Saturday, 25 May 2013

Përtej retorikës elektorale



Viti  13’ nuk ka ndonjë konatacion pozitiv në besimin popullor shqiptar ndaj është e pritshme që vazhdimisht të dëgjojmë “profecira” se ndoshta nuk do të jetë një vit i mbarë dhe se në horizont do të shfaqen probleme e pakënaqësira.
Në fakt që në fillim të këtij viti duket sikur po kërkonim gjilpërë në kashtë për të gjetur mbrapshti dhe pesimizëm pasi media dhe gjithë kanalet e informacionit transmetuan dhe numëruan  çdo rast të kronikës së zezë për të na dëshmuar se rendi ishte keq ose shumë keq, se një vonesë në pagesat e rrogave ishte shenjë se shteti po falimentonte, se një debat rreth KQZ  është shenjë se zgjedhjet mund të manipulohen e kështu më radhë. Duket sikur çdo gjë po ecën keq e më keq dhe se në horizont nuk ka shpresë, se ka vetëm dështime e dështime dhe se sukseset duhet ti shikojmë me dylbi së largu. Për qytetarët e thjeshtë kjo situatë vërtetë tingëllon katastrofale dhe nuk lë shumë shteg për të qenë optimistë mirëpo duke qenë se jemi vit elektoral, për çdo vëzhgues të politikës është e qartë se retorikat, raportet, dëshmitë e akuzat do të ashpërsohen, dhe se e gjithë kjo tymnajë që shpërndahet gjithandej në fakt ska lidhje shumë me të dhënat e zhvillimit dhe jetën tonë sociale sesa synon që të tërheqë vëmendjen e qytetarëve mbi vendimet e tyre që do marrin në qershor dhe se kë forcë politike do të votojnë. Sigurisht që pak propagandë politike kryhet gjithandej në Evropë, qeveria bën reforma dhe mundohet të maksimilizojë efektin e tyre dhe opozita në të njëjtë kohë mundohet ti minimalizojë. Gjithsesi në gjithë këtë hapje mbyllje të efeketeve dhe opinioneve që i përngjan një fizarmonike, ka gjithnjë një dozë realiteti dhe arsyetimi logjik që bën të mundur që reformat e nevojshme të miratohen unanimisht dhe të kuptohen dhe përçohen drejt në opinionin publik. Ky mirëkuptim i heshtur midis dy palëve që bazohet dhe në rotacione politike të qenësishme dhe jo të sforcuara përbëjnë thelbin e demokracisë së vendeve perëndimore, modelin e të cilave kemi adaptuar dhe dëshirojmë ti zbatojmë në qeverisjen e vendit tonë.

Po këtu tek ne çpo ndodh? A po krijojmë modele të qendrueshme të të bërit politikë apo vazhdojmë të ushtrojmë të vetmin model që njohim mirë, atë të instiktit të të bërit të gjërave kuturu dhe blllokimin e kundërshtarit me të gjitha mjetet? Duke qenë se kemi rrugëtuar për mëse 22 vjet në detin e gjerë të demokracisë liberale është mëse e natyrshme që mos kemi mbetur me instiktin e ishullorëve që duan të kthehen gjithmonë në ishullin e tyre të izoluar nga bota por të jemi të aftë ta ankorojmë barkën tonë në brigje të tjera më të zhvilluara, më me diell e gjithë dritë. Askush nuk mund të dalë i fituar nëse në ditët në vazhdim nëse vazhdojmë dhe zgjerojmë hendeqet dhe keqkuptimet mes njëri-tjetrit pasi ajo që presin qytetarët e thjeshtë, biznesi dhe gjithë bota shqiptare është se Shqipëria kësaj radhe të arrijë të zhvillojë një fushatë elektorale normale, larg ekseseve të panevojshëm si dhe të administrojë një proces elektoral të admirueshëm në mënyrë të tillë që të shërbejë si gur themeli për normalitetin e proceseve zgjedhore të ardhshme. Sfida e Shqipërisë Evropiane, duhet të përfshijë të gjithë politikën duke e shpallur por dhe konsideruar përmes veprimeve politike si interes kombëtar të patjetërsueshëm. Adaptimi i një politike të tillë kërkon që të largojë çdo gjuhë urrejtje dhe akuzash të pabaza të lëshuara si shashka për të mbuluar interesa të dyshimta që janë larg kredos politike të shqiptarëve por dhe shansit të tyre historik për të qenë për herë të parë anëtarë me të drejta të plota të Evropës dhe së ardhmes së saj. Nuk është se jemi shkëlqyer, nuk është se kemi një mesatare shumë të lartë zhvillimi por të paktën për disa vjet ekonomia dhe të ardhurat e shqiptarëve në këtë kohë krize kanë qenë të stabilizuara dhe këtu nuk ka vend për të përhapur panik pasi qoftë tregu qoftë qytetarët mund të reagojnë negativisht duke u ulur investimet, duke u rritur pasiguria e rrjedhimisht dhe vendet e punës. Një shembull që tregon qartë se Xhakondën mund ta shikosh edhe duke qeshur por edhe duke u ngërdheshur, kjo sigurisht që mbetet në dorë të qytetarëve shqiptarë që nëpërmjet votës , do të japin verdiktin e tyre në 23 qershor. Deri atëherë le tu krijojmë atyre një situatë të qetë ku ekonomia të vazhdojë të rritet dhe harmonia sociale të mbizotërojë pasi kështu politika  u krijon vërtetë kushtet e duhura që çdo katër vjet ua premton në zgjedhjet e përgjithshme që mbahen në vend.


Gazeta Shqip 25.05.2013


No comments: