Janë të radha veprat letrare që ndërthurin dokumentacion të mirëfilltë historik dhe krijimtari letrare siç është romani që kemi sot në duar “Merimanga e Sarajesvës”. Një titull intigrues, sidomos përmendja e qytetit të Sarajevës na çon të gjithëve nëpër mend fillimin e Luftës së Madhe në Evropë. Siç është një fakt i njohur kjo luftë ndryshoi njëherë e mirë jo vetëm fatet e pushteteve politikë në Evropë(tre Perandori u shpërbënë) por edhe konceptimin mbi luftën e paqen në kontinentin e vjetër. Në këtë kontekst romani është një dëshmi dhe rrëfim i Evropës së para luftës së Madhe të mbërthyer nga ankthi i megalomanisë dhe frikës nga Tjetrit. Në njërën anë kemi Perandorinë ku “lindte dielli e nuk perëndonte kurrë”-Britania e Madhe që nën ingranazhet e kolonializmit kërkon të ruante një qetësi relative të Evropës së Kongresit të Vjenës të vitit 1815 dhe në anën tjetër militarizmin gjerman që hapësira e vet jetike i dukej shumë e ngushtë për të shpenzuar energjitë e shumta të përfituara pas Revolucionit Industrial. Evropa e para Luftës së Madhe nuk është vendi ku “kontradiktat klasore janë ashpërsuar shumë e për rrjedhojë shpërtheu Lufta Botërore” një refren i njohur i mësuar në shkollat shqiptare për shumë e shumë kohë gjatë kohës ku marksizmi ishte ideologjia sunduese në Shqipëri, por është Evropa e shteteve-komb të reja të tejngopur dhe të plakur në virtutet e moralin e vjetër që si përballonte dot sfidat e reja.
Diku mes pushtetit politik, ekonomik e kulturor që kërkon të dominojë çdo Fuqi e Madhe në Evropë , shfaqen dhe konturet e shtetit më të ri, të saj-shtetit të shqiptarëve. Personazhet e romanit sa të vërtetë në dokumentacion po aq dhe imagjinarë në fushat e krijimtarisë përfaqësojnë të gjitha shtresat e mesme e të pasura të Evropës. Mes tyre gjallojnë profesionet e antropologut si Ronald Ballajtinit në Serbi e Shqipëri apo dhe tregtarit si Keidit në Stamboll. Nuk mund të mos mungojnë dhe femrat udhëtare si rasti i Macëarthit në Gjermani apo dhe aventurierit si Duvali nëpër vende të ndryshme në Evropë. Të katërt britanikët janë rekretuar për të shërbyer si karrem për të zbërthyer një nga rrjetet më të sofistikuar privat të spiunazhit që vepron në Britani dhe në gjithë Evropën në bashkëpunim me spiunazhin gjerman. Evropa e para një shekulli të luftërave dhe trazirave napoleaniane po ringjallej sërish në aleancat e fshehta dhe kundërshtuese kundër njëri-tjetrit. Një mori udhëtarësh dhe studiuesish herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do përshkonin territorin e Ballkanit për të njohur nga afër territoret dhe konfliktet etnike.
Shtetet e reja ballkanike që kishin dalë nga mugullurirat e Perandorisë Osmane e kishin përdorur Iluminizmin Europian si ideologji për të realizuar zgjimin e tyre kombëtar, pastaj në ecurinë e ngjarjeve i kishin harruar principet humaniste të tij dhe kishin përqafuar principet e shkollave të tyre tribale të zgjerimit në kurriz të të tjerëve dhe eliminimin kulturor, ekonomik e fizik të Tjetrit.
Për një kohë të gjatë Europa i kish inkurajuar duke i bërë pjesë të lojërave të veta politike në rajon derisa në atë mëngjes qershori u ndje para një fakti të kryer, ku krimi trokiti në portat e veta. Autokritika apo vlerësimi i vetvetes është një nga proceset më të vështira të ndërgjegjes së njeriut, një e vërtetë që s’mund t’i shpëtonte edhe një pjesë e Europës që te kjo vrasje gjykoi me një standard të dyfishtë duke toleruar një sjellje që parapriu humbjen e 20.000.000 jetëve në kasaphanën e parë njerëzore që nisi rreth 2 muaj më vonë. Lufta e Parë Botërore e hapi siparin e vet në një truall e vend ku ideologjia e nacionalizmit ekstrem dhe miti i kombit të përzgjedhur kish helmatisur për më se një shekull rajonin.
Përmes rrugëtimit të fatit të spiunazhit dhe kundërspiunazhit britanik e gjerman gjallon dhe fati i shtetit të shqiptarëve që me qasjet e tyre individuale drejt shtetformimit nuk asimilohen por përshtaten. Krisma e një kobureje që mori jetën e Arkidukës Franc Ferdinant dhe së shoqes së tij, Princeshës Sofi, në mëngjesin e datës 28 qershor 1914 në Sarajevë nuk ishte vetëm krisma e kobures së një nacionalisti serb që kërkonte në mënyrë primitive të realizonte ëndrrën e vet nacionaliste, por edhe krisma që shënoi fundin e iluzioneve të një Europe që prej 100 vjetësh pretendonte se jetonte në një paqe.
Romani mbyllet pikërisht me këtë atentat duke pasqyruar qartësisht epokën dhe zhgënjimet që do të pasonin të gjitha palët për të vendosur në vend një drejtësi. Duket sikur doket dhe kanunet e vjetra të Ballkanit të studiuara për më se 20 vjet nga antropologët ashtu si perënditë e vjetra mitologjike vendosën për tu hakmarrë duke e vendsour Evropën në një situatë paradoksale, ku haku i marrë do të bëhej lajtmotivi i aleancave.
Njëqind vjet më pas Europa përgatitet të festojë përfundimin e Luftës së Parë Botërore më së shumti si një festival paqeje ku fuqitë ndërluftuese tashmë janë miq dhe ndajnë të njëjtën përgjegjësi nën çatinë e Bashkimit Europian. Këtij mozaiku feste pritet t’i bashkëngjiten dhe të gjitha shtetet ballkanike, por nëse nuk arrijnë të rikonstruktojnë gjuhën dhe adresimin ndaj njëri-tjetrit dhe bashkë me të dhe sfidën e rishkrimit të historisë, kjo përpjekje në anët tona do të ngjajë më tepër si një panair mesjetar i dëshmimit dhe matjes së forcave sesa një përpjekje serioze për të braktisur stereotipat kulturorë të ngritura rreth nesh. Deri më tash Ballkani ka hyrë në gjuhën politike të Europës me dy fjalë si “fuçi baroti”-vend konfliktesh që priten të shpërthejnë nga momenti në moment dhe “ballkanizim” për sjellje politike që sjellin copëzime të ndryshme dhe të panevojshme. Mendoj dhe besoj fort se ka ardhur koha që emri i gadishullit të bëjë të mundur të iniciojë dhe përdorimin e një fjale të re që të reflektojë konotacione më pozitive.
No comments:
Post a Comment