Gjatë kohës që po piqeshin kushtet për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, dy nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të kë kohës, Italia dhe Austro-Hungaria ishin përkrahëse të çështjes shqiptare. Të dyja fuqitë mbanin këtë qëndrim, sepse synonin të kontrollonin Detin Adriatik, porta e madhe e tyre tregtare në Lindjen e Afërt. Këto territore, në fakt prej mëse një gjysëm shekulli ishin zona të ekspansionit të tyre ekonomik. Në të njëjtën kohë Austro-Hungaria dhe Italia, kundërshtonin daljen e Serbisë në Adriatik, pasi shikonin në këtë rast një plotësim të ambicies së Pansllavizmit në rajon. Ndonëse Austro-Hungaria ishte një hap përpara në aspektin politik dhe kulturor, dukej se Italia po i kushtonte një rëndësi të veçantë aspektit ekonomik.
Kështu në datën 28 shtator të vitit 1913, Herbert Gering, diplomati britanik që sherbeu nga vitet 1911-1915, si konsull i ambasadës britanike në Romë raportonte qendrës si më poshtë:
Kam nderin t’ju raportoj se, në përgjigje të kërkesës sime këtë pasdite, ministri i punëve të jashtme, i cili është kthyer në Romë pas pushimeve verore, më informoi se janë të sakta raportimet e shtypit se ministria e jashtme italiane ka inkurajuar Banca Commerciale Italiana, që të dërgojë një komision me inxhinierë dhe ekspertë financiarë në Shqipëri për të egzaminuar burrimet e vendit, me synim për të vlerësuar se çfarë përqindje do të merret prej financuesve italianë në krijimin eventual të Bankës së Shtetit Shqiptar. Markezi i San Xhulianos tha se përveç këtij janë formuar edhe disa komisione të tjera, ngaqë nevojitet shumë informacion lidhur me pasuritë natyrore, me gjendjen e bujqësisë dhe mjetet e zhvillimit të vendit, në tërësi. Me sa kuptova, komisioni i organizuar nga Banca Commerciale do të nisej dje nga Italia dhe besoj se do të nisë investigimin e vet në Shqipërinë e Jugut.
Dokumenti i mësipërm tregon se Italia po investonte në Shqipëri dhe së shpejti do të dominonte në ekonominë e brishtë dhe të prapambetur shqiptare. Italianët e shikonin në të njëjtën kohë, Shqipërinë, si një pikë nevralgjike e interesave politike dhe synimeve hegjemoniste të tyre në Adriatik e Ballkan. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe qëndrimi i dyzuar i Italisë për t’u rreshtuar në njërin apo tjetrin krah, do t’i jepej fund me afrimin dhe plotësimin e interesave të saj strategjike. Periudha nga 1914-1915, karakterizohet nga tratativa të shumta të të dyja palëve, si të Bllokut Qëndror ashtu edhe të Antantës, ku secila dëshironte ta tërhiqte Italinë mbas vetes. Ndërkohë edhe pse Vjena kishte interesa gjeostragjike, kryesisht në Shqipërinë Veriore, ajo i njihte Italisë sovranitetin ndaj Vlorës dhe ishullit të Sazanit. Kjo njohje interesi strategjik ndaj Italisë, ndodhte për arsye se Austro-Hungaria, që kishte në zotërim ende popullsi italiane në perandorinë e vet dhe ndihej e kërcënuar nga jugu.
Vendosja e Italisë në një rol të privilegjuar bëri që ajo të luante dhe ta kishte si në patronazh Shqipërinë dhe çështjen shqiptare. Përfshirja e saj deri në vitin 1914, kishte qenë nëpërmjet diplomacisë tepër aktive dhe mbështetjes së grupimeve të patriotëve shqiptarë që përfaqësonin dhe interesat italiane. Mirëpo, pas ngjarjeve të vrullshme të rebelimit të Shqipërisë së Mesme, largimit të Princ Vidit nga Shqipëria më 1914, si dhe aktivizimit të ambicieve serbo-greke, Italia e pa të udhës që të ishte e pranishme edhe me trupat e saj në territoret shqiptare, që i konsideronte si vitale për interesat e saj strategjike në Ballkan. Për të dërguar forcat e saj në bregdetin shqiptar, ajo u kap pas rrezikut që Shqipërisë i kanosej nga forcat e ashtuquajtura “vorio-epirote”, të formuara kryesisht prej ushtrisë së rregullt greke si dhe të burgosurve ordinerë grekë të amnistuar nga qeveria greke. Rreziku në fakt kishte qenë i madh pasi rebelimi jugor i kishte shërbyer si thikë në shpinë qeverisë së Princ Vidit, por në të njëjtën kohë, propaganda italiane e hiperbolizoi në momentin kur vendosi të ndërhynte në Shqipëri. Deklarata e thirrjes: “Kush prekte Vlorën, prekte Italinë!”, në fakt e nxorri zbuluar ambicien e vërtetë italiane, sesa qëllimet humanitare që shpalli në ndërhyrjen e vet në Shqipëri.
Në 25 dhjetor 1914, kur në Shqipëri vijonte konflikti i brendshëm i armatosur ndërmjet forcave esatiste dhe kryengritësve të Shqipërisë së Mesme, Italia pushtoi Vlorën, duke zbarkuar në fillim me forcat e marinës luftarake dhe pas tri ditësh me forca tokësore. Për shkak të gjendjes së rëndë, që po kalonte vendi, forcat atdhetare shqiptare nuk bënë ndonjë qëndresë të armatosur. Në kushtet e vështira të brendshme të vendit, reagoi vetëm pushteti lokal në Vlorë dhe disa nga paria e atjeshme. Prefekti i Vlorës, Osman Haxhiu dhe zv/kryetari i bashkisë Ali Asllani i paraqiti konsullit italian në Vlorë një protestë me shkrim kundër pushtimit të Shqipërisë. Me hezitimin e Greqisë, për të marrë pjesë në një nga aleancat e Luftës së Parë Botërore, forcat italiane e zgjeruan rrezen e zbarkimit të tyre, duke përfshirë pothuajse gjithë Shqipërinë e Jugut.
Zona e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, të cilat përbënin një zonë me rëndësi strategjike për Italinë. Qytetet që bënin pjesë në zonën e pushtimit italian ishin kryesisht qytete të vogla, përveç Gjirokastrës e cila numëronte rreth 11.000 banorë, popullsia e qyteteve të tjera nuk ishte më shumë se 5 mijë secili. Administrimi i qyteteve dhe zonave rreth tyre ishte me dorë të hekurt, përsa i përket marrjes së vendimeve administrative, por shumë më efektiv se ai i mëparshëm osman, përsa i përket krijimit të një kulture administrative, që do të vendosej në themelet e shtetit shqitar pas viteve 20’.
Që në fillim të vendosjes të forcave italiane në Vlorë, komanda e tyre mori menjëherë masa me karakter administrativ. Në Vlorë, ata vendosën pranë Prefekturës dy këshilltarë, njërin për çështjen e përgjithshme politike, tjetrin për çështjet financiare. Kjo masë administrative e nxirte në plan të dytë Prefektin e Vlorës, Osman Haxhiun. Pushtuesit cënuan rëndë edhe kompetencat e organeve të zgjedhura, siç ishte bashkia. Tani këshilltari italian pranë kryetarit të bashkisë diktonte gjithçka dhe asnjë nëpunës shqiptar nuk kishte të drejtë të vepronte pa urdhërat e italianëve. Italianët vunë dorë edhe mbi gjyqet e doganën e qytetit. Administrata e doganës u mbush me nënpunës italianë, të cilët shtinë në dorë bashkë me të ardhurat e saj, edhe rreth 100 000 fr.ar, të depozitës doganore .Ata e shkëputën Vlorën nga pikpamja administrative prej pjesës tjetër të vendit. Administrata e re ushtarake, e cilia u vendos në Shqipëri, e filloi jetën mbi një truall të zbrazët nga pikëpamja financiare dhe e dokumentacionit, sepse funksionarët grekë kur u larguan nga këto vise, morën me vete shumicën e regjistrave, shkresat dhe të hollat e arkës publike.
Gjatë administrimit të tyre, italianët, bënë edhe një organizim të ri të bashkive. Ata i kushtuan vëmendje të veçantë shtimit të të ardhurave të tyre financiare, duke vendosur rregulla të forta në drejtimin e mbledhjes së taksave, si dhe duke kontrolluar rigorozisht hyrjet dhe daljet në arkën bashkiake. Në këto kushte bilanci buxhetor i bashkive u rrit mjaft. Kështu p.sh. buxheti i bashkisë së Gjirokastrës nga 40 000 lireta që ishte në vitin 1917, u rit në 402 000 lireta në vitin 1918; i Sarandës nga 74 000 lireta në 85 000 lireta; i Përmetit nga 24 376 lireta në 46 000 lireta. Një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave, u përdorën për punëra të ndryshme publike, një pjesë e të cilave janë në funksion edhe sot si godina administrative. Lehtësimi nga pushtimi i ashpër grek i Shqipërisë së Jugut si dhe investimet publike që filluan, e rritën ndjeshëm imazhin e Italisë në sytë e popullsisë shqiptare, por ky imazh do të dëmtohej rëndë dhe gati në mënyrë të pariparueshme pas denoncimit dhe marrjes vesh nga opinioni publik në nëntor 1917, i Traktatit të Fshehtë të Londrës. Traktati i Londrës u nënshkrua më 26 prill 1915, nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Francës dhe të Rusisë në njërën anë dhe të Italisë në anën tjetër. Përfundimi i kësaj marrëveshjeje ishte të kënaqte lakmitë italiane dhe ta rreshtonte atë përkrah Antantës. Shqipërisë, ashtu si dhe më parë në Konferencën e Ambasadorëve, sërish i cënoheshin territore dhe shteti i gjymtuar shqiptar vendosej nën tutelën italiane për t’u përfaqësuar në komunitetin ndërkombëtar.
Traktati i Londrës i vitit 1915 ka hyrë në histori si një ndër aktet kryesore të diplomacisë së fshehtë. Ai është në të njëjtën kohë një ndër aktet ndërkombëtare më tipike të periudhës së imperializmit në përgjithësi. Nga arsenali i diplomacisë zor se ka dalë një akt tjetër si ky, që ta karakterizojë më mirë thelbin e politikës së Fuqive të Mëdha ashtu dhe metodat e saj. Duhet theksuar se në gjithë këtë traktat asgjë tjetër nuk e nxjerr aq qartë natyrën e vërtetë të imperializmit, të politikës së tij sidomos ndaj vendeve të vogla, sesa ajo pjesë, që bën fjalë për Shqipërinë e fatin e saj. Nenet që i referohen direkt Shqipërisë ishin nenet 6 dhe 7. Neni 6 i kushtohej kërkesës kryesore të Italisë, së cilës i përgjigjet duke parashikuar “sovranitetin e plotë italian mbi Vlorën, mbi ishullin e Sazanit dhe mbi një territor të gjerë sa të siguronte mbrojtjen e atyre pikave”. Zotërimi i këtij hiterlandi të gjerë ishte kryeura, që diplomacia italiane kish synuar prej kohësh në Shqipëri. Në nenin 7 bëhej një ndarje e “plaçkës”, ku përfshihej edhe coptimi i ri i Shqipërisë. Tani Italisë me këtë formulim i jepej për të përfaqësuar një shtet shqiptar në marrëdhëniet me jashtë. Mirëpo ngjarjet evoluan në terren më shumë sesa mund të mendohej. Administrimi i territoreve të Shqipërisë së Jugut, që kishte qenë dhe trualli ku nacionalizmi shqiptar kishte operuar më tepër dhe pjesa më e urbanizuar e Shqipërisë, me qytete të spikatura si Korça, Berati dhe Gjirokastra, rezultoi të ishte jo i lehtë për autoritetet italiane dhe për më tepër pavarësia e Shqipërisë e panegociushme nga qarqet patriotike nacionaliste. Ky presion për të ardhmen e Shqipërisë ishte arsyeja, që i detyroi italianët që gradualisht, të ndryshonin mendim dhe metodë për përqasjen e tyre ndaj çështjes shqiptare edhe pa u publikuar teksti i plotë i traktatit në gazetën ruse “Izvetia” në nëntor 1917.
Në 3 qershor 1917, italianët shpallën proklamatën e tyre në Gjirokastër ku shqiptarëve u jepeshin disa të drejta.
Gjithë popullit shqiptar!
Sot më 3 qershor 1917, në ditën e përvjetorit të lirive kushtetuese italiane, ne, gjeneral kolonel Xhiacinto Ferrero, komandati i korparmatës XV, me urdhër të qeverisë së mbretit Viktor Emanuelit III, shpallim solemnisht unitetin dhe pavarësinë e gjithë shqipërisë nën egjidën dhe mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë.
Shqipëtarë! Me këtë akt ju, shqiptarë do të keni institucione të lira, milici gjyqe, shkolla të drejtuara nga qytetarë shqiptar; do të mund t’i administroni vetë pasuritë tuaja, në të mirën tuaj profesionale dhe për mirqënien gjithnjë më të madhe të vendit tuaj .Ai ju bënte thirje shqiptarëve të mernin armët dhe të kujtonin traditat e lidhjeve të dy brigjeve të Adriatikut gjatë Perandorisë Romake, ku dhe u kujtonte shqiptarëve se veç një det i ndante me Italinë. Në proklamatë ritheksohej sërish miqësia me Italinë dhe se Shqipëria do të kishte mbrojtjen e Italisë për t’i garantuar pavarësinë. Mirëpo gjatë kësaj kohe kemi edhe një notë kundër proklamatës për protektoratin italian në Shqipëri. Establishmenti ushtarako-politik i Italisë nuk mund të binte dakord me lëshimin e Vlorës dhe kujdestarinë ndaj shtetit të cunguar shqiptar.
Gjithësesi, pavarësisht kundërshtimeve në aspektin politik të pavarësisë së Shqipërisë, autoritet italiane për të fituar prestigj dhe influencë në sytë e popullsisë vendase, i kushtuan kujdes të madh, si sistemit urbanistik, ashtu edhe riparimit të infrastrukturës. Në fushën e arsimit, ata mbyllën shkollat fillore greke dhe në vend të tyre hapën shkolla fillore në gjuhën shqipe dhe italiane. U hapën kurse për arsimtarë shqipëtarë si në Gjirokastër edhe në Vlorë, si dhe u sollën nga Italia mjete mësimore dhe një sërë librash shkollorë. Gjatë kësaj periudhe u hapën spitale, u ngritën ferma, iu kushtua vemendje punëve publike dhe u inkurajua prodhimi bujqësor. Të gjitha investimet italiane ishin të rëndësishme, por ato në fushën e arsimit fituan një rëndësi më të madhe kulturore duke pasur parasysh gjendjen e shtetit të ri kombëtar, shqiptar.
Lufta e parë botërore e gjeti të brishtë edhe arsimin shqiptar. Trevat shqiptare u ndanë në katër zona pushtimi ku secili nga këto shtete pushtuese imponuan mënyrën e tyre për përhapjen e arsimit. Shumë intelektualë shqiptarë u ngritën me kërkesat e tyre për të pasur një arsim të unifikuar kombëtar. Ndër të tjera ata këmbëngulën që gjuha shqipe të bëhej gjuhë zyrtare dhe të përdorej edhe në shkolla si dhe të organizohej rrjeti i shkollave shqipe. Në të njëjtën kohë kërkohej hapja e kurseve të shpejta për pregatitjen e mësuesve, ngritjen e shkollave profesionale me synim që të kalohet nga puna e thjeshtë e dorës në artizanat, të hapeshin konvikte ku të strehohen sidomos nxënësit e aftë që vinin nga zonat e largëta. Gjithashtu, të dërgoheshin nxënës për studime të mesme dhe të larta në shkolla të ndryshme në Evropë.
Në zonën e pushtimit Italian u mbyllën shkollat në gjuhën Greke dhe u hapën shkolla fillore në gjuhën shqipe , në të cilat dominonin mësues Italianë dhe mësimi i italishtes filloi të zinte vendin e parë. U hapën kurse të shkurtra për arsimtar shqiptar si në: Gjirokastër dhe Vlorë, ku morën pjesë 135 veta dhe u sollën nga Italia mjete mësimore dhe libra shkollorë.
Ndërkaq, qeveria italiane në qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës krijoi një administratë ushtarake, që drejtohej nga specialistë italianë. Në këtë zonë shkoi duke u rritur numri i shkollave. Çdo shkollë kishte mësues shqiptar dhe mësues-ushtarë italianë. Mësimi i gjuhës italiane ishte i detyrueshëm. Për aftësimin e mësuesve shqiptarë në Vlorë u organizuan kurse të shkurtra, ndërsa në vitin 1917 u dërguan edhe 25 vetë, ku ndoqën një kurs 3 mujor pedagogjik. Shkollat punonin sipas programit të shkollave italiane.
Në vitin shkollor 1917-1918, në Gjirokastër u hap edhe një shkollë qytetëse me profil tregëtar, në të cilën të gjitha mësimet të bëheshin në italisht. U bënë përpjekje për të çelur edhe shkolla me profil artizanal e bujqësor, por këto ngelën të parealizuara. Të udhëhequr nga interesat e veta ushtarake, politike dhe ekonomike italianët u kushtuan rëndësi të madhe qytetit të Vlorës dhe zonës përreth tij. Në këtë qytet ata ndërtuan çdo gjë që duhej nevojave të frontit. Në radhë të parë ata bënë një sërë punimesh drenazhimi në periferi të qytetit dhe ngritën institucionin italian të post-telegrafës. Gjithashtu me shpenzimet e prefekturësë së Vlorës ngritën spitalin civil të qytetit me kapacitet 50-60 shtretër. Komanda për nevojat e ushtrisë bllokoi gjithë lokalet me pronësi shtetërore. Italia ndërtoi edhe disa pallate e barka për të sistemuar ushtarët. Në të njëjtën kohë italianët montuan edhe një central elektrik për ndriçimin e limanit dhe të rrugëve kryesore të qytetit. U montuan tubacione të ujit të pijshëm, si dhe ujrave të zeza.
Mullinjtë e blojës me motor edhe preset hidraulike të vajit, të vetmet njësi industrial të trashëguar në vitet e mëparshme, u vunë në shërbim të luftës. Në shpinë të godinës së bashkisë u ndërtuan edhe një sërë magazinash dhe furrash. Për qëllimet e saj komanda italiane ndërtoi edhe një ofiçinë mekanike. Ata ndërtuan edhe një fabrike tullash dhe një punishte lëkurësh. Shoqëria italiane “SIMSA”, me qendër në Romë, bleu minierën e Selenicës së Vlorës kundrejt një shpërblimi prej 1 700 000 liretash. Gjithashtu u ndërtua edhe një fermë bujqësore.
Autoritetet italiane i kushtuan shumë rëndësi edhe sistemit urbanistik të qyteteve të tjera në Shqipërinë e Jugut. Në qytetin e Gjirokastrës u restaurua godina e prefekturës. Restaurime u bënë edhe në ndërtesat ku u vendosën ambulanca, jetimorja, bashkia dhe policia e qytetit. U ndërtua një shesh i madh në qëndër të qytetit, u ndërtuan banesa për akomodimin e oficerëve italianë, si dhe magazina për sistemimin e mallrave të ndryshëm. Ata kryen edhe një sërë punimesh për të ndërtuar ujësjellsin e Sopotit, i cili do t’i siguronte Gjirokastrës ujë të pijshëm. Në Sarandë u ndërtua një magazinë ushqimore, e cila lidhej me portin me anë e një dekovili, që shpejtonte ngarkim-shkarkimin në të. Gjithashtu u ndërtuan edhe godinat e nënprefekturës dhe bashkisë së qytetit të Leskovikut, si dhe u sistemuan jë sërë rrugësh në qytetin e Delvinës dhe Tepelenës. Pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve u bë duke shfrytëzuar fondet e prefekturave dhe të bashkive. Edhe ekonomia e qyteteve u vu në shërbim të luftës. U bë edhe projektimi i një tipografie, e cila do të lidhej me një shkollë artizanale, çka nuk u arrit të realizohej.
Komanda italiane rëndësi i kushtoi edhe edhe marrëdhënieve tregëtare, brenda zonës së pushtimit. Kjo për arsyen edhe sepse Italia i shikonte këto marrëdhënie edhe si mjet të rëndësishëm për të forcuar pushtetin e vet politik dhe ekonomik. Skela kryesore ku realizoheshin këto, ishte Vlora. Gjatë vitit 1917 kemi një rritje të madhe të importit, sidomos miellit dhe misrit, për shkak të nevojave të mëdha që kishte në to ushtria pushtuese dhe tregu vendas. Në vitet 1917-1918 kemi edhe rritjen e eksportit. Ritja e vlerave gjatë këtyre viteve shpjegohet me blerjen prej palës italiane të sasive të mëdha të leshit të përpunuar e të vajit të ullirit.Për hir të interesave të tyre ekonomike dhe strategjike, pushtuesit italianë, ashtu si ata francezë dhe Austro-hungarezë, bënë eksplorime për naftën dhe qymyrgurin në zonën e tyre të pushtimit. Për këtë qëllim italianët kryen edhe një sërë punimesh për hapjen e rrugëve të ndryshme.
Hapat e para për ndërtimin e një rrjeti rrugor u hodhën që në fillim të pushtimit. Për nevojat e tyre ushtarake ushtritë pushtuese austriake, italiane e frënge ndërtuan me shpejtësi rreth 1 000 km rrugë të improvizuara. Pjesa më e madhe e tyre (rreth 650 km) u ndërtuan nga ushtria austriake, ndërsa rreth 200 milje u ndërtuan nga ushtria italiane. Me rrugët që u ndërtuan nga ushtria italiane u lidh Vlora me Gjirokastrën, me Përmetin, me Delvinën dhe me Sarandën. Ushtritë franceze që kishin pushtuar qarkun e Korçës, ndërtuan vetëm rrugë me karakter vendor . Përveç këtyre, ushtritë austriake e italiane, gjithmonë për interesat e tyre ushtarake, ndërtuan gjatë Luftës së Parë Botërore një rrjet dekovili, me një gjatësi prej 350 km. Dekovili i ndërtuar nga ushtria italiane pati karakter vendor dhe ndryshonte nga ai ndërtuar nga Austro-Hungaria, i cili lidhte qytetet më të rëndësishme. Ky sistem rrugor ishte shumë i dobët dhe nuk i lidhte të gjitha krahinat e Shqipërisë. Qytetet e Shqipërisë Veriore nuk lidheshin me ato rë Shqipërisë Jugore dhe të dyja këto pjesë ishin të shkëputura nga viset e Shqipërisë Juglindore. Qeveria italiane projektoi edhe ndërtimin e një hekurudhe transballkanike, e cila do të fillonte në Bari e do të përfundonte në Stamboll. Puna për ndërtimin e kësaj hekurudhe njohu vetëm fillimet e saj, sepse rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme e detyroi Italinë t’i pezullonte punimet.
Edhe pas mbarimit të Luftës së Parë Botërorë Italia vazhdonte të ishte prezente në Shqipëri, sidomos në zonën e Vlorës, të cilën vazhdonte ta kishte nën administrim. Gjatë fundit të vitit 1919 dhe fillimit të vitit 1920 patriotët shqiptarë menduan të mbanin një kongres të madh dhe në këto momente të vështira Lushnja ishte qyteti më strategjik dhe që i plotësonte kushtet, pasi ai ishte një qytet në qendër të vendit, ku delegatët do ta kishin shumë më të lehtë për të ardhur e për të marë pjesë në Kongres. Mbajtja e Kongresit të Lushnjes ndeshi në kundërshtimin e qeveritarëve të Durrësit dhe të pushtuesve Italianë, por më në fund ai arriti të mbahej duke marrë vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Vendimet e tij ngjallën jehonë të madhe në qarqet patriotike shqiptare dhe u pershendetën ngado. Aty u arrit një bashkim politik i një aleance të të gjitha shtresave e grupimev politike, e cila i dha shpejt frytet e saj. Rezultati i parë i Kongresit të Lushnjës ishte organizimi dhe mbështetja e Luftës së Vlorës që garantoi tërësinë territoriale të Shqipërisë të njohur ndërkombëtarisht në 1913. Lufta e Vlorës i dha fund pushtimit italian në Shqipëri dhe kohezionin e duhur të brendshëm shqiptarëve për të marrë fatet evendit në duart e veta. Kjo tendencë në mendimin patriotik shqiptar do të mbizotëronte si ide gjatë gjithë rrugëtimit të mëvonshëm shtetformues shqiptar.
Bibliografi:
1- Akademia e Shkencave, Histori e Popullit Shqiptar Vëllimi II, Toena, Tiranë, 2002
2- Arben Puto, Çështja Shqiptare në aktet Ndërkombëtare të periudhës së Imperializmit, vëll.II, 8 Nëntori
3- Eqerem bej Vlora, Kujtime 1885-1925, IDK
4- Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar
5- Valentina Duka, Qytetet e Shqipërisë në vitet 1912-1924, Toena, Tiranë, 1997
6- Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, kristalina-KH, Tiranë, 2007
7- Valentina Duka, Dokumenta Britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, Toena, Tiranë, 2012
No comments:
Post a Comment