Thursday, 12 January 2012

Intervistë

 Çfarë duhet të mësojmë nga viti 2011 dhe prioritet e shqiptarëve për 2012-ën


http://www.albnow.com/intervista/4429-cfare-te-mesojme-nga-viti-2011-dhe-prioritet-e-shqiptareve-per-2012-en.html

1.    Viti 2011 nisi me klimë të ashpër politike, por në fund të tij partitë arritën të gjejnë konsensusin. Megjithatë, si do ta komentonit këtë vit për zhvillimet në vend?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje më duhet t’i rikthehem dhjetorit të vit të kaluar kur në vend gjallonte një entuziasëm i justifikueshëm për shkak se Shqipërisë i ishin liberalizuar regjimi i vizave Shengen  me  Bashkimin Evropian dhe perspektiva evropiane e vendit ishte më afër se kurrë. Për fat të keq tonin dhe të Shqipërisë ndodhi një paradoks i madh politik dhe kulturor. Politika që duhet të ishte lokomotiva tërheqëse e këtij procesi kaq të rëndësishëm për Shqipërinë , ngeci në vend dhe akoma më keq doli fare nga shinat në ngjarjet e dhimbshme të 21 Janarit. Drejtësia akoma nuk e ka thënë fjalën e vet për këto ngjarje duke e rënduar më tepër psiqikën e shoqërisë shqiptare pasi një vend që ska drejtësi e ka të vështirë të gjejë ekulibrin në fushat e tjera si ekonomia dhe politika. Paradoks kulturor, sepse të gjithë besonim se pas 20 vjetësh demokraci dhe tranzicion e kishim fituar kulturën e duhur politike për të mos pasur konfrontime të tilla. U desh sërish që të mobilizohej politika ndërkombëtare, të zbarkonin në Shqipëri gjithfarë mediatorësh që palët të pranonin të hynin në bisedime,të hynin në zgjedhje, të shkëmbenin dekalarata të ashpra mes tyre dhe më në fund të gjenin fjalën e përbashkët për të filluar një dialog dhe bashkëpunim serioz mes tyre. Si shikohet nga kurba e e gjatë politike e këtij viti, shumë gjëra ishin shumë të realizueshme dhe më parë vetëm sepse në shumë raste mungoi vullneti politik. Për partitë politike ndoshta , ky qendrim stoik në pozicionet e tyre partiake është dhe demonstrim force por për qytetarët shqiptarë që humbën dhe për një vit trenin e integrimit ishte një kosto e lartë. Të shpresojmë se ky bashkëpunim i nisur, i demonstruar dhe nga zgjedhja e Avokatit të Popullit të ketë themele të forta në mënyrë që mbi to të ngrihet solide integrimi evropian i Shqipërisë.

2.    Integrimi në BE është një prej prioriteteve të vendit. Çfarë u arrit në këtë drejtim gjatë këtij viti dhe çfarë mund të bëhej më mirë?
Integrimi në B.E ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e qeverive shqiptare dhe në këtë sens e gjithë axhenda qeveritare është e hartuar në këtë drejtim. Mirëpo, si thashë dhe më lart situata politike në Shqipëri nuk ishte e favorshme për të fituar marrjen e statusit të vendit kandidat, gjë që e ka dëmtuar paksa perspektivën evropiane të Shqipërisë. Nga ana tjetër, personalisht jam ndjerë mirë kur Komisioneri për Zgjerimin Fuhle ka përsëritur shpesh herë ofertën për të plotësuar 12 pikat që përbëjnë kushte politike për normalizimin e situatës politike në vend dhe menjëherë Shqipëria do ta përfitojë statusin e vendit kandidat.Kjo gjë do të thotë se Brukseli i vlerëson për mirë shumë nga reformat e ndërmarra në Shqipëri, se Shqipëria është gati teknikisht dhe nuk ka asnjë gjë më pak apo më shumë se vendet e tjera të rajonit. Mirëpo në këtë përpjekje të vazhdueshme për të aritur teknikisht tëgjitha kushtet e marrëveshjeve me B.E nuk duhet arritur një nga shtyllat bazë të politikave të B.E që ka të bëj me përmirisimin e cilësisë së jetës. Qeveria duhet të investojë dhe tregojë më tepër kujdes që institucionet si spitalet, shkollat, universitetet etj ti përngjajnë atyre evropiane si për nga cilësia e shërbimit por dhe nga kushtet dhe konditat.
3. Ky vit u karakterizua nga një marrëdhënie problematike e mazhorancës me Presidentin apo edhe me ndonjë institucion tjetër të pavarur. Këtë gjë duhet ta konsiderojmë si një fenomen normal të  demokracisë apo ka vend për diskutim dhe për të dyja palët?
Unë besoj se është e natyrshme që një demokraci në zhvillim që po përpiqet të bëhet funksionale të ketë dhe përplasje midis institucioneve. Problemi qendron sesa etike dhe morale janë këto përplasje? A ndodhin për shkak të mbrotjes së principive dhe ligjshmërisë në vend apo janë pjesë e lojës politike? Më rezulton se disa nga këto përplasje më së shumti kanë ndodhur për shkak të kësaj të fundit , ndaj kur të fillojmë të mos i personalizojmë institucionet dhe ti konsiderojmë si ngrehina të përhershme shtetërore që do të mbeten aty dhe kur të përfundon mandati atëherë besoj se do të kemi një harmoni mes tyre si në demokracitë e tjera të zhvilluara. Për sa kohë ambiciet personale të faktorizimit në jetën politike të vendit nëpërmejt institucionit do të jenë aktive kjo situatë do të vazhdojë të mbretërojë në Shqipëri qoftë dhe me te tjerë protagonistë. Dialogu dhe konsesusi do të shtoja për situatën e sotme mes tyre janë dy fjalë “magjike” që sjellin harmoni jo vetëm vendit por dhe funksionimit të drejtë të demokracisë.
4. Pavarësisht emrave me të cilat ajo është pagëzuar, herë krizë e herë ngërç, marrëdhëniet e acaruara pozitë – opozitë patën koston e vet për vendin. Çfarë na mësoi ky vit, si politikës, ashtu edhe njerëzve të këtij vendi?
Unë besoj se ky vit , ishte një vit i leksioneve të mëdha për një politikë arriviste dhe të paprinciptë që në fillim të vitit 2011 e coi vendin në zgripin e një konflikti të madh nga i cili asnjë palë nuk do të kish dalë e përfituar. Ndërsa neve qytetarëve të thjeshtë ma mësoi se duhet të jemi të kujdesshëm kur hedhim votën. Perspektiva dhe pritshmëria jonë ishte që vendi të merrte statusin e vendit kandidat , kurse politika që ne kishim zgjedhur në 2009 na zhgënjeu me krizat e ngërcet e saj. Besoj se për zgjedhjet e ardhme të përgjithshme qytetari shqiptar duhet të bëjë një harmonizim më të mirë të votës së vet me nuhatjen politike për të zgjedhur ata që do e ndihmojnë më shumë për tu bërë qytetar i B.E dhe jo të mbetet një qytetar periferik i saj.
5. Parë më sytë analistëve dhe qytetarëve cilat duhet të jenë prioritetet për 2012?
Prioritetet politike të Shqipërisë do të jetë plotësimi i axhendës së paplotësuar të vit 2011, pra marrja e statusit kandidat për në B.E. Nëse klima politike vazhdon të jetë e njëjtë dhe të përmirësohet , Shqipëria mund të ketë një suprizë të këndshme në këtë drejtim kur do të rishqyrtohet kërkesa e saj. Nga ana ekonomike do të vazhdojnë prioritetet e mëparshme edhe pse kriza ekonomike që ka përfshirë Evropën nuk të lë shumë dorë për të realizuar shumë gjëra në këtë drejtim. Vetëm se në një rishikim të buxhetit duhet parë më me shumë seriozitet sektorët që janë prioritet si ai turizmit që në këtë buxhet që u votua, zë vetëm 0.89 % . Nga ana kulturore, ky vit është përvjetori i njëqind i pavarësisë dhe shqiptarët duhet të fillojnë të përgatiten seriozisht për të festuar këtë ngjarje të madhe.






No comments: