Arbëria Mesjetare është
një koncept dhe perceptim historik ende jo shumë i prekshëm dhe i studiuar mirë në
shkollat tona dhe për rrjedhojë dhe jo shumë i njohur nga brezi i ri. Kapërcimet pindarike, që
bëhen në tekstet e historisë që mësohet në shkolla nga periudha ilire në atë arbëre dhe orët e
pakta në dispozicion nuk bëjnë të mundur që të ketë një panoramë më të gjerë të zhvillimeve historike
dhe kulturore të Arbërisë paraosmane dhe përngjashmërisë së saj me jetesën, kulturën dhe zhvillimet politike
të përtej Adriatikut.
Është një fakt i padiskutueshëm se afërsia territoriale (jo me
pak se 70 milje nga gadishulli italik) dhe diversiteti kulturor, politik e madje dhe gjeografik i
territoreve arbëre bëri të mundur që kultura latine, bizantine dhe më vonë dhe ajo sllave, të ardhura shumë shpesh në format e pushtimeve apo
dhe influencave kulturore, të krijonin një simbiozë të veçantë kulturore në Ballkan. Kjo shkrirje
kulturash dhe mbi të gjitha një mbiekzistencë elementit
arbër mes presioneve të panumërta për asimilim do të zgjonte kërshërinë e cilitdo studiuesi të shkencave historike e
filologjike, por Shqipëria dhe territoret e saj
nuk kanë qenë shumë me fat në këtë drejtim. Përafrimi shpirtëror, fetar dhe kulturor nën sponsorizimin e Rusisë, shtetit të ri perandorak, që po dilte nga mugujt e
historisë nën dritën shpresëdhënëse të iluminizmit do të formonte rrymën politike e kulturore të pansllavizmit, ndërsa kërshëria dhe përpjekjet për të rikrijuar edhe njëherë mbrekullinë e antikitetit do të nxirrte ne pah,
Filohelenizmin. Mesi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX janë vitet e nacionalizmit në Ballkan por edhe të interesave gjeostrategjike dhe politike të Fuqive të Mëdha, që mundohen të krijojnë shtete klientë në territoret e Perandorisë Osmane që çlirohen një nga një nën zjarrin e kryengritjeve
të njëpasnjëshme. Perandoria Austro-Hungareze, perandoria e
bashkëjetesës të shumë popujve gjendet shumë shpejt nën flakën e nacionalizmave, që lindin mes popullsive të saj të shumta por edhe nën deshirën imperialiste për t’u zgjeruar akoma drejt
jugut. Në kontaktet e saj me
popullsitë e Ballkanit, fill pas
Paqes së Karlovacit në 26 janar 1699,
Perandoria e Shenjtë Austriake do të shikonte me shumë interes popullsinë shqiptare dhe zhvillimin
e saj kulturor. Prej nga këndej kemi edhe fillimin e një shkolle austriake mendimi mbi origjinën, kulturën, dhe
antropologjinë e shqiptarëve. Dominanca e kësaj shkolle mendimi do të vinte edhe bazat e albanologjisë me emra të tillë referues edhe sot për kontributet e tyre si Han, Baron Nopca, Meyer,
Jokl etj. Mes këtyre albanologëve të shquar qëndron edhe Milan Shuflai,
një nga kryearkitektët e rizbulimit dhe rrëfimit në mënyrë shkencore dhe historike të Arbërisë Mesjetare.
Merita e Milan Shuflait
qëndron në faktin se jo vetëm konstatoi zhvillimet kulturore dhe historike në
Adriatikun Lindor,
por sepse në studimet e veta
diakronike e thellë në kohë zbuloi dhe nxorri në
dritë edhe aspekte të panjohura më parë si rasti i statuteve të qyteteve shqiptare. Pjesë të rëndësishme të kësaj kulture mesjetare
ishte sigurisht edhe kultura e ligjeve, juridiksionit dhe rregullimit të marrëdhënieve me të tretët si brenda një territori, por dhe në marrëdhënie me entitete të tjera shtetërore fqinje. Veçoria e
territorit arbër dhe zhvillimet
historike dhe kulturore, që kishin marrë udhë aty bënte të mundur një larshmëri zhvillimi përsa i përket këtij aspekti. Arbëria Mesjetare ashtu siç pasqyronte një
larshmëri influencash politikash dhe kulturore dhe në legjislacion kishte zhvilluar një traditë që shtrihej që nga e Drejta Romake e përfaqësuar dhe me influencë në Arbërinë Jugore dhe me një shtrirje deri në Durrës dhe në Krujë ku shkonte dhe influenca
e Bizantit, me një të drejtë zakonore të quajtur më vonë Kanun dhe të identifikuar kryesisht në jetesën e fiseve malore dhe
shtegtare por edhe me ekzistencën e një të drejte qytetare në formën e statuteve, të ngjashme me qytetet e
tjera të bregut Adriatiko-Dalmat.
Zbulimi i Statutit të Drishtit si dhe vepra “Shqipëria para turke” e
Shuflait, rrëfejnë për Arbërinë Mesjetare ku gjeografia,
besimi fetar dhe gjuha e perbashkët shërbyen si një trinom për të ruajtur një identitet të veçantë etnik dhe dallues nga identitetet e tjera.
Mirëpo kjo pasqyrë që me shumë bujari na e ka afruar
Shuflai, për fat të keq nuk është e gjitha e plotë. Në të, mungon etnosi arbër i shtrirë në Epir dhe me besim fetar ortodoks, që në hartën shtegtare të tij ka lënë gjurmë të mjaftueshme në gjithë pellgun e Mesdheut nëpërmjet stratiotëve të famshëm.
Në veprën e Shuflait ndërsa gjejmë informacion të bollshëm për jetën manastirore të Shqipërisë së Veriut, fisnikërinë si dhe urbanizmin e saj,
nuk ka referenca të hollësishme për Beratin, Vlorën apo dinastitë e Zenebishëve, Muzakajve apo Buajve.
Për cilindo studiues të fushës lind pyetja se përse kjo ndarje si me thikë në studimin e Arbërisë Mesjetare? Aq më tepër që Barleti në veprën e vet, Skënderbeut i referohet si
Princ i Epirit. Ky i fundit në letrën që i dërgon Princit të Tarantos,
shënon krenarinë e të qenit pasardhës i Pirros dhe nga Epiri. Fjalori i Frang Bardhit në 1635 titullohet Dictionarium
latino-epiroticum, ku me këtë të fundit nënkuptohet gjuha shqipe.
Emri gjeografik Epir dhe kultura e
tij mbijetuan deri në shekullin XVII dhe pastaj shuhen dalëngadalë nga memorja kolektive e
popullsisë dhe gjeopolitika e
rajonit. Mirëpo kjo mbivendosje mesa
duket është më e largët sesa koha në të cilën shkruajti Shuflai. Profesor Xhufi shënon faktin në veprën e vet “Dilemat e
Arbërit” se kur anzhuinët
erdhën në Shqipëri, pasi pushtuan Durrësin dhe vazhduan më në jug në drejtim të Vlorës, pasi panë që popullsia që banonte aty ishte arbëre dhe fliste arbërisht, të gjithë territorin që pushtuan e quajtën Regnum Albaniae.
Protektorati i kultit katolik që kishte fituar Perandoria e Shenjtë Austriake
për të mbrojtur popullsinë katolike brenda
Perandorisë Otomane, mesa duket ka përcaktuar qartë edhe zonat e ndikimit të influencës austriake në territoret shqiptare.
Shkolla austriake e mendimit rreth çështjes shqiptare e themeluar nga librat dhe
raportimet e konsullit Han dhe Ippen përcaktuan qartë edhe ndikimin austriak në Shqipëri duke i dhënë një rëndësi më të madhe Shqipërisë së Veriut si një territor shumë më tepër strategjik për Perandorinë Austriake për të dalje në detin Egje
nëpermjet portit
të Selanikut. Ndikimi i kësaj shkolle nuk është vetëm tek Shuflai, por e
gjejmë edhe tek mendimi shqiptar.
Çabej, Buda, Luarasi për të përmendur disa emra u
edukuan në Vjenë dhe në shkrimet e tyre del qartë ndikimi austriak në themelimin dhe hartimin
e tezave në albanologji. Kështu p.sh. Çabej shkruan
në parathënien e "Mesharit" të Gjon Buzukut se edhe një vend si Shqipëria mesjetare ku ka
munguar gjithmonë bashkimi shtetëror, ka pasur treva me një besim të vetëm, një besim ky që nuk mund të mos ketë ushtruar një ndikim koncentrues
edhe në lëmin gjuhësor. Një nga këto treva ka qenë dhe Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj
më parë shtrihej edhe më në veri (Kuçi), kurse nga Jugu arrinte deri në Shkumbin.
Në këtë zonë të hapët, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh të tërë,
duhet të ketë qenë ajo që ndihmoi në një shkallë më të gjerë formimin dhe
zhvillimin e një gjuhe letrare me karakter kishtar.1-At
Giuseppe (Zef) Valentini, M Sciambrra-I.Parrino, Papa Kalisti III, SkënderbeudheKryqëzata (1455-1458), Plejad,
Tiranë, 2009.
Siç shikohet qartë jashtë këtij ndikimi kulturor lihet Shqipëria e Jugut, ndërkohë që në
të njëjtën kohë ka një literaturë në shqip si është perikopeja e Ungjillit
të Pashkëve. Perikopeja e Ungjillit
të Pashkës (fundi i shek. XV-fillimi shek. XVI) është dokumenti
i tretë i
shqipes së shkruar. Ai i përket fundit të
shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI. Ky dokument përbëhet nga 2 pjesë të
vogla biblike në gjuhën shqipe, që u gjetën në një dorëshkrim greqisht të
shekullit XIV, me të cilin ato nuk kanë asnjë lidhje. Ato janë në
dialektin e Jugut, të shkruara me alfabetin grek. Për datimet e saj mendimet
ndryshojnë. Sllavisti G. Praga shkruan: “Karekteristikat paleografike të
gërmave dhe të notave muzikore nuk lejojnë të shkohet përtej fundit të
shekullit XIV. Arbëreshi bizantinist Zef Skiro-junior thotë: “Apektet grafike
nuk janë të tilla që të mos shpihet ky shkrim edhe në gjysmën e dytë të
shekullit XIV. Botuesi e komentuesi i këtij dokumenti gjuhësor, dijetari
arbëresh Nilo Borxha, është shprehur për shekullin XIV. Megjiatë, mendimi më i
përgjithsëm e mban si të fundit të shekullit XIV. Dorëshkrimi gjendet brenda
një kodiku greqisht, që ruhet në Biblotekën Ambroziana në Milano.2-(Jup Kastrati, Historia
e Albanologjisë, Shtëpia Botuese LMG, Tiranë, 2000, fq. 39-40.)
Ky fakt tregon se gjuha shqipe në atë kohë duhet
të ketë qenë shkruar jo vetëm në Shqiperinë e Veriut,
por edhe në Shqipërinë e Jugut.
Po kështu tradita e shkrimit të shqipes tek arbëreshët, që është e dokumentuar të paktën nga vepra e Lek Matrëngës E mbsuame e
krështerë 1592, libër që ka 28 faqe, i shkruar në dialektin tosk pra të Shqipërisë së Jugut dhe që përfshin brenda tij poezinë e parë të dokumentuar shqipe, dëshmon se tradita e të shkruarit të shqipes në Shqipërinë e Jugut ishte po aq e
konsoliduar sa dhe në Veri.
Deri më tash ne nuk kemi në duar një botim studiues filologjik për Perikopenë e Ungjillit të Pashkëve dhe vetëm pesë vite më parë u botua vepra e Prof. Mandalas për Lek Matrëngën. Po kështu botimi i monografisë studimore të Prof. Xhufit "Nga Paleologët tek Muzakajt",
2009 është përpjekja e parë për të dhënë një pasqyrë të zhvillimeve politike në Shqiperinë e Jugut në periudhën që studion dhe Shuflai. Si
dihet qartë ashtu siç kishte zona të ndikimit
ortodokso-bizantin në Arbërinë e Veriut, si p.sh. në Durrës e deri në Krujë, po kështu me ardhjen e Anzhuinëve dhe Venedikut në bregdetin jugor shqiptar
shikohet një prezencë e ndikimit kulturor të Perëndimit dhe katolicizmit.
Krahasimi dhe një përpjekje serioze për të koordinuar më mirë të dy periudhat dhe
ndikimet e ndryshme kulturore mbi Arbërinë Mesjetare do të ishte rizbulimi tërësor i Arbërisë Mesjetare.
Pikëpamjet e mësipërme, të hedhura vetëm si teza për diskutim dhe me synimin
e mundësisë të zgjerimit të studimeve albanalogjike
nuk synojnë zbehjen e kontributit të Milan Shuflait për historinë e mesjetës shqiptare,
por përkundrazi kërkojnë të ridimensionojnë ndikimin e pashmangshëm të tij në historiografinë dhe albanologjinë e mëvonshme të studiuesve shqiptarë. Marrëdhëniet e ndërsjellta shqiptaro-sllave
në Mesjetë nuk do të ishin kurrë të plota nëse nuk do të kishim
botuar veprat madhore të tij, e në njëfarë mënyre rizbulimin e një Arbërie Mesjetare, të veçantë e të përngjashme si shtetet
italike ia dedikojmë veprës së shumanshme të këtij kolosi të mendimit
albanalogjik. Vetë fundi tragjik i jetës së tij dëshmon se fjala e studimet e tij ishin shumë më të
rrezikshme se çfarëdolloj aksioni politik i ndërmarrë për mbrojtjen e shqiptarëve ndaj nacionalizmit
agresiv serb nuk e kurseu duke shkuar deri në eliminimin e tij fizik.
No comments:
Post a Comment