejë, sepse kishte frikë se mos, po të shpërthenin ushtarët në sulm kundër armikut të parreshtuar, shkelnin rregullin nga dëshira për të sulmuar dhe sillnin në rrezik gjendjen e mbarë ushtrisë.

Ali pasha, duke vënë re formimin e ushtrisë sonë dhe duke përsëritur: «Më të paktë, gjithmonë më të paktë dhe më në rrezik», tallej me atë rreshtim si ai e me atë madhëri të një ushtrie të parrahur (të papërvojë, - Ali pasha tallej kështu me të gjithë ushtritë me të cilat ndeshej), që po marshonte me aq rregull drejt varrimit të vet.

Një legjion otoman kishte bërë më me guxim përpara legjioneve të tjera; kundër tij u turrën me guxim ushtarët e pararojës. Barbarët, pasi e prishën rregullin që në sulmin e parë, nuk e mbajtën dot veten, po u tërhoqën gjer te çadrat duke marrë me të vërtetë arratinë dhe me një frikë, që s'e fshihnin dot, nuk pritën që të provohej fati i gjithë ushtrisë. Por Skënderbeu, duke pasur frikë për ndonjë dredhi të armikut dhe duke menduar për ndonjë pusi, lëshoi menjëherë një pjesë të kalorësisë, që të frenonin vrullin e shokëve dhe ta kthenin secilin në radhët e ushtrisë dhe në vend të vet. Po kjo u bë edhe në krahun e majtë. Kështu, pasi të dyja palët u kthyen te të vetët, po bëheshin gati përsëri për përleshje, për një ndeshje më të rregullt të të gjithë ushtrisë. Por barbarëve u ishte shtuar guximi, sepse një pakicë e tyre kishte vënë gjoja në lojë një pjesë të madhe të ushtrisë sonë.

Beteja, pra, filloi rishtazi. Tanushi dhe Moisiu, pasi i ndanë në mes tyre krahët e armikut, ia nisën ndeshjes me rreptësi. Ashtu edhe Kastrioti, si u dha zemër aty për aty kalorësve, sulmoi atë pjesë të ushtrisë armike, që kishte marrë përsipër. Kalorësit në pritë, pa u hedhur ende armiku me të gjitha forcat kundër tanëve, dolën pa vonesë nga pusia me një potere shumë të madhe dhe, para se të zbrisnin në fushë të gjithë kuajt, radhët më të shumta dhe të gjithë ata më të fundit e ushtrisë turke, të tmerruar nga frika e papritur, morën arratinë, duke lënë betejën dhe kampin. Gjithë ata të vijës së parë, që u mbyllën ndërmjet të dy krahëve nga tanët, iu dorëzuan legjionit të mesit. Mbetej një pykë e ushtrisë armike, që Skënderbeu nuk mund ta lëvizte nga vendi dhe as guxonte t'i binte përmes që ta çante; në atë vend barbari, më i shumtë në numër, kishte formuar disa si ledhe. Atje Ali pasha, i rrethuar, siç u duk menjëherë në fund të betejës, nga lulja e gjithë ushtrisë dhe nga armët e më trimave, po mbante në këmbë fatin e luftës tashmë të lëkundur.
Aidini gjithashtu në qendër të frontit e kishte larë tani tokën kudo me gjak të barbarëve. Lufta ziente këtu më e ashpër se kudo, sepse armiku, gati i rrethuar, duke parë se s'i mbetej asgjë tjetër përveç armëve, po sulmonte sa mundte më rreptë, për të mos rënë pa u shpaguar. Përveç kësaj, atje kishte tërhequr edhe të tjerë fati dhe lajthitja ogurzezë e luftës e shumë veta, kur kishin dëgjuar se në ç'rrezik gjendeshin shokët e vet, u kishin shkuar shpejt në ndihmë. Kështu, sa më shumë barbarë që grumbulloheshin, aq më tepër zgjatej edhe beteja edhe nuk dihet se ç'përfundim do të kishte marrë sikur Vrana Konti, duke shpërthyer menjëherë në sulm me forca dhe me vrull të freskët, të mos ishte përleshur me armiqtë, që tanimë ishin lodhur dhe po u merreshin këmbët, edhe sikur të mos kishte përlarë çdo mbeturinë që qëndronte akoma. Megjithëkëtë kalorësia e këtij e sulmoi barbarin më me vonesë dhe u shkoi në ndihmë të vetve, kur ishin pothuaj në rrezik, sepse, nga frika se mos ushtria mbetej krejt e zhveshur prej çdo ndihme rezervë, gjeti, si më të sigurt, kohën për të shpërthyer në sulm, kur pa se ishin përleshur me të gjitha forcat të dy krahët dhe Garda Mbretërore. Me këtë mënyrë u grinë të gjithë e s'mbeti këmbë, përveç treqind vetave, kundër të cilëve, në bazë të së drejtës së luftës, Kastrioti s'e pa të udhës të shfrynin, gjersa po i ngrinin duart të paarmë dhe gati të mbaruar nga plagët.

Si mbaroi, pra, kjo punë dhe mori fund tërë ai mund i luftës, legjionet fitimtare po drejtoheshin me gëzim të madh e me brohori për te Skënderbeu, ku gjithçka e gjetën në gaz, sepse ushtria krutane e kishte bërë copë gjithë pykën dhe, pas një kërdie të tmerrshme, i dha kapedanit të turqve arratinë duke e ndjekur larg e më larg. Kudo gjak e vrasje, kudo s'dëgjohej tjetër veçse ulërima e atyre që po jepnin shpirt. Një palë po u hidhnin prangat robërve, një palë të tjerë, duke e lënë të shëmtuar trupin e armiqve, i merrnin kokën dhe e ruanin si dhuratë të veçantë për komandantin. Më të shumtët po plaçkitnin kampin, sepse njerëzit lakmonin më tepër plaçkën. Kështu ushtria, gjithkund fitimtare po sillte nëpër mend atë fitore aq të shkëlqyer, të cilën mezi e besonte edhe vetë i munduri, dhe po admironte atë punë aq të madhe, të kryer në një kohë aq të shkurtër, (se lufta u bë që nga agimi i diellit gjer në orën e tretë të ditës). Në këtë luftë u vranë nga barbarët afro 22000, 2000 u kapën të gjallë. U zunë 24 flamuj ushtarakë. Nga fitimtarët ranë pak, mezi bëheshin 120, por numri i të plagosurve ishte shumë më i madh.

Kështu Epiroti atë ditë, siç e shpresonin dhe e prisnin të gjithë, korri një fitore me të vërtetë të madhe, sepse në atë betejë nuk mungonte asgjë nga ato që kanë mundësi jo vetëm ta ndjellin fatin për të dalë faqebardhë, por edhe ta detyrojnë për një gjë të tillë; nuk mungoi as koha, as vendi, as rregulli i përsosur në të gjitha veprimet, as arsyeja e drejtë dhe njëkohësisht e domosdoshme për t'u përleshur. Më në fund për komandantët dhe ushtarët do të mund të thosha këtë: «Atë ditë luanët kanë komanduar luanë». Pjesa jo më e vogël e këtyre ishin veteranë, që kishin shërbyer dikur si ushtarë bashkë me të atin e Skënderbeut, kështu që ata mund t'i merrje jo për ushtarë, por për mjeshtër të zgjedhur të ushtrisë. Prandaj dukej se, po të fitonin në një betejë të tillë e po t'ia thyenin një herë hundën armikut, lufta kishte marrë fund.

Pasi u arrit fitorja, Skënderbeu e kaloi tërë atë ditë dhe atë natë në kamp me qetësinë më të madhe. Në mëngjes, plot krenari për fitoren, iu përvesh punëve të tjera, duke e tërhequr ushtrinë ende të përgjakur në një punë jo më pak të pëlqyeshme, në plaçkitjen e viseve armike. Grupe-grupe u lëshuan të gjithë pa dallim pa asnjë rregull, pa njeri në krye, me një përbuzje dhe mospërfillje, të cilat lindën, siç ndodh, prej suksesit që patën. Por kapedani i matur dhe që s'dehej kurrë nga sukseset, i frenoi mirë dëshirat e ushtarëve, gjersa zbuluesit e dërguar njoftuan se s'kishte gjëkundi rrezik nga pritat. Atëherë, me t'u lënë e lirë plaçkitja, kalorësia u derdh kudo mbi tokën armike e po shfrynte mbi të mirat e fushës, mbi bagëtinë dhe më në fund mbi vetë pemët. E fryrë nga fitorja që sapo kishte korrur, kalorësia fluturonte nga gëzimi e asgjë nga ato që mund të prishë shpata dhe zjarri nuk kursente, veçse gra dhe fëmijë. Plaçka po sillej nga çdo anë me një shamatë të atillë, saqë dukej sikur po ngjante një pështjellim tjetër lufte dhe sikur ziente i gjithë vendi plot me luftëtarë.. As për plagët s'donte t'ia dinte kush. Dhe me të vërtetë, lakmia në këtë rast kishte tërhequr edhe shumë nga ata që dolën të plagosur prej betejës. Asnjëri nuk rëndohej, nuk e ndiente lodhjen; burrave u ishin zhdukur djersët që sapo i patën. Të paktën plaçka e begatshme, siç ndodh, askujt nuk i jepte mërzi. Kështu ushtria iku më tepër e mërzitur për disa gjëra që s'mundi t'i merrte, sesa e gëzuar për ato që mori.

Si plaçkitën mjaft e shfrynë sa u ngopën nëpër vendin e armikut, Skënderbeu dha shenjën e nisjes. Pas tij, e ngarkuar me plaçkë dhe tërë gëzim, po vinte ushtria që u nis pa vonesë. Kapedanët po shkuleshin së qeshuri nga shakatë që bënin me ushtarët e vet, duke i quajtur frikamanë, sepse nga luftëtarë kryetrima ishin kthyer në rrëmbyes bagëtish dhe nga mbrojtës të Arbrit në ruajtës dhensh. Kështu ushtria, si në festë, me një gëzim që s'kishte të mbaruar e me shaka e këngë njëra pas tjetrës, po vazhdonin pa e ndier lodhjen e rrugës, gjersa u përshëndetën nga rojat e kampit që kishin dalë përpara pahisores.

Pasi e kaluan atë natë në kamp, Skënderbeu të nesërmen, kur sapo kishte aguar drita, dha urdhër të mblidhnin plaçkat dhe bashkë me ushtrinë fitimtare u nis për në qytetin mbretëror të Krujës. Populli, që ishte derdhur nëpër gjithë rrugët, po i priste me brohori, duke i quajtur fitimtarë një për një. Të gjithë çuditeshin me plaçkën e madhe. Kalorësit e rinja) mezi njiheshin nga njerëzit e vet. Për shumë ditë me radhë u bënë përgëzime dhe gjithë princërve të Epirit iu dërguan letra të kurorëzuara me dafina si edhe disa flamuj ushtarakë; një pjesë tjetër e këtyre u ngulën nëpër faltore.


Friday, 23 June 2017

Fustanella ndër Arvanitë...




Fustanella

Hajde fustané— manarezë,
fustanellënë me pjetëm;
hajde fustanellënë me pjetë,
û ta dreqa djalo vetëm.


Monday, 19 June 2017

Motivet shtegtuese në eposin arbër. Përqasje mes poezisë së Manoli Blessi dhe Pjetër Budit


Etnosi arbër, siç vëren me të drejtë mediavelisti i shquar kroat, Milan Shuflai, pati një përhapje të gjerë në mesjetë përgjatë gjithë bregdetit dalmat, adriatik, jonian dhe egjian. Kjo pozitë gjeografike dhe karakteri i tij sulmues e luftëtar si popullsi, e shndërroi në një digë të fuqishme për mbrojtjen e Evropës nga sulmet e pafundme osmane. Qëndresa e kësaj popullsie ka shënuar episode të rëndësishme të historisë ballkanike dhe europiane, jo vetëm në atë që ne e quajmë sipas arbëreshëve “Moti i Madh”, por në një vazhdimësi lineare, që nga shfaqja e parë e osmanëve në Ballkan e deri në shekullin XVII.


Friday, 2 June 2017

Ali Pasha Tepelena në betejë


Ali Pasha Tepelena në betejë nga Edmond Dule.

Ali Pashë Tepelena ishte një adhurues i madh i armëve dhe nga shënimet e udhëtimit që kanë lënë shumë udhëtarë dhe diplomatë që vizituan pashallëkun e Janinës, njohim se ai mbante shumë prej tyre të varura në mur si objekte zbukurimi, si duket në tablonë e Joseph Cartëright (1789-1829), pikturuar në mars 1819 dhe publikuar në 1822 (CARTWRIGHT, Joseph. [Eleven colored costume plates of northwestern Greece, including a portrait of Ali Pasha], London, R. Havell, 1822). Pukëvili në veprën e vet “Historia e ringjalljes së Greqisë” (1825) kur rrëfen rrethimin e Ali Pashës në Janinë, përmend armët që Pashai Tepelenas përdori në një rast kur kundërsulmoi ndaj ushtrisë së Pasho Beut.Avxhibashi i solli armët e nishanit, me famë në Epir ku shqiptarët luftëtarë u kanë ngritur dhe këngë siç këndonin dikur grekët në shekujt homerikë, mburojës së Akilit. E para armë ishte një pushkë gjatoshe fabrikuar në Versajë, e veshur me damask blu dhe e qëndisur me yje ari, të cilën ia pati dërguar dikur Xhezarit në Shën Gjon të Akrës nganjëllyesi i piramidave. Si vdiq ky pasha, arma i kaloi fatziut Selim III që ia dha si shpërblim trimërie Jusuf Qorr pashës, tri herë vezir-azem sajë fatit; ky kur ishte në Negropont në fund të karrierës së tij të gjatë, ia la me testament Ali Tepelenës. Ky ia besoi më pas Akatit të tij gjakatar, Thanas Vajës; njërit prej shatërve i kaloi pastaj një karabinë që ia kishin dhuruar më 1806 me emrin e Napoelonit; në qemeret e shalës vari mushqetën e Karlit XII të Suedisë, armë me vlerë të paçmuar kundrejt personit që e mbante. E kish pas marrë dikur dhuratë nga Gustav Adolfi, në kohën kur ky monark i tradhtuar prej fatit preku tokën në Prevezë, rrugës që pat ndërmarrë për në Varrin e Shenjtë, shtegtim që i dështoi nga një intrigë diplomatike (Francois Pouqueville. Ali Tepelena. K&B: Tiranë, 2009, fq. 399)





Saturday, 6 May 2017

Kremtimi i Shën Gjergjit ndër shqiptarë



Piktura e parë: Shën Gjergji mund dragoin nga Rafael, Muzeu i Luvrit. Piktura e dytë:Ilustrimi i librit "Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun", Naum Prifti, Tiranë;1978

Dita e Shën Gjergjit  festohet gjithandej në formën e panaireve popullorë në Shqipëri. Edhe pse festa e Shën Gjergjit është një festë e besimit të krishterë, ajo festohet nga e gjithë popullata shqiptare si  të krishterë dhe muslimanë. Kjo përhapje e këtij festimi popullor përveçse simbolikës fetare lidhet ndoshta edhe me faktin se Shën Gjergji që mund dragoin është nga shenjtët më të dashur ndër shqiptarë që u kujton heroin e tyre kombëtar, Gjergj Kastriotin.


Monday, 1 May 2017

Shoqëria “Vatra” e Amerikës dhe ndikimi i saj në Shqipëri



Shoqëria “Vatra” përbën pa dyshim një nga historitë më të suksesshme të organizimit të shqiptarëve përgjatë shekullit të kaluar. E lindur dhe e organizuar si një kopje e shoqërive të tjera që shqiptarët patën krijuar në Rumani, Bullgari, Egjipt e Turqi, “Vatra” pati meritën që duke përqafuar mentalitetin dhe etikën e punës të vendit ku u krijua të shndërrohej në një përfaqësi dinjitoze të shqiptarëve në botë dhe të kontribuonte si askush tjetër në themelimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar.


Sunday, 23 April 2017

Ali Asllani për Ali Pasha Tepelenën



Pjesa më e madhe e autorëve të Rilindjes Kombëtare dhe atyre të Pavarësisë u formua në Janinë, në gjimnazin “Zosimea” ku bëmat dhe aktiviteti i Pashait Tepelenas ishin ende të freskëta në memorien e njerëzve. Në të njëjtën kohë ata ishin përfaqësues edhe të familjeve të pasura feudale si Ismail Qemali, që e kishin ndier në lëkurë pushtetin centralizues të Ali Pashës. Përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme nuk ka shkaktuar viktima të shumta vetëm në Shqipëri dhe në Pashallëkun e Janinës, por gjithandej nëpër Europë sa herë ky proces ka hyrë në spiralet e veta të fuqizimit të pushtetit dhe ambicieve për të krijuar etnitete shtetërore të fuqishme. Këtë kontekst politik të elitës shqiptare përcjellin dhe  vargjet e Ali Asllanit kur ai e quan satrap e zabit. Deri më tash shpesh herë është marrë si i vërtetë pohimet e origjinës së familjes së tij nga një dervish i ardhur nga Konja dhe i vendosur në Tepelenë. Por në fakt një dokument origjinal i parisë së Gjirokastrës,  dërguar kryeqytetit të Habsburgëve, Vjenës del qartë origjina shqiptare e Ali Pashë Tepelenës. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është trajtimi i deri më sotëm si një pasha oriental, të egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Po kështu ai është vështruar nën dritën e historive me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historisë së Frosinës që paraqesin si një figurë të degjeneruar dhe epshore që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Mirëpo realitet historike flasin ndryshe. Ali Pasha ishte përfaqësues i një prej familjeve më fisnike toske dhe të parët e tij kishin qenë pashallarë, administrues të Pashallëkut të Delvinës dhe në këtë mënyrë ai trashëgonte jo vetëm një linjë fisnikërie, por edhe trashëgimi administrative të admirueshme për kohën. Gjithësesi në vargjet e Ali Asllanit ndihet simpatia e tij për këtë hero të historisë së shqiptarëve pasi ai shkruan Në e ultë historia,/di ta ngrerë Shqipëria,duke vendosur një balancë midis arsyetimeve të influencuara nga reagimi i parisë feudale shqiptare ndaj regjimit centralizues të tij dhe efekteve të mëvonshme pozitive të qeverisjes dhe rebelimit të Ali pashë Tepelenës në mendimin shqiptar.
 

Ali Pashë Tepelena

Nga satrapët më satrap
nga dervishët më dervish,
ky zabit, ky dreqo-lab,
pa kalem e pa qitap,
paskish lindur me këmish!

Po satrapin, unë ju lus,
mos ta marrim për qortim,

ai ish një kryetrim,
një rrufe, një vetëtim,
që i tha sulltanit: sus!

Një rrufe...
Po rrufeja, vini re,
i ka rrënjët në një re!
si dhe truri, tungjatjeta,
me gjith’ dritëzat e veta,
i ka rrënjët në kaptinë!
po sa larg dhe sa lart
shkon e ndrin dhe vetëtin!

Dhe Ali Pasha kajmeni
nip stërnipi i një dere,
soj dervishi, soj sejmeni,
i ushqyer me mëna ferre!
me guzimin mrekulli
u bë kryefermanlli
dhe nga truali i tij i ngusht’
i lëshoi një goxha grusht
perandorve osmanlli!

Dhe arriti sa pothuaj,
në tryezë të çezarve
ku vlon hymni ngadhnjimtarve,
hymn’ i tija s’mbet i huaj!

Le t’i ngrem’, pra një dolli!
fam’ e tija është e madhe,
vler’ e tija më e madhe!
Në e ultë historia,
di ta ngrerë Shqipëria,
sepse trimin, nuk e nuk,
trimi trimin nuk e zhduk!


Tuesday, 18 April 2017

Topuzi skeptër i Ali Pashë Tepelenës



Në fund të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, territoret bregdetare dhe perëndimore ballkanike, kaluan përmes një procesi të dyanshëm zhvillues, që ishte sa përfshirës po aq dhe i veçantë, në krahasim me krahinat e tjera të Perandorisë Otomane.


Saturday, 15 April 2017

101 vjetori i një vepre të rëndësishme të historiografisë shqiptare .



“Historia e Ali Pashë Tepelenës” nga Ilo Mitkë Qafëzezi. Bukuresht 1916.

Ilo Mitkë Qazfëzezi është një nga studiuesit dhe mbledhës i  hershëm i dokumentacionit nëpër kisha dhe manastire të Shqipërisë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Një nga veprat e tij të para është  “Historia e   Ali Pashë Tepelenës”  botuar në Bukuresht në 1916. Studimi i tij është një përshtatje në shqip i  librit “Historia e Ali Pasha Tepelenliut”(1893) të studiuesit dhe historianit grek Spiros Aravantinos. Përshtatja në shqip është një përpjekje e parë për të pasur një studim më të gjerë rreth kësaj figure dhe në shumë nga shpjegimet e veta ka të cituar folklor origjinal që ilustrojnë ngjarjet në libër.  Këto këngë popullore mbeten një pasuri e çmuar ende e pashfrytëzuar. Njëlloj si poema “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit në mënyrë të habitshme ato përbëjnë një material dokumentar të admirueshëm.
Libri i Ilo Mitkë Qafëzezit strukturohet në 31 kapituj që ndërlidhen njëri me tjetrin, duke përshkruar Shqipërinë që nga viti 1640, kur një i quajtur Hyso, erdhi nga një katund i Shqipërisë së Mesme dhe u shpërngul në Tepelenë të Shqipërisë së Poshtme, i cili, sipas gojëdhënave ishte stërgjyshi i Ali Pashë Tepelenit. Tepelena me rrethinën e saj, në kohën e Skënderbeut ishte Principatë, princi i së cilës luftonte kundër Sulltan Muradit të II-të. Disa shkrimtarë të huaj, së bashku me Puqeville-in, thonë se stërgjyshi i Ali Pashës pat ardhur prej Qytahijës të Azisë së Vogël, por francezi I. Manzour i cili pat shërbyer mjaft vjet pranë Ali Pashës, e pat përgënjeshtruar këtë shpifje, “duke na siguruar për origjinën e tij fjesht Shqipëtare”. Pasojnë përshkrime tjera lidhur me stërgjyshin, gjyshin dhe prindërit e Aliut, bazuar edhe në burime angleze. Jepen fragmente mbi trimërit e Aliut që nga mosha 17 vjeçare kur armiqtë e parashikonin se do të bëhet i rrezikshëm për ta. “Aliu i cili nuk kish mbushur edhe të 18-in vit të moshës, po trim pa shok, dyke parë rreziket (e Kurt Pashait të Beratit) q’e rrethonin, dhe mbasi e kish kuptuar që ish i vlefshëm të përdornjë mirë pushkën dhe jataganë, organizon një çetë të shëndoshë prej më të zgjedhurit trima të shprovuar besnikë dhe të devotshëm të shtëpisë së tij (…)”. Pasojnë faqe përshkrimesh interesante të betejave të Aliut që bashkëpunonte me shqiptarët e krishterë kundër halldupëve të Turqisë në trojet e Shqipërisë. Në këtë vepër me vlerë defilon Tepelena, Himara, Zagoria, Delvina, Berati, Gjirokastra, satrapi Selim Mustafa Bej “me miq të fortë ndë Stamboll” i cili përmes ryshfetit mundi ta rrëzojë Mustafa Kokën duke u emëruar sundimtar i Delvinës, i cili më në fund qe ekzekutuar sipas dekretit të Ali Pashës. Një pjesë të madhe zënë dhe marrëdheniet e Ali Pashë Tepelenës me Fuqitë Evropiane të kohës si dhe marrëdheniet midis popullsive të Pashallëkut të Janinës. Dy kapitujt e fundit përshkruajnë fatin tragjik të Ali Pashë Tepelenës dhe gjithë personazheve historikë që trazuan historinë e ballkanit në fillimet e shekullit të XIX.
Libri mbyllet me një shënim të Ilo Mitkë Qafëzezit për Ali Pashën. I tillë ishte fundi i burrit trim Ali Pashë Tepelenës, i cili për gjashtëdhjetë vjet rresht pati një jetë aktive duke kryer vepra trimërie. Kështu ai zë një vend kryesor në historinë kombëtare shqiptare, po ashtu dhe në historinë ndërkombëtare evropiane të asaj kohe. Ali pashai i dha famë emrit tëtij në gjithë botën. Prandaj gjithë shqiptarët , muhamedanë e të krishterë, duke i falur të metat e Asllanit të Shqipërisë, le t’ia admirojmë mendjemprehtësinë e trimërinë, si dhe muza popullore që na thotë:
T’a dini me të vërtet,
                                                             Trimëria e tij u dijt
              Dhe i këtillë Trim më s’mbet,
     Të vinjë ma ndë këto dit.

Ilo Mitkë Qafëzezi i përket atij brezi të hershëm historianësh shqiptare që i ka dhënë rëndësinë e duhur figurës së Ali Pashë Tepelenës , duke e paraparë epokën dhe periudhën e tij si një periudhë ku ngjizet identiteti shqiptar .

 Burimet: 
1- Aravantini. Histori e Ali Pashë Tepelenës( i mbiemëruar “Arsllan i Shqipërisë”) përshtatur në shqip nga Ilo Mitkë Qafëzezi, Bukuresht 1916.
2- Ligor Mile. Shënime për veprën Histori e Ali Pashë Tepelnës( i mbiemëruar “Arsllan i Shqipërisë”) përshtatur në shqip nga Ilo Mitkë Qafëzezi












Monday, 10 April 2017

Fustanella, ushtria dhe epoka e Ali Pashë Tepelenës



Qëndrimi ndaj figurës së Ali Pashë Tepelenës, nuk u ka shpëtuar dhe shqetësimeve gjeostrategjike të kohës.  Që në gjallje të tij Ali Pashë Tepelena u pa si një “despot oriental”tipik nga udhëtarët evropianë qofshin turistë kulturorë apo dhe përfaqësues diplomatikë. Rrjedhimisht si i tillë nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit që ishte shumë prezent në atë kohë dhe në kundërshtim me çfarë shprehte popullsia greke, ai konsiderohej si dhunues e shtypës të asaj ç’kishë mbetur nga Greqia e Lashtë.Natyrisht këto sentimente melodramatike shërbenin dhe si një mbulojë për të mbuluar frikën që shkaktonte kontrolli vërtet i  frikshëm i Aliut mbi Greqinë kontinentale, Adriatikun dhe Egjeun.Ky kontroll strategjik bëhej akoma dhe më i padëshirueshëm nga Fuqitë e Mëdha nëse krijohej shteti i pavarur i Ali Pashë Tepelenës, i cili sipas të gjitha gjasave ashtu si pashallëku i Janinës do të dominohej nga elita fisnike dhe ushtarake shqiptare. Nga gjiri i kësaj elitë fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane. Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në perandori.Ndaj të gjitha Fuqitë e Mëdha që Aliu hyri në marrëdhënie diplomatike u përpoqën ta përdornin në kundërshtitë që kishin me njëra-tjetrën në rajon, por kurrë nuk i dhanë mbështetjen e duhur diplomatike për të shpallur pavarësinë.

Veshja e ushtarit shqiptar të kohës së Ali pashë Tepelenës ishte një kombinim midis petkave të lehta dhe fustanellës. Kjo e fundit u mbajt edhe në uniformën e Regjimentit  “Gjuajtësit e Orientit” të formuar në Ishujt Jonianë në 1807. Regjimenti “Gjuajtësit e Orientit” ishte një regjiment i formuar kryesisht nga suliotët dhe nga shqiptarët e tjerë nga kontinenti që ofronin shërbimin tradicional të mercenarisë por edhe kishin braktisur vendet e tyre si rezultat i armiqësive që kishin pasur me pushtetin e centralizuar të Ali Pashë Tepelenës.

Fustanella shqiptare, e cila duke qenë më shumë e pëlqyer mes popullsive të Ballkanit u imitua më shumë nga popujt e tjerë më të largët. Me këtë veshje disa udhtarë të huaj në XVIII-XIX vërejnë se ishin të veshur truprojat e oborreve princërore të Moldavisë, të Vllahisë në Bukuresht. Gjithashtu Major Ëilliam Martin Leak, përfaqësues i Anglisë në Janinë, që kishte pasur mundësinë para Bajronit ti vizitonte këto zona, kishte shkruajtur që në 1805: Veshja shqipare po bëhet përditë e më e zakonshme, si në More edhe në pjesët e tjera të Greqisë në këtë të fundit për shkak edhe të rritjes së madhe të fuqisë shqiptare. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke”.
Të gjitha këto dëshmi hedhin dritë mbi influencën dhe “ekspansionin” etnografik nëse mund ta quajmë kështu të shqiptarëve që duke qenë elita ushtarake e Pashallëkut të Janinës, përveçse zakoneve dhe mjeshtërive të tyre të luftimit u kishin imponuar nga ana estetike dhe veshjen e tyre kombëtare popullsive të tjera në Ballkan.




Monday, 27 March 2017

Shqiptari energjik


Mehmet Aliu lindi në vitin 1769 në një familje shqiptare nga Kavalla (Thesali). Ishte një ushtar i thjeshtë, kur më 1801 u dërgua në Egjypt për të marrë pjesë në shtypjen e revoltave  të mamlukëve, zotër të vendit që prej shek. XIII. Më 1804, në krye të jeniçerëve shqiptarë, ai i dëboi mamelukët nga Kajro e u shpall governator.  Brenda viteve 1820-1840 ushtria dhe flota e Mehmed Aliut, nën komandën e djalit të tij po aq të shquar, Ibrahim Pashës, u shfaqën sa në Kretë e Peloponez, aq edhe në Lindjen e Mesme, duke kërcënuar vetë kryeqëndrën e Perandorisë. Në 1831-2 Ibrahim Pasha pushtoi tërë Palestinën, Libanin si dhe provincën e Damaskut. Sulltani dërgoi për të shtypur shqiptarin rebel, vezirin e madh,  Mehmet Reshit Pashën, i cili vetëm ndonjë vit më parë kishte masakruar në Manastir ajkën e parisë kryengritëse shqiptare (1830). Por Ibrahim Pasha i shpartalloi forcat osmane dhe e vazhdoi kundërmësymjen drejt zëmrës së Anadollit, ku mori Konjën, Qytahjan dhe Bursën.


Monday, 20 March 2017

Poezia e parë në gjuhën shqipe

Tradita e shkrimit të shqipes tek arbëreshët, që është e dokumentuar të paktën nga vepra e Lek Matrëngës E mbsuame e krështerë 1592, libër që ka 28 faqe, i shkruar në dialektin tosk dhe që përfshin brenda tij poezinë e parë të dokumentuar shqipe. Ky fakt dëshmon se tradita e të shkruarit të shqipes në Shqipërinë e Jugut ishte po aq e konsoliduar sa dhe në Veri. ‘E mbsuame e krështerë’, ‘Doktrinën e Krishterë’, përmban doktrinën e krishterë, shkruar në dialektin toskë nga papas Lukë Matrëngës. Siç pohon titulli ‘E mbsuame e krështerë’, është, pra, ‘Doktrinë e Krishterë’ në gjuhën shqipe dhe është një Katekizëm prej njëzetetetë faqesh,  përkthim i veprës së jezuitit spanjoll, Atë Dr. Jakob Ledesma (1516-1575), shkruar latinisht.
Vepra e Lukë Matrëngës përmban një hyrje në gjuhën italiane, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën e dialogut ndërmjet priftit e besimtarit që përgatitet për t’ marrë sakramentet e shenjta. Kjo vepër u hartua për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin latinisht apo italisht të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje me prejardhje shqiptare në Kalabri, Sicili e në Pulje të Italisë.

Gjithëve thëres,kush do ndëlesë,
të mirë të krështë,burra gra,
mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,
se s'ishtë njerii nesh çë mkatë s'kaa;
e lum kush e kujton se ka të vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bijr të tij e për vëlla.

(1592)




Monday, 13 March 2017

Arbëria mesjetare dhe Milan Shuflaj



Arbëria Mesjetare është një koncept dhe perceptim historik ende jo shumë i prekshëm dhe i studiuar mirë në shkollat tona dhe për rrjedhojë dhe jo shumë i njohur nga brezi i ri. Kapërcimet pindarike, që bëhen në tekstet e historisë që mësohet në shkolla nga periudha ilire në atë arbëre dhe orët e pakta në dispozicion nuk bëjnë të mundur që të ketë një panoramë më të gjerë të zhvillimeve historike dhe kulturore të Arbërisë paraosmane dhe përngjashmërisë së saj me jetesën, kulturën dhe zhvillimet politike të përtej Adriatikut.


Sunday, 26 February 2017

Arapët në Shqipëri.


Prania e popullsisë zezake ka qenë e pakët në Shqipëri. Edhe pse territoret shqiptare bënin pjesë në Perandorinë Osmane, në një perandori konglomerat për nga popullsia, etnitë dhe besimet fetare , prania e kësaj popullsie nuk ka lënë gjurmë të forta në këto territore. Dokumentimi i parë kësaj popullsie në territort arbëre gjenden në këngën popullore Gjergj Elez Alia, ku ky i fundit ndeshet në disaa variante me bajlozin e zi dhe në disa të tjerë arapin e zi. Studiuesit e folklorit kanë evidentuar me kohë që bajlozi i zi , bëhet fjalë për bajlin e Venedikut, emërtimi i ambasadorëve të kësaj republike në shtete të tjera. Në rastin kur përmendet si arapi i zi, ka të ngjarë që përfaqësues të pushtetit venedikas të ishin nga popullsia afrikane e Marokut dhe Algjerisë që shërbenin si mercenarë në trupat venedikase. Një personazh i tillë për shembull është Otello i Shekspirit, çka dëshmon që numri i tyre i përfaqësimit në trupat vendedikase kishte një frekuencë të lartë. 


Sunday, 19 February 2017

“Muza” e Rezistencës Antikomuniste.


Figura e Musine Kokalarit pavarësisht ndryshimit të sistemeve politike nuk është trajtuar ende në dimensionin e saj të plotë intelektual. Përveçse një shkrimtare e talentuar dhe njeri i letrave ajo ka pasur dhe një angazhim të fuqishëm intelektual dhe politik në shoqërinë shqiptare të pas luftës. Ky angazhim politik i saj nuk do të mund të kuptohet nëse nuk analizojmë mendimin e saj politik të shprehur në programin e Partisë Social Demokrate të hartuar prej saj si dhe kontekstin historik të ballafaqimit të opozitës antikomuniste me komunistët shqiptarë që kishin ardhur në pushtet. Rezistenca e saj morale dhe intelektuale ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendimin intelektual shqiptar. 


Monday, 13 February 2017

Jeta urbane dhe arsimimi në zonën e pushtimit italian gjatë Luftës së Parë Botërore


Gjatë kohës që po piqeshin kushtet për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, dy nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të kë kohës, Italia dhe Austro-Hungaria ishin përkrahëse të çështjes shqiptare. Të dyja fuqitë mbanin këtë qëndrim, sepse synonin të kontrollonin Detin Adriatik, porta e madhe e tyre tregtare në Lindjen e Afërt. Këto territore, në fakt prej mëse një gjysëm shekulli ishin zona të ekspansionit të tyre ekonomik. Në të njëjtën kohë Austro-Hungaria dhe Italia, kundërshtonin daljen e Serbisë në Adriatik, pasi shikonin në këtë rast një plotësim të ambicies së Pansllavizmit në rajon. Ndonëse Austro-Hungaria ishte një hap përpara në aspektin politik dhe kulturor, dukej se Italia po i kushtonte një rëndësi të veçantë aspektit ekonomik.


Wednesday, 11 January 2017

Lord Bajroni me fustanellë


Kjo është një tablo e Lord Bajron me bojra uji e titulluar "Lord Bajroni me kostum grek" e një autori anonim. Kjo tablo ruhet në Muzeun Benaki ne Athinë. Ne këtë muze gjenden shume tablo me tematike shqiptare, ashtu si dhe kjo pikture ku dallohet qarte veshja popullore shqiptare e Bajronit, e adoptuar me vone nga grekët si vëren dhe Filohelenisti George Finley ne vepren e vet "Historia e Revolucionit Grek": Përhapja e fustanellës , veshjes kombëtare të shqiptarëve ndërmjet popullsive të tjera fqinje të Ballkanit si grekët dhe turqit na vjen përmes dëshmisë së tij, i cili në një udhëtim të bërë në gjithë Perandorinë Otomane, Shqipëri, Maqedoni,Greqi etj vuri re se veshja e zakonet  shqiptarëve vlerësoheshin në mënyrë të veçantë dhe imitoheshin.


Tuesday, 10 January 2017

Ylli i shuar shpejt i idealizmit patriotik shqiptar




Në këtë vend idealistët janë të rallë.Por aq të paktë sa janë, shkëlqejnë me personalitetin e tyre, sa mund të bëjnë te skuqen shumë veta në të tashmen që pretendojnë të jenë elitë e vendit. Një nga ta,  është Sali Nivica, mësues, patriot e gazetar që në Shkodrën e viteve 20' kishte themeluar gazetën "Populli". Gazeta "Populli" ishte një tribunë e mendimit të lirë dhe pasqyronte me pathos përpjekjet e kombit shqiptar për të krijuar një shtet modern shqiptar. Gazeta sipas S.Nivicës do të ishte: '…..një monumet kushtuar kujtimit të patriotëve, detyrë kolegësh, mundësi ngushëllimi, mjet thirrjeje për zgjimin shqiptar'.
Sali Nivica, i lindur ne Rexhin të Kurveleshit, i diplomuar në Robert College ne Stamboll, i punësuar si arsimtar në Durrës, gazetar e anëtar i Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosoves" në Shkodër, përfaqëson brezin e shkëlqyer të studentëve idealistë shqiptarë që u mëkuan me vargjet e Naimit, aksionin luftarak të vellezërve Topulli, publicistikën therrese të Konicës,epikën e satirën e Fishtës. Sali Nivica ishte një dishepull i tyre dhe vet me veprën e tij pasuroi dhe çoi më përpara mendimin idealist e shtetformues shqiptar. Në 10 janar 1920, u vra në mënyrë barbare nga Kolë Ashiku në Shkodër, duke vulosur me gjak idealin e tij që priste të realizohej në Kongresin e Lushnjës. Arsyet e vërteta u maskuan me arsye banale, por fakt është që mendimi politik shqiptar kishte humbur një nga korifejtë e vet të viteve 20’.