Para pak ditësh në fund të janarit, Instituti i
Monumenteve të Kulturës shpalli vendimin
dhe dëshirën më të te re në kuadër të
strategjisë së vet për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë
historike e kulturore që mbartin monumentet e kulturës gjithandej nëpër
Shqipëri. Ky vendim dhe dëshirë konsiston në faktin e dhënies me qira të rreth
40 monumenteve të kulturës në Shqipëri për 99 vjet, subjekteve private të cilat
mund të investojnë për të ndërtuar në to, hotele apo restorante nën shembullin
e kalasë së Petrelës e Lëkurësit në Sarandë. Vendimi si pritej ka ndezur një
debat të gjerë në medie por dhe mes specialistëve të cilët janë ndarë në dy
kampe përsa i përket dobisë së dhënie apo jo me qira këtyre monumenteve. Shqipëria
nga jugu në veri duke qenë një nga truajt
më të hershëm të zhvillimit të civilizimit botëror dhe me një numër te
konsiderueshëm të monumenteve të kulturës rezulton të jetë e prekur dhe e
interesuar e gjitha, për të pasur një platformë dhe strategji të drejtë përsa i
përket kësaj dileme që në dukje tingëllon shkencore por që pas vendimit të
qeverisë do të materializohet shumë shpejt dhe në praktikë.
Instituti i Monumenteve të Kulturës këmbëngul se
vendimin e ka marrë të bazuar në traditën dhe eksperiencën evropiane ,
kryesisht të Austrisë ku brenda kështjellave mesjetare mund të gjesh ndërtime
të këtij lloji. Për më tepër përfaqësuesit e Institutit shpjegojnë se mënyra më
e mirë për të shpëtuar një monument nga degradimi është rivitalizimi i tij me
një funksion dhe rol të ri. Natyrisht në këtë përqasje të problemit besoj se
nuk ka asnjë kundërshtim pasi është e vërtetë se monumentet përveçse mirëmbajtjes së vazhdueshme kërkojnë dhe funksionim dhe rol
të ri në shërbim të komunitetit për të marrë jetë. Madje mirëmbajtja dhe
shpenzimet e harxhuara për të mos u rrënuar mund të jetë dhe një arsye tjetër
për tu dhënë me qira pasi dihet tashmë
që financat e shtetit s’mund ta përballojnë këtë kosto të lartë , kurse
biznesmenë të suksesshëm mund të afrojnë shumë gjëra në këtë drejtim. Këto
arsye të trajtuara në këtë lloj mënyre sigurisht që tingëllojnë bindëse dhe në
përgjithësi pasi i ke dëgjuar mendon se nuk vend më për diskutim. Mirëpo
pavarësisht kësaj përqasje neo-liberale të privatizimit të gjithçkaje dhe
besimit në forcën dhe kreativitetin e privates në krahasim me shtetin, sërish
me një sy shpejt mund të konstatosh se vendimit dhe projektit të Institutit të Monumenteve
i mungojnë disa gjëra thelbësore për ta bërë të besueshëm.
Së pari shembujt e sjella si pozitivë nuk
konsistojnë në histori suksesi pasi kalaja e Lëkurësit sot me ndërtimet që janë
bërë aty është larg nga identiteti i saj i mëparshëm dhe sigurisht në këtë
drejtim fajin nuk e ka privati që ka investuar por shteti që e ka pasur aftësinë
kontrolluese shumë të ulët duke lejuar të devijojë nga projekti origjinal. Kjo
aftësi e ulët e shtetit është vërejtur edhe në sektorët e tjerë të jetës sonë
publike ku trotuare dhe hapësira publike janë zotëruar nga privatët dhe si janë
rikthyer ende komunitetit. Ndaj në këtë kuptim të pretendosh se do të rritet
perfomanca e shtetit për të kontrolluar çdo detaj të qiradhënies së këtyre
objekteve mund të jetë një iluzion që
mund të na kushtojë shtrenjtë pasi pas
ndërhyrjeve të mundshme të privatëve do të jetë shumë vonë dhe me shumë kosto
për ti rikthyer në origjinalitet. Për këtë arsye kërkohet që vendimi që
Instituti ka marrë të jetë gjithëpërfshirës duke pasur një bashkëpunim të
ngushtë me të gjithë Institutet e tjera shkencorë në Shqipëri si ai i Historisë,
i Arkeologjisë, i Antropologjisë dhe deri tek impaktet që do të kenë në ambient
ndërtime të tilla. Kjo do të thotë se hartohet një strategji e plotë duke marrë
parasysh faktorët historikë, kulturorë, etnografikë dhe të ambientit , gjë që e
cila kërkon shumë më tepër kohë sesa një vendim i nxituar për të pasur më vonë
pasoja në kulturën tonë kombëtare. Së dyti monumentet e kulturës që zgjidhen
për të hyrë në këtë proces po të shikohet më thellë në botë nuk janë monumente
që përbëjnë palcën e identitetit kombëtar por monumente të kulturës së dorës së
dytë që kërkohen të rivitalizohen si p.sh godina institucionale të shekujve të
kaluar. Nuk mund të mendohet që në Itali , Koloseu ti jepet me qira investitorëve privatë për të ndërtuar hotele
apo restorante në të ashtu si po veprohet tashmë me kalanë e Lezhës që ende nuk
është gërmuar nga arkeologët dhe larg qoftë me amfiteatrin e Durrësit,
Apoloninë apo dhe Butrintin nesër pasi të gjitha këto monumente në Shqipëri, ashtu
si është përfaqësues Koloseu për Romën janë simbol të qyteteve përkatëse. Për
më tepër hapësira kohore e përzgjedhur në vendim rreth 99 vjet është një
praktikë që më tepër se nxit sipërmarrjen e lirë mund të shkaktojë dëme të
pariparueshme në trashëgiminë tonë kulturore.
Trashëgimia kulturore mund të konsiderohet shpesh
herë si një luks për realitetin shqiptar ku mungojnë shumë gjëra të tjera
thelbësore por besoj se asnjëri nuk mund ta mohojë vlerën e saj të paçmuar në
sendërtimin e identitetit kulturor dhe kombëtar të një kombi. Askush në vitet
30’ kur u bënë punimet në Apoloni dhe Butrint mund ti konsideronte si prioritete
të Shqipërisë këto punime, por sot ato janë kthyer në ikona tërheqëse që
sjellin shumë vizitorë në Shqipëri sidomos gjatë sezonit turistik. Për më tepër
Shqipëria ka një thesar të vërtetë në këtë drejtim pasi vendi ka qenë një
kryeqendër e pothuajse të gjitha zhvillimeve kulturore që kanë kaluar në
Ballkan. Lista e monumenteve të kulturës që janë dhënë në shfrytëzim deri tani
nga Veriu në Jug mund të jetë e konsiderueshme , por Instituti i Monumenteve të
Kulturës duhet fillimisht të tregojë sesi kanë qenë dhe ç’përfitim ka pasur nga
investimet përsa i përket restaurimeve dhe mirëmbajtjes së tyre dhe pastaj të
dalë me një vendim që i jep të gjitha monumentet me qira. Pasi të jetë bërë ky
bilanc dhe pastaj në bazë të këtyre të dhënave është hartuar një strategji e
mirëfilltë duke marrë parasysh të gjitha grupet e interesit mund të filloj
Instituti të vendosë për dhënien apo jo të tyre me qira. “Veprimet flasin më
shumë se fjalët” thotë një fjalë e urtë latine që e përkthyer në realitetin
tonë do të thotë që të rishikohen mirë shembujt ku monumentet e kulturës janë
dhënë me qira investitorëve privatë dhe në bazë të tyre të hartohet dhe
strategjia gjithëpërfshirëse e menaxhimit të tyre.
No comments:
Post a Comment