Saturday, 28 January 2012

Rrugëtimi i Vetëvendosjes



Datat 14 dhe 22 janar u shënjuan nga një ngritje amplitudash temperaturash te jetës politike dhe sociale ne hapësirat mbarëshqiptare. Nëpërmjet pamjeve “live” që afron teknologjia të gjithë shqiptarët patën mundësinë për të ndjekur në televizion skenat e aksionit të paralajmëruar të lëvizjes “Vetëvendosja” në pikat doganore që lidhin Kosovën me Serbinë. Aktivistë të shumtë të lëvizjes më të re populiste dhe karizmatike në Prishtinë e përfaqësuar tashmë dhe me një numër të konsiderueshëm mandatesh në Parlamentin e republikës së Kosovës , u munduan që të bënin efektive një akt të parlamentit të Kosovës të votuar në datën 7 dhjetor që kërkon reciprocitet të plotë midis Serbisë dhe Kosovës për shkëmbimet tregtare. Për këtë arsye ata i kishin bërë thirrje të gjithë aktivistëve të tyre , madje dhe mbështetësve nga Shqipëria që udhëtuan me dy autobusë të mbushur plot për të marrë pjesë në aksionin e deklaruar që më parë , që të pengonin në mënyrë simbolike me trupat e tyre qarkullimin e makinave me targa serbe që hynin në republikën e Kosovës. Mirëpo ky reagim i lëvizjes “Vetëvendosja” kish nxitur që më parë. që në gjenezat  tij, para se të artikulohej në forumin që u organizua në Tiranë reagimin e menjëhershëm të qeverisë së Kosovës dhe pothuaj gjithë komunitetit ndërkombëtar që kërkonte respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të organizuara dhe mbështetura nga Bashkimi Evropian. Si mund të kuptohej kollaj “Vetëvendosja” dhe aktivistët e saj u gjendën papritur para një dileme të madhe që ka të bëjë dhe me thelbin e ekzistencës së lëvizjes. A duhet ata tashmë si lëvizje e institucionalizuar pjesëmarrëse në parlament të miratonin marrëveshjet e arritur nga negociatorja e emëruar nga qeveria e Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri apo të mbeteshin besnik mesazhit të tyre fillestar të vetëvendosjes prej nga ka filluar dhe lëvizja? Nuk ka dyshim që për të gjithë ata që e njohin lëvizjen e “Vetëvendosjes” zgjedhja e rrugës së parë do ti përfshinte në nivelet më të larta të politikbërjes në Kosovë dhe mund të shënonte fillimin e një aleance flirtimi me kryeministrin e Kosovës , Hashim Thaci, gjë që ajo e kish hedhur poshtë që në fillimet e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve në 2010.
Mirëpo koha e ka treguar dhe po e tregon gjithnjë e më tepër që lëvizja “Vetëvendosja” nuk dëshiron pushtetin si mjet për të shijuar poste qeveritare por e shikon atë si mjet për të realizuar synimet e saj të shpallura prej kohësh në platformën e saj. Kjo gjë natyrisht e dallon atë në mes gjithë lëvizjeve dhe partive të tjera shqiptare në rajon sepse krijon një lidhje të vërtetë shpirtërore ndërmjet mesazhit që kërkon të përcjellë dhe atyre që besojnë fort në idetë e saj. Kjo ishte dhe një nga arsyet që e gjithë bota shqiptare u ndje keq pas reagimit të dhunshëm të qeverisë së Kosovës në datën 14 janar pasi “Vetëvendosja” s’po kërkonte as më shumë as më pak një reciprocitet në marrëdhëniet me një shtet që nuk e njeh për të tillë dhe që po bën të pamundurën për të penguar njohjen ndërkombëtare të tij. Për më tepër, qeveria e Kosovës në kundërshtim me lëvizjen e lirë , në emër të së cilës e reklamoi ndërhyrjen ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” , ndaloi lëvizjen e lirë të disa qytetarëve dhe bashkëkombësve të vet shqiptarë në Qafë Morinë duke shprehur hapur me këtë veprim frikën e saj ndaj krisjes së monopolit të mesazhit patriotik që ajo kërkon tu përcjellë qytetarëve të vet. Në fakt , kjo është frika që nuk ka vetëm klasa politike e Prishtinës por dhe ajo e Tiranës pasi në skenën politike të Shqipërisë kanë filluar të kristalizohen lëvizje që mbartin pothuajse të njëjtin mesazh politik ashtu si dhe lëvizja “Vetëvendosja”. Është e vërtetë që ashtu si pranohet gjerësisht që nacionalizmi është mjeti më i shpejtë që të çon drejt pushtetit, por në rastin e Shqipërisë koha e ka treguar se ide fisnike dhe të mëdha shpesh herë përfundojnë të këmbyera në poste dhe mandate deputetësh. Kështu që në këtë sens në Shqipëri për momentin nuk mund të pretendohet ashtu si mund të dëgjohet rëndom se Aleanca Kuq e Zi është një replikë e “Vetëvendosjes” pasi midis tyre ka disa ndryshime thelbësore. Së pari lëvizja “Vetëvendosja” ka një platformë të qartë të bazuar në principin e vetëvendosjes si princip i njohur që nga Karta e Atlantikut në të drejtën ndërkombëtare dhe nuk mundohet të ndërmarrë hapa sporadik dhe spontan si Aleanca Kuq e Zi në hapësirat shqiptare, mesazhi i së cilës shkon sa nga kufizimi i mandateve, një ide kjo jo origjinale pasi është artikuluar shumë më herët nga shoqëria civile e deri tek sporti i futbollit për të krijuar një ligë të përbashkët me Kosovën. Së dyti në dallim nga të gjitha lëvizjet apo partitë e tjera politike shqiptare në rajon , deputetët dhe udhëheqësit e “Vetëvendosjes” ishin drejtë për së drejt në ballë të aksionit të shpallur politik pa i braktisur për një çast mbështetësit e vet edhe pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës dhe lëvizja nuk është e personalizuar nga një person i vetëm. Besoj se ky tipar i fundit i ka dhënë lëvizjes dhe më tepër kredibilitet , tipar që është vështirë që ta gjesh në Shqipëri ku ka një shkëputje të madhe midis politikëbërsve dhe elektoratit. Mirëpo kjo mbështetje që gëzon “Vetëvendosja” do të kishte më tepër përkrahje sikur ajo të mos kish përfshirë në mesazhet dhe komunikimin publik të saj paradigmën ndarëse në “ne “ dhe “ata”, ku “ata” nënkuptohet qeveria e sotme e Kosovës, e cila shpesh herë pa të drejtë cilësohet me terma shumë të rëndë për fjalorin politik si “e shitur” apo “kolaboracioniste”. Ky lloj ligjërimi publik i ka rrënjët në ndarjen e madhe të politikës shqiptare gjatë Luftës së dytë botërore, ku komunistët etiketonin me cfarëdolloj epitetesh të tilla të gjithë ata që nuk përqafonin mesazhin e tyre. Në shoqërinë mbarëshqiptare ka shumë persona të tjerë që nuk mbështesin aksionin e Vetëvendosjes por ata nuk janë detyrimisht dhe kolaboracionistë apo të shitur.Detyra e një lëvizje të re që kërkon të bëhet gjithëpërfshirëse është të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe jo ti prishë ato. Për më tepër kur pushteti në vetvete për Vetëvendosjen nuk është një synim i mirëfilltë për të përfituar poste por një mjet për të çuar përpara një kauzë të drejtë si është ajo e sovranitetit të plotë të Kosovës, atëherë për tu kthyer në një lëvizje gjithëpërfshirëse nuk ka nevojë për paradigma të tilla ndarëse por për masivizim të përfshirjes në të.
Përpjekjet për të arritur një stabilitet të Kosovës dhe një njohje ndërkombëtare të saj nuk duhet të monopolizohen nga askush, por të jenë përpjekje gjithëpërfshirëse që do të bëjnë të mundur arritjen e qëllimit final të disa brezash e gjeneratash andej dhe këndej kufirit. Në këtë kuptim “Vetëvendosja” duhet ta kuptojë se qeveria si biseduese e drejtë për së drejtë me partnerët ndërkombëtarë i duhet të respektojë një axhendë bisedimesh me komunititetin ndërkombëtar që i ka dhënë asaj legjitimitet dhe pastaj të kërkojë disa të drejta më shumë në kuadër të përmirësimit të statusit ndërkombëtar të Kosovës, ashtu si qeveria duhet ta kuptojë se është ndierë dhe do ndihet shumë më komfort në këto bisedime ku një element rezistence jep mesazhe se jo çdo gjë mund të jetë e pranueshme nga populli shqiptar i Kosovës. Harmonizimi i këtyre dy energjive pozitive do të ishte një hap i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm që politika në Kosovë duhet ta bëjë mesazhin kryesor të vetin. 


No comments: