Tuesday, 7 May 2013

Liria negative e shtypit




Dita 3 maj shënon ne gjithë boten ditën e lirisë se shtypit. Me këtë rast përveçse organizimit te tryezave te rrumbullakëta në çdo vend përkatës ku diskutohen problemet e medies në përgjithësi,nga organizata te ndryshme ndërkombëtare bëhet dhe renditja e lirisë se shtypit sipas vendeve.
Shqipëria si një demokraci hibride dhe ne përparësi e sipër për tu bërë tërësisht funksionale, ka pasur një ecuri që ka filluar qe nga vendet e ulëta dhe ka synuar gjithmonë për tu ngjitur në këtë renditje. Sigurisht qe si çdo zhvillim në Shqipëri edhe liria e medies ka pasqyruar oshilacionet e zhvillimit te vendit, duke bërë të mundur që të ketë renditje te ndryshme e Shqipërisë. Janë te shumte faktorët qe kanë influencuar në këtë drejtim për të pasur një renditje dinjitoze apo renditje në vende nga fundi,  por ajo që ja vlen për të theksuar është se pas integrimit të Shqipërisë në NATO dhe përqasjes së saj për të përftuar statusin e vendit kandidat për tu pranuar në Bashkimin Evropian, liria e shtypit duhej të ishte stabilizuar si koncept dhe Shqipëria të zinte një vend të admirueshëm në renditjen botërore që ti përputhej dhe zhvillimit të vendit. Mirëpo për fat të keq, pavarësisht kësaj pritshmërie pozitive, liria e shtypit në Shqipëri ka disa vjet që humbet vende në renditje duke demonstruar në këtë mënyrë një problem themelor të shoqërisë sonë.
Media si pushteti i katërt në Shqipëri edhe pse në pamje të parë nga zhvillimi i menjëhershëm që ka marrë nga investimet e mëdha private që janë kryer vuan nga po të njëjtat sëmundje që vuan në tërësi shoqëria shqiptare. Problemi i lirisë së shtypit që nënvizohet në raportet ndërkombëtare nuk ka të bëjë me lirinë e të shprehurit pasi ajo është e shenjtë dhe e saksinuar në kushtetutë. Po kështu Shqipëria nuk po jeton nën ndonjë regjim diktatorial ku mbytet fjala e lirë që të reflektojë dhe liri më të pakët të medies,ndaj parë në këtë kontekst tingëllon si paradoks që liria e shtypit sa më shumë vitet të kalojnë të mos përmirësohet por të përkeqësohet. Problemi në fakt nuk qëndron në mungesën e lirisë sesa në një sërë problemesh që rrjedhin nga zhvillimi i dobët i jetës institucionale dhe administrative në Shqipëri. Shumë media janë zhytur në një informalitet mbytës dhe ku shumë të tilla u duhet të mbijetojnë në treg  jo duke i shërbyer qytetarit dhe ndërgjegjes qytetare por tregut politik të partive duke u bërë palë sa me njërën palë dhe sa me tjetrën. Duke u nisur nga ky fakt lajmi dhe opinioni që shitet si i paanshëm shpesh herë është i fabrikuar dhe i shërben politikës. Gazetarët ndihen të kërcënuar sepse shumica janë studentë të gazetarisë ende pa mbaruar studimet dhe punojnë në të “zezë”, pra pa kontratë të vërtetë profesionale dhe u duhet që tu binden pronarëve të tyre që me stilin drejtues të konsoliduar tashmë të Evropës Lindore i mbajnë mediet më tepër si mjet presioni për të ruajtur informalitetin e tyre në bizneset e tjera sesa si tribuna të vërtetë të mendimit të lirë. Për më tepër nuk ka as dhe një konkurrencë të ndershme në treg e madje as sondazhe të besueshme që të masin shikueshmërinë e stacioneve dhe emisioneve televizive duke krijuar një amulli të qëllimshme disinformacioni dhe hierarki të gabuar vlerash.
Pjesa më e madhe e opinioneve mbulohen nga gazetarë jo profesionistë, të cilët prezencën e tyre në shtypin e përditshëm e shohin më tepër si një mjet për tu katapultuar drejt politikës sesa si një shërbesë që po i bëjnë opinionit publik. Prej këndej mund të kuptohet lehtë cekëtia dhe njëanshmëria e tyre çka sigurisht nuk kontribuon në mbarëvajtjen e medies në Shqipëri por mund të klasifikohet shumë mirë në konceptin e lirisë negative të medieve. Është pikërisht kjo liri negative që është përgjegjëse dhe për mungesën e lirisë së shtypit, çka na çon në përfundimin se duhet parë më tepër në sistemin tërësor të gazetarisë sesa në kuadrin mbulues të qeverisë. Rastet në të cilat qeveritë shqiptare bëjnë presion mbi mediet janë të pakta dhe shpesh herë të ekzagjeruara për të përfituar vëmendje politike pasi dihet që liria e medies është një çështje e ndjeshme në Evropë. Kemi qenë dëshmitarë të problemeve të ndryshme që kanë pasur pronarët e medieve në lidhje me bizneset e tjera që zotërojnë , parregullsi dokumentacioni apo dhe qejf mbetje për mosmarrje tenderi e licence të cilat  janë shitur para opinionit si sulme ndaj medies. Sigurisht që qeverive shqiptare u duhet më shumë punë për të bërë në këtë drejtim pasi liria e shtypit ashtu si dhe Liritë dhe të Drejtat e Njeriut është një proces që vazhdimisht kërkon që të përmirësohet, por dhe mediet dhe gazetarët që punojnë në to duhet të fillojnë të ndërmarrin një përmirësim të imazhit të lirisë së tyre në mënyrë që ajo të kthehet nga një liri negative që është sot në një liri pozitive që patjetër do influencojë dhe në zhvillimin e shoqërisë shqiptare por dhe të vetë medies.


Gazeta Shqip 07.05.2013


No comments: