Durrësi
mesjetar ka qenë një stacion i dhimbshëm për shumë familje shqiptare që
zgjidhnin të emigronin në Itali pas invazionit osman që kërcënonte ethshëm
identitetin e tyre evropian. Shqipëria e asaj kohe dhe territoret ku banonin
shqiptarët nuk ishin ndryshe nga ana tjetër e detit Adriatik, dhe të njëjtat
ide, pasione dhe rizgjim i së shkuarës antike kish ngërthyer të dy anët e tij,
duke dëshmuar në këtë lloj mënyre se përcaktimi se deti Adriatik “ishte një nga
vatrat e qytetërimit të hershëm evropian” ishte mëse i vërtetë.
Si një qytet me
një të shkuar të lavdishme antike, por tashmë
i administruar nga venecianët, Durrësi përmbante brenda vetes influenca
të shumë kulturave të ndryshme duke e kthyer atë në një qytet kozmopolit të kohës. Edhe kultura arbëre
dhe protoshqiptare ishte e përfaqësuar aty, kryesisht nëpërmjet familjeve të
shquara feudale që e kishin sunduar për një farë kohe dhe që e ndjenin qytetin
si pjesë të trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore. Për këtë arsye qyteti
i Durrësit ishte i pashmangshëm nga ambiciet e tyre për pushtet por dhe nga
dëshira për ta pasur metropolin e zotërimeve të tyre. Mirëpo kjo fazë e artë e
dominimit të tyre politik nuk zgjati shumë dhe kur në horizont u shfaqën
osmanët, gjërat nga dëshirë për ti rezistuar hordhive të tyre të shumta u
shndruan në ikje për ti shpërtuar rrëmetit asimilues që i priste. Për këtë
arsye ai u shndrrua në një port të shpresës, në një port ku mund të emigroje
përtej detit dhe ku mund të vazhdoje sërish jetën e mëparshme me identitet të
theksuar evropian. Në këtë kontekst ai zë një vend të veçantë në shënimet e
pakta që na kanë mbrritur nga ajo kohë, ku fisnikë shqiptarë të përndjekur
këmba-këmbës dhe me ankthin për të shpëtuar familjet e tyre strehohen në Durrës
në pritje të anijes së radhës për të emigruar në brigjet përballë.
Gjithësesi
ka diçka tragjike në këto shtegtime dhe rrugëtime të tyre të detyruara përtej
detit. Nuk është vetëm ndjenja e dhimbjes
dhe mallit të pashuar për truajt e të parëve që mbeten pas që mbizotëron
gjithandej , por ikja e tyre është një fatkeqësi e përmasave të mëdha sepse
bashkë me ta duket se shtegton dhe mendimi politik i shqiptarëve. Për shumë
shekuj pasardhësit e këtij gjaku të shprishur arbër do të qarkullojë në venat e
aristokracisë evropiane nga Italia, në Francë, nga Britania në Austri ku nëpërmjet
pasardhësve të drejtë për së drejtë ku nëpërmjet krushqive, por gjithandej
shumë fisnik dhe shumë i vendosur për të shpëtuar Evropën nga rrënimi i
saj-pushtimi otoman. Durrësi në 1501 bie në duart e osmanëve, të cilët për
shkak se nuk dëshirojnë të bëjnë punime bonifikuese për të tharë kënetën, dhe
për më tepër se egzistencën e tij si një port të rëndësishëm e quajnë më tepër
si një mallkim sesa fat, për shkak se dëshirojnë që zotërimet e tyre ti
shkëpusin komplet nga Evropa , e braktisin dhe e rrënojnë qytetin duke i dhënë
rëndësi Kavajës.
Do
të duhen rreth 411 vjet që Durrësi të rihyjë sërish në historinë e shqiptarëve,
por kësaj radhe jo më si port ikje, por si port shprese dhe mbrritje ku një
grusht burrash do të mbrrijnë për të nisur rrugëtimin e tyre për të shpallur
pavarësinë e Shqipërisë. Para se ata të ikin dhe të nisin rrugëtimin për në
Vlorë, në datën 25 Nëntor Durrësi do të ngrejë flamurin shqiptar për ti
dëshmuar serbëve që po vinin se aty ishte Shqipëri. Qyteti po rihynte sërish në
historinë e shqiptarëve si një qytet që sfidonte kohët dhe epokat duke shpallur
pavarësinë, para ditës zyrtare që do të ishte tre ditë më vonë. Në këtë lloj
mënyre qyteti po i paraprinte aktit të madh duke iu rikthyer kohëve të tij të
arta kur kryezotërit shqiptarë grindeshin me njëri-tjetrin se kush do ta
zotëronte. S’do të kalonte shumë dhe Durrësi do të shpallej kryeqyteti i
Shqipërisë së re, vendi ku do të vendosej Princ Vidi dhe qeveria e tij dhe duke
gëzuar sërish një vëmendje maksimale nga të gjitha Fuqitë e Mëdha evropiane të
kohës. Për këtë arsye Durrësi duhet të ndihet krenar sot në 100 vjetorin e
shpalljes së pavarësisë, pasi u bë djepi i parë ku u përkund pavarësia
shqiptare dhe mori udhë ëndrra e madhe e shqiptarëve pas një nate të gjatë
osmane. Qyteti midis dy epokave po shenjonte sërish si një qytet shprese për
shqiptarët dhe për këtë gjë ata duhet ti jenë mirënjohës dhe të zërë vendin e
duhur në hartën shpirtërore të kombit.
Revista
Fenix 25.05.2013
No comments:
Post a Comment