Monday, 11 September 2017

Shtëpia e Kuvendeve të Tepelenës .





Kjo është një foto e misionit holandez kur mbrriti në Tepelenë në fillim të marsit 1914. Misioni holandez i kryesuar nga Majori De Waal dhe Kapiteni Sonne u takuan me parinë e Tepelenës dhe diskutuan mundësinë për të marshuar drejt Gjirokastrës. Në foto burri i veshur me uniformë ushtarake dhe qylaf në kokë është Sadulla Agaraj, patriot dhe atdhetar i shquar i trevës së Tepelenës. 

Ai lindi në Tepelenë rreth viteve 1850 dhe u shkollua në Janinë dhe Stamboll. Në vitet 1880 mbështeti Lidhjen e Prizrenit, duke marr pjesë në Lidhjen e Janinës dhe Gjirokastrës. Së bashku me shumë patriot të Tepelenës si Sheh Dauti, Myslim Vasjari etj, në vitin 1880 dërguan trupa në ruajtjen e kufirit të Janinës nga marrja nga greku. Është disa herë kryetar i Tepelenës. Merr pjesë në klubet shqiptare si “Drita” dhe “Bashkimi” ku me ndihmën e tyre hapin shkolla shqipe në Tepelenë më 1911.( Xhezo Cana . Historia e Sadulla Tepelenës, kryetarit të bashkisë së Tepelenës 1910-1918. Gazeta Telegraf 22.03.2017). 

Takimi me oficerët holandezë u organizua në shtëpinë e tij dykatëshe. Më parë në 18 gusht 1911 po në të njëjtën shtëpi ishte organizuar Kuvendi i kryengritësve të Jugut. Ky takim u organizua pas atij të Manastrit të Cepos të datës 8 korrik 1911. Pasi këtij takimi i cili nuk pati marrëveshje me qeverinë turke u mbajt Kuvendi i Tepelenës . Ky takim u bë në shtëpinë e Sadulla Tepelenës ku përveç përfaqësuesve të krahinave të Jugut ishin dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Stambollit. Takimi i përfaqësuesve të kryengritësve u bë më 18 gusht 1911. 

Po sipas Fejzi Alizoti i cili së bashku me Xhafer Ypin ishin përfaqësuesit e Sulltanit në takim me kryengritësit thuhet: “me të arritur në vend u mblodhëm në shtëpinë e Sadulla Tepelenës . Grupet duke qenë të impresionuar nga gjendja e intrigave, vendosën që Namik Delvina, Sadullau dhe unë të formulonim kërkesat e tyre në një mënyrë që të mos refuzoheshin nga Qeveria Turke. Pasi u dërgua kërkesa në Stamboll u prite 4-5 ditë të vinte përgjigja. Përgjigja ishte pozitive, ku lejoheshin disa të drejta të shqiptareve si përdorimi i gjuhës shqipe, mos bërja e ushtrisë në fise të largëta të Perandorisë etj.( Xhezo Cana . Historia e Sadulla Tepelenës, kryetarit të bashkisë së Tepelenës 1910-1918. Gazeta Telegraf 22.03.2017).

Pas pushtimit të Tepelenës nga trupat greke në qershor 1914, qyteti u dogj dhe u shkrumbua dhe nga kjo shtëpi dhe gjithe qyteti mbeti vetëm kalaja dhe një pirg gurësh. Gazetari francez Robert Voutron, reporteri i gazetës L'Illustration që vizitoi Tepelenën bashkë me trupat italiane shkruante në 25 dhjetor 1916 në reportazhin e tij "Një ekskursion në Tepelenë" se kur trupat italiane, pas kalimit te shumë fshatrave gërmadhë mbërriten ne Tepelenë, ushtarët shprehen një britmë gëzimi. Më në fund, pas kaq shumë vështirësive, ata gjetën një qytet të vogël, ku mund të jetojnë në një mënyrë më pak primitive se e maleve që ata kishin përshkuar Por ç’e do! Ishte vetëm një iluzion. Legjionet e shenjta* e kishin shndrruar Tepelenën në hi. Vetëm dy shtëpi kishin shpëtuar: njëra prej tyre kishte shërbyer si kazermë për ushtarët grekë, dhe tjera, si banesë e komandantit të tyre. 

Zjarrit dhe rrënimit nuk i shpëtoi dot dhe shtëpia e kuvendeve të Tepelenës dhe ne sot vetëm mund ta kundrojmë nëpërmjet kësaj fotoje të marrë nga Arkivi Ushtarak Holandez e që mikesha ime dhe muzeologia holandeze Gerda Mulder pati mirësinë të ma dërgonte sëbashku me sqarimet përkatëse. Nëpërmjet fotove të tilla të shpërndara arkivave të botës mund të rindërtojnë historinë e munguar urbane të Shqipërisë së Jugut të djegur e përvëluar nga forcat shoviniste greke në vitet e vështira 1914-1916.


No comments: