Thursday, 5 January 2012

Si Franca...



Franca, si vend evropian por dhe si vend i  kulturës zë një vend të veçantë në botëkuptimin kulturor të shqiptarëve. Aq e vërtetë është kjo lidhje sa të gjithë na kujtohen thëniet e gjyshërve tanë për çdo prodhim apo mall konsumi modern që vinte nga Evropa, të shpreheshin me habi “ ç’paska bërë frëngu!”. Por adhurimi ndaj Francës nuk natyrisht nuk ka qenë vetëm në nivel popullor, por ka përfshirë dhe elitat shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë frankofonë, duke filluar që nga rilindësit Sami Frashëri që hartonte dhe fjalorin e parë modern frëngjisht-turqisht, Pashko Vasa që i botonte në frëngjisht veprat e tij “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe “Bardha e Temalit” apo dhe Naim Frashëri që i këndonte “Evropës së mjerë që priste ta zgjonte nga gjumi Rusoi dhe Volter” dhe natyrisht një brez i tërë intelektualësh shqiptarë të viteve 30’ si Nonda Bulka, Kostaq Cipo,, Vedad Kokona etj. Edhe gjatë kohës së diktaturës Franca mbeti i vetmi vend perëndimor ku Shqipëria dërgonte studentë për studime universitare dhe pas universitare dhe sot pjesa më e madhe e tyre janë bërë dhe figura aktive të politikës  shqiptare si Sali Berisha, Skënder Gjinushi, Kastriot Islami, Rexhep Mejdani etj. Madje dhe personalitete të tjera të kulturës pasi kanë jetuar disa vite në Francë janë bërë anëtarë aktivë në politikë si Edi Rama apo janë rafinuar më tepër estetikisht dhe politikisht si Besnik Mustafaj. Të gjithë këta emra dëshmojnë se pavarësisht se gjithë elita jonë mund të pretendojë një dashuri të madhe për botën anglo saksone, në fakt ajo për “dashuri të parë” ka botën frankofone. Prandaj ashtu si është e njohur gjerësisht se dashuria e parë nuk harrohet, pavarësisht flirtit me botën anglosaksone të përfaqësuara nga SH.B.A, elita politike shqiptare është munduar të kultivojë shije frankofone në politikën shqiptare ku referencat dhe batutat shkëmbehen vetëm në frëngjisht për bulevardet e Parisit apo personazhe dhe citate të politikës franceze.
Mirëpo në gjithë këtë adhurim dhe kultivim shijesh franceze në Tiranë të bie në sy që jo të gjithë shembujt që na vinë nga Franca ndiqen. Sigurisht këtu nuk e kam fjalën për parfumet dhe modën por për shembuj të mirëfilltë politikë. Para disa ditësh një gjykatë franceze dha një vendim për të dënuar me dy vjet burg ish Presidentin e Francës dhe një nga figurat më legjendare të së djathtës franceze Zhak Shirak. Arsyeja ishte se gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar  Bashkisë së Parisit, ai kishte financuar në mënyrë jo të ligjshme disa aktivitete të partisë së tij dhe kish paguar me pagë të rregullt nga Bashkia disa anëtarë të partisë së tij në kohën që nuk ishin punonjës të bashkisë. Për lexuesin shqiptar , kjo gjë mund të tingëllojë si absurde, madje- madje e pakonceptueshme që të përbëjë një vepër penale, pasi ne jemi një vend ku financimi i fushatave elektorale apo dhe militantëve nuk bëhet fare transparent dhe ku prokuroria shqiptare e quan këtë fushë një çiflig të politikës dhe as që merr mundimin që të ndërhyjë, por në hapësirën evropiane ku ne synojmë të integrohemi padyshim që ky aspekt përbën një pjesë të rëndësishme të sjelljes së politikanëve dhe partive politike. Zhak Shirak nuk është i vetmi që ka kaluar nga dyert e drejtësisë për këtë problem. Shumë vite më parë kancelari më i suksesshëm gjerman Helmut Kohl u detyrua që të tërhiqej nga politika pikërisht për një shkak të tillë. Por ndërsa gjermanët ose “nemcet” si i kemi quajtur në gjuhën popullore nuk kanë përbërë përherë një model referimi për shqiptarët dhe Shqipërinë mbetet shumë interesant fakti se kur do të fillojmë ti bëjmë për vete shembuj të tillë të paktën kur na vinë nga Franca që klasa jonë politike e kaq shumë për zemër.
Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet për mëse 20 vjet prioritet i gjithë qeverive shqiptare. Në këtë betejë sigurisht që ka pasur fitore por dhe humbje shumë të mëdha , ku mes tyre spikat më tepër humbja e besimit të qytetarëve se një ditë peshqit e mëdhenj do dënohen vërtetë dhe rrjedhimisht krijimi i një kulture të mos ndërshkueshmërisë kur ai është gjetur dhe bërë publik në nivele të larta.  Shqipëria mund të jetë nga të paktat vende ku raporti i perceptimit popullor për korrupsionin i matur çdo vit nga Transperancy International me numrin e zyrtarëve të lartë të dënuar dhe gjykuar është nga më të voglit në rajon. Në renditjen e publikuar para disa ditësh për fat të keq kishim rënë 8 vende më poshtë në renditje duke lënë pas vetëm Kosovën të qeverisur dhe ajo nga shqiptarë. Ky perceptim popullor dhe frymë që mbizotëron në popull se korrupsioni është kudo duhet të përbëjë një kambanë alarmi për qeverinë, opozitën dhe gjithë klasën politike shqiptare. Përtej përllogaritjeve prej pazari oriental të përqindjeve elektorale apo mbështetjes së individëve të veçantë që mund të sjellin vota në thesin tënd, duhet të ekzistojë një forcë morale e papajtueshmërisë me të keqen sepse ndryshe kjo frymë  kthehet në një bumerang ku viktimizohen të gjitha qëllimet e mira dhe fisnike të një qeverisje. Viti 2004 ishte viti 00 përsa i përket korrupsionit dhe pjesa më e shëndoshë e inteligjencës së vendit pothuajse ishte dakord që të ndodhte një rotacion politik për ti dhënë fund këtij fenomeni të shëmtuar të demokracisë. Dhe me të vërtetë pas atij viti është bërë shumë punë që nga prokurorimi publik dhe deri në monitorimin e doganave dhe rritjen e të ardhura fiskale në buxhetin e shtetit dhe eliminimin e figurave të tilla si sekserë të hapjes së një biznesi apo doganieri që e derdh paranë lumë. Mirëpo sërish nuk kemi arritur në finish, na duhet akoma të vrapojmë pasi kemi probleme,ashtu si tregojnë raportet e përvitshme të Transperancy International por dhe për të fituar besimin e miqve ndërkombëtarë. Nuk është ndonjë sfidë e jashtëzakonshme. Gjërat nuk janë aq të vështira sa duken. Kërkon pak më tepër vullnet politik, pasi eksperiencë nga vendet e tjera kemi plot. Le të përpiqemi të marrim nga Franca jo vetëm parfumet, modën, legjislacionin por dhe rastin Shirak pasi vërtetë do të fillojmë të ndihemi mirë. Atëherë dhe pleqtë mund të thonë se për drejtësi u bëmë si “frëngjtë” por dhe të rinjtë së bashku me tifozërinë për skuadrën e Francës në futboll mund të arrijnë të kuptojnë se u bëmë vërtet si Franca, të paktën në dy fusha të arritshme, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të drejtësisë. 





No comments: