Nolian Lole: Sot, është një ditë e veçantë, vjen trupi i Robert
Elsie, jo në atdhe por në vendin ku ai dëshiroi dhe e la me amanet që të prehet
në alpet shqiptare, në Theth, dhe do ti kryhen nderimet e fundit. Po kush ishte
Robert Elsie në rradhë të parë?
Dorian Koçi: Robert Elsie për të gjithë ata që nuk e njohin
është një nga albanologët më të shquar joshqiptar, le të themi që, që nga vitet
`80 e në vazhdim që ai ka patur një aktivitet shumë të ngjeshur dhe aktivitet
në shumë aspekte historik, filologjik, në fushën e fotografisë duke bërë të
mundur që thesaret e ndryshme të kulturës shqiptare të shpërndara, të
paidentifikuara ti krijojë së bashku dhe të krijojë një mozaik të madh të atij
imazhi dhe përceptimi që kanë patur të huajt ndaj Shqipërisë duke filluar që
nga vitet 1809, një vit i cili shënon edhe interesin e madh albanologjik për
shkak edhe të veprës së Bajronit, të shkruar përreth shqiptarëve dhe në
vazhdimësi. Robert Elsie ishte një studiues pasionant, i cili arriti në
thyerjen të viteve `90 të krijojë një individualitet të veçantë në kritikën, në
letrat shqipe, në kulturën shqiptare një pikë referimi shumë të fortë për
gjithësecilin që dëshironte të njihte më tepër shqiptarët, por edhe për të
ndërtuar e për të shkruar histori të ndryshme të zhvillimit kulturor të
shqiptarëve. Unë kam parasysh historinë e letërsisë shqipe, në të cilën për
herë të parë vinin më të detajuar autorë që më parë ishin mohuar apo autorë të
së shkuarës pa as edhe një lloj kompleksi duke bërë të mundur që një njeri, i
cili dukej se ishte vetëm por që dukej sikur ishte një institucion, shpesh herë
të vinte në garë në mënyrë, le të themi, miqësore edhe institucionet kulturore,
artistike apo historike të vendit tonë.
Nolian Lole: Shpesh thënë me shaka ka bërë më shumë sesa Akademia
e Shkencave një njeri i vetëm, pavarësisht se nuk është e vërtetë në kuptimin
sasior por ardhur dhe nga një perëndimor është edhe më e rëndësishme
Dorian Koçi: Robert Elsie dashuronte gjuhën shqipe dhe kulturën
shqiptare në përgjithësi. Për këtë gjë, ai bënte më të mirën e mundshme që të
krijonte dhe të arrinte rezultate të drejtpërsëdrejta në prezantimin e kësaj
kulture në botë dhe në Europë kryesisht. Neve na duhet ta pranojmë që
bibliotekat e Europës dhe arkivat e ndryshme të muzeumeve, nëpër arkivat e
ndryshme të vendeve ka akoma dokumente të paeksploruara për shqiptarët. Robert
Elsie kishte mundësinë që të depërtonte dhe të merrte këto dokumenta. Por, ajo
që e përbën atë si një rast i veçantë, krahasuar edhe me gjithë studiuesit e
tjerë, është se ai arrinte të krijonte dhe një analizë tërësore të këtyre
dokumenteve duke na bërë të mundur që ne herë pas here të kishim botime shumë
cilësore apo qoftë edhe prezantime të letërsisë shqipe. Mos harrojmë përkthimin
e “Lahutës së Malësisë” të Gjergj Fishtës ose të veprave më të hershme të
letërsisë shqipe të cilat mund të konsiderohen për shijen e publikut tashmë si
arkaike, por që Elsie kishte kurajon për të prezantuar në perëndim si vlera të
vërteta të ringjalljes kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.
Nolian Lole: Ishte kjo një reklamë shumë e mirë qe ai ja bënte
falas Shqipërisë se është shumë interesante
Dorian Koçi: Patjetër, për të gjithë ata që e kanë njohur Elsie,
e njohin që ai ishte një “Ambasador i Shqipërisë”, por nuk ishte nga ata lloj
ambasadorë të Shqipërisë që ka një përgjegjësi shtetërore nga prapa dhe do të
detyrohej të flasë kështu. Ai, kur vinte puna për gjëra që nuk i pëlqente në
Shqipëri, për gjëra që nuk dëshironte ose që i shikonte që nuk ecnin në
drejtimin e duhur ose për gjëra qoftë edhe në histori, në kulturën shqiptare të
cilat nuk kishin guximin për t`u përfaqësuar apo dhe për ti shqyrtuar ashtu siç
duhet duke u bazuar në realitetet historike, kritikonte, krahasonte me
zhvillimet e popujve të tjerë, sugjeronte. Pra, në këtë rast mund të them se,
Elsie mundohej të ishte jashtë si një mentor i botës shqiptare. Pra ishte një
lloj standardi në të cilën ai kërkonte të ngrinte dhe të arrinte kultura
shqiptare, sepse Elsie si një njeri i kulturës besonte fort se përfaqësimi
dinjitoz në kulturë do të bënte të mundur që Shqipëria të arrinte dhe të
realizonte të ishte pjesë e familjes europiane.
Nolian Lole: Madje e ndante dhe me Kosovën këtë pasion për
shqipen dhe shqiptarët, i përfshinte
Dorian Koçi: Kudo ku kishte thërmija të botës shqiptare, Elsie
nuk e ndante, nuk rrinte pa studiuar dhe pa vëzhguar. Dy vitet e fundit ai
arriti të mblidhte material etnografik apo material folklorik, zanor, jo vetëm
nga Kosova, nga arbëreshët në Itali por edhe nga arvanitasit në Greqi. Pra,
Elsie nuk i njihte kufijtë administrative që i ndajnë shqiptarët. Ai ishte i
dashuruar me botën shqiptare dhe kudo ku ai mendonte se diçka në botën
shqiptare ishte duke u rrezikuar ose që duhej mbledhur për t`ua lënë
pasardhësve, ose shkrime të vjetra të udhëtarëve europianë përreth zhvillimit
kulturor të shqiptarëve, ai i merrte dhe i nxirte nga harresa dhe mosvlerësimi
për t’ia paraqitur publikut të huaj dhe atij shqiptar.
Nolian Lole: Faqja e tij është një pikë referimi për të gjithë
Dorian Koçi: Po sigurisht që është një nga pikat e referimit dhe
unë besoj që e gjithë veprimtaria e tij psh. ai arriti momentet e fundit edhe
prezantimin që e bëri vjet, në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, të gjithë
diapozitivët e udhëtares së njohur Edith Durham. Fotografitë shumë të njohura,
shumë të famshme nga arkivi i muzeut britanik, të cilat ai ndërtoi një
koleksion shumë të bukur fotosh. Por, nëpër këto foto kishte një kujtesë, një
memorie të qyteteve shqiptare, një kujtesë urbane, qytete që kanë patur një
zhvillim ekonomik por që pas luftrave ballkanike, sidomos qytetet kufitare, të
cilat ranë pre e hordhive të ushtrive shoveniste dhe që u dogjën. Atje shikon
nëpër foto Leskovikun me të gjitha shtëpitë karakteristike të mbajtura shumë
mirë, atje arrin të shikosh Përmetin, arrin të shikosh Tepelenën, arrin të
shikosh disa qytete të tjera. Përveçse qendrave të njohura urbane, arrin të
shikosh malësinë e Shpatit sesi banohej, sesi ishte.
Nolian Lole: Që sot shumëkush nuk e di se ku bie, pra është
shumë interesante që ai sjell dhe ngacmon
Dorian Koçi: Ai sjell dhe ngacmon në memorien e njerëzve, ai
sjell dhe krahason në memorien e njerëzve, pra rizgjon memorien kolektive të
shqiptarëve, jo vetëm nëpërmjet teksteve të shkruara por edhe nëpërmjet
fotografisë. Vlen të përmendet që, në botën shqiptare pra një analizë të mirë
psh. Dizraelit, kryeministrit britanik, që vizitoi Pashallëkun e Janinës në
1830-1832 dhe që ka shkruar dhe një roman për Skënderbeun “The rise of
Iskender”, ishte Elsie i cili e risolli në vëmendjen e botës shqiptare duke na
bërë të mund që të arrijmë dhe të kuptojmë një farë lidhje që vetë Dizraeli
kishte me Shqipërinë duke e vizituar më 1830 dhe 50 vjet më vonë, kur ishte
kryeministër më 1880, të bënte të mundur që ta pranonte Memorandumin e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit dhe Anglia të ndërhynte psh. në Kongresin e Berlinit.
Pra, të mos lejohej ai copëzim, jo sepse kishte një interes të jashtëzakonshëm
për shqiptarët, sigurisht që Britania ndiqte edhe interesat e tij
gjeo-strategjike. Por, në një farë mënyre Disraeli kishte një lidhje me
Shqipërinë sepse e kishte njohur mëparë.Kjo gjë erdhi në kujtesë dhe në memorie
në vitin `91-`92 pikërisht nga Elsie në botën shqiptare. Pra, ashtu siç ai
është hartues i zërave të fjalorëve enciklopedik për figurat e Shqipërise e të Kosovës,
figura të harrura, figura të cilat ne nuk i kemi apo i kishim të shpëndara
nëpër botime të ndryshme. Atëherë, është Elsie i cili i vendosi në një fjalor
të madh dhe rezultoi që, sot e kësaj dite, janë një pikë referimi. Siç ne nuk
mund ta dimë, por një nga poezitë e para në shqip, në rrymën e bejtexhinjve,
është një poezi kushtuar kafesë nga Muçi Zade psh. që është një poet nga
krahinat e Korçës, të cilën Elsie jo vetëm që e solli në shqip por edhe e
përktheu në anglisht për të treguar edhe atë që ne jemi kafedashës dmth si
popull, se në momentin që ka një poezi për kafenë, tregon se ka rrënjë të
thella të kulturës urbane. Por, analizat e Elsie nuk qëndronin vetëm në këtë
aspekt, ai e sillte në zhvillimet e ndryshme ekonomike, politike e kulturore. Në
përgjithësi Elsie do ti mungojë shumë botës shqiptare, ishte një nga miqtë më
të mirë të Shqipërisë, si dhe një nga avokatët mbrojtës më të mirë të saj dhe
një njeri i cili patjetër që ka lënë gjurmën e vet në memorien dhe kulturën
shqiptare.
Nolian Lole:
Unë të falenderoj, është gjithmonë kënaqësi të të kesh ty në studio për të
ndarë mendime të vyera e të çmuara sidomos në këtë rast për figurën e një
kanadezi që ishte më shqiptar, ndoshta se dhe shqiptarët.
17 Tetor 2017 - Vizion Plus
No comments:
Post a Comment