Wednesday, 11 January 2012

Leximi “ndryshe” i “Child Haroldit”.





Leximi “ndryshe” i “Child Haroldit”.

(Një përqasje  kritike ndaj mendimit Bajronist shqiptar)


Studimi i veprës së Bajronit në Shqipëri përfshin një periudhë më shumë se 150 vjeçare, por jo të gjithë këta vite kanë përbërë një studim thelbësor të veprës së tij. Kjo për arsyen se vepra e Bajronit dhe në veçanti “Child Harold”-i  do të vinte te shqiptarët  në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre nacionalist. Për rrjedhojë studimet e para apo më saktë artikujt e gazetave ishin të nivelit amatorë dhe paraqesin më tepër me interes bibliografik,si raste kur është bërë e njohur vepra e poetit në Shqipëri.
 Këto aspekte të njohjes së veprës së Bajronit kushtëzuan dhe studimin e veprës së tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre. Kjo është koha kur krijohet miti shqiptar i Bajronit. Ashtu si të gjitha mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të ndërtimit të identitetit shqiptar.“Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”.[1]Është kjo arsyeja që deri në vitet 30’ të shekullit gjejmë shpesh në organet e shtypit të shkruar artikujt ku më shumë trajtohen kontakte Bajronit me shqiptarët sesa artikuj studimorë rreth veprës së tij.
Një ndryshim cilësor ndodh në vitet 50’ të shekullit të kaluar ku spikatin përkthimet e veprave të Bajronit , artikuj studimorë si dhe monografia e parë kushtuar poetit. Kjo mund të konsiderohet periudha më e arrirë e studimeve bajroniste në Shqipëri pasi për herë të parë nuk kemi më artikuj të thjeshtë por vepra të mirëfillta shkencore rreth Bajronit dhe veprës së tij. Gjithsesi edhe në të vihen re gjurmët e mitit të Bajronit ku akoma vazhdohet t’i jepet më shumë rëndësi marrëdhënieve të poetit me shqiptarët, përshtypjeve të tij rreth tyre sesa studimit të mirëfilltë të fenomenit Bajron. Madje nuk do të ketë ndonjë përqasje të vërtetë kritike rreth mënyrës sesi i portretizoi Bajroni shqiptarët por në raste të veçanta përkthimi i veprës së tij dashur pa dashur do të vazhdojë të farkëtojë  mitin e poetit ndër shqiptarët.
Studimet e deritanishme kanë vuajtur nga vendosja në qendër të vëmendjes të vetive pozitive të shqiptarëve si trimëria dhe bujaria dhe mungesa e evidentimit të këndvështrimit objektiv të mënyrës sesi i portretizoi Bajroni shqiptarët. E njohur si një sëmundje e gjithë popujve ballkanikë të cilët mitizojnë cilësitë e tyre, kjo lloj përqasje kritike në fakt nuk ndihmon në asgjë. Ajo ilustrohet më së miri në botimin e veprës së Faik Konicës “Shqipëria , një kopsht i Evropës Juglindore”, ku vargjet e “Child Harold” dhe pjesë nga letra dërguar së ëmës, janë përdorur për të ilustruar karakterin psikologjik të shqiptarit.[2]Përmendim Konicën këtu(pasi si ai ka dhe shumë figura të tjera) pasi ai përbën një nga intelektualët më të formuar të të dy periudhave, të Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë dhe nëpërmjet referencave të tij del më qartë sesi e ka përdorur elita shqiptare mitin shqiptar të Bajronit për sendërtimin e identitetit shqiptar. Por si i kish portretizuar Bajroni në të vërtetë shqiptarët?A ka portretizuar shqiptarët në poemën e tij epike “Child Harold” me nota pozitive?Dhe nëse është kështu, a kish mundur ai të hidhte në letër gjithë pasionin dhe dashurinë për ta, apo në mënyrë të pandërgjegjshme kish skicuar një portret të tyre që ndoshta nuk e kish dashur?
Në një analizë tekstuale, krahasuese dhe të detajuar të veprës “Child Harold” dhe letrës që i dërgon së ëmës nga Preveza më 1809, vihet re një mospërputhje që ka, në përshtypjet rreth shqiptarëve të shprehura në letër, dhe portretizimit të shqiptarëve në veprën e vet “Child Harold”.Kontradikta të cilën Konica por dhe bajronistët e mëvonshëm shqiptarë nuk e evidentojnë, qëndron në faktin se tjera përshtypje pozitive poeti i transmeton së ëmës për shqiptarët dhe figuracion dhe imazh paksa më të rezervuar përdor në poemë për ti portretizuar ata.
Si një dishepull i Romantizmit, Bajroni u influencua nga dy kulte në portretizimin e shqiptarëve: primitivizmi ose kulti i “the Noble Savage” dhe kulti oriental. Referencat bazuar në mitin e primitivizmit janë të shumta në Këngën e Dytë, ku Shqipëria thirret “nurse of savage men[3]. Natyra e saj përshkruhet me ngjyrime të ashpra,... here roams the wolf the eagle whets his beak/Birds,beasts of prey and wilder men appear-këtu bredh ujku-shqipja sqepin mbreh/Zogj-bisha-njerëz të egër zënë duken...[4] kurse vetë shqiptarët përshkruhen si ‘wild[5] dhe “fierce[6], ndërsa gratë shqiptare “tamed in their cave[7]-në kafaz mësuar[8] një figuracion që vështirë ti përshtatet natyrës së butë femërore. Bie në sy përpjekja e të dy përkthyesve që fjalën “cave” ta përkthejnë duke i zbutur ngjyrimin negativ nga “shpellë” në “kafaz”. Në fakt kjo është një tendencë që haset shpesh në të gjitha variantet në shqip të Child Harold-it. Është interesant fakti se qoftë Konica apo më vonë dhe Luarasi të cilët ndjekin shkollën e përkthimit kreativ dhe jo të drejtë për së drejtë ashtu si bën Tasi në 2002, fjalët “savage” përkthehen në shqip “të egër”[9] tek Luarasi dhe të “tmerruar”[10] tek Konica, por Tasi i përkthen “të rreptë”[11] . Ndërsa fjala “fierce” të dy i përkthejnë si të “rreptë”, kur kuptimi i saj i  parë në anglisht është “violent and aggressive ”[12]-i dhunshëm dhe agresivë. Mesa duket me instinktin e përkthyesit dhe nën influencën e mitit të Bajronit, qoftë Luarasi, qoftë Tasi kanë kuptuar imazhin e egër që u vishet shqiptarëve në vargun...Fierce are the Albanians, prandaj e përkthejnë atë njëlloj.
Gjithsesi duhet shënuar se miti i primitivizmit në Këngën e Dytë nuk është ai i besimit në mirësinë natyrale të njeriut dhe në pashmangshmërinë e degradimit të qytetërimit njerëzor por është një jehonë e ndikimit romantik me theksimin e kultit të Natyrës, lirisë dhe njeriut[13]. Veçse ky kult në poemë nuk qëndron më vete por është i lidhur ngushtë me kultin tjetër, atë të Orientit. Ky i fundit ka influencuar në mënyrën e pavetëdijshme të perceptimit të Tjetrit. Themi të pavetëdijshëm pasi Bajroni në letrën e dërguar nënës së vet shkruan se “i dua shqiptarët shumë”[14] por kjo nuk e pengon që në poemën vet ti portretizojë shqiptarët sipas klisheve të orientalizmit. Sepse siç thekson Edward Said, “orientalizmi është një shpërndarje e shqetësimit gjeopolitik në tekste estetike, shkollore, ekonomike, sociologjike, historike dhe filologjike”.[15].Në këtë rast poema Child Harold” mund të trajtohet si një tekst i tillë. Veçse orientalizmi i ushqyer nga Ali Pasha te Bajroni nuk si sfond kolonializmin dhe imperializmin perëndimor por udhëtimin.[16] Shqetësimi gjeo-politik në këtë rast ishte fakti që këto toka ishin nën qeverisjen e Ali Pasha Tepelenës, një prijësi jogrek dhe burrë luftërash dhe njeri mizor.[17]Për rrjedhojë, shqiptarët dhe klasa udhëheqëse e tyre parë me sytë e Bajronit, nuk kanë vetëm veti pozitive të trimërisë dhe bujarisë por dhe në ato të egërsisë, mizorisë, dinakërisë dhe epshit oriental. Studiuesja Katherine Flemming  ka vërejtur me të drejtë, kur perifrazon strofën 62 se Lord Bajroni , në poemën epike “Child Harold” shkruan se fytyra e Aliut( Pashë Tepelenës) ishte veçanërisht e ëmbël, aq sa të maskonte dhunën.[18]Po kështu në këto vargje të bën përshtypje referenca rreth divanit i cili në çfarëdolloj vendi tjetër mund të ishte divan, por tek Ali Pasha duhej të ishte voluptuous[19]-epshndjellës.
Vëzhgimet e mësipërme bëhen më e dukshme nëse bëhet një krahasim i thjeshtë midis vargjeve ku flitet për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe asaj ku flitet për Greqinë dhe grekët. Me këta të fundit, poeti edhe pse shpesh herë në letrat e veta private është i zhgënjyer nga realiteti i grekëve të atëhershëm deri aty sa të shprehej se ata ishin “skllevër të bindur, me të gjitha veset turke dhe jo kurajozë.”[20], në poemë ai i portretizon me mbiemra pozitivë duke ju drejtuar qysh në fillim si “Fair Greece”-Greqi e Bukur[21], spirit of the freedom-shpirt i lirisë [22]e më vonë vajton humbjen e lirisë së Greqisë”[23].
Është e qartë që poeti nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit, i cili ishte shumë i pranishëm në atë kohë kur poeti shkroi “Child Harold”,[24] dhe në një territor si Epiri që banohej nga të dyja popullsitë na transmeton dy paradigma të kundërta kur shumë studiues kanë vërejtur se në realitet nuk kishte ndonjë ndryshim të madh midis tyre përveç përkatësisë fetare. Madje ka autorë të cilët nuk i akuzojnë kurrë shqiptarët për padituri në mënyrën si akuzohen ndonjëherë grekët dhe shumë më shpesh turqit. Në fakt shqiptarët janë përshkruar si një popull inteligjent, të shquar për “mprehtësi dhe gjykim të shëndoshë” dhe që “nuk u mungonte talenti”.[25]Bajroni e shpreh këtë përshtypje me vargjet...“yet they lack no virtues, were those virtues were more mature”-po vetitë nuk u mungojnë veç t’ishin më të arrira[26].
Parë në një vështrim retrospektiv veprat e udhëtarëve anglezë bie në sy se është tipari i përkatësisë fetare që influencon në krijimin e këtij kontrasti midis dy popullsive. Madje ky kontrast në gjykim që ndonjëherë kalon dhe në racizëm dhe paragjykim është i dukshëm në këto shkrime dhe për dallime brenda popullsisë shqiptare, siç paraqitet në përshkrimet e Nicholas Biddle kur shkruan se “shqiptarët me origjinë turke(kupto myslimanë) janë një racë e keqe dhe vrasësish, ndërsa ata me origjinë kristiane përbëjnë njerëzit e kultivuar[27].As Bajroni nuk i ka shpëtuar këtij paragjykimi fetar kur shkruan and bade to Christian tongues a long adieu/Now he adventured on a shore unknown-I la shëndenë botës së krishterë/Po nisej për një trevë të panjohur[28]. “Treva e panjohur” ishin “tokat e qeverisura nga Aliu, të cilat shiheshin njëherazi si evropiane dhe orientale, si të krishtera dhe myslimane.[29]Kjo situatë familjare me Lindjen e Afërme përshkruhet në vargjet .. here the red cross(for still the cross is here,though saddly scoff’d at by circumcised[30]-Kryqi këtu(se kryq ka prapë, megjithatë e tallin synetlinjtë.
Dallimin midis dy botëve nuk e bën natyrisht kryqi apo ndonjë objekt tjetër kulti, por synetlinjtë, një tjetër imazh ekzotik orientalist. Pikërisht tek ky perceptim i veçantë i të qenit të huaj dhe familjar njëherazi, Saidi ka identifikuar njërën nga karakteristikat kryesore të vizionit orientalist.[31]Ky vizion, ku “orientali duhet ti korrespondojë tipit oriental[32] ndan si me “spat” klasën politike të shqiptarëve dhe shqiptarët në “orientalë” dhe grekët në “oksidentalë” në poemë.
Kjo lloj analize nën skupën e orientalizmit  të  “Child Haroldit” mbetet një sprovë dhe ndoshta një drejtim i ri i studimit të veprës së poetit në Shqipëri. Ajo synon të bëjë një analizë tekstuale të më shumë se një rrafshi, siç është ai estetik, por edhe një analizë të detajuar historike dhe sociologjike të veprës. Për më tepër ai ka vite që në kritikën botërore po lexohet në këtë mënyrë, dhe besoj se është koha që dhe ne ta fillojmë ta lexojmë pak më ndryshe sesa jemi mësuar deri tani. Ky lloj leximi i ri do t’i japë një imazh më jetësor Bajronit dhe veprës së tij në Shqipëri.

Gazeta Shqip. "Ndryshe"  20.09.2009



[1]  -Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 13
[2]  Po aty,  faqe 40
[3] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 122-nënë e ashpër e burrave të rreptë
[4] Bajron. “Child Harold”.Shtëpia botuese “Naim Frashëri”,Tiranë:1973, faqe 69
[5] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 136
[6] Po aty faqe 140
[7] Po aty, faqe 138
[8] Po aty, faqe 139
[9] Bajron. “Child Harold”.Shtëpia botuese “Naim Frashëri”,Tiranë:1973, faqe 67
[10] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002, page 36
[11] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 122
[12] Oxford English Dictionary Paperback,edited  by Catherine Soanes, Oxford University Press:2002, faqe 103
11-The Oxford Companion to English Literature, 6th edition edited by Margaret Drabble, OUP 2000, page 816
[14] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 39
[15] Edward Said.”Orientalism” Penguine, 1995, faqe 12
[16] Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 25
[17] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 138
[18] Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 188
[19] Byron. “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 138
[20] Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and New York:1990,faqe 92
[21] George Gordon Byron. Child Harold, Kanto II, stanza LXXIII at http://ëëë.geocities.com/Athens/Delphi/7086/chp2.htm
[22] Po aty.
[23] Oxford English Dictionary Paperback,edited  by Catherine Soanes, Oxford University Press:2002, faqe 103
[24] Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and New York:1990,faqe 100
[25]Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 19,20
[26] Bajron. “Child Harold”.Shtëpia botuese “Naim Frashëri”,Tiranë:1973, faqe 69
[27] Nicholas Biddle.”Shkëlqimi drejt thatësirës”.Istorika. ElefterotypiaAthina:23 Gusht 2001.faqe 21
[28] Bajron. “Child Harold”.Shtëpia botuese “Naim Frashëri”,Tiranë:1973, faqe 69
[29] Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 165
[30] Byron  “Child Harold”.Tiranë.Toena:2002, faqe 127
[31] Katherine E Flemming.”Bonaparti Mysliman”.Tiranë, Dituria:2002, faqe 16
[32] Edward Said.”Orientalism” Penguine, 1995, faqe 248


No comments: