Qëndrimi ndaj figurës së Ali Pashë Tepelenës, nuk u ka
shpëtuar dhe shqetësimeve gjeostrategjike të kohës. Që në gjallje të tij
Ali Pashë Tepelena u pa si një “despot oriental”tipik nga udhëtarët evropianë
qofshin turistë kulturorë apo dhe përfaqësues diplomatikë. Rrjedhimisht si i
tillë nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit që ishte shumë prezent në atë
kohë dhe në kundërshtim me çfarë shprehte popullsia greke, ai konsiderohej si
dhunues e shtypës të asaj ç’kishë mbetur nga Greqia e Lashtë.Natyrisht këto
sentimente melodramatike shërbenin dhe si një mbulojë për të mbuluar frikën që
shkaktonte kontrolli vërtet i frikshëm i Aliut mbi Greqinë kontinentale,
Adriatikun dhe Egjeun.Ky kontroll strategjik bëhej akoma dhe më i
padëshirueshëm nga Fuqitë e Mëdha nëse krijohej shteti i pavarur i Ali Pashë
Tepelenës, i cili sipas të gjitha gjasave ashtu si pashallëku i Janinës do të
dominohej nga elita fisnike dhe ushtarake shqiptare. Nga gjiri i kësaj elitë
fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane.
Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një
element force në perandori.Ndaj të gjitha Fuqitë e Mëdha që Aliu hyri në
marrëdhënie diplomatike u përpoqën ta përdornin në kundërshtitë që kishin me
njëra-tjetrën në rajon, por kurrë nuk i dhanë mbështetjen e duhur diplomatike
për të shpallur pavarësinë.
Veshja e ushtarit shqiptar të kohës së Ali pashë Tepelenës
ishte një kombinim midis petkave të lehta dhe fustanellës. Kjo e fundit u mbajt
edhe në uniformën e Regjimentit “Gjuajtësit
e Orientit” të formuar në Ishujt Jonianë në 1807. Regjimenti
“Gjuajtësit e Orientit” ishte një regjiment i formuar kryesisht nga suliotët
dhe nga shqiptarët e tjerë nga kontinenti që ofronin shërbimin tradicional të
mercenarisë por edhe kishin braktisur vendet e tyre si rezultat i armiqësive që
kishin pasur me pushtetin e centralizuar të Ali Pashë Tepelenës.
Fustanella shqiptare, e cila duke qenë më shumë e pëlqyer
mes popullsive të Ballkanit u imitua më shumë nga popujt e tjerë më të largët.
Me këtë veshje disa udhtarë të huaj në XVIII-XIX vërejnë se ishin të veshur
truprojat e oborreve princërore të Moldavisë, të Vllahisë në Bukuresht.
Gjithashtu Major Ëilliam Martin Leak, përfaqësues i Anglisë në Janinë, që
kishte pasur mundësinë para Bajronit ti vizitonte këto zona, kishte shkruajtur
që në 1805: Veshja shqipare po bëhet përditë e më e zakonshme, si në More edhe
në pjesët e tjera të Greqisë në këtë të fundit për shkak edhe të rritjes së
madhe të fuqisë shqiptare. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se
ajo turke ose greke”.
Të gjitha këto dëshmi hedhin dritë mbi influencën dhe
“ekspansionin” etnografik nëse mund ta quajmë kështu të shqiptarëve që duke
qenë elita ushtarake e Pashallëkut të Janinës, përveçse zakoneve dhe
mjeshtërive të tyre të luftimit u kishin imponuar nga ana estetike dhe veshjen
e tyre kombëtare popullsive të tjera në Ballkan.
No comments:
Post a Comment