Në këtë vend idealistët janë të rallë.Por aq të paktë sa janë, shkëlqejnë
me personalitetin e tyre, sa mund të bëjnë te skuqen shumë veta në të tashmen që
pretendojnë të jenë elitë e vendit. Një nga ta,
është Sali Nivica, mësues, patriot e gazetar që në Shkodrën e viteve 20'
kishte themeluar gazetën "Populli". Gazeta "Populli" ishte
një tribunë e mendimit të lirë dhe pasqyronte me pathos përpjekjet e kombit
shqiptar për të krijuar një shtet modern shqiptar. Gazeta sipas S.Nivicës do të
ishte: '…..një monumet kushtuar kujtimit të patriotëve, detyrë kolegësh, mundësi
ngushëllimi, mjet thirrjeje për zgjimin shqiptar'.
Sali Nivica, i lindur ne Rexhin të Kurveleshit, i diplomuar në Robert
College ne Stamboll, i punësuar si arsimtar në Durrës, gazetar e anëtar i
Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosoves" në Shkodër, përfaqëson
brezin e shkëlqyer të studentëve idealistë shqiptarë që u mëkuan me vargjet e
Naimit, aksionin luftarak të vellezërve Topulli, publicistikën therrese të
Konicës,epikën e satirën e Fishtës. Sali Nivica ishte një dishepull i tyre dhe
vet me veprën e tij pasuroi dhe çoi më përpara mendimin idealist e shtetformues
shqiptar. Në 10 janar 1920, u vra në mënyrë barbare nga Kolë Ashiku në Shkodër,
duke vulosur me gjak idealin e tij që priste të realizohej në Kongresin e
Lushnjës. Arsyet e vërteta u maskuan me arsye banale, por fakt është që mendimi
politik shqiptar kishte humbur një nga korifejtë e vet të viteve 20’.
No comments:
Post a Comment