“Historia e Ali Pashë Tepelenës” nga Ilo Mitkë Qafëzezi. Bukuresht 1916.
Ilo Mitkë Qazfëzezi është një nga studiuesit dhe mbledhës
i hershëm i dokumentacionit nëpër kisha
dhe manastire të Shqipërisë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën
shqiptare. Një nga veprat e tij të para është
“Historia e Ali Pashë Tepelenës” botuar në Bukuresht në 1916. Studimi i tij është
një përshtatje në shqip i librit
“Historia e Ali Pasha Tepelenliut”(1893) të studiuesit dhe historianit grek
Spiros Aravantinos. Përshtatja në shqip është një përpjekje e parë për të pasur
një studim më të gjerë rreth kësaj figure dhe në shumë nga shpjegimet e veta ka
të cituar folklor origjinal që ilustrojnë ngjarjet në libër. Këto këngë popullore mbeten një pasuri e çmuar
ende e pashfrytëzuar. Njëlloj si poema “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit në
mënyrë të habitshme ato përbëjnë një material dokumentar të admirueshëm.
Libri i Ilo Mitkë Qafëzezit strukturohet në 31 kapituj që
ndërlidhen njëri me tjetrin, duke përshkruar Shqipërinë që nga viti 1640, kur
një i quajtur Hyso, erdhi nga një katund i Shqipërisë së Mesme dhe u shpërngul
në Tepelenë të Shqipërisë së Poshtme, i cili, sipas gojëdhënave ishte
stërgjyshi i Ali Pashë Tepelenit. Tepelena me rrethinën e saj, në kohën e
Skënderbeut ishte Principatë, princi i së cilës luftonte kundër Sulltan Muradit
të II-të. Disa shkrimtarë të huaj, së bashku me Puqeville-in, thonë se
stërgjyshi i Ali Pashës pat ardhur prej Qytahijës të Azisë së Vogël, por
francezi I. Manzour i cili pat shërbyer mjaft vjet pranë Ali Pashës, e pat
përgënjeshtruar këtë shpifje, “duke na siguruar për origjinën e tij fjesht
Shqipëtare”. Pasojnë përshkrime tjera lidhur me stërgjyshin, gjyshin dhe prindërit
e Aliut, bazuar edhe në burime angleze. Jepen fragmente mbi trimërit e Aliut që
nga mosha 17 vjeçare kur armiqtë e parashikonin se do të bëhet i rrezikshëm për
ta. “Aliu i cili nuk kish mbushur edhe të 18-in vit të moshës, po trim pa shok,
dyke parë rreziket (e Kurt Pashait të Beratit) q’e rrethonin, dhe mbasi e kish
kuptuar që ish i vlefshëm të përdornjë mirë pushkën dhe jataganë, organizon një
çetë të shëndoshë prej më të zgjedhurit trima të shprovuar besnikë dhe të
devotshëm të shtëpisë së tij (…)”. Pasojnë faqe përshkrimesh interesante të
betejave të Aliut që bashkëpunonte me shqiptarët e krishterë kundër halldupëve
të Turqisë në trojet e Shqipërisë. Në këtë vepër me vlerë defilon Tepelena,
Himara, Zagoria, Delvina, Berati, Gjirokastra, satrapi Selim Mustafa Bej “me
miq të fortë ndë Stamboll” i cili përmes ryshfetit mundi ta rrëzojë Mustafa
Kokën duke u emëruar sundimtar i Delvinës, i cili më në fund qe ekzekutuar
sipas dekretit të Ali Pashës. Një pjesë të madhe zënë dhe marrëdheniet e Ali
Pashë Tepelenës me Fuqitë Evropiane të kohës si dhe marrëdheniet midis
popullsive të Pashallëkut të Janinës. Dy kapitujt e fundit përshkruajnë fatin
tragjik të Ali Pashë Tepelenës dhe gjithë personazheve historikë që trazuan
historinë e ballkanit në fillimet e shekullit të XIX.
Libri mbyllet me një shënim të Ilo Mitkë Qafëzezit për Ali
Pashën. I tillë ishte fundi i burrit trim
Ali Pashë Tepelenës, i cili për gjashtëdhjetë vjet rresht pati një jetë aktive
duke kryer vepra trimërie. Kështu ai zë një vend kryesor në historinë kombëtare
shqiptare, po ashtu dhe në historinë ndërkombëtare evropiane të asaj kohe. Ali
pashai i dha famë emrit tëtij në gjithë botën. Prandaj gjithë shqiptarët ,
muhamedanë e të krishterë, duke i falur të metat e Asllanit të Shqipërisë, le t’ia
admirojmë mendjemprehtësinë e trimërinë, si dhe muza popullore që na thotë:
T’a
dini me të vërtet,
Trimëria e tij u dijt
Dhe i këtillë Trim më s’mbet,
Të vinjë ma ndë këto dit.
Ilo Mitkë Qafëzezi i përket atij brezi të hershëm
historianësh shqiptare që i ka dhënë rëndësinë e duhur figurës së Ali Pashë
Tepelenës , duke e paraparë epokën dhe periudhën e tij si një periudhë ku
ngjizet identiteti shqiptar .
Burimet:
1- Aravantini. Histori e Ali Pashë Tepelenës( i mbiemëruar “Arsllan i Shqipërisë”) përshtatur në shqip nga Ilo Mitkë Qafëzezi, Bukuresht 1916.
2- Ligor Mile. Shënime për veprën Histori e Ali Pashë Tepelnës( i mbiemëruar “Arsllan i Shqipërisë”) përshtatur në shqip nga Ilo Mitkë Qafëzezi
No comments:
Post a Comment