Friday, 17 May 2013

Rifitimi i qytetarisë evropiane përmes Trashëgimisë Kulturore




Qytetërimet janë të çuditshëm me larminë e tyre. Nga njëri cep i botës në tjetrin me gjurmët që kanë lënë vazhdojnë ende të ndjellin dhe kumtojnë mesazhe për të ardhmen. Ndonjëherë në këtë kuturisje të tyre historike që ngërthen sa të shkuarën dhe lidhet krejt papritur dhe me te të sotmen ndodh që të gjendemi krejt të papërgatitur si në një lojë rebusi ku zgjidhja mund të jetë shumë e thjeshtë para syve tanë, por edhe si një abstraksion që do kohë që të marrë përgjigje.
Në këtë situatë absurde u gjendëm para 7 muajsh ku kalendari i një fisi shumë të largët të indianëve të Amerikës, Majave na vuri para një situate ku teoritë e apokalipsit dhe të shkatërrimit të mësuar në libra fetarë apo të plazmuar dhe në nën ndërgjegjen tonë nga gojëdhënat e gjyshërve dhe gjysheve trokitën ethshëm në ditë ndarjen e përcaktuar prej kohësh nga astronomët si dita e Solticit dimëror. Është e kotë të përshkruajmë dalldinë e disa njerëzve që besuan në këtë profeci të shkruar në litarë dhe që rendën të marrin me qira një vendstrehim për ditën e fundit, por besoj se ka rëndësi të sjellim sërish në vëmendje një pyetje që qarkulloi gjithandej nëpër forume mendimesh të lira, se si është e mundur që të merrej për bazë profecia e një fisi të vogël që mund të kishin njohje astronomike të mjaftueshme për epokën e tyre por që ndikimin e tyre e patën pasur shumë lokal e si kish kapërcyer ndonjëherë kufinjtë e Amerikës.
Nuk është se konstatoj ndonjë gjë të re apo bëj ndonjë zbulim nëse theksoj faktin se qendra e qytetërimeve dhe gramatika e tyre është bota mesdhetare. Qytetërimet e Egjiptit të Lashtë, Helenik , Romak, Ilirik dhe Trak kanë formësuar themelet e qytërimeve tona të mëvonshme duke krijuar në këtë mënyrë dhe një lidhje organike midis së shkuarës dhe së sotmes aq sa dhe në teoritë e konsolidimit të Bashkimit Evropian përmenden rrënjët dhe vlerat  të qytetërimit antik greko-romak si vlera të përbashkëta në themel të Evropës së bashkuar. Në këtë kontekst, influenca dhe ndikimi i botës mesdhetare si mund të kuptohet lehtë është i dukshëm  dhe është mëse e pritshme që nëse do të kishte ndonjë teori apo profeci për shkak dhe të afërsisë që ne kemi me këtë qytetërim, do ta prisnim ta kishim në analet e këtij qytetërimi pararendës.Në këtë kontekst ka nevojë që të ketë dhe një rishtjellim të së shkuarës sonë të largët pasi popullsia dhe territoret iliro-arbërore nuk kanë qenë thjesht spektatorë të kësaj trashëgimie kulturore të admirueshme por shpesh herë edhe aktorë dhe faktorë përcaktues në të. Mendohet gjithnjë në mënyrë të gabuar se territoret mesdhetare shqiptare janë të vlefshme vetëm për historinë antike të rajonit si shesh betejash të luftërave civile romake apo dhe si një zgjatim i kulturës romake në anën tjetër të Adriatikut, ndërsa për vëzhguesit e dhe studiuesit është mëse e qartë që territoret mesdhetare shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol të madh edhe në mesjetën e hershme që krijon bazat e qytetërimit evropian. Le ta ilustrojmë përmes një shembulli që është i njohur prej kohësh për qarqet e ngushta akademike dhe studiuesve por që ka nevojë të ritheksohet e të trajtohet për tu bërë pjesë e vetdijes së opinionit publik. Territoret  shqiptare me Durrësin si një kryeqendër e botës mesdhetare, kaq i famshëm deri në mesjetën e vonshme ku bie në duart e osmanëve është vendi ku zhvillohen ngjarjet e një romani kalorsiak të shekullit të XII, të shkruar në frëngjisht e të quajtur “Romani i Florimontit”. Është paksa enigmatik fakti se përse Turoldus ( autori i romanit) që nga Franca e largët zgjodhi Durrësin si objekt kryesor të rrëfimit të tij, por besoj se më i rëndësishëm është fakti që e planetizon rëndësinë e qytetit pasi e vë në kryeqëndër të veprimit të heroit kryesor, Florimontit. Në roman Florimonti lëviz në të gjitha kryeqendrat e qytërimit mesdhetar dhe Durrësi shfaqet gjithandej si qyteti i tij,çka jo vetm nënvizon rëndësinë e tij si qytet por dhe përforcon më tepër faktin se trualli i qyteti edhe pse nuk ka prodhuar një profeci të famshme si të fisit Maja , është pjesë e rëndësishme e materies dhe shpirtit të qytetërimit evropian. Në këtë mënyrë nuk është e rastësishme që ky qytet dhe territoret mesdhetare shqiptare shfaqen gjithandej nëpër letërsinë, historinë e gjeografinë shpirtërore të Evropës, por pyetja është sa njihen dhe sa shfrytëzohen këro burime të jashtëzakonshme turizmi kulturor nga qeveritë shqiptare? A ka sot në Durrës, ndonjë rrugë me emrin e Florimontit dhe një guidë shpjeguese që do ti grishte turistët e huaj ti riktheheshin sërish këtij qyteti? A ka një politikë kulturore të përcaktuar më së miri ku kontributi i studiuesve në vite të shërbente si bazë për krijimin e një guide të mirrëfilltë kulturore për qytetin?
Territoret shqiptare dhe qytetet antike të gjendura në to, nuk janë  qytete dosido,  qytete të krijuara vonë, por kanë mbi vete shumë shekuj histori e kulturë që duhej të bënte këdo qeveri qendrore e lokale të ndihej më përgjegjës dhe më kërkues ndaj vetes për ta mbajtur  titullin e administratorit të tyre. Për fat të keq fati i trashëgimisë kulturore vazhdon të lëkundet mes spontanitetit qeverisës dhe paaftësisë intelektuale të atyre që qeverisin për të kuptuar rëndësinë dhe impaktin që ka trashëgimia kulturore në zhvillimin e vendit. Viti 2013 duhet të jetë një vit kthese në perceptim dhe koncept për të arritur që Shqipëria të pozicionohet në hartën shpirtërore të qytetërimit evropian si një vend kryesor ku janë luajtur dhe kanë marrë jetë shumë prej  kumteve, miteve dhe historisë së afërt e të largët të Evropës. Territoret shqiptare mesdhetare do ta rifitojnë sërish shkëlqimin e tyre të dikurshëm jo përmes ndonjë profecie të lashtë si ajo e fisit Maja, por përmes rigjallërimit të së shkuarës së tyre që gjithnjë e më tepër po i sfidon agallarët e tanishëm të betonit, të tenderave dhe dhënies me qira të monumenteve të kulturës! Në këtë përplasje, ashtu si është e njohur gjithnjë fiton e shkuara e lavdishme, por për të arritur deri aty duhet dhe angazhimi qytetar për ti dhënë fund abuzimit dhe për të hapur epokën e qytetarisë së vërtetë shqiptare që qendron, po aq sa dhe qytetaritë e qyteteve të tjera evropiane, në themel të qytetërimit evropian.


Gazeta Shqip 17.05.2013


No comments: