Në
29 maj të kalendarit Julian 1453, Kostandinopoja ra në duart e otomaneve, një ngjarje
qe pati një ndikim absolutisht te madh në ekulibrin e forcave në Mesjetë e qe
influencoi ne historinë e Mesdheut.
Për herë të parë Mesdheu, që pas daljes së
arabëve aty në shekullin e VII që e kishin ndarë atë më dysh në Mesdheun verior
dhe atë jugor, ndarje që përfaqësonin dhe dy qytetërime të ndryshme të
ndërtuara mbi bërthama fetare të Krishtërimit dhe Islamit, si vëren me të drejtë Anri Piren, ndryshon
sërish balanca politike, ekomomike dhe kulturore ku dalë nga dalë me pushtimin e arkipelagut
grek dhe inkursioneve barbareske nga ana e Algjerit e Marokut drejt brigjeve
evropiane, ai kthehet në një liqen otoman, burim pasigurie për tregtinë dhe
jetën e banorëve të brigjeve evropiane. Në vitin 1453, një pjesë e madhe e
territorit shqiptar administrohej nga Skënderbeu dhe princa të pavarur
shqiptarë që po shijonin frytet e një aleance e traktati miqësie me Alfonsin e
Aragonës që pas fitores së tyre të madhe mbrojtjen e Krujës më 1450, një prej
kështjellave më të rëndësishme të qendresës evropiane. Rënia e Konstandinopojës
, një nga qendrave më të rëndësishme të pushtetit botëror me perandorët e të
cilës shpesh herë kishin lidhur dhe gjenalogjitë e tyre si Muzakajt dhe
Aranitët, i tronditi jo pak, pasi tashmë rruga e osmanëve drejt Evropës ishte e
hapur dhe asgjë nuk mund ti ndalte.
Por
jo të gjithë shqiptarët mendonin kështu. Një pjesë e tyre që qenë rekrutuar
ashtu si dhe vet Skënderbeu në sistemin e devshirmesë të jenicërëve të famshëm
dhe që shërbenin ende në trupat e Sulltan Mehmetit II, ne mënyre te
pandërgjegjshme po kryenin detyrën ushtarake dhe në bazë të së drejtës islamike
prisnin të merrnin shpërblimin nga pushtimi i tokave të reja. Një njëriu te
thjeshte nga korpusi i jenicerëve, nga Badera e Matit, i buzëqeshi fati sepse
ishte nga të parët qe u ngjit ne mure e nguli aty, flamurin osman. Për këtë
arsye ai u gradua pasha dhe hyri ne historinë e otomaneve dhe te Shqipërisë me
emrin Ballaban Pashe Badera. Historia e mëvonshme e tij është e njohur se çfarë përfaqëson,
ç’përpjekje bën dhe sesi përfundon por ajo që na intereson më tepër në
historinë e tij është mënyra e gradimit nga jeniçer i thjeshtë në pasha. Ky
sistem gradimi, për një popullsi vitale e luftarake si shqiptarët, rezultoi te ishte fatale për historinë
politike te tyre, pasi nisi të shërbente si pol i mirë tërheqje për të bërë
karrierë të shpejtë qoftë dhe mbi gjak, vuajtje dhe kufoma të të tjerëve. Edhe
më parë këtë cilësi të shquar të tyre e kishin shfrytëzuar latinët duke i
tërhequr në perandorinë e pamasë të tyre por për shkak se dy brigjet e
Adriatikut kishin provuar shpesh herë emigrime dhe migrime të ndryshme mdis
popullsive nga të dy anët e Adriatikut, qytetërimet që ishin krijuar në të dy
brigjet e këtij deti kishin qenë të ngjashëm. Marrëdhëniet reciproke kishin
vazhduar dhe tashmë , qytetërimet e gjuhëve vernakulare që po dilnn si bija të
latineshtes nga pikëpamja kulturore
kishin marrë udhë. Kjo ishte dhe
një nga arsyet që ky pushtim i ri, i huaj , krejt i ndryshëm nga bota kulturore
e shpirtërore i krijuar deri më tash po përjetohej si një tragjedi. Mbi të
gjitha me të drejtën kanunore të tij të bazuar në Sherihat, kulturën dhe
dominancën e më të fortit po krijonte një kulturë të re, krejt të kundërt nga
më e mëparshmja. Ndoshta qe atëherë u rrënjos shprehja se këtë post/grade e kam
marre me gjak dhe konsiderata qe postet e larta arrihen vetëm me meritokracinë
e dhunës i largoi shqiptarët nga loget e burrave që i përngjanin agorave dhe
forumeve të vjetra antike ku diskutoheshin e debatoheshin idetë para se të
merrnin vendime të rëndësishme dhe i shtyu të bënin famë e pasuri përmes
plaçkitjes e dhunës së territoreve të reja,
që pushtonin në betejat e pafund
në emër të Perandorisë Otomane. Kjo kulturë politike na kushtoi shumë sepse në
shekuj nuk arritëm ndonjëherë të mendojmë për qenësinë tonë dhe prosperitetin
përtej një beteje plaçkitëse dhe rezultati ishte fatal, sepse kur të tjerët
krijuan identetet e tyre kombëtare dhe mbi bazën e tyre shtetet kombëtare, ne
akoma përpëliteshim në beteja identitare për zgjedhur mes Lindjes e Perëndimit.
Sot pas gjashtë shekujsh e gjysëm nga kjo ngjarje , Shqipëria e ka zgjidhur
këtë dilemë por sërish vendi mbete një territor ku frynë shumë erëra dhe
korrente nga Lindja e Perëndimi, dhe shqiptarët duhet vazhdimisht të kujtojnë
vargjet e Poetit të tyre kombëtar, Naim Frashërit që këndonte në fund të
shekullit të XIX “O dritë e bekuar që lind andej nga perëndon....
Revista
Fenix 1.06.2013
No comments:
Post a Comment