Sunday, 1 January 2017

Viti i Ri ndër shqiptarë



Viti i Ri, është një festë që ka hyrë relativisht vonë të festohet ndër shqiptarë. Gjithësesi nëpër komunitetet e ndryshme shqiptare në varësi dhe të kulturave që kanë përfaqësuar, festohej në mënyra të ndryshme. Venediku që zotëronte një pjesë të madhe të bregdetit shqiptar e pranoi festimin e vitit të ri në 1522. Sigurisht që edhe në Kotorr,Ulqin, Lezhë, Prevezë e Artë që zotëroheshin nga Republika e Shën Markut, viti i ri duhet të jetë festuar pas kësaj date. Viti i Ri duhet të jetë festuar edhe në një territor më të gjerë jashtë zotërimeve të Venedikut në Arbëri, pasi në këto kohë ende nuk kishte filluar islamizimi në masë i popullsisë. Festimi i kësaj date në këto territore duhet të ketë filluar të zmrapset në momentin kur popullsia arbëre islamizohet dhe popullsia fillon të festojë dhe ndjekë kalendarin hënor të Hixhrit, ku festat më të rëndësishme janë Bajrami i madh dhe Bajrami i vogël. 
Në Krishterimin Lindor, traditën ortodokse , ka një traditë të veçantë ku Santa Klausi identifikohet me Shën Vasilin, shenjtorin që feston në datën 1 janar. Fëmijët e vegjël këndonin kolendrat duke parajmëruar ardhjen e Vitit të Ri. Kolendrat janë këngë popullore urimi që këndohen nga fëmijët e vegjël në ditët e pritjes së festave të mëdha fetare  si Krishtlindjet apo dhe para  Vitit të Ri. Ata shkojnë shtëpi më shtëpi duke uruar shëndet dhe mbarësi. Kolendarët që shkonin në grup, gostiten nga të zotët e shtëpisë me ëmbëlsira, fiq të thatë, arra, portokalle etj . Më poshtë është një këngë kolendrash në dialektin arvanit, e botuar për herë të parë në revistën “Besa”, organ i Lidhjes Arvanite të Greqisë 1982-2004. Tabloja ilustruese titullohet ‘Kolendra”(1872) dhe i përket autorit me origjinë arvanite Niqiforu Lutro, një piktori të shkollës së Mynihut në pikturën greke të shekullit të XIX. Identifikimi i mozaikut të kulturës arbëre kudo ku është shpërndarë mund të na dhurojë kënaqësi estetike dhe dëshmi historike të veçanta. 

Viti i Ri

Nji djalopul
ndë derë rri
Jo bre ti
Isht viti i ri.
Hapeni derën 
Të hinj,
me plot duart
të na vinj
Çi na sole
Viti i ri?
Shumë shëndet
e dashuri,
Po su sola
Edhe para
Edhe ça
rroba të ra.
Edhe mot
edhe mot
edhe mot
Me duart plot.



No comments: