Mbamë në kurriz se mirë e ke”
Fransisco Goya 1746-1828
konsiderohet si mjeshtri i fundit i madh
pikturës klasike dhe një nga pararendësit e artit modern. Ai është shumë
i njohur për pikturat që realizoi për të familjen mbretërore në Spanjë ,
piktura që tregojnë shkëlqimin e oborrit spanjoll por në pararendjen e tij
drejt artit modern ai zbuloi pikturat bardhë e zi në formën e karikaturave që
sipas fjalëve të tij pasqyronin “dobësitë dhe idiotësitë që mund të gjendeshin
në çdo shoqëri civile dhe që paragjykimet e përbashkëta dhe praktikat
mashtruese që prodhojnë injoranca ose interesat vetjake i kanë bërë ato mëse të
zakonshme”. Los Caprichos u publikuan ne vitin 1799 ne një kohe represioni shoqëror dhe krize
ekonomike ne Spanje. Seria e karikaturave bardhe e zi "Kapriçot" ishte
një dëshmi e liberalizmit politik te Fransisco Goya-s dhe revoltës se brendshme
kundrejt injorancës dhe shtypjes ndaj intelektualeve qe bënte ne atë kohe
monarkia spanjolle dhe Inkuizicioni. Në shqip ato u përmendën për herë të parë
në vitet 70’ sëbashku me romanin e mrekullueshëm të Lion Feuchtëanger “Rruga e mundimshme
drejt njohjes”, një roman historik për Goya-n, përkthyer nga i paharruari
Robert Shvarc. Botimit të parë të këtij romani censura i hoqi rreth 100 faqe që
pasqyronin jetën erotike të Goya-s, faqe që mesa duket u quajtën të pavlefshme
për formimin dhe edukimin e Njeriut të Ri
që po përpiqej në çdo formë dhe mënyrë ti ngjante Lej Fenit kinez. Ishte koha kur në Shqipëri qarkullonin korrentet e
Revolucionit Kulturor kinez, korrente që do të zbeheshin në fund të viteve 80’
kur romani do të ribotohej sërish por tashmë i plotë. Ky botim do të shoqërohej
dhe me ilustrime ku karikatura e famshme me diçiturën “Tu que no puedes “ do të përkthehej nga Shvarci “Ti që për asnjë gjë i zoti s’je/Mbamë në
kurriz se mirë e ke”. Përkthimi i letërsisë klasike kur mundte jepte shkëndija
të kuptimit të realitet gri shqiptar pasi lexuesi përveçse analogjisë së
thirrjeve të Inkuizicionit në mesnatë me thirrjet dhe survejimet e Sigurimit të
Shtetit mund të kishte një panoramë më të gjerë nga kjo karikaturë për
realitetin shqiptar ku shumica e kuadrove zgjidheshin nga “kllasa punëtore”. Vegimet
e Goya-s mund të ishin vegime të kujtdo intelektuali shqiptar që arrinte dhe e kuptonte
realitetin ndaj një meritë e madhe shkon për të gjithë atë brez përkthyesish që
nëpërmjet përkthimeve të tilla hidhnin dritë mbi errësirën e fanatizmit
dogmatik shqiptar. Ndaj për brezin tim Goya mbetet një piktor i madh por dhe një
njeri i madh që nën një përkthim mjeshtëror të romanit të një shkrimtari
antikomformist si Lion Feuchtëanger kontribuonte në kultivimin e shijeve tona estetike.
Mirëpo gjërat nuk duken të kenë ndryshuar shumë në vendin e shqipove pasi kjo
karikaturë me emërimet nepotike dhe shpërblyese për batakçiun e radhës që të
siguron vota duket se i përshtatet dhe realitetit të sotëm shqiptar. Shumë të
shkolluar por pak ekspertë të vërtetë, shumë buxhet i harxhuar për trajnimet e “ekspertëve”
tanë dhe shumë pak impakt i tyre në shoqëri. Diçitura e Shvarcit duket se rezonon
dhe sot duke na lënë të gjithë të shtangur dhe në pikëpyetje se ç’shtet të së
drejtës kemi ndërtuar në këto njëzet vjet tranzicion. Sigurisht të mposhtur nga
kjo dilemë jemi ne aty poshtë pasi ata që mbajmë lart as që e lodhin kokën por
mundohen të rrinë sa më mirë dhe të përfitojnë sa më mirë. Me pak fjalë sa të
mendohemi ne , ata nëpërmjet gjithfarë dredhish kanë mbaruar punë. Rrofshin dhe
i paçim për jetë se mesa duket e meritojmë një fat të tillë.
No comments:
Post a Comment